Eglantina Gjermeni: Për herë të parë projekt për strehimin e jetimëve

Flet për “Koha Jonë”, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni lidhur me prioritetet e ministrisë që ajo drejton për vitin 2016

Intervistoi: Sidorela Lepri –

Në fund të vitit 2015, Ministria e Zhvillimit Urban ka prezantuar tre dokumente të rëndësishme strategjike për menaxhimin e territorit, 3 planet kombëtare: Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin dhe Plani Ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë-Durrës. Por cilat do të jenë prioritetet e kësaj ministrie për vitin 2016? Cili do të jetë impakti i miratimit të Strategjisë Kombëtare dhjetëvjeçare të Strehimit? Çfarë roli do të luajnë kryebashkiakët në këto procese? Në një intervistë për “Koha Jonë”, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni flet për të gjitha këto çështje. Më tej, Gjermeni tregon se viti ri buxhetor ka shënuar një rritje në masën 25% të fondeve për strehimin social në tërësi dhe në zëra të veçantë ka pasur rritje deri në masën 30%.

Zonja Gjermeni, viti 2016 sapo ka hyrë. Cilat do të jenë prioritetet e ministrisë që ju drejtoni për këtë vit?

Ministria e Zhvillimit Urban për herë të parë u krijua në vitin 2013 pikërisht për të kontribuar në një zhvillim urban të planifikuar dhe të qëndrueshëm. Puna e bërë nga kjo Ministri shpesh duket si teknike, por ka impakt të madh në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë dhe zhvillimin social – ekonomik të vendit.

Pas një pune voluminoze dy vjeçare dhe me mbështetjen e partnerëve edhe ekspertizën ndërkombëtare, MZHU prezantoi në fund të vitit 2015 tre dokumente të rëndësishme strategjike për menaxhimin e territorit, 3 planet kombëtare: Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin dhe Plani Ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë – Durrës.

Pak ditë më parë, në prani të Kryeministrit Rama nisi puna për hartimit e 26 planeve të përgjithshme vendore, të cilat do të mbështeten nga Qeveria. U firmosën akt marrëveshjet tri palëshe mes bashkive, studiove vendase e të huaja të projektimit dhe Ministrisë së Zhvillimit urban, përkatësisht për bashkitë: Lezhë, Kurbin, Krujë, Kukës, Dibër, Durrës, Vorë, Shijak, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Ura Vajgurore, Poliçan, Skrapar, Gjirokastër, Librazhd, Përrenjas, Cërrik, Pogradec, Korçë. Ndërsa për 5 plane të tjera bashkitë po bashkëpunojnë me USAID, i cili do të japë mbështetje financiare dhe teknike. Thënë në gjuhë më të thjeshtë, Planet e Përgjithshme Vendore do të përcaktojnë se, ku do të ndërtohen lulishte, kopshte, shkolla, çerdhe, godina për banim, rrugë dhe hapësira publike që i shërbejnë qytetarëve.

Pra, brenda vitit 2016 do të kemi të miratuar tre planet kombëtare si edhe 26 planet e përgjithshme vendore.

Ndërsa në fushën e strehimit, gjatë vitit 2016 do të zbatohen projekte që lidhen me Komunitetin Rom dhe Egjiptian. Një buxhet prej 107 milionë lekësh do të përdoret për ndërtimin dhe rikonstruksionin e banesave të këtij komuniteti, nga ku përfitojnë 148 familje në 9 qytete të vendit.  Ndërsa në 6 qytete të tjera si: Tropojë, Malësi e Madhe, Krumë, Fushë Arrëz, Përrenjas apo Kavajë, me një fond prej 68 milion lekësh do të ndërhyhet për Eficiencën e Energjisë në godina banimi.

Në fushën e legalizimeve 12 muajt në vijim me një fond prej 513.2 milionë lekësh do të kryhet legalizimi dhe përpunimi i informacionit tekniko ligjor për legalizimin e rreth 50 mijë objekteve për ndërtime kryesisht në zona informale. Projektet për urbanizimin e zonave informale do të vijojnë edhe përgjatë vitit 2016 sërish me financim nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve apo dhe donatorë në bashkëpunim të ngushtë me njësitë vendore.

Gjatë vitit 2015, kemi ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm në drejtim të standardeve të projektimit dhe ndërtimit. E filluam punën tonë me hartimin dhe miratimin e standardeve të reja për banesat, të cilat datonin që prej vitit 1993 dhe formalizuam për herë të parë standardet për projektimin e çerdheve. Hartimi i standardeve të reja në projektim dhe ndërtim, si dhe përshtatja e Eurokodeve i shërbejnë rritjes së kontrollit dhe sigurisë së cilësisë urbane me në fokus sigurinë e jetës së qytetarëve. Ndaj dhe ne për vitin 2016 kemi alokuar fondin rreth 46 milionë Lekë në fushën e standardeve urbane për të mundësuar hartimin dhe miratimin e standardeve të reja në projektim, për shkollat dhe kopshtet, si dhe përshtatjen e Eurokodeve 4 dhe 5 së bashku me anekset kombëtare.

Sa i takon strehimit, 2016-ta është cilësuar nga Ju, si viti i miratimit të Strategjisë Kombëtare dhjetëvjeçare të Strehimit. Ndërkohë, pak javë më parë është ligjëruar edhe mbyllja e programit të kredive të buta për strehimin dhe aplikimi i bonuseve për të pastrehët. Cili është impakti i një vendimi të tillë?

Viti ri buxhetor 2015 ka shënuar një rritje në masën 25% të fondeve për strehimin social në tërësi dhe në zëra të veçantë ka pasur rritje deri në masën 30%. Fondi për subvencionimin e kredive do të shkojë për financimin e të gjitha kontratave të lidhura për qytetaret që kanë përfituar nga programi i kreditimit të lehtësuar, si dhe ato që janë në proces, ku efektet financiare fillojnë për vitin 2016. Bonusi i strehimit është programi i ri, që ju ofrohet bashkive, të cilat do të aplikojnë pranë MZHU për të trajtuar qytetarët më në nevojë, që jetojnë në këto njësi vendore.

Vendimi i ri i Këshillit të Ministrave i miratuar ditët e fundit të Dhjetorit( VKM nr 1093 datë e 28/12/2015),të cilit ju i referoheni do t’i vijë në ndihmë të gjitha bashkive të vendit për këtë qellim. Vendimi shpjegon përparësitë , procedurat dhe kriteret që duhet të ndiqen për të përfituar nga programi i ri i bonusit të strehimit.

Nga ana tjetër, të mbështetur nga UNDP po ulemi me çdo bashki të vendit për të verifikuar jo vetëm ata qytetarë që janë të regjistruar, por edhe rastet që nuk kanë mundësi as të aplikojnë apo jetojnë larg çdo informacioni të mundshëm, për shkak të kushteve ekonomiko-sociale. Brenda 6-mujorit të parë do të kemi një databaze të saktë, për çdo njësi vendore, e cila do të shërbejë si bashkive ashtu edhe qeverisë për të hartuar politikat e strehimit, por edhe planifikimin buxhetor. Ky databazë do t’i paraprijë një sistemi online, që qeveria synon në të ardhmen të ngrejë për strehimin.

Ministria e Zhvillimit Urban veç programit te bonusit do të sjellë edhe projektet për përmirësimin e kushteve të kategorisë së jetimëve, ku për herë të parë do të zbatojmë një projekt pilot për trajtim me strehim të përshtatshëm të grupit të jetimëve. Kjo kategori ka vëmendjen time të veçantë për shkak edhe të background- it tim në këtë fushë.

Në planet tona për vitin 2016 janë edhe projektet me natyrë Partneriteti –Publik –Privat dhe për këtë çështje jemi duke avancuar një bashkëpunim të rëndësishëm me përfaqësues gjerman edhe me Bashkinë e Tiranes. Është bashkëfirmosur draft VKM-ja nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Zhvillimit Urban për të kaluar në administrimin e MZHU edhe 6 mijë metër katrorë tokë (16 mijë në total) në zonën e Rrapit të Treshit, për ndërtimin e banesave sociale. Në këto banesa do të sistemohen fillimisht, banorët që jetojnë në konviktet e Universitetit Bujqësor të Kamzës.

Ju thatë se shumë shpejt pritet të miratohen 3 Planet e Territorit: Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani të Integruar Ndërsektorial për Bregdetin dhe Plani Ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë – Durrës. Çfarë sjellin këto plane për jetën e qytetarëve, cili është impakti?

Pas hartimit të draft planeve, të cilat ishin pjesë e dëgjesave publike në qytetet kryesore te vendit gjatë muajit Dhjetor, këto dokument të rëndësishme për menaxhimin e territorit në vendin tonë pritet të miratohen së shpejti në Këshillin e Rregullimit të Territorit. Ndërkohë, Plani i Përgjithshëm Kombëtar do të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave. Këto dokumente strategjike në planifikimin hapësinor, të hartuara nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit japin orientimet bazë për zhvillimin territorial të Shqipërisë, duke mirëpërcaktuar hierarkinë e qendrave urbane, të cilat më pas do të lidhen drejtpërsëdrejti me investimet publike, të cilat synojnë zhvillimin e infrastrukturës dhe hapësirave urbane, për të përmirësuar cilësinë e jetës në rajonet, qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë.

Plani të Përgjithshëm Kombëtar ka të bëjë me një vizion që shkon përtej një mandati qeverisës, shkon përtej një procesi politik që lidhet me një klasë politike të caktuar, madje shkon edhe përtej një gjenerate. Ndërtimi i një kornize të një zhvillimi urban të integruar, që nga njëra anë i jep përgjigje nevojës për ta trajtuar territorin si ekonomi, si shëndet, si edukim dhe zhvillim, si trupin e një shteti, jo si hapësirën e njerëzve të palidhur me njëri tjetrin, përmes raportit që kanë me shtetin dhe si hapësirën e krijimit të mirëqenies së çdo individi dhe për të siguruar që qytetarët dhe institucionet të vendosen në një raport të ri, është një sfidë e madhe, por jo e pamundur.

Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin, i cili përfshin të gjithë brezin bregdetar të vendit nga Shkodra e deri në Konispol sjell një binom det – tokë një aset i rëndësishëm kombëtar dhe pjesë e integruar e rrjetit mesdhetar. Ky do të ndajë vijën bregdetare në 4 rajone: rajoni natyror Velipojë Durrës; rajoni ekonomik Tiranë – Durrës; rajoni bujqësor Durrës- Vlorë dhe rajoni turistik dhe kulturor, Vlorë Konispol. Kësisoj për herë të parë turizmi do të orientohet sipas karakterit të rajonit bregdetar.

 eglantina gjermeni2Keni folur për krijimin e një zone të përbashkët ekonomike Tiranë-Durrës, të njohur me emrin Durana. Në opinion publik është perceptuar si bashkim territorial (fizik) i dy qyteteve. Konkretisht çfarë sjell ky plan?

Plani Durana, që është një bashkim i emrave të Tiranës dhe Durrësit synon projekte të përbashkëta të zhvillimit në fushat e planifikimit të territorit, të infrastrukturës së transportit, ujit, energjisë dhe projekte të tjera në menaxhimin e mbetjeve, të përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe zhvillimit ekonomik. Plani në themel të tij ka krijimin e një sistemi për të përbashkët logjistik. Rajoni “Durana” është porta hyrëse e Korridorit 8, pikëprerja e aksit Veri- Jug dhe porta hyrëse e rrugës së Arbrit dhe si e tillë ajo duhet të menaxhojë flukset kombëtare dhe ndërkombëtare, tokësore, detare dhe ajrore.

Në këtë plan parashikohet ndërtimi i klasterit të logjistikës. Krijimi i strategjisë së transportit për lëvizjen e mallrave dhe krijimi i nyjeve të magazinimit dhe përpunimit të mallrave është në fokusin primar të zhvillimit të Rajonit Durana. Aeroporti dhe transporti ajror dhe porti janë planifikuar të lidhen me rrjetet multimodale të logjistikës. Do të vihet në eficiencë aksi në veri të rajonit, Vorë-Kashar-Vaqar-Arbanë –Elbasan. Do të ndërlidhet rruga e Arbrit me Korridorin 8. Aksi i Ndroqit do të kalojë në konservim dhe do të evidentohen polet logjistike rajonale. Do të krijohen barriera të forta për moslejimin e zhvillimit rural ose urban në zonën e ndërveprimit ajror në aeroport. Gjithashtu do të planifikohen hapësirat për shtimin dhe zgjerimin e aeroportit të mallrave dhe të pasagjerëve. Rrugët rajonale të Durana janë planifikuar të funksionojnë si një rrjet i ndërlidhur ndërveprimi, duke ndihmuar në përshpejtimin e daljeve të produkteve bujqësore në treg si dhe duke bërë të mundur ndërlidhjen më të mirë të nyjeve të përpunimit dhe magazinimit të mallrave. Ndërlidhja e akseve rurale me akset kombëtare do të ndjekë hierarkinë e hyrjeve dhe të daljeve në rrugë sekondare e më pas në ndërlidhjen me akset kombëtare për të shmangur daljen e mjeteve bujqësore në akset kombëtare. Rrugët rurale janë planifikuar të lidhin nyjet ndërqytetëse të transportit me ndërlidhjen e magazinimit të mallrave.

Për t’u rikthyer tek planet vendore, cila do të jetë përgjegjësia e drejtuesve vendorë në zbatimin e këtyre planeve?

Si institucione përgjegjëse për planifikimin vendor, mbetet detyrë e bashkive të përzgjedhura, të udhëheqin procesin e hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor për territorin e tyre. Për hartimin e planeve vendore që të konsiderojnë faktin që komunitetet janë gjithmonë në proces ndryshimi, të njohin dhe vlerësojnë kompleksitetin e jetës së tyre, si dhe të paraqesin vizionin mbi bazën e të cilit përmirësohet cilësia e jetës së qytetarëve, na duhet një angazhim i plotë i stafeve të bashkive që ju drejtoni. Duhet që bashkitë të vënë në dispozicion të studiove të përzgjedhura, të gjithë bazën e të dhënave, informacionet, studimet ekzistuese, që do t’i shërbejnë një analize sa më të thelluar të territorit.

Njësitë vendore kanë detyrat e përgjegjësinë kryesore për hartimin e mbi të gjitha zbatimin e Planeve të Përgjithshme vendore. Ndërtimi i kornizës së një zhvillimi urban të integruar është një sfidë e madhe, por jo e pamundur. Është me shumë rëndësi që edhe këto plane të pjesshme të kenë një rol udhëzues, në funksion të politikave kombëtare apo vendore, lidhur me investimet strategjike në infrastrukturë, lidhur me transportin, me telekomunikacionin, me zhvillimin industrial, me zhvillimin bujqësor, me plotësimin e nevojave për banim dhe për shërbime dhe me potencialin e aseteve që vendi ynë ka. 61 njësitë e reja të krijuara pas reformës territorial janë tanimë njësi të reja ekonomike zhvillimi.

Sfida e kryebashkiakëve të rinj, përtej çdo përkatësie politike është që të japin, në bashkëpunim me studiot vendase e të huaja dhe me të gjithë ne, një drejtim të qartë për rivendosjen e ekuilibrave: urbanë, ekologjikë apo ekonomikë. Qëllimi është që kryebashkiakët, të cilët sot kanë autoritetin e plotë për të marrë vendime për zhvillim dhe për të dhënë leje ndërtimi, të kenë konsulencën e atyre që do të bëjnë planet, për të detajuar më tutje procesin e zhvillimit dhe për t’i dhënë përgjigje më tutje kërkesave konkrete të qyteteve dhe qytetarëve. Në këndvështrimin e Qeverisë, me këto plane kryebashkiaku është njëherësh edhe kryearkitekti që më shumë se sa vendimmarrës do të jetë konsulent për zhvillimin e qyteteve.

Qeveria e majtë pak kohë pas ardhjes në pushtet e nisi luftën kundër informalitetit me prishjen e ndërtimeve pa leje apo rishikimin e procedurave për dhënien e lejeve të ndërtimit. Pas më shumë se gjysmës së një mandati qeverisës, a ka ndonjë nismë që do të rregullonte kaosin urban në vend?

Më lejoni të sqaroj edhe një herë për qytetarët, biznesin apo edhe për stafet e bashkive se, procesi i hartimit të planeve të përgjithshme vendore, nuk është bllokues i proceseve të zhvillimit të territorit në vend, qoftë kjo për nevoja të sipërmarrjes private, ashtu edhe për nevojat e strehimit të qytetarëve.

Këshilli Kombëtar i Territorit me vendimin e marrë në korrik të vitit 2015 ka përcaktuar qartësisht, se në zonat ku ka plane të përgjithshme vendore të miratuara, bashkitë mund të vijojnë normalisht me shqyrtimin dhe dhënien e lejeve të ndërtimit, sipas planeve përkatëse. Ndërsa, në zonat e tjera, që nuk kanë plane rregulluese, bashkitë do të mund të vijojnë me dhënien e lejeve të ndërtimit vetëm për objektet e biznesit me funksion prodhues, industrial, bujqësor, turistik si dhe për banesa familjare. Në këto bashki, dhënia e lejeve do të monitorohet rregullisht nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit si sekretariati i Këshillit Kombëtar të Territorit, për të siguruar zbatimin e kufizimeve të mësipërme sa i përket kategorive të lejuara.

Gjithashtu, sikurse mund të jeni në dijeni, kemi filluar punën për ngritjen e sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit, i cili do të jetë pjesë e portalit e – Albania. Në fund të muajit shkurt do të kemi mundësinë, që për disa javë të testojmë këtë sistem bashkë me 61 bashkitë në të gjithë vendin, për të bërë të mundur përdorimin e tij në ditët e para të muajit prill.

Ky sistem do t’ju vijë në ndihmë të gjitha institucioneve të përfshira në proces, duke lehtësuar ndërveprimin institucional, si dhe duke shkurtuar afatet për pajisje me leje ndërtimi dhe rritur transparencën ndaj qytetarëve.

Në fund të kësaj interviste për gazetën tuaj, theksoj edhe një herë se Ministria që unë drejtoj do të vazhdojë të jetë pranë qytetarëve duke kontribuar për një zhvillim të qëndrueshëm të territorit.

 

Marrë nga Koha Jonë