Tirana mon amour

Carla Tagliarini, gazetare e ZDF, mbërriti në Shqipëri për herë të parë në jetën e vet, vetëm pak ditë të shkuara. Dhe duket se e gjeti Tiranën në momentin e duhur sepse, me t’u rikthyer në vendin e saj, joshja që kishte zbuluar në kryeqytetin e vendit “përballë” do ta detyronte të ulej mbi tastierë e të shkruante një reportazh. Në të vërtetë, ideja fillestare ishte thjesht për një zbrazje të sinqertë në ditarin e saj, por më në fund vendosi ta bënte publike ndjesinë e saj për Tiranën: një dashuri me shikim të parë.

“Tirana mon amour”, i botuar fillimisht në italisht në “Albaniannews.it”, është reportazhi i një gazetareje që di të shohë pozitivisht, por edhe i një italianeje që në familje e kanë mësuar ta dojë Shqipërinë. Në fakt copëza Shqipërie të vjetër, ajo dhe i vëllai, Franco Tagliarini, i kanë trashëguar prej të atit, i cili në vitet ’40 punonte në Tiranë. E kemi fjalën për arkivin e Francesco Tagliarinit, një arkiv me të vërtetë impresionues që e ruan i biri e që përfshin një pafundësi materialesh të llojllojshme, duke nisur nga dokumentacionet që dëshmojnë hedhjen e themeleve për zhvillimin e turizmit, foto, kartolina…deri edhe libra apo koleksioni i plotë i revistës Drini (e përmuajshme mbi turizmin në dy gjuhë shqip dhe italisht, që doli rregullisht nga viti 1941-1943, në faqet e së cilës kanë shkruar jo pak pena elitare të Shqipërisë së kohës).

Por ndërsa i biri i Tagliarinit ka tashmë një lidhje të fortë me Shqipërinë, që e ka zanafillën në fëmijërinë e tij të hershme kur jetoi me familjen në Tiranë për plot tre vjet – aktualisht drejtor i gazetës Albanianews.it – dhe vijon të ketë komunikim nëpërmjet udhëtimeve të herëpashershme edhe për shkak të veprimtarive të ndryshme, e bija, Carla, e ka bërë udhëtimin e parë këtu, këtë fillim-vjeshtë. Takimi me vendin e dashurisë së të atit e më pas të të vëllait, mesa duket do të rezultonte edhe për Carlën “dashuri me shikim të parë”… Së paku kështu dëshmon reportazhi për të cilin ajo vetë e zgjodhi titullin “Tirana mon amour!”…


Carla Tagliarini

A mund të dashurohesh me një qytet? Përgjigjja ime është po. Sepse është ajo çka më ndodhi mua me të mbërritur në Tiranë. Në përfytyrimin tim e mendoja gri e të trishtë, siç ndodh me vendet që kanë vuajtur diktaturën komuniste, që në këtë rast ka zgjatur më shumë se dyzet vjet. Tjetër gjë nuk dija sepse informacionet që na mbërrijnë janë pak ose pothuajse aspak. Në fakt është një vend i shpërfillur nga shtypi dhe televizioni, gati i panjohur si për turizmin masiv, ashtu dhe për atë elitar.

Deri më sot, do të thosha unë, sepse situata është në zhvillim të vazhdueshëm…

Sapo mbërrita në aeroportin e Tiranës, i madh dhe i mirëmbajtur, me njerëzit që të dalin para për të të pyetur nëse kam nevojë për ndihmën e tyre, kuptova që diçka në përfytyrimin tim duhej rishikuar. Duke përshkruar rrugën që të çon në qytet, e rrethuar nga kodrina të gjelbëruara që zbusin grinë e zymtë të asfaltit, shikimi im, përmes dritares së taksisë, përgatiste shpirtin tim për surprizën e papritur.

Sapo mbërrita në hotelin tim të vogël por tërheqës, që në të kaluarën kishte qenë një vilë elegante, tashmë e restauruar me mjeshtëri e shije me ngjyrat të bardhë e të kaltër, u ndjeva befas si në shtëpinë time. Vajza e recepsionit më mirëpriti me një italishte të përsosur, mori valixhen time të rëndë, e tërhoqi deri në dhomë me buzëqeshjen e njeriut që ndjen kënaqësi kur ndihmon tjetrin. Mirësjellja dhe dashamirësia janë në ADN-në e këtij populli.

Pa sistemuar rrobat në dollap, me padurimin për t’u zhytur në këtë botë të panjohur, mora taksinë e parë që më çoi në sheshin e famshëm Skënderbej, një nga të paktat vende për të cilat kisha dëgjuar.

U kapa fort te mbajtëset e taksisë që gati fluturonte mes rreshtave të makinave, me zemër të ngrirë, duke parë pirueta të vërteta në mes të një trafiku kaotik dhe të çrregullt. Arritëm në destinacion, përmes rrugëve plot me të rinj që enden të buzëqeshur e mbushin baret që duken si të ndërlidhura përgjatë rrugëve të qytetit.

Tirana është qyteti i të rinjve

Ndihet në ajër një shpërthim vitaliteti, gëzimi, entuziazmi që përfshin këdo, që si unë, është mërzitur mpirja konsumiste e vendit tonë.

Është bukur të flasësh me këdo që të afrohet. Janë njerëz të hapur, të interesuar për të ditur prejardhjen tënde, të gatshëm të hapen e të të tregojnë për studimet e tyre, për perspektivat e tyre të punësimit, shpërfillës ndaj faktit që ekonomia e vendit nuk është dhe aq e begatë. Në fakt në Shqipëri mund të jetohet me pak, nëse krahasohet me koston e jetës në qytetet e mëdha perëndimore. Një vakt i plotë për dy persona kushton 20 euro, një kafe pak qindarka, e njëjta gjë për pijet, alkoolin, frutat e perimet.

Pra, për ata që duan të bëjnë pushime low-cost, Shqipëria për momentin është vendi ideal. Them për momentin, sepse kam ndjesinë që sektori turistik do të shpërthejë dhe kështu që gjërat do të ndryshojnë.

Shqipëria është vendi i tolerancës

Këtu është në fuqi liria fetare, një bashkëjetesë paqësore mes besimeve të ndryshme: ortodoksë, myslimane, katolikë. E njëjta gjë ndodhte gjatë regjimit komunist, kohë në të cilën shqiptarët dhanë, pa frikë, dëshmi të besimit të tyre.

Shqipëria ka një KULTURË të lartë MIKPRITJEJE të ngrohtë që vihet re edhe në gjestet e vogla, siç mund të jenë një përqafim i papritur, një shtrëngim duarsh tejet miqësor i shoqëruar me puthje. Dhe ti e ndjen që është një dashamirësi autentike dhe jo thjesht mirësjellje e shtirur.

QYTETI: është shembull i prekshëm se si mund të shndërrohen ndërtesa anonime në arkitektura të gëzueshme shumëngjyrëshe. Merita është e ish-kryebashkiakut, tani kryeministër i vendit EDI RAMA, i adhuruar si perëndi dhe i shpallur nga TIME Magazine, Njeriu i Vitit në Europë në vitin 2005. Ishte ai, piktori kreativ, që vendosi lyerjen e gjithë qendrës së Tiranes me të kuqe pompeiane, të gjelbër pastel, të verdhë okër që e bëjnë qytetin të ngjajë me Shën Pjetërburgun. Rrugët e gjera me pemë të mëdha konkurrojnë me ato të Parisit. Taksitë e verdha, që përshkojnë pa pushim qytetin, më kujtojnë New York-un, por këtu udhëtimi kushton vetëm 2 euro.

Është pra një qytet i gjallë, plot dyqane me mallra të çdo lloji, të hapura deri vonë edhe të dielën, restorante me cilësi të lartë, salla koncertesh, teatro, diskoteka. Është BLLOKU, një zonë që dikur ishte e ndaluar për qytetarët, sepse aty jetonte diktatori i rrethuar me shpurën e tij. Sot është një lloj Montmartre e rezervuar për të rinjtë që kalojnë këtu mbrëmjet e tyre duke pirë e duke u dëfryer.

Vendet për të vizituar nuk janë shumë, por disa prej tyre janë vërtet të bukura. KISHA ORTODOKSE me një portal të artë ashtu si edhe pagëzimorja përballë tij, ndërsa brenda, para altarit, janë rreshtuar një sërë imazhesh fetare pikërisht si në Bazilikën e Shën Markut. XHAMITË e ndryshme me minaret që gërvishtin qiellin përcjellin tingujt e ëmbël që thërrasin besimtarët për falje. Pastaj Museu Kombëtar, Galeria e Artit Modern. Këtu është organizuar ekspozita e piktorit LIN DELIJA i cili gjatë regjimit komunist, u detyrua të arratiset e të strehohet në Antrodoco, një vend i bukur në Itali, ku zhvilloi aktivitetin e tij duke u bërë një nga piktorët më të famshëm shqiptarë.

Pastaj janë kuriozitetet historike si PIRAMIDA që diktatori Hoxha e ndërtoi si varrin e tij, tashmë e shndërruar në gërmadhë të zhveshur nga mermeri që e mbulonte.

Në anët e urave mbi lumin Lana, mund të gjesh një sërë tezgash të gjata, mbi të cilat shitësit vendosin libra të përdorur duke i ndarë sipas tematikës dhe gjuhëve të huaja. Një treg letrar në qiell të hapur, që tregon sa i zhvilluar është interesi për kulturën. Vihet re një lulëzim iniciativash, shprehje e dëshirës për afirmim pas një periudhe të gjatë shtypjeje, gjë që e bën Tiranën, ndoshta akoma jo një metropol kozmopolit, por sigurisht qytetin e së ardhmes, që duhet njohur e dashuruar…

Marre nga mapo.al