Konsultim Publik

1) Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 10 112, Datë 09.04.2009, “Për Administrimin e Bashkëpronësisë në Ndërtesat e Banimit"

Në kuadër të përmirësimit të legjislacionit në fushën e pasurive të paluajtshme, si dhe marrë shkas nga problematikat e hasura nga qytetarët dhe bashkitë, është iniciuar procesi i përmirësimit të ligjit nr. 10112, datë 09.04.2009, “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit", duke synuar krijimin e lehtësirave gjatë zbatimit në praktikë të tij. Duke synuar eficencën gjatë implementimit të ligjit, pjesë e fokusit të ndryshimeve janë mënyra e organizimit dhe kompetencat e organeve drejtuese, administrimi dhe menaxhimi i shërbimeve, si dhe përfshirja e disa organizmave të banimit të cilat, në momentin e konceptimit dhe draftimit të ligjit, kanë qenë të panjohura dhe të pakrijuara. Këtu përmendim administrimin e komplekseve të banesave individuale ose komplekseve rezidenciale të organizuara në formën e fshatrave të banimit, si dhe përfshirja në objektin e ligjit ndërtesat e banimit që përfshijnë edhe njësi tregtare.

Një ndryshim që sjell propozimi i këtij projektligji është edhe rregullimi i statusit ligjor që gëzojnë asambletë e bashkëpronarëve, duke bërë në këtë mënyrë që asambleja e bashkëpronarëve të fitojë statusin e personit juridik jofitimprures në momentin e regjistrimit në bashki, duke krijuar fitimin e të drejtave dhe detyrimeve në mënyrë të pavarur në raport me të tretët (administratorin, furnizuesin e shërbimeve, shfrytëzimin / dhënien me qira të mjediseve të përbashkëta,  etj., perfshirë për efekte fiskale, si mbajtja e të ardhurave në burim). Ndërkohë që, duke e përcaktuar si subjekt jofitimprurës, asambleja nuk do të tatohet për të ardhurat e veta.

Projektligji është përgatitur nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban.

Duke vlerësuar të domosdoshëm kontributin e të gjithë aktorëve, MZHU vë në dispozicion draftin e propozuar për të siguruar në këtë mënyrë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës deri në draftin përfundimtar që do të miratohet.

Jeni të mirëpritur me komente dhe sugjerime, duke komunikuar së bashku në adresën e mëposhtme:

konsultime@zhvillimiurban.gov.al

 

Për tu njohur me draftin e plotë, Lexo më shumë.

Për tu njohur me relacionin, Lexo më shumë.

 

-----------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

2) Drafti për ndryshimet e propozuara në ligjin ekzistues nr.107/2014 datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”

Ministria e Zhvillimit Urban, paraqet për konsultim publik në Nëntor 2016, ndryshimet e propozuara në ligjin ekzistues nr.107/2014 datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”. Ky projektligj vjen si domosdoshmëri për të përmirësuar procesin e planifikimit dhe zhvillimit të territorit, që vjen si rezultat i përvojës së deritanishme me zbatimin e këtij ligji. Gjatë punës në zbatim të këtij ligji, janë evidentuar nevoja për të saktësuar aspekte teknike dhe proceduriale në kuadër të hartimit dhe zbatimit të dokumentave planifikues si dhe në fushën e shqyrtimit të kërkesave për leje ndërtimi.

Ndryshimet e propozuara synojnë rregullime në ligjin ekzistues nr.107/2014 datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”. Këto rregullime vijnë kryesisht për shkak të reformës së ndërmarrë nga Ministria e Zhvillimit Urban, në kuadrin e zhvillimit dhe planifikimit urban.

Këto ndryshime kanë si objektiv: (i) lehtësimin e procedurës së miratimit të dokumentave të planifikimit të detajuar vendor, duke qartësuar detyrimet që kanë autoritetet vendore në administrimin e këtij procesi, nga hartimi deri te vendimmarrja për miratimin e Planeve të Detajuara Vendore, si dhe ndryshimin e disa dispozitave që kanë të bëjnë me procesin e aplikimit të lejeve të ndërtimit, si rezultat i kërkesës së Shoqatës së Bashkive bazuar në praktikën e deritanshme të zbatimit të ligjit, (ii) saktësimin e rolit të institucioneve qendrore planifikuese, si Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit, (iii) përkufizimin e sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit, si sistem i vënë në përdorim rishtazi dhe (iv) qartësimin dhe lehtësimin procedurial të procesit të planifikimit si në nivel vendor ashtu edhe në nivel qendror, si rezultat i përvojës së proceseve planifikuese të 3 Planeve Kombëtare dhe 31 Planeve Vendore. 

Për tu njohur me draftin e plotë, Lexo më shumë.

 

-----------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

3) Drafti final i projektligjit "Për Strehimin Social"

Në Muajin Shtator të këtij vitit, drafti i projektligjit "Për strehimin social" ishte gati për konsultime publike. Konsultimet publike u zhvilluan në Vlorë, Pogradec, Lezhë, ku të ftuar ishin pjesëmarrës nga 61 bashkitë e vendit dhe në Tiranë, ku morën pjesë përfaqësues nga Këshilli i Evropës, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Avokati i Popullit, Komisioneri për Anti-diskriminimin, INSTAT, Enti Kombëtar i Banesave, Shoqata e Ndërtuesve, Shoqata Gruaja në Media, UN Women, Shoqata “Civil Rights Defender”, shoqata “Të Ndryshëm dhe të Barabartë”, shoqata Rome dhe Egjiptiane, shoqata e personave me aftësi të kufizuara, grupe të tjera të interesi, si  dhe aktivistë të interesuar për çështjet e strehimit.

MZHU u angazhua që për çdo organizatë, institucion qeveritar apo jo qeveritar, çdo individ i interesuar të vlerësojë komentet dhe sugjerimet e dërguara.

Në tërësi, procesi i hartimit të këtij ligji është transparent dhe gjithëpërfshirës deri në draftin përfundimtar, duke siguruar një produkt që adreson të gjitha çështjet që lidhen me strehimin. Projektligji përcakton nxjerrjen e 33 akteve nënligjore, ndër të cilat 21 Vendime të Këshillit të Ministrave dhe 12 Udhëzime.       

Projektligji "Për strehimin social" ka për qëllim që të përcaktojë tërësinë e rregullave dhe procedurave administrative për mënyrat e sigurimit, të shpërndarjes, të administrimit dhe të planifikimit të programeve sociale për strehimin, duke krijuar mundësi dhe akses për një strehim adekuat dhe të përballueshëm për familjet në nevojë.

Ligji merr në vëmendje masat konkrete me qëllim promovimin, mbrojtjen dhe sigurimin e plotë dhe progresiv të kësaj të drejte.

Ky projektligj synon krijimin e mundësive për strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm, për një jetesë të sigurt, me dinjitet dhe në paqe duke u mbështetur në aftësitë paguese të individëve dhe familjeve që kanë nevojë për strehim dhe që kanë nevojë për ndihmën e shtetit, me qëllim që askujt mos t'i mohohet e drejta për të përfituar strehim në një nga programet sociale të strehimit përveç rasteve kur, një program është i programuar në mënyrë të posaçme për t'i ardhur në ndihmë individëve ose grupeve specifike.

 

Për tu njohur me draftin final, Lexo më shumë.

 

------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

4) Konsultim publik për draftin e parë të projektligjit "Për Programet Sociale të Strehimit"

Strehimi social është një ndër  prioritetet  e  Qeverisë, me  ndjeshmëri  të lartë sociale për qytetarët, që kërkon vëmendje dhe angazhim të disa aktorëve.

Ministria e Zhvillimit Urban, si institucioni që mbulon çështjet e strehimit, gjatë viteve 2013-2016, ka marrë nisma të rëndësishme në fushën e legjslacionit, sikurse dhe në fushën e investimeve direkte, duke arritur që për herë të parë  në 25 vjet,  të hartohen  politika sociale   konkrete dhe të zbatueshme që i përgjigjen aktualitetit.

Miratimi i Strategjisë Sociale të Strehimit 2016-20125, shoqëruar  me një  plan-veprimi konkret, të detajuar, nxori në pah situatën reale të strehimit, duke identifikuar nevojat për të mbështetur këtë sektor, në kushtet e reja të reformës administrative.

Ligji 9232, datë 13.05.2004 ”Për Programet Sociale të Strehimit”, i ndryshuar, tashmë nuk i përgjigjet  më kushteve si dhe politikave sociale, të miratuara së fundmi , duke diktuar nevojën e një ligji të ri.

 Për këtë arsye, prej marsit të këtij viti, Ministria e Zhvillimit Urban nisi procesin e rishikimit të ligjit “Për Programet Sociale të Strehimit”. Ky proces, po bëhet  i mundur me ekspertizën ligjore dhe asistencën teknike të ofruar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Duke vlerësuar të domosdoshëm  kontributin e të gjithë aktorëve, MZHU ka ngritur grupin e punës ndër-institucional, ku janë përfshirë të gjitha institucionet qendrore dhe vendore, të cilat merren me trajtimin e çështjeve që lidhen me strehimin, si dhe grupin këshillimor me përfaqësues të shoqërisë civile.
 Ky draft i parë, që tashmë po i vihet në  dispozicion  publikut, është produkt i bashkëpunimit  mes të gjitha palëve të përfshira,si institucionet publike që adresojnë çështje  që lidhen me  strehimin,  shoqatat që përfaqësojnë interesat e grupeve në nevojë, pushteti vendor, Avokati i Popullit, Komisioneri për Antidiskriminimin, ekspertët e shoqërisë civile dhe donatorë. 

Nga muaji  shtator,  drafti i projektligjit të ri “Për Programet Sociale të Strehimit”, do të konsultohet me publikun, në disa qytete të vendit, me praninë e të gjithë aktorëve të lartpërmendur.

Ne jemi optimistë, se po sjellim nëpërmjet këtij ligji,  risi që do t’i vijnë në ndihmë, të gjitha shtresave , sidomos atyre vulnerable; do t’i japin më shumë mundësi bashkive të operojnë në kushtet ekzistuese nëpërmjet:

 a) dyfishimit  të  programeve të strehimit;

b)  mundësive për të përfituar banesë sociale edhe familjeve pa të ardhura apo me ndihmë ekonomike;

 c) krijimit të pronarit social, që i jep sërish mundësi  subjekteve private  të hyjnë  në marrëdhënie me bashkinë,  për të dhënë me qira banesat e tyre;

 d) krijimit të fondit social (sigurimi  banesave si fond i përhershëm i  bashkisë);

 e) rikonstruksionit të objekteve të dala jashtë funksonit të tyre fillestar dhe kthimin në fond banesash;

 f) sigurimit të një strehimi të përshtashëm për komunitetet në nevojë  si dhe vijimit të programeve të investimit për  këto komunitete.

Procesi i hartimit të këtij ligji do të jetë  transparent dhe gjithëpërfshirës deri në draftin përfundimtar, që pritet të miratohet brenda këtij viti.

Jeni të mirëpritur me komente dhe sugjerime, duke komunikuar së bashku  në adresën e mëposhtme:

ligjistrehimit@zhvillimiurban.gov.al

 

Për tu njohur me draftin e plotë, Lexo më shumë.

 

------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

5) Konsultim për Draft - Strategjinë e Strehimit Social 2015-2025

Në kuadër të procesit të hartimit të draft-strategjisë për strehim social, MZHU e ka shpërndarë këtë dokument strategjik nëpërmjet postës elektronike, përkatësisht në këto institucione, organizata, shoqata apo përfaqësi me datë 08.07.2015, duke i rikujtuar sërish të gjithë përfaqësuesit e këtyre institucioneve, organizatave, shoqatave nëpërmjet postës elektronike, me datë 15.07.2015 për dërgimin e mendimeve dhe sugjerimeve të tyre mbi draft-dokumentin stategjik.

Kryeministria; Ministria e Drejtësisë; Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë; Avokati i Popullit;  Shoqata e Qiramarrësve në ish-pronë private; Shoqata “Amarodrom”; OSF Albania;Shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuara;Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë;Qendra ResPublika;Shoqata e Jetimëve;Enti Kombëtar i Banesave.

Më pas, u organizuan 4 takime konsultative,  “Dëgjesa publike për prezantimin e Draft-Strategjisë për Strehim Social”, të zhvilluara përkatësisht:

Në Berat, më datë 23-10-2015; Në Lezhë,  më 30-10-2015; Në Durrës,  më 06.11.2015; dhe në Tiranë, më 13.11.2015.

Në këto takime,  morën pjesë përfaqësues nga 61 bashkitë e vendit, përfaqësues nga degët e EKB-së, drejtues të qarqeve dhe prefekturave, sikurse dhe shoqata, organizata dhe aktivistë të ndryshëm.

Në përfundim të këtyre takimeve konsultative, veç regjistrimit të sugjerimeve, komenteve dhe propozimeve të bëra nga pjesëmarrësit, gjatë prezantimit të draft-strategjisë, nëpërmjet postës elektronike, me datat 26.10.2015, 03.11.2015 dhe 13.11.2015, MZHU u ka dërguar të gjithë të pranishmëve në këto takime konsultative, draft-strategjinë në format elektronik, me ftesën për të bërë ndryshime, sugjerime e propozime edhe më konkrete e të detajuara.

Sugjerimet dhe komentet e bëra në këto takime janë reflektuar në draftin përfundimtar.

 

Strategjia e Strehimit Social Lexo më shumë

Plani i Veprimit Strategjia e Strehimit Lexo më shumë

 

-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

6) Konsultime publike për 3 planet e zhvillimit të territorit: Planin e Përgjithshëm Kombëtar; Planin e Integruar Ndërsektorial të Bregdetit dhe Planin për zonën ekonomike Tiranë- Durrës.

Në kuadër të procesit të hartimit të dokumenteve të tre planeve të rëndësisë kombëtare për zhvillimin e territorit: Planit të Përgjithshëm Kombëtar; Planit të Integruar Ndërsektorial të Bregdetit dhe Planit për zonën ekonomike Tiranë- Durrës, Ministria e Zhvillimit Urban dhe AKPT kanë zhvilluar 4 dëgjesa publike, përkatësisht në Korçë, më 23.11.2015; në Vlorë, më 25.11.2015; në Shkodër, më 7.12.2015; dhe në Tiranë, më 29.12.2015.

Ndërkohë, përgjatë muajve tetor – nëntor 2015, u zhvilluan takime konsultuese me të gjitha njësitë e qeverisjes vendore të vendit.

Komentet dhe sugjerimet e mbledhura po shqyrtohen për t’u pasqyruar në dokumentet e planeve.

 

Plani i Përgjithshëm Kombëtar Lexo më shumë

Plani i Integruar Ndërsektorial i Bregdetit Lexo më shumë

Plani për zonën ekonomike Tiranë- Durrës Lexo më shumë

 

--------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

7) Konsultim për projekt-ligjin – Për një ndryshim në ligjin nr.9232, datë 13.05.2004 “Për programet sociale të strehimit” të ndryshuar

Projektakti synon realizimin e ndryshimeve në ligjin nr.9232, datë 13.05.2004 “Për programet sociale të strehimit” të ndryshuar, për të mundësuar zgjidhjen përfundimtare të problematikës së lidhur me familjet e prekura nga ndërtimi i ujëmbledhësit të Bovillës.

Nëpërmjet projektaktit subjekteve në fjalë do tu jepet mundësia të disponojnë në mënyrë plotë pasuritë e akorduara më parë, si formë kompensimi për humbjen e banesave të tyre për shkak të veprës publike Ujëmbledhësi I Bovillës.

Në këtë kontekst, projektakti ka për qëllim të krijojë instrumentin ligjor që do të rregullojë marrëdhëniet e pronësisë në pasuritë e sipërpërmendura, duke bërë të mundur edhe regjistrimin e tyre në favor të përfituesve, në mënyrë që këta të fundit të gëzojnë të gjithë të drejtat civile që lidhen me këto prona.

Nga ana e Agjencisë së Legalizimit Urbanizmit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale , është evidentuar problematika e  banorëve të  fshtarave të përmbytur nga ndërtimi i Ujëmbledhësit të Bovillës që daton qysh në vitin 1994, të cilët janë shpërngulur në fshatrat Zallmner, Bulçesh dhe Brurëz. Shumë prej tyre kanë bërë edhe vetëdeklarime për legalizm të shtesave të bëra  në banesat e tyre në këto fshatra . ALUIZNI ka kryer takime informuese me këtë komunitet të interesit me objekt formalizmin e banesave të cilat prej vitit 1994 e në vazhdim nuk kanë gjetur zgjidhje.

Për projekt-ligjin janë marrë mendime nga ministritë e linjës dhe grupet e interesit.

 

Projekt-ligji “Për programet sociale të strehimit” të ndryshuar Lexo më shumë