Ekuador, Gjermeni në konferencën e OKB: Ja sfidat e zhvillimit urban.

Në kryeqytetin e Ekuadorit, Quito, është mbajtur “Habitat 3”, Konferenca Botërore e organizuar nga Kombet e Bashkuara, me temë zhvillimin e qëndrueshëm urban dhe strehimin.

Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni, e cila përfaqësoi Shqipërinë, shpjegoi në një lidhje me Report TV, se gjatë konferencës, ajo ka folur për arritjet por dhe sfidat më imediate me të cilat përballet Shqipëria.

Gazetari Report TV- Doja t’ju pyesja lidhur diçka më shumë me konferencën. Çfarë është diskutuar, në vija të përgjithshme, thelbit të konferencës  dhe për sa i përket përfaqësimit të Shqipërisë, natyrisht?

Ministrja Gjermeni- Konferenca “Habitat III” e organizuar në Quito,  siç thatë dhe ju, është konferencë e Kombeve të Bashkuara  dhe që zhvillohet një herë  në 20 vjet. E para është zhvilluar në Kanada, e dyta në Stamboll dhe tashmë në Ekuador.  Është  një mbledhje apo një takim, i cili trajton çështje që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm urban dhe strehimin, si çështje që kanë një ndikim të jashtëzakonshëm mbi zhvillimin ekonomik  dhe social të çdo vendi. Në këtë takim ndërkombëtar, u përfaqësuan vende anëtare,  të cilat në fillim bënë një bilanc  të punës, të arritjeve,  të sfidave  me të cilat përballen  në këto 20 vite, krahasuar nga viti 1996 deri më sot, ndërkohë që, padyshim morën edhe angazhim për ta realizuar agjendën e re urbane  që është një dokument, një vizion i OKB-së, një  platformë pune  për të adresuar varfërinë, pabarazinë, si dhe të gjitha problemet sociale  që lidhen me zhvillimin e qëndrueshme urban  dhe strehimin. Më vjen shumë mirë që Shqipëria u përfaqësua  në këtë takim. Sigurisht, pata mundësi të flisja në seancë plenare si drejtuese e  delegacionit  shqiptar,  duke treguar  shkurtimisht se, çfarë është arritur në  Shqipëri. Cila është  puna që po bëjmë  në fushën e zhvillimit të qëndrueshme urban, në fushën e planifikimit  në fushën e strehimit, çfarë konkretisht ka bërë Qeveria Rama në këto vite dhe angazhimin tonë politik, e shpreha, për të realizuar më tej  reformat dhe punët që kemi nisur në fushën e zhvillimit urban të qëndrueshëm dhe të strehimit. Pata gjithashtu, kënaqësinë  që në disa panele  të isha e ftuar bashkë më kolegët e tjerë ministra, homologë nga vende të  ndryshme, të ndaja përvojën tonë modeste në fushën e planifikimit dhe strehimit. Sfidat me të cilat përballemi, me problemet sociale  në zonat informale  dhe më tej. Pata  mundësinë të mësoja nga përvojat e vendeve të tjera që kanë ecur më parë në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe modele të cilat mund të replikojnë dhe të përdoren dhe në Shqipëri.

Gazetari Report TV- Përveç eksperiencave që keni shkëmbyer  me të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë,  doja t’ju pyesja nëse janë përjashtuar prioritete, kërkesa konkrete nga organizata e OKB-së,  lidhur me këto fusha që ju përmendët, për të pasur disa pritshmëri, le të themi pas 5 ose 10 vitesh, si kërkesë nga OKB-ja?

Ministrja Gjermeni- Unë dua të theksoj  që, procesi i hartimit  të agjendës së re  urbane, të këtij dokumenti  vizionar   të Kombeve të Bashkuara, ka qene një proces pjesëmarrës  dhe përfshirës  dhe ne, si qeveri, jemi angazhuar që në fillim, në procesin e hartimit  të këtij dokumenti  apo platforme vizionare.

Gjithashtu, dua të theksoj  që, angazhimet konkrete  të çdo vendi  do të jenë zbërthim  i këtij dokumenti të përbashkët  vizionar,  në varësi të kushteve  dhe çështjeve më imediate  që secili shtet dhe shoqëri përballet. Them që, sa i përket punës që kemi nisur ne, për sa i përket hartimit  të planeve konkrete dhe miratimit të  tyre  të harmonizuar  me atë çka kërkon agjenda e re urbane, sfida është implementimi  i tyre dhe po kështu,  për sa i përket nivelit  të planit të përgjithshëm vendor, është në fakt një nga indikatorët  apo një nga treguesit  me të cilit matet puna  e zhvillimit urban.