Gati plani për “shkrirjen” e Durrësit me Tiranën, pagëzohet me emrin Durana

Një plan që projekton zhvillimin e integruar të Rajonit të Tiranë Durrës është bërë gati nga Ministria e Zhvillimit Urban. Plani Durana që është një bashkim i emrave të Tiranës dhe Durrësit synon projekte të përbashkëta të zhvillimit në fushat e planifikimit të territorit, të infrastrukturës së transportit, ujit , energjisë dhe projekte të tjera në menaxhimin e mbetjeve, të përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe zhvillimit ekonomik.

Plani tani është në fazën e konsultimit dhe në themel të tij ka krijimin e një sistemi për të përbashkët logjistik.

Rajoni “Durana” është porta hyrëse e Korridorit 8, pikëprerja e aksit Veri- Jug dhe porta hyrëse e rrugës së Arbrit dhe si e tillë ajo duhet të menaxhojë flukset kombëtare dhe ndërkombëtare, tokësore, detare dhe ajrore.

Në këtë plan parashikohet ndërtimi i klasterit të logjistikës. Krijimi i strategjisë së transportit për lëvizjen e mallrave dhe krijimi i nyjeve të magazinimit dhe përpunimit të mallrave është në fokusin primar të zhvillimit të Rajonit Durana.

Aeroporti dhe transporti ajror dhe porti janë planifikuar të lidhen me rrjetet multimodale të logjistikës.

Do të vihet në eficensë aksi në veri të rajonit, Vorë-Kashar-Vaqar-Arbanë –Elbasan.

Do të ndërlidhet rruga e Arbrit me Korridorin 8. Aksi i Ndroqit do të kalojë në konservim dhe do të evidentohen polet logjistike rajonale.

Do të krijohen barriera të forta për moslejmin e zhvillimit rural ose urban në zonën e ndërveprimit ajror në aerport. Gjithashtu do të planifikohen hapësirat për shtimin dhe zgjerimin e aeroportit të mallrave dhe të pasagjerëve.

Rrugët rajonale të Durana janë planifikuar të funksionojnë si një rrjet i ndërlidhur ndërveprimi, duke ndihmuar në përshpejtimin e daljeve të produkteve bujqësore në treg si dhe duke bërë të mundur ndërlidhjen më të mirë të nyjeve të përpunimit dhe magazinimit të mallrave.

Ndërlidhja e akseve rurale me akset kombëtare do të ndjekë hierarkinë e hyrjeve dhe të daljeve në rrugë sekondare e më pas në ndërlidhjen me akset kombëtare për të shmangur daljen e mjeteve bujqësore në akset kombëtare. Rrugët rurale janë planifikuar të lidhin nyjet ndërqytetëse të transportit me ndërlidhjen e magazinimit të mallrave.

Ministria e Zhvillimit Urban sqaron se, plani Tiranë-Durrës është pjesë integrale e Planit të Përgjithshëm Kombëtar. Tirana dhe Durrësi janë qytete që kanë pasur një zgjerim në shtrirjen e tyre dhe tendenca është që këto qytete të takohen. Zona ndërmjet është një nga zonat që ka pasur një zhvillim të vrullshëm formal dhe kryesisht informal. Zhvillimet kaotike dhe pa vizion kanë dëmtuar rëndë peisazhin natyror, prandaj lind nevoja për një plan të integruar dhe me një vizion të qartë.

Burimi: monitor.al