Fjala e zëvendësministrit Gjon Radovani, në konferencën shkencore “Teknologji, Kulturë dhe Zhvillim”

Fjala e zëvendësministrit Gjon Radovani, në konferencën shkencore “Teknologji, Kulturë  dhe Zhvillim”  mbajtur në   Malin  e Zi  nga data 2-4 shtator.

 

Të nderuar zotërinj ministra,

të nderuar organizatorë të eventit,

të nderuar zonja dhe zotërinj,

 

Më lejoni që të falenderoj përzemërsisht organizatorët e këtij eventi dhe veçanërisht, Prof. Dr. Jaukovic për inisiativën e marrë dhe për spektrin e gjerë të trajtimit të temës „Vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Europian“.

Unë, Gjon Radovani, jam me profesion urbanist dhe arkitekt, me aktivitet mjaft të gjatë në nivelin internacional. Shpesh me funksionin e developër për shumë projekte në rajone të ndryshme të botës.

Prej mëse 20 vjet ushtroj këtë profesion duke drejtuar studion [space] architektur stadtplanung design, me seli në Stuttgart dhe me filiale edhe në vende të tjera të kontinentit. Një vit më parë, me ndërrimin e qeverisjes në Shqipëri dhe me ardhjen në pushtet të qeverisë Rama, une vendosa të jap kontributin tim modest në këtë ndryshim radikal që ka në filluar Shqiperi. Tani ushtroj detyrën e Zëvendësministrit në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit të Republikës së Shqipërisë. Jua shpjegova këtë, sepse do te mundohem që në kohën në dispozicion ta trajtoj diskutimin tim nga dy këndvështrime, nga ai i developer-it dhe nga ai i politikanit.

E kam te domosdoshme në introduksion të nënvizoj dy fakte tepër të rëndësishme të një rëndësie globale dhe kontinentale:

  • I pari, që është një fakt global, është ai i ekzistencës së një rreziku teper të madh dhe serioz për të gjithë njerëzimin, fakti i ekzistencës dhe aktivitetit të intensifikuar të terrorizmit në botë.

Bota e civilizuar në të gjitha kontinentet e saj, pavarësisht kombësive, përkatësisë fetare dhe ideologjive që mbështesin, është e kërcënuar seriozisht nga terrorizmi. Të gjitha mendimet dhe forcat e shëndetëshme duhet të konsiderojnë me shumë seriozitet këtë fakt dhe të mobilizohen duke i dhënë rëndesinë që i takon kësaj situate. Është iluzore dhe fatale të mendosh se një fenomen i tillë është i kufizuar gjeografikisht vetëm në Lindjen e Mesme. Paralelisht është shumë e dëmshme të injorosh faktin se këto fenomene dhe këto situata shfrytëzohen në mënyrë natyrale dhe të paskrupullt nga i gjithë krimi i organizuar ndërkombëtar. Duke patur parasysh këtë situatë, mendoj se edhe analiza e problemeve të tjera duhet të ndryshojë për arsye të ndryshimit të prioriteteve dhe të instrumentave për zgjidhje në dispozicion. Historikisht, që nga primitiviteti e deri më sot, njeriu në raste të kanosjes së një rreziku madhor, ka ndaluar çdo lufte të brëndshme, ka anashkaluar çdo konflikt dhe ka ngrire çdo mosmarrveshtje. Nje analizë e shpejtë e gjëndjes aktuale botërore na con ne konkluzionin se “problemet” provinciale ndërshtetërore dhe ndërentnike janë të një rëndësie të papërfillshme për njerëzimin dhe për të ardhmen e tij.  

  • I dyti eshte fakti i kurorëzuar para një jave, ai i suksesit të Konferencës së Berlinit mbi Ballkanin Perëndimor.

Me Konferencën e Berlinit u hap një shans historik për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor në raportin e tyre me Komunitetin Europian. Nga njëra anë vizioni i qartë i Kancelares Merkel në lidhje me gjeopolitikën e Europes, forca e saj drejtuese, shpejtësia dhe saktësia e vendimmarrjes dhe nga ana tjetër niveli i mendimit, lartësia e veprimit dhe trasparenca mbresëlënëse e Kryeministrit Rama, bënë të mundur që në raportin ndërmjet Europes së Bashkuar dhe Ballkanit Perendimor të hapet një kapitull krejtësisht i ri, i bazuar jo më mbi marrdhënie bilaterale dhe teori apo plane nacionale dhe lokaliste të zhvillimit, por mbi bazën e një perceptimi global të problemit të ballkanit, si rajon që vetëm si një i tërë mund të jetë në nivelin e duhur për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane duke ruajtur dhe forcuar dinjitetin e tij.

Ne kumtesën time do të ndalem në trajtimin e pikave të mëposhtme:

  1. Rëndësia e antarësimit në Bashkimin Europian, objektiv jetik për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.
  2. Rëndësia e ruajtjes dhe e mbrojtjes së dinjitetit të individit dhe të shoqërive përkatëse gjatë proceseve të transformimit dhe të zhvillimit.
  3. Bashkimi i potencialeve të zhvillimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor - domosdoshmëri për të maksimizuar rezultatet e punës, i vetmi model për të krijuar sinergji pozitive dhe vlerë të shtuar.
  4. Domosdoshmëria e rritjes në mënyre drastike e “interkoneksionit” ndërmjet vendeve të Ballkanit perëndimor si parakusht i domosdoshëm për një “interkoneksion” logjik me Europen e Bashkuar.
  5. Domosdoshmëria e përdorimit të instrumentave zhvillimore bashkkohore për zhvillimin territorial dhe urban të rajonit si dhe sfida e madhe e krijimit të “karaktereve të qyteteve” duke patur parasysh ndryshimet drastike të nevojave të njerëzve gjatë zhvillimit jo linear të shoqërive të rajonit në 100 vitet e fundit.  

 

  1. Rëndësia e antarësimit në Bashkimin Europian, objektiv jetik për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.

 

Europa e Bashkuar në themelin e saj nuk është një mekanizëm administrativ. Ajo nuk ka lindur si një bashkim ligjesh, rregullash apo normativash. Ato janë vetëm deduksione dhe nevojë në rrjedhojë. Qëllimi themelor i Europes së Bashkuar është identifikimi dhe bashkimi i disa vlerave të mirëpërcaktuara. Prandaj edhe antaresimi i njërit apo tjetrit shtet në këtë bashkësi do të mbetet gjithmonë artificial dhe problematik nëse shteti respektiv nuk përqafon paraprakisht, nuk inkorporon, vlerat që janë në themelin e këtij uniteti kaq të suksesshëm dhe nuk i respekton këto vlera me rigorozitetin më të madh. Të kesh vlera dhe principe do të thotë të punosh dhe të luftosh çdo dite, hap pas hapi, pa asnjë ndërprerje për t’i mbrojtur ato, për të mos shkarë në kompromise që edhe pse në dukje janë të favorshme, të shpien në degradimin e vlerave themeltare të krijimit të këtij uniteti. Mjafton të përmendim situatën e krijuar në disa shtete antare të BE-së në vitet e fundit, ku injorimi i këtyre vlerave deduktoi pothuajse një kolaps total të shoqërive dhe të ekonomive te tyre.

Europa e Bashkuar është e vetmja formë që mund të garantojë suksesin e një zhvillimi intelektual, ekonomik dhe artistik të qëndrueshëm të kontinentit dhe për konseguencë të çdo shteti antar të tij. Zhvillimi i vrullshëm i teknikave të komunikimit në njëzet vitet të fundit ka ndërtuar platformën më të favorshme të mundur për një globalizim të veprimit dhe të mendimit. Globalizim, i cili nëse kuptohet dhe përdoret pa abuzim shton garancitë e ekuilibrave botërore dhe për konseguencë siguron një mirëqënje mbarëbotërore. Shtetet europiane vëtëm duke vepruar në një unitet mund t‘i bëjnë ballë dinamikave të zhvillimit. Ato kanë shumë çfarë t‘i ofrojnë botës edhe individualisht, por oferta e bashkuar i jep një vlerë të shtuar shërbimit të tyre dhe siguron respektimin maksimal të mundur nga pjesa tjetër e botës.

 

  1. Rëndësia e ruajtjes dhe e mbrojtjes së dinjitetit të individit dhe të shoqërive përkatëse gjatë proceseve të transformimit dhe të zhvillimit.

 

E parë në këtë këndvështrim, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një rrugë të gjatë për të bërë në drejtim të përqafimit të këtyre vlerave bazilare dhe jetike për një pjesëmarrje të natyrshme në Bashkimin Europian. Ky është një udhëtim, që çdo shoqëri dhe çdo individ duhet ta bëjë brenda vetes. Ndryshimet radikale të bëra në gadishull në 25 vitet e fundit kanë lindur nevojën e ripozicionimit të shoqërive dhe të individëve. Dramat historike të shekujve të kaluar dhe diktaturat e pas Luftës së dytë botërore, kanë gjeneruar jo vetëm situata urbane dhe rurale, industri dhe ekonomi jo kompatibël me ato të Europës perëndimore, por kanë çimentuar edhe mendime, logjika dhe modele e metoda veprimi, që janë pengesat më të mëdha për integrimin Europian të këtyre vendeve. Në kushte të tilla është më e domosdoshme së kurrë një ndryshim radikal dhe qartësim i strategjisë së veprimit. Ndryshimet radikale të të menduarit dhe të vepruarit shpesh sjellin me vehte edhe rrezikun që sjell me vehte edhe çdo “kurë Intensive”, prandaj është e domosdoshme që të merren të gjitha masat për shtimin në maksimum të garancisë së ruajtjes së ekuilibrave njerëzore dhe si kusht i padiskutueshëm duhet të jetë mbrojtja me të gjitha format dhe pa asnjë ekuivok i dinjitetit njerëzor.

Paragrafi i parë i Kushtetutës së Republikës së Gjermanisë thotë: “ Die Ëürde des Menschen ist untastbar” – “Dinjiteti i njeriut është i paprekshëm”. Mendoj dhe shpresoj se edhe në kushtetutat e tjera në një formë ose në një tjetër duhet të jetë shprehur ky koncept. Por edhe në rast të kundërt, ruajtja dhe mbrojtja pa kompromis e dinjitetit të njeriut duhet te jetë një aksiomë e padiskutueshme e politikës dhe e ekonomisë së shoqërive të gadishullit. Mbrojtja e dinjitetit të secilit individ dedukton automatikisht edhe mbrojtjen dhe ruajtjen e dinjitetit te vetë shoqërive dhe të grupeve shoqërore në të cilat bëjnë pjesë individet.

 

  1. Bashkimi i potencialeve të zhvillimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor - domosdoshmëri për të maksimizuar rezultatet e punës, i vetmi model për të krijuar sinergji pozitive dhe vlere të shtuar.

 

Thënë kjo, dëshiroj të nënvizoj se grupet shoqërore dhe etnike, shtetet dhe korporatat e vendeve të Ballkanit Perendimor jane shume te papërfillshme për ekonominë botërore nëse ato merren të veçuara nga njëra-tjetra. Përveç kësaj, zhvillimi i degeve të ndryshme të shkencës dhe ekonomisë është i pamundur të bëhet i plotë dhe t‘i përgjigjet kërkesave të kohës nëse këto dege zhvillohen në një territor kaq të limituar sa janë edhe vetë shtetet ballkanike. Një rritje e fushes së veprimit dhe tregut është një kërkesë e padiskutueshme e agjentëve ekonomike internacional dhe për sa kohe këto agjentë ekonomike të qëndrojnë larg rajonit, zhvillimi nuk mund të jetë veçse i pjesshëm dhe i ngadaltë. Bashkimi i potencialeve të zhvillimit nuk krijon vetëm një rritje kuantitative të produkteve të prodhuara dhe të nevojave të tregut por gjeneron edhe një plotësim të gamës së kërkesës dhe ofertës.

Veprimi në një territor relativisht të vogël, siç është Ballkani Perëndimor, duhet të shihet si një faktor pozitiv për të krijuar këto oferta të plota në të gjithë spektrin e tyre. Nëse marrim si shembull industrinë e turizmit, bashkpunimi i hapur ndërkufitar do t‘i krijonte klientelës mundësi të pakrahasueshme me ofertat momentale të kufizuara vetëm në kufijtë e secilit shtet. Pjesët e ndryshme të ofertave nuk do të ishin vetëm konkurrenciale, gjë që nxit rritjen e kualitetit të ofertës, por do të ishin edhe komplimentare dhe per konseguencë do të ndikonin shumë në rritjen e fluksit të klientelës duke marrë edhe vlerën e shtuar që sjell në vetvete diversiteti.

Më lejoni të përmend këtu ndonjë shembull negativ të trajtimit të kësaj dege të rëndësishme të ekonomisë në momentet aktuale. Nëse shohim liqenin e Shkodrës, atë të Ohrit apo atë të Prespës, edhe pse ata gjeografikisht dhe kulturalisht janë të predestinuar të lidhin njerëzit, kulturat e tyre dhe për konseguencë edhe konsumatorin, në këtë moment janë vetëm elementë ndarës dhe nuk gjenerojnë pothuajse asgjë. E njëjta gjë ndodh me linjën detare të Malit të Zi dhe të Shqipërisë, linja të cilat nuk komunikojnë pothuajse fare për këtë degë të ekonomisë.

 

  1. Domosdoshmëria e rritjes në mënyre drastike e “interkoneksionit” ndërmjet vendeve të Ballkanit perëndimor si parakusht i domosdoshëm për një “interkoneksion” logjik me Europën e Bashkuar.

 

Situata aktuale duhet të ndërroje në mënyrë të menjëherëshme, nëse rajoni dëshiron të marrë seriozisht objektivin e tij për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Europian dhe nëse dëshiron të ndjekë vendimet dhe udhëzimet e Konferencës Ballkanike të Berlinit. Kusht jetik për përmirësimin e situatës dhe hapjen e bashkëpunimeve në të gjitha nivelet është një ndërrim radikal i mentalitetit. Mentaliteti i Principatave apo i Sulltanateve është demodè dhe i dëmshem për zhvillimin e rajonit dhe bie ndesh me parimet dhe vlerat e Komunitetit Europian. Vetëm një bashkëpunim ndërshtetëror multilateral dhe në të gjitha shtresat e zhvillimit social, kulturor dhe ekonomik i hap rrugë zhvillimit të shpejtë dhe të qëndrueshëm të të gjithë rajonit.

Sfida e madhe për ndërtimin e një rrjeti funksional të ndërveprimit shtrihet nga a) ndërtimi i një rrjeti modern komunikimi me autostrada, hekurudhë, linja detare dhe ajrore, në b) atë të furnizimit me energji, gaz, energji elektrike, në atë të c) shkëmbimit ekonomik, shoqëri të përbashkëta dhe ndërajonale dhe deri tek d) rrjeti i komunikimit universitar, akademik dhe kulturor.

Krijimi i një rrjeti të tillë është domosdoshmëri për të hapur perspektiven e zhvillimit dhe për ta bërë rajonin atraktiv dhe të sigurt. Vetëm me krijimin e mundësive për të komunikuar dhe për të bashkëpunuar me njeri-tjetrin do të arrijmë t’i zhveshim njerëzit nga frikat e pajustifikuara, nga frikat që mbajnë rob provincialët dhe lokalistët dhe që shfrytëzohen nga sulltanët dhe princët e vetëdeklaruar.

Është e pashpjegueshme dhe njëkohësisht e papranueshme që as në fusha ku legjislacionet e shteteve të Ballkanit Perëndimor janë pothuajse identike, si psh. në luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimi ndërshtetëror është pothuajse inekzistent.

 

  1. Domosdoshmëria e përdorimit të instrumentave zhvillimore bashkëkohore për zhvillimin territorial dhe urban të rajonit si dhe sfida e madhe e krijimit të “karaktereve të qyteteve” duke patur parasysh ndryshimet drastike të nevojave te njerëzve gjatë zhvillimit jo linear të shoqërive të rajonit në 100 vitet e fundit. 

 

Dhe tani do të kthehem te trajtimi i një elementi shumë të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, në atë të zhvillimit territorial. Historia e shekujve të fundit, por sidomos ajo e shtatë dekadave të fundit ka qënë shumë kapricioze me zhvillimin territorial të Ballkanit Perëndimor. Ndryshimet e sistemeve politike kanë gjeneruar një mbivendosje modelesh zhvillimi dhe një çrregullim total të marrëdhënies së shtetit dhe qytetarit me pronën e patundshme. Riformatimi i shteteve në Ballkanin Perëndimor si dhe ndryshimi i marrëdhënieve të këtyre shteteve me tregun e lirë botëror, kanë sjellë nevojën e kërkimit të sensit të ekzistencës së qyteteve të tyre dhe të paktën të një riformatimi rrënjësor të tyre. Mjerisht riformatimi shpesh ka konsistuar në një restaurim  të përciptë për plotësimin e nevojave imediate të qytetarëve të tyre, duke shkelur të gjitha principet e një zhvillimi të qëndrueshëm. Ky fenomen shpesh është shoqëruar edhe nga babëzia për t’u pasuruar e shumë individëve “të fortë”, që me mjete të paktën jo-shkencore kanë degdisur territorin në një platformë fitimi imediat duke injoruar të gjitha principet e zhvillimit te qëndrueshëm.

Qeveritë e reja të sapoformuara në fillim të viteve para dy dekadash, për njëmijë e një arsyje nuk kanë qënë në gjëndje ta mbajnë nën kontroll këtë zhvillim. Ato nuk kanë patur as mentalitetin, as mundësitë politike dhe as ato intelektuale dhe financiare për të bashkëpunuar në të njëjtin nivel profesional me ekspertizën botërore. Për konseguencë diku më shumë dhe diku më pak, territori është trajtuar edhe nga forcat politike në fuqi vetëm si një mundësi fitimi i menjëhershëm.

Mendoj se tani është pjekur koha për të hyrë në rrugën e ndryshimit, në drejtim të një zhvillimi të integruar dhe të qëndrueshëm, jo vetëm në dimensionin urban, por edhe në atë nacional dhe rajonal. Zhvillimi i territorit në çdo qytet, rreth, provincë apo shtet duhet të jetë nën të njëjtën strategji zhvillimi për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Të gjithë shtetet e Ballkanit duhet të paktën që në elementet më të rëndësishme të zhvillimit, si psh. infrastruktura etj. të harmonizojnë dhe të aprovojnë dokumente të përbashkëta zhvillimi. Një infrastrukturë moderne, gjithpërfshirëse dhe inteligjente për të gjithë Ballkanin Perëndimor do t’u hapte rrugë të panumurta mundësive të investimit dhe zhvillimit ekonomik të rajonit. Planifikimi i kësaj infrastrukture duhet të shoqerohet me rregulla dhe norma të qarta në drejtim të planifikimit hapsinor. Do të ishte një gabim i madh nëse ndërtimi i infrastrukturës nuk do ta gjente të gatshëm planifikimin zonal të territorit. Ky planifikim është instrumenti themeltar i garancisë për një zhvillim të qëndrueshëm.

Nga ana tjetër një sfide po aq e madhe është rivleresimi, ripozicionimi, modernizimi i qyteteve të rajonit. Siç e përmenda edhe më lart, shumë nga motivet për të cilat qytetet kanë lindur, sot nuk ekzistojne më ose jane tranfsormuar dhe shkrirë me motive të tjera. Dinamikat demografike dhe spostimet e pazakonta te popullsive, kanë vënë kulisën urbane nën presionin e zgjidhjes së problemeve imediate dhe jetike për strehimin e popullsisë. Zgjidhja e këtij problemi në mënyrë të shpejtë shpesh ka shkaktuar ndryshimin, deformimin, deri në humbjen e karakterit fillestar të qyteteve.

Kthimi i këtyre qyteteve në identitet, ose krijimi i një identiteti të ri, logjik dhe të patjetersueshëm duhet të jetë sfida e urbanistëve dhe developër-ve. Nuk mjafton më që kulisat urbane të jenë vetëm funksionale. Ato duhet të kenë karakterin e tyre, që i bën të pa ngatërrueshëm me të tjerët, atraktiv, i bën të veçantë. Nga njëra anë industria e turizmit nuk kërkon në Ballkan kulisa urbane anonime dhe nga ana tjetër edhe diversiteti i popullsisë ballkanike, edhe pse të ngjashëm ne kulturë, kërkon reflektimin e këtij diversiteti në kulisën urbane në të cilin jeton. Qytetet tona duhet të ripozicionohen në lidhje me historinë dhe funksionalitetin e tyre. Ato duhet të fillojnë të krijojnë karakterin, fytyrën e tyre të patjetërsueshme dhe duhet te plotësojne të paktën funksionet bazë për te cilat lind nevoja e një qyteti:

  1. Të ruajnë memorien historike duke bërë të lexueshëm për këdo faktin se kur dhe pse kanë lindur dhe si janë transformuar;
  2. Duhet të krijojnë të gjitha fasilitetet e mundëshme për një jetë sa më komode për popullsinë që jeton në të;
  3. Duhet të ofrojnë platforma eksperimentale për krijimin e subkulturave dhe për zhvillimin e tendencave të reja të jetesës.