Intervista e Ministres Gjermeni në emisionin "Të bësh ekonomi", pjesa e parë.

Mirëseerdhët zonja Gjermeni! Ta kthesh Shqipërinë në një qendër urbane të zhvilluar është një përgjegjësi mjaft e madhe. Ju si ndjeheni në rolin e Ministres që jep firmën për të sistemuar apo rindërtuar Shqipëri?

Mirëmbrëma dhe faleminderit për ftesën! Ju keni të drejtë pasi vërtetë në Shqipëri është ndërtuar pa kriter. Zhvillimi urban ka qenë kaotik, i paqëndrueshëm apo afatgjatë dhe ka munduar vizioni. Kjo ka ndodhur për shumë arsye dhe unë nuk dua të ndalem tek këto problematika. Por, dua të theksoj se të ndryshosh, nga një vend me zhvillim spontan, jo të kontrolluar të paligjshëm, apo me ndërtime informale dhe të kalosh në një përqasje tjetër, atë të zhvillimit të kontrolluar të territorit është një sfidë e madhe për të gjithë qeverinë.  Për këtë arsye u krijua edhe Ministria e Zhvillimit Urban. Duke qenë se në programin tonë elektoral dhe qeverisës zhvillimi i qëndrueshëm i territorit është baza për një zhvillim ekonomik dhe social të planifikuar dhe mirëqënien e qytetarëve. Them se është përgjegjësi e të gjithë qeverisë, sepse zhvillimi i territorit nuk mund të jetë përgjegjësi e vetëm një ministrie, apo vetëm e pushtetit qendror, sigurisht është përgjegjësi e disa institucioneve.

Pjesa e përqasjes së re, në rradhë të parë e vendosjes së kontrollit mbi territorin, në rradhë të dytë e zhvillimit të planifikuar të planifikuar të territorit janë sfida që kjo Qeveri i ka ndërrmarrë, jo vetëm si pjesë e programit të saj, por I realizon çdo ditë.

 

A mendoni ju Zonja Ministre se e keni vendosur disi këtë kontroll mbi territorin?

Unë mendoj se po. Që në vitin 2013 me ardhjen në pushtet të Qeverisë Rama kontrolli mbi territorin nisi me prishjen e ndërtimeve pa leje. Paralelisht me të u rishikua ligji “Për planikimin dhe zhvillimin e territorit” duke e bërë atë më të kuptueshëm e më të zbatueshëm. U punua ngushtë me njësitë vendore, drejtoritë e urbanistikës, me inspektoriatet ndërtimore për të ruajtur dhe kontrolluar territorin. Por, e gjithë puna nuk do të ishte thjesht vendosje e kontrollimit mbi territorin, apo rishikim ligji, apo legalizim ndërtimesh informale, por paralelisht u punua dhe po punohet për përqasjen e re: atë të zhvillimit të planifikuar të territorit, me planet kombëtare dhe ato vendore.

 

Çfarë është Plani Kombëtar?

Është instrumenti qendror i planifikimit të territorit. Është një punë mëse dy vjeçare e Ministrisë së Zhvillimit Urban, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit si dy institucione kryesore që e kanë ndërrmarë këtë nismë.

Hartimi i Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit është ndërrmarrë që në Tetor të vitit 2013 dhe ky është fryt i një pune intensive të MZHU dhe AKPT, por edhe institucioneve të tjera qendrore. Për planin tani jemi në proces finalizimi, pasi po bëhen sugjerimet e fundit nga të gjitha ministritë e linjës për një vizion zhvillimi të planifikuar të territorit për 10 – 15 vitet e ardhshme.

Ne e quajmë  “Shqipëria 2030” këtë vizion.  Ky instrument ka të bëjë me zhvillimin e qëndrueshëm të territorit duke e parë atë si një aset, ku potencialet ekzistuese duhen ruajtur dhe mbrojtur dhe të zhvillohen në mënyrë të planifikuar ato degë të ekonomisë, sipas potencialeve që i gjithë territori i Shqipërisë përmban.

 

Që nga viti 2013 po flasim për projekte, për hartim planesh. Por, nëse duhen vite për procesin e hartimit do të duhen shumë vite të tjera për zbatimin e planeve…

Kur flasim për plane kombëtare doja të ndalesha në eksperiencën e vendeve më të zhvilluara sesa ne, të cilat kanë vite të tëra që i kanë realizuar, apo i rishikojnë me periudha 3 apo 5 vjeçare.  Edhe Kosova që është shtet më i ri se ne e ka të hartuar dhe të miratuar Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit

 

Pra, ne jemi të vonuar në hartimin e një plani të tillë?

Plani i Përgjithshëm Kombëtar nuk jep zgjidhje për të gjitha problematikat, por është një vizion i zhvillimit të vendit për 15 vitet e ardhshme.

Është fryt i ekspertizës  lokale dhe ndërkombëtare për të patur piketat e zhvillimit në vitet e ardhshme.
Është një instrument bazë, të cilin edhe bashkitë do ta përdorin për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore dhe njëkohësisht harmonizon dhe siguron një zhvillim të balancuar të territorit duke ruajtur potencialet, zonat kombëtare, por edhe duke siguruar një zhvillim të infrastrukturës, energjisë, bujqësisë, turizmit ….

 

Pra, është komplekse..?

Po është komplekse. Dhe nuk është një plan statik, por është një plan që mund të rishikohet në bazë të strategjisë të zhvillimit të vendit dhe një bazë e mirë e zhvillimit të territorit.

Brenda këtij muaji ne presim ta miratojmë këtë plan në Këshillin e Ministrave.

 

Doja t’ju pyesja për miratimin e këtij plani por edhe të dy të tjerëve: Plani i Integruar Ndërsektorial i Bregdetit dhe Plani i Integruar Ndërsektorial i zonës ekonomike Tiranë – Durrës…

Procesi i hartimit të këtyre 3 planeve ka qenë model, ku të gjitha grupet e interesit kanë marrë pjesë nëpërmjet komenteve të shkruara apo verbale, përmes dëgjesave publike në të gjithë Shqipërinë. Kemi patur mbështetje të ekspertizës së huaj, ekipe vlerësuese edhe nga Këshilli i Europës apo institucione të tjera, që jo vetëm e kanë ndjekur, por edhe e kanë vlerësuar këtë proces. Janë materiale voluminoze që u kanë shkuar të gjitha ministrive. Ndaj, na duhet dhe pak kohë që të përfshihen komentet dhe sugjerimet, për t’i miratuar më pas këto plane. Plani i Përgjithshëm Kombëtar miratohet në Këshillin e Ministrave, ndërsa dy planet e tjera në Këshillin Kombëtar të Territorit.

Për të tre këto plane, por jo vetëm, edhe për përqasjen e planifikimit të territorit që ka ekzistuar në Shqipëri që në kohët e hershme, pak ditë më parë kemi çelur një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve, “Ditari i një hapësire”. Kjo ekspozitë, që do të qëndrojë e hapur deri në muajin Tetor tregon në rradhë të parë, si dhe kur i ka zanafillat planifikimi në Shqipëri….

 

Tregon historikun…?

Po, është edhe historiku. Duam që të vizitohet nga qytetarë, ekspertë dhe grupe interesi dhe të shihet si ka ecur zhvillimi urban, si ka qenë dhe cilat janë problemet që ka shkaktuar zhvillimi kaotik, cilat janë thesaret  dhe potencialet me të cilat duhet të krenohemi dhe duhet t’i mirëmbajmë, pasi janë burime të fundme. Ndërkohë, kemi prezantuar vizionin e tre planeve dhe në një formë interesante janë paraqitur këto plane. Është unike në Shqipëri…

 

Do ketë një libër shënimesh..?

Po, ka një libër pështypjesh. Këto ditë është vizituar nga studentë, nxënës, ekspertë. Kemi një kalendar dhe ne duam jo vetëm të vizitohet, por edhe të ketë një platformë debati me publikun për të kuptuar rëndësinë e planifikimit…

       

Duket e bukur kur flitet për dëgjesa publike, por sa janë realizuar ato?

Dëgjesat publike në Korçë, Shkodër, Vlorë apo Tiranë kanë qenë të hapura dhe janë transmetuar Live në televizionet shqiptare.  Dhe e gjithë kjo punë nuk mund të bëhej, nëse nuk kalohen të gjitha hallkat e procesit. Për mua, si Ministre e Zhvillimit Urban është shumë e rëndësishme që produktet të jenë profesionale dhe për nga standardet të jenë të krahasueshme me ato të vendeve të tjera.

Por, nga ana tjetër procesi ka qenë dhe mbetet i hapur dhe transparent me të gjithë aktorët.

 

Publiku, grupet e interesit apo kushdo qoftë kanë nevojë të kuptojnë se ku dhe si do ndërtohet….

Padyshim, ky është detyrim ligjor dhe institucional. Planet Kombëtare nuk janë kaq të detajuara sa janë Planet e Përgjithshme Vendore, pjesa më e madhe e tyre janë në proces hartimi e sipër dhe kanë detyrimin ligjor institucional që të kryhen përmes një procesi përfshirës.

 

Nga bashkitë..?

Po, nga njësitë vendore.  Unë flas këtu për 26 bashkitë që ne si Qeveri po i ndihmojmë duke iu ofruar asistencë teknike dhe financiare.  5 bashki të tjera po ndihmohen nga USAID. Të gjitha hapat e hartimit të PPV janë të monitoruara nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe nga ne si MZHU, për të ndjekur hapat ligjorë për një proces sa më përfshirës.

 

 Unë doja të ndalesh tek Plani I Integruar Ndërsektorial i Bregdetit. Si do të ndikojë në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave bregdetare?

Në hartimin e këtij plani ne jemi ndihmuar nga ekspertë ndërkombëtare për të patur një plan që i përgjigjet standardeve ndërkombëtare, duke u bazuar në informacionet ekzistuese apo plane të pjesshme ose jo që janë bërë më parë për këtë zonë. Por, duke e parë bregdetin si një nga zonat me potencialet e duhura per zhvillimin më të madh të turizmit, bujqësisë, peshkimit etj.

Jemi munduar ta shohim zhvillimin e zonës si bregdetit si një zonë që gjeneron potenciale punësimi.

 

Çfarë përfshin më shumë plani i bregdetit pasi kur e dëgjojmë shumëkujt i vijnë në mendje, prishje ndërtimesh, investime strategjitje etj?

Të gjitha planet kombëtare kanë si qëllim jo vetëm t’i shërbejnë zhvillimit afatgjatë të vendit, por edhe të tërheqin investitorët vendas apo të huaj. Një nga mangësitë ndër vite ka qenë niveli i ulët i investimeve të huaja. Në 25 vite themi se kemi patur pak investimeve të huaja dhe një garanci për këto investime është ekzistenca e planeve dhe zbatimi në praktikë i tyre. Që do të thotë se secili investitor mund të investojë në qoftë se di ku do të ndërtohet, ku do të zhvillohet turizmi apo bujqësia. Në këtë mënyrë nesër apo pasnesër të mos përballet me faktin që investimi nuk është bërë konform një plani.

Plani i bregdetit e shikon binomin tokë – det si një gjë të përbashkët dhe bën një lloj ndarje me breza, duke patur parasysh faktin se ku ka më shumë hapësira për tu zhvilluar bujqësia, turizmi, peshkimi, apo ku mund të ndërtohen portet. Në këtë mënyrë u tregohen piketat e zhvillimit edhe njësive vendore.

 

Në këtë plan janë përcaktuar këto plane?

Po, janë përcaktuar dhe detajimi bëhet pas hartimit të planeve të përgjithshme vendore. 

 

Sipas këtyre planeve do të shohim ndryshime të mëdha në zonat bregdetare?

Dua të qartësoj që, kur flasim për Plane Kombëtare nuk flasim për detajime të tilla, të cilat i bëjnë planet vendore. I kthehem edhe një herë asistencës që po i japim 26 bashkive.  Nisur dhe nga fakti i rëndësi që bregdeti ka për zhvillimin e vendit, 11 nga këto 26 bashki janë përzgjedhur nga zona e bregdetit, për të dhënë përparësinë që të gjitha degët e ekonomisë të jenë të detajuara nga harmonizimi i planeve sektoriale me ato vendore të këtyre bashkive.

Sipas vizionit që ka ky plan parashikojmë që në vitin 2030 të rritet vlera apo kontributi që kjo zonë ka në GDP.

 

Pra, në 2030 do të shihet produktiviteti i këtyre planeve që po hartohen sot?

Mendoj se të gjitha janë graduale, pasi jo gjithçka që shkruhet në plane arrihet në vitin 2030.  Ndërkohë, pasuritë që kjo zonë bregdetare do të harmonizohen edhe me pasuri të tjera, qoftë trashëgimia kulturore, zonat e mbrojtura për zhvillimin e një turizmi të qëendrueshëm dhe gjithë vjetor.

 

Flasim për zonën ekonomike  Tiranë – Durrës ku është përqëndruar një pjesë e mirë e industrisë. Çfarë parashikon DURANA?

Duke e emërtuar Planin e Integruar Ndërsektorial të zonës ekonomike Tiranë -  Durrës si DURANA duam të tregojmë që këtë zonë e shohim si një prej zonave me potencialet më të mëdha të zhvillimit ekonomik dhe të vendit.  Ky zhvillim deri tani ka qenë kaotik i paorientuar.

 

Çfarë do të ndodhë më këtë situatë kaotike, me ndërtimet e vendor vend e pa vend që kanë dëmtuar edhe imazhin e zonës?

Të tre planet që unë i referohem kur flas për Planet Kombëtare, qoftë Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani i Integruar Ndërsektorial i Bregdetit apo ai i zonës ekonomike Tiranë – Durrës nuk paraqesin në mënyrë të detajuar se çfarë ndodh me secilin qytet. Këtë e bëjnë planet vendore..

Kur do t’i kemi këto plane?

Brenda këtij viti do kemi të miratuara 31plane vendore. Me këto plane të detajuara do të kemi këtë element, që ju me të drejtë më pyesni, për të parë se ku mund të ndërtohet.

 

Një investitor që mund të vijë nuk bën dot një plan biznesi duke qenë në pritje të këtyre planeve?

Dua të theksoj se, kur bëhet fjalë për investime, qofshin investime publike, strategjike apo të sipërmarrësve vendas apo të huaj asnjëherë nuk janë penguar investime të tilla. Kjo për faktin se ato kërkesa për leje zhvillimi apo ndërtimi janë marrë në konsideratë nga KKT. Dua ta theksoj këtë, sepse vërtetë kjo që po bëjmë sic është hartimi i planeve kombëtare apo vendore, i paraprin një zhvillimi të planifikuar dhe të qëndruar të territorit, por paralelisht me këtë nuk pengon investimet. Kemi qenë të hapur ndaj investime dhe në rastet e investimeve strategjike apo në rastet e investimeve në fasoneri, turizëm apo bujqësi nuk janë penguar asnjëherë nëse kanë qenë konform ligjit.

 

Pra, këto investime nuk do të preken me ndryshimet që do të sjellë plani DURANA?

Plani i ri i zonës ekonomike Tiranë – Durrës shikon ku dhe cilat janë ato pjesë të ekonomisë që kanë realizuar në këtë zonë dhe që kërkojnë degë të reja zhvillimi për të tërhequr qytetarët dhe bizneset bazuar në potencialet që kjo zonë ka. Pra, gërshetimi jo vetëm i detit në Durrës por edhe zhvillimin i turizmit kulturor dhe historic bazuar në potencialet që Tirana ka. Ndërkohë, parashikohet zhvillimi i klasterave. Ka qytete si Vora, e cila është një nga bashkitë me të cilat po punojmë për planet vendore, apo Shijaku të cilat me potencialet që kanë rrisin mundësinë e zhvillimit paralel.

 

Mendoni se do të kërkojë edhe kohë më tepër për shkak edhe të çështjeve të pronësisë? Si do zgjidhen këto probleme që kanë larguar ndonjëherë edhe investitorët e huaj?

Dua të theksoj edhe një herë që planifikimi I territorit nuk është çështje e vetëm një ministrie.  Çështja e pronës që ju ngrini është e drejtë. Ndryshimet ligjore që janë bërë si për investimet strategjike, turizmin apo të tjerë sektorë të ekonomisë kanë patur edhe ndërhyrje që lidhen me shpronësimet për të mos humbur asnjë nga investimet strategjike.

Hartimi i planeve është hapi i parë dhe është një proces i bërë me ekspertizë shqiptare apo te huaj dhe zbatimi i tyre është një përgjegjësi e të gjithëve ne.  Padyshim, Ministria  e Zhvillimit Urban ka përgjegjësinë kryesore dhe kjo është sfida më e madhe.

Por, sfida është edhe e institucioneve të tjera apo njësive vendore në rastet e planeve të përgjithshme vendore. Duhet një vullnet politik, që i kalon kufijtë e një mandate që Shqipëria të konsiderohet një vend që ka ikur nga epoka e zhvillimit informal të territorit dhe ka hyrë në një tjetër epokë: atë të zhvillimit të kontrolluar.