Intervista e Ministres Gjermeni në “Argument”.

Zonja Gjermeni mirëmbrëma! Pak ditë më parë keni lançuar sistemin online për lejet e ndërtimit.  Tani çdo qytetar mund të aplikojë nëpërmjet këtij sistemi?

  • Mirëmbrëma dhe faleminderit për ftesën!

 Aplikimi online për lejet e ndërtimit do të fillojë zyrtarisht nga data 20 Prill. Ne jemi akoma në periudhë testimi  me bashkitë, si dhe në proces trajnimi me stafet e bashkive, që tu përgjigjen në kohë aplikuesve qofshin këta qytetarë apo investitorë/sipërmarrës, të cilët apikojnë për leje ndërtimi.

Kemi lënë një periudhë 3 mujore tranzitore, gjatë së cilës qytetarët do të mund të aplikojnë online, ndërkohë që I është lënë kohë stafeve të bashkive që të perfeksionojnë punën e tyre.

Pra, për  një periudhë 3 mujore  (Prill – Shtator 2016) qytetarët do të kenë mundësi të aplikojnë edhe online edhe nëpërmjet dokumentave të dërguara dorazi në bashki.

Dhe nga 1 shtatori, të gjithë aplikantët, qofshin qytetarë apo investitorë do të aplikojnë vetëm online për leje ndërtimi.

Pra, kjo periudhë tranzitore është për ju, për te testuar sitemin?

 

  • Sistemi është gati. Këtë periudhë tranzitore në fakt ne e lamë për qytetarët, për tu dhënë mundësi atyre që janë në zona të ndryshume të vendit dhe duan të aplikojnë për leje të ndryshme që nuk kanë mundësinë e aplikimit online.  Duam të krijojmë mundësinë që asnjë qytetar të mos penalizohet se nuk aplikon dot online, apo nuk ka mundësinë/aksesin për ta bërë këtë gjë.  Kështu që vetëm për këtë periudhë tranzitore mund të aplikohet online ose me dokumenta në dorë. Ndërsa nga 1 Shtatori i këtij viti do të aplikohet vetëm online në të gjitha bashkitë. Ndërsa, kur bëhet fjalë për investimet strategjike aplikohet pranë  AKPT, e cila është një agjenci në varësi të MZHU dhe është sekretariat teknik i KKT. Mendoj se aplikimi i lejeve online është një risi, përqasje tërësisht e re për ta dixhitalizuar një shërbim, për të qenë më afër qytetarëve dhe investitorëve, përshpejton procesin. Proces, i cili është transparent, pasi aplikuesit nëpërmjet sistemit informohen në mënyrë periodike se në cilën fazë është aplikimi, rrit përgjegjësinë tonë në nivel vendor dhe qendror, forcon koordinimin mes institucioneve dhe rrit edhe përgjegjshmërinë karshi qytetarëve.

Shtete të tjera në rajon kanë avancuar në këtë drejtim: Maqedonia ka hedhur hapat e saj, Serbia ka nisur ta aplikojë sistemin që prej muajit Janar dhe mendoj se sistemi tek ne është krijuar të funksionojë bazuar edhe në modelet e suksesshme të vendeve të tjera.

 

Periudha e aplikimit është çështje që i takon bashkisë/njësisë vendore, pra nuk ka lidhje me sistemin?

 

  • Jo, nuk ka lidhje me sistemin.  Ne jemi munduar që, për sa i përket afateve kohore ato të jenë të monitorueshme dhe duke dashur të rrisim përgjegjësinë e institucioneve qendrore dhe atyre vendore karshi qytetarëve u kemi lënë kohë bashkive, që brenda 10 ditësh të shqyrtojnë një aplikim për leje ndërtimi. Në momentin e marrjes së informacionit nga institucionet e tjera si: ZRP apo institucione të tjera që kanë dokumentacion që lidhen me lejet e ndërtimit është lënë koha që të mund të koordinohen nga bashkia përgjegjëse.

Pra, qytetarët nuk do të mund të sorollaten më, që të kërkojnë dokumentacion apo lista me dokumenta që kërkohen për një leje ndërtimi. Dokumenta që ndodhen në institucionet qendrore apo vendore do të merren nga vetë bashkia/sistemi për të lehtësuar jetën e qyetarëve.

 

Që nga 20 Prilli, çdo qytetar ka mundësinë të aplikojë përmes portalit e-Albania. Ky system është një kontribut i AKSHI, duke u koordinuar së bashku për tiu përgjigjur sa më mirë qytetarëve dhe investitorëve.

Qytetar apo investitor, nuk ka një kategorizim paraprak? Apo bëhet brenda aplikimit?

 

  • Po, bëhet në aplikim. Unë ndaj theksova, që për tu ardhur në ndihmë aplikuesve po trajnohen stafet e bashkive (urbanistikës). Përveç trajnimit, AKSHI në bashkëpunim të ngushtë me MZHU po ndërrmerr një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi për tu treguar qytetarëve dhe investitorëve se më 20 Prill aplikimi do të nis në portalin e- Albania dhe hapat që duhen ndjekur për të aplikuar e për të marrë lejen e ndërtimit brenda afatve të caktuara.

E reja tjetër e këtij sistemi, përveç dixhitalizimit të informacionit  është fakti që, në momentin që një qytetar jo thjesht aplikohet në çdo kohë për stadin e aplikimit kemi përfshirë edhe miratimin në heshtje. Pra, nëse bashkia apo AZHT nuk kthejnë përgjigje brenda afatit të caktuar, sistemi e quan të aprovuar dhe e miraton atë në heshtje. Nëse zyrat përkatëse e shohin lejen si në kundërshtim me ligjin dhe nuk përgjigjen në kohë, atëherë njësitë vendore penalizohen. Për ne e rëndësishme është që koordinimi të funksionojë dhe qytetarët të marrin përgjigje në kohë për lejen. Pra, brenda afateve ligjore qytetarët/sipërmarrësit të marrin përgjigje për aplimin e tyre.  

 

 

Zonja Ministre, një lajm që për ditë të tëra zuri hapësirë në media ishte hartimi i 31 Plane të Përgjithshme vendore. Pse janë të nevojshme këto plane?

 

  • Nisma për të mbështetur 26 bashki të reja me asistencë teknike dhe financiare për hartimin e Planeve Vendore u mor nga qeveria vitin e kaluar. Për këtë u hap një proces prokurimi ndërkombëtar, duke ftuar studio dhe ekspertë shqiptarë dhe të huaj për të aplikuar në hartimin e PPV të 26 bashkive me fonde nga         qeveria shqiptare. Përgjegjësia për këtë proces iu ngarkua Ministrisë së Zhvillimit Urban me një fonde prej 560 mln lekë për 26 bashki. Këto bashki u përzgjodhën nga veriu në jug në bazë të potencialit të tyre ekonomik dhe social.

Pra, përzgjedhja nuk ka qenë një çështje gjeografike?

 

  • Përzgjedhja është bërë nga jugu në very bazuar në potencialet që kanë për zhvillimin e zonave ku shtrihen këto bashki.  26 bashki po ndihmohen nga Qeveria Shqiptare. Ndërkojë, 5 të tjera po ndihmohen nga USAID për hartimin e PPV. Pra, në total janë 31 bashki dhe ne synojmë që brenda këtij viti të hartohen 31 Plane për 31 bashki.

Pas këtyre planeve do lëshohen leje ndërtimi?

  • Do të jepen leje ndërtimi në bazë të planeve të reja të miratuara, por jo sepse sot nuk jepen leje ndërtimi. Sigurisht që disa nga këto bashki që ne kemi përzgjedhur kanë patur të miratura plane vendore, por ato kanë qenë vetëm për qytetet apo komuna të caktuara.

Në vitin 2013, kur ne kemi ardhur në pushtet, vetëm 10% e territorit në Shqipëri ka patur plane të miratuara. Me reformën e re territoriale, me 61 bashki të reja të krijuara, sfida e bashkive është menaxhimi i territoreve me sipërfaqe më të mëdha, me potenciale të shumta, me diferenca në zhvillimin e tyre urban – rural.

 

Pra, nëse unë jam një qytetar që kam aplikuar dhe kam marrë leje ndërtimi në vitin 2016, dhe PPV i bashkisë ku jetoj miratohet në 2017, nuk ka rrezik që leja të më anulohet?

 

  • Në të gjitha bashkitë e vendit lejet e ndërtimit jepen që prej korrikut të vitit 2015. Dhe bashkitë, të cilat kanë patur plane vendore të miratuara e kanë më të lehtë dhe japin leje.

Edhe bashkitë , të cilat po punojnë për hartimin e planeve japin leje ndërtimi, sipas kategorive që ne si KKT i kemi përcaktuar në vendimin e KM. 

Nëse janë investime strategjike marrin leje pranë KKT. Nëse bëhet fjalë për objekte bujqësore, industriale, fasoneri etj, aplikimi bëhet në bashki dhe këto bashki njoftojnë AZHT (Agjencinë për Zhvillimin e Territorit). Pra, leje bashkitë japin edhe për palate. Për 31 bashkitë që po hartojnë PPV kanë mundësinë dhe të gjithë të drejtën që brenda vitit, pas miratimit të këtyre planeve të japin leje ndërtimi në bazë të këtyre planeve të hartuara, miratuara si nga Këshillat Bashkiakë dhe KKT.

 

Në hartimin e këtyre planeve a është menduar një harmonizimin mes potencialit urbanistik dhe atij ekonomik të zonave?

 

  • Padiskutim që “po”. Të gjitha PPV hartohen dhe miratohen përmes një proces gjithëpërfshirës dhe transparent dhe shumë të hapur me të gjitha grupet e interesit, me të gjithë qytetarët, me dëgjesa publike. Kështu mundësohet që studio shqiptare ose e huaj që asiston këtë proces të jetë në ndihmë të bashkisë, e cila ka përgjegjësinë kryesore ligjor/institucionale për këto plane. Studiot vetëm i asistojnë në këtë proces.

Ndërkohë, përsa përket piketave dhe mënyrës se si PPV e shikon një territory janë zonat ku mund të ndërtohet, ku mund të zhvillohet më shumë turizmi apo bujqësia, zona ku ka më shumë hapësira publike për këtë territor. Të gjitha vlerësimet që bëhen brenda PPV udhëheqin zhvillim ekonomik/social të kësaj zone. Impakti kryesor i planeve nuk është urbanistika, por është zhvillimi I qendrueshëm i territorit që garanton një zhvillim më të mirë të këtyre zonave. Pra, është baza më e mirë mbi të cilën mund të ngrihet një ekonomi më e zhvilluar bazuar mbi potencialet që këto bashki kanë.

 

30 bashkitë e tjera do të presin për Planet Vendore?

 

  • Fakti që Qeveria ndërmori nismën e financimit të PPV për 26 bashki tregon rëndësinë që ne i japim zhvillimit të qendrueshëm. Ndodh për herë të parë që me një shumë të tillë parash ndihmohet gjysma e territorit (26 bashki) . Fatmirësisht edhe 5 të tjera mbështeten nga USAID. Ndërkohë për sa i përket asistencës teknike AKPT në bashkëpunim me MZHU janë të hapura në çdo moment për të gjitha bashkitë që nuk kanë plane. Përsa i përket pjesës financiare, nesër, më 12 Prill ne si MZHU dhe AKPT kemi ftuar të gjitha organizatat donatore në Shqipëri për t’I treguar përvojën që kemi deri tani me 26 bashki për hartimin e PPV dhe nevojën që këto 30 bashki (nga 61 në total) kanë për hartimin e Planit Vendor. Do të kërkojmë asistencën financiare apo teknike të tyre për të mundësuar që edhe këto bashki të mund të nisin procesin e hartimit të PPV.  Gjithashtu ne po shikojmë mundësinë nga buxheti i shtetit që pjesë – pjesë të mundet që të gjitha bashkitë të kenë planet e tyre. Unë jam optimiste edhe në takimin me donatorët, pasi kanë treguar interes edhe nga mundësitë e rishikimit të buxhetit apo planifikimit për vitin e ardhshëm që të gjenden mundësitë e hartimit të këtyre planeve.
  •  

Krahas planeve vendore, kohët e fundit po flitet shumë për planet kombëtare. Dua të ndalem tek DURANA. Çfarë përfaqëson kjo zonë?

 

  • Dua të nënvizoj se Tirana më vete dhe Durrësi më vetë janë pjesë e 26 bashkive që po punojnë për planet vendore. Që në tetor të 2013, një prej nismave të para që u ndërrmor nga Qeveria “Rama” në fushën e planifkimit ishte hartimi i Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit. Për fat të keq ky plan nuk ka ekzistuar ndonjëherë dhe është një instrument shumë i domosdoshëm. Ky plan paraprin zhvillimin ekonimik dhe social dhe i paraprin zhvillimir të një vendi për 10 – 15 vitet e ardhshme.

 

Me shpresën që do të vijohet edhe nga qeveritë e tjera? Se ky është problem permanent në Shqipëri.

 

 

  • Është shumë e drejtë kjo që thoni ju. Duhet patjetër një consensus politik, në mënyrë që jo çdo qeveri që vjen ta nisë nga e para. Sepse pengohet zhvillimi dhe të gjitha pasojat i vuajnë qytetarët. Flasim për plane afatgjata.

Ndërkohë, për tu rikthyer në pyetjet e mëparshme, veç PPK u ndërmorën nisma edhe për dy plane të tjera: Plani i Integruar Ndërsektorial i Bregdetit dhe Plani i Integruar Ndërsektorial i zonës ekonomike Tiranë – Durrës. Plani i bregdetit u përzgjodh për vetë rëndësinë që bregdetit ka në zhvillimin e vendit: turizëm, bujqësi etj.

Ndërsa, DURANA jo vetëm për rëndësinë ekonomike, por edhe për faktin se një lloj bashkimi i Tiranës me Durrësin ka filluar dhe ka nisur nga qytetarët apo nga sipërmarrësit.

 

Por, specifika e zhvillimit duhet të jetë e orientuar?

 

  • Po, e vërtetë. Deri më tani ka qenë kaotike, spontane dhe sipas interesave. Këto planeve të integruara ndërsektoriale, që janë hartuar dhe diskutuar me grupet e interesit e që pritet të miratohen së shpejti janë instrumenta të rëndësishme që do të ndihmojnë edhe në hartimin e Planeve të përgjithshme vendore.

I githë potenciali që ekziston në zonën ekonomike Tiranë – Durrës duam që të orientohet në mënyrë që kjo zonë të funksionojë si një e vetme dhe këto potenciale në zonën Tiranë e Durrës të shpërndahen edhe në rajone të tjera, pra, jo gjithçka të përqëndrohet në këtë zonë.

 

Ekziston mundësia që të shpërndahet kjo peshë?

 

  • Unë them që po. Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit besoj se meritojmë në Këshillin e Ministrave, pasi kemi reflektuar edhe mendimet/sugjerimet e të gjitha ministrive. Në këtë plan kemi mundësinë të shohim zhvillimin e Shqipërisë deri në vitin 2030 në varësi të të gjitha potencialeve që kemi dhe të strategjive të zhvillimit që ka çdo fushë apo çdo ministri. Mundësia ekziston që shumë rajone të mund të rrisin peshën e tyre specifike e tyre në zhvillimin ekonomik të  vendit. Nëse vërtet se krijojmë kushtet që ky zhvillim të jetë më i shpërndarë apo i balancuar  do të kemi mundësinë që të krijojmë kushtet që edhe qytetarët të jetojnë aty e të mos ketë shumë lëvizje migratore.

 

        Durana, do të jetë zonë e industriale apo edhe rezidente për qytetarë?

  • Me Planin e Integruar Ndërsektorial të zonës ekonomike Tiranë – Durrës jepen piketat e zhvillimit. Ndërsa, në mënyrë më të detajuar këtë e bëjnë planet vendore. Bashkitë në Tiranë e Durrës kanë nisur procesin e shumë shpejt do të paraqesin strategjitë e tyre territoriale dhe shumë shpejt procesi do të diskutohet në publik dhe më pas do të arrihet në produktin final në këshillat bashkiakë dhe më pas në KM.

Hartimi i planeve është një moment shumë i rëndësishëm që i paraprin zhvillimit ekonomik dhe social dhe ajo që kërkon vëmendje është respektimi i planit. Si për hartimin dhe zbatimin e planeve kombëtare ashtu edhe për hartimin apo zbatimin e planeve vendore. Kemi vënë re një lloj skepticizmi nga qytetarë apo institucione për këto plane. Unë i mirëkuptoj, por nuk kemi qenë ndonjëherë më të tillë elementë dhe me këto plane zhvillimore.

 Ky proces do të na bëjë që vërtetë zhvillimi ekonomik të orientohet në bazë të potencialeve që ne kemi, duke hapur më shumë vende pune dhe duke rritur cilësinë e jetesës së qytetarëve.

Shtete të tjera të rajonit, përfshi edhe Kosovën si shtetin më të ri e kanë të hartuar Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit, tani po merren me plane zona.

Pra, janë instrumenta të domosdoshëm dhe kërkojnë një angazhim të të gjithëve ne për t’i zbatuar ato.

 

Këshilli i Ministrave është pozitiv për t’i miratuar këto plane?

 

  • Padyshim. Kjo ishte nisma dhe përqasja jonë politike edhë në programin tonë qeverisës dhe prandaj u krijua edhe Ministria e Zhvillimit Urban duke i dhënë peshë dhe rëndësi zhvillimit të planifikuar të territorit, duke na shkëputur nga zhvillimi kaotik i viteve të kaluara, kostot e të cilit fatkeqësisht vazhdojmë të paguajmë si për prishjen e ndërtimeve pa leje, legalizimin e këtyre ndërtimeve, apo zonat informale që ne kemi filluar t’i legalizojmë dhe urbanizojmë.

Pra, ky mandate do të mbyllet me disa plane?

  • Me Planin e Përgjithshëm Kombëtar i Terrirotit, Planin e Integruar Ndërsektorial të Bregdetit dhe Planin e Integruar Ndërsektorial të Zonës Ekonomike Tiranë – Durrës dhe pa dyshim me hartimin e 31 Planeve të Përgjithshme Vendore.

 

Zonja Ministre dua të ndalem të Rilindja Urbane. Nga retorikë në vitin 2913, sot shihet si angazhim konkret  ku ju vetë ndiqni punimet në çdo qendër qyteti. Ka një farë skepticizmi për të…

 

  • Nuk do të thosha që ka qenë pjesë e retorikës, por, Rilindja Urbane ka qenë dhe mbetet pjesë e programit qeverisës. I gjithë programi i PS dhe koalicionit “Për Shqipërinë europiane” kishte disa drejtime që në mandatin qeverisës do të arriheshin. Një nga risitë ishte edhe Rilindja Urbane duke e parë zhvillimin e parë zhvillimin urban si bazë për zhvillimin ekonomik e social të vendit. U krijua Fondi i Zhvillimit të Rajoneve dhe u ndryshua përqasja apo mënyra e funksionimit të tij: nga një fond që dikur ishte dedikuar kryesisht infrastrukturës. Ne menduam që të gjitha qytetet tona kishin nevojë për hapësira më të mëdha publike për qytetarët, për t’I dhënë hov zhvillimit të biznesit dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

Dhe them me krenari se Rilindja Urbane është një nga programet më të suksesshme edhe për faktin se thuajse të gjitha qytetet kanë ndryshuar fizionominë e tyre. Janë bërë më të bukura, më tërheqëse në kuptimin jo thjesht për qytetarët (ndricim, gjelbërim), por edhe kanë nxitur sipërmarrjen vendase për të investuar në këto qytete.

Ne si MZHU kemi sekretariatin teknik të FZHR. Pra, të gjitha bashkitë pasi hapjen thirrja, konkurojnë me projekte pranë MZHU për tu mbështetur nga ky fond. Ne kemi një secretariat që përzgjedh projektet sipas termave të referencës dhe cilësisë së tyre duke i pikëzuar. Dhe më pas është këshilli I fondit të rajoneve ,këshill I cili drejtohet nga Kryeministri nga disa ministra nga kryetar bashkish të cilët përzgjedhin dhe marrin vendimet finale.

 

Sa janë bërë deri tani? Se një pjesë kanë mbaruar i shohim.

– Në fakt unë mund të them se për dy vite janë bërë mbi 200 e ca projekte, jo të gjitha e theksoj, kanë qenë vetëm qendra qytetesh, duke qenë se është debatuar ka pasur dhe një lloj skepticizmi për faktin që  kanë qenë vetëm fasada apo qendra qytetesh. Sigurisht një pjesë e mirë kanë qenë dhe janë qendra qytetesh, duke ndihmuar bashki apo qytete të cilat nuk kishin marrë fonde në një periudhë mbi 20 vjet. E theksoj këtë gjë, bashkia apo qytete të cilat nuk kishin marrë fonde nga qeveria për një periudhë gati 20 vjeçare. Dhe janë të përhapura në të gjithë territorin e Shqipërisë, një pjesë e mirë kanë qenë qendra qyteteve, pjesë tjetër kanë qenë në bregdet apo zona të cilat kanë ndikuar direkt objekte për zhvillimin e turizmit. Ka pasur projekte dhe ka të mbështetura nga ne edhe për sa i përket lidhjes mbas krijimit të bashkive të reja të zonave rurale me ato urbane, apo rrugë, apo objekte me rëndësi publike, të cilat kanë ndikuar qoftë në zhvillimin e bujqësisë qoftë në lidhjen më të mirë të territoreve.

Projekte të cilat janë mbështetur nga fondi i zhvillimit të rajoneve kanë qenë dhe projekte pilot që ne si ministri kemi krijuar apo hartuar bashkë me disa bashki për urbanizimin e zonave informale, këtu do përmendja Vlorën, Durrësin, Lushnjen, ndër të cilat zona informale kryesisht të ardhur dhe ndërtimeve pa leje, që janë në proces legalizimi e sipër, ne kemi hartuar me bashkitë respektive projekte dhe janë mbështetur këto projekte nga fondi i zhvillimit të rajoneve, pikërisht për të  krijuar modelin si i duam ne këto zona më të urbanizuara, me infrastrukturë me gjelbërim me ndriçim.

 

Kështu, nëse ju pyes cilat do të jenë projektet e ardhshme që do të fitojnë, e di Fondi i Zhvillimit të Rajonit?

– Në fakt për 2016 i kemi marrë vendimet janë dhënë gati 45.

 

Sa janë? Kaq shumë janë në total në të gjithë territorin e republikës?

– Po. Po dhe e theksoj në një shpërndarje gjeografike shumë të gjerë dhe me larmi specifikash të çdo projekti. E theksoj që nuk janë të gjithë qendra qytetesh, tashmë pjesa më e madhe e tyre kanë mbaruar, janë projekte të cilat ose hyrjet e qyteteve ose ndërlidhëse mes pjesës rurale me urbanen që mund të ndikojë si p.sh, unaza bujqësore që më kujtohet në Divjakë që ndikon shumë në marrjen e produkteve bujqësore, apo në eksportin e tyre të gjitha për të, si të thuash për të nxitur dhe promovuar zhvillimin ekonomik dhe social të zonave.

 

Po funksionon se besoj disa rezultate i kemi.

– Padyshim!

 

Ju thatë që edhe bizneset po angazhohen, kështu që…

– Përveç faktit që ne si sekretariat në ministri shikojmë dhe pikëzojmë projektet dhe i përzgjedhim ato, ne kemi dhe përgjegjësinë e monitorimit deri në proces deri sa realizohen me sukses. Fondet dhe procesi i prokurimit realizohen nga bashkitë, ne bëjmë monitorimin dhe sigurisht që jemi pjesë për të monitoruar, tërhequr vëmendjen dhe për të parë nëse ecuria është brenda afateve dhe me cilësinë e duhur. Dua të them që të gjitha këto projekte i kanë dhënë një lloj fizionomie tjetër këtyre qyteteve, mbase e thashë edhe më parë, po e theksoj që projektet të cilat kanë qenë të suksesshme janë edhe projekte të cilat bashkitë i kanë hartuar dhe në thirrjen e fundit, dua të theksoj që ka pasur një konkurrencë shumë të madhe dhe me projekte shumë cilësore. Jo të gjitha bashkitë arritën të fitonin, por do përmendja këtu një projekt shumë të bukur të Krujës që ishte hyrja e qytetit deri në qendër të saj. I kam parë i kam ndjekur, do theksoja këtu një projekt të një blloku banimi në Gramsh me fushë sportive dhe me gjëra, janë të gjitha projekte që i kemi parë i kemi përzgjedhur dhe mezi pres që vërtetë të shkojmë t’i shikojmë kur të realizohen.

 

Kam dhe një çështje të fundit. Këto kohë po flitet edhe për  planifikim dhe menaxhim të mbetjeve. Nuk janë pak qytete shqiptare, më kujtohet Elbasani por nuk është vetëm ai që kanë një problem me mirë menaxhimin e mbetjeve, qoftë nga pikëpamja e hedhjes, po ashtu e mënyrës se si do të zhduken apo do të groposen. Ju keni nisur diskutime me të gjithë grupet e interesit. Është një proces konsultimi i thjeshtë apo ka ndërmend ministria të marrë një nisëm konkrete ku ne ta shohim të prekshme mirë menaxhimin e mbetjeve.

– Menaxhimi i mbetjeve është një sfidë e hapur për të gjithë ne.

 

Për të gjithë botën në fakt.

– Për të gjithë po realisht për të gjithë ne qeverisjen qendrore, vendore dhe është problem në fakt për të gjitha bashkitë. Është një çështje goxha komplekse dhe nuk mund të adresohet vetëm nga një aktor apo vetëm nga një ministri.

Ne e kemi fushë të përgjegjësisë për sa i përket fushës së planifikimit, duke e parë mbetjen në kuadrin, mirëmenaxhimin e mbetjeve në kuadrin e planifikimit të territorit. Ndërkohë që është edhe ministria e transportit dhe infrastrukturës, edhe ministria mjedisit që janë aktor, dh e përgjegjësia kryesore sërish ligjore dhe institucionale është e bashkive. Shumë shpejt do të fillojmë një plan kombëtar për mirë menaxhimin e mbetjeve, me të gjithë aktorët dhe me ministritë e tjera dhe me njësitë vendore, mbështetur nga KFV Gjermane, duke pasur ne si ministri rolin kryesor në hartimin e një plani kombëtar për këto

 

Kemi ne një plan të tillë aktualisht apo edhe ky nuk e kishim kurrë?

– Jo nuk kemi

 

Është hera e parë?

– Hera e parë . Dhe ndërkohë doja të theksoja që ju keni parë një aktivitet në fakt me ambasadën Zviceriane, Shkollën e Administratës Publike. Mua më vjen shumë mirë të them që në bashkëpunim me ne edhe me programin e qeverisjes vendore mbështetur nga ambasada Zviceriane, ne kemi hartuar një program një kurikul për të trajnuar të gjithë stafet e bashkive e njësive vendore për mirë menaxhimin e mbetjeve urbane.

Është bërë një manual ndihmës që të jetë një trajnim i vazhduar i këtyre stafeve për të mire menaxhuar mbetjet në zonat e tyre. Pa diskutim që mirë menaxhimi i mbetjeve është një çështje kyçe për ne sot por edhe për brezat që vijnë për mbrojtjen e mjedisit, për zhvillimin e qëndrueshëm, për shëndetin e të gjithëve e të tjera me radhë, kështu që nuk ka nevojë të theksoj rëndësinë por dua të them që nisma për të trajnuar në një periudhë 6 mujore këto stafe të bashkive vendore, i trajnon, rrit kapacitetet e tyre për të menaxhuar më mirë mbetjet, ndërkohë që ne do të shikojmë mundësinë që me hartimin e këtij master plani kombëtar për menaxhimin e mbetjeve të shikojmë mundësitë gjithashtu që të  mund të nxisim partneritetet publike private për mirë menaxhimin e mbetjeve, apo të rrisim mundësitë financiare me asistencë teknike dhe me atë financiare të këtyre bashkive për ti menaxhuar më mirë mbetjet.

 

Është riciklimi pika e fortë e këtyre planeve?

– Është një nga mundësitë, po shikojmë edhe modele nga vende të ndryshme për të parë sa i kemi mundësitë për t’i realizuar ato në Shqipëri dhe cilat janë mënyrat më të mira për t’i menaxhuar mbetjet.  Sigurisht, riciklimi mbetet një nga komponentët.

 

Zonja ministre si ju duket qendra e ardhshme e Tiranës? Një përshtypje qoftë si qytetare, por edhe pse jo edhe si ministre e Zhvillimit Urban.

– Padyshim që është shumë interesante ajo gjetja me gurë nga e gjithë Shqipëria dhe gjithë projekti ishte shumë entuziast, optimist edhe më pëlqeu shumë. Them se Tirana meriton më të mirën, sepse vërtet është jo vetëm kryeqytet, por ka thuajse gjysmën e popullsisë në Shqipëri, dhe mendoj që zhvillimi në përgjithësi fillon nga qendra,  dhe në qoftë se  qendra paraqet një fizionomi të bukur edhe përfshirëse  për të gjithë ne, e ndiejmë veten më të përfaqësuar edhe rritemi më mirë.

 

Unë ju falënderoj shumë që ishit në argument, ju falënderoj gjithashtu shumë për shpjegimin e të gjitha çështjeve sepse nuk dhatë pak lajme në këtë studio. Uroj t’ju kem përsëri dhe mbi të gjitha ju uroj punë të mbarë.

 

– Shumë faleminderit, ishte një kënaqësi.