Eglantina Gjermeni

Ministër

Eglantina Gjermeni

Eglantina Gjermeni ka lindur më 24 Nëntor të vitit 1968 në qytetin e Krujës.  

znj. Gjermeni është diplomuar në Fakultetin e Histori- Filologjisë në vitin 1990, duke vazhduar më pas studimet pasuniversitare në Punë Sociale në vitin 1993 – 1994. 

Ajo ka vazhduar studimet e mëtejshme akademike në  Universitetin Grand Valley State University në Michigan, SHBA, duke  marrë titullin Master në Punë Sociale në vitin 1998.

Në vitin 2005, znj. Gjermeni  mori titullin Doktor i Shkencave në Punë Sociale, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. 

Nga viti 1995 deri në vitin 2008 ka qenë pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale, Departamenti i  Punës Sociale, ndërsa në vitet 2009-2013 ka vazhduar mësimdhënien me kohë të pjesëshme në po këtë departament.

Prej vitit 1999 deri në vitin 2009 znj. Gjermeni ka drejtuar Qendrën “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, një organizatë jo-fitimprurëse që kontribuonte në çëshjet e barazisë gjinore dhe të drejtat e grave.

Znj. Gjermeni është autore dhe bashkë-autore e shumë artikujve brenda dhe jashtë vendit, studimeve dhe publikimeve që adresojnë çështje sociale, çështje të integrimit gjinor, si edhe koncepte kryesore të lidhura me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe politik.

Për vitet 2009-2013, znj. Gjermeni  është zgjedhur deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë mandatit të saj të parë si deputete, ka qenë anëtare e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 znj. Gjermeni u rizgjodh si deputete e Kuvendit të Shqipërisë.

Prej Shtatorit të vitit 2013 znj. Gjermeni është pjesë e kabinetit të qeverisë Rama dhe deri në Shkurt të vitit 2015, mbajti postin e "Ministër i Zhvillimit Urban dhe Turizmit". 

Ndërkohë që nga Shkurti i vitit 2015 dhe aktualisht mban postin "Ministër i Zhvillimit Urban".