Intervista e ministres Gjermeni për gazetën Panorama

Zonja Gjermeni në mesin e një viti buxhetor, cili është bilanci i punës së bërë nga Ministria që ju drejtoni në sektorin e strehimit? 
Ministria e Zhvillimit Urban si institucioni përgjegjës për sektorin e strehimit ka alokuar 601 milionë lekë në buxhetin e vitit 2016. Fondi i alokuar, i cili është 20% më i lartë se buxheti që ne kishim në vitin 2014 është i ndarë në disa programe, të cilat i përgjigjen nevojave të kategorive në nevojë. 
Një nga programet konkrete është programi i subvencionimit të kredive. Fondi i alokuar për subvencionimin e kredive për vitin 2016, është 244 milionë Lekë. Numri i familjeve që u subvencionohet interesi i kredisë është tremijë e tetëqind e njëmbëdhjetë familje, të cilat kanë përfituar nga procedurat e subvencionimit të interesave të kredisë me 0 dhe 3% interes që prej vitit 2009. 
 Programi  i bonusit të strehimit, është një program i nisur në 2016 dhe për të cilin do të doja të jepja pak më shume informacion dhe detaje. Programi i përmirësimit të kushteve të jetesës së komunitetit Rom dhe Egjiptian është një program i krijuar në vitin 2014 dhe fondi për të cilin është rritur cdo vit. Programi i rikonstruksionit të banesave në bashkëpronësi me parametra të eficencës së energjisë është një program, ku godina ekzistuese rikonstruktohen për të krijuar modele të banesave në mbrojtje të mjedisit dhe me reduktim të përdorimit të energjisë elektrike.
Në buxhetin e vitit  2016, kemi parashikuar për herë të parë një projekt pilot për strehimin e jetimëve që dalin nga institucionite rezidenciale. Ky projekt do të fillojë të realizohet shumë shpejt (është në proces prokurimi) në Shkodër. Në bashkëpunim me bashkinë Shkodër do të  rikonstruktohet një godinë ekzistuese dhe do të përshtatet me apartamente. Vlera e investimit është 35 milionë Lekë.
 Në këtë vit buxhetor kemi të përfshira edhe 50 milionë lekë si investime të huaja, ku përfshihet projekti për banesa sociale me Bankën Europiane për Zhvillim. Deri më tani ka përfunduar ndërtimi i 254 apartamenteve të reja për strehim social në bashkinë Durrës me financim të Bankës Evropiane për Zhvillim. Në bashkëpunim me këtë bashki brenda vitit 2016 do të përfundojë ndërtimi i 88 apartamenteve të fundit në kuadër të projektit “Banesat  Sociale me Qira”. 
A mund të na jepni më shumë informacion lidhur me projektet që po realizoni për komunitetin Rom dhe Egjiptian? 
Në vitin 2014 Ministria e Zhvillimit Urban hapi për herë të pare një program investimi, dedikuar përmirësimit të kushteve të banimit për Komunitetin Rom dhe Egjiptian.  Për periudhën 2014 – 2016  kemi investuar 247 milionë lekë, për rikonstruksionin e plotë të 447 shtëpive të  komunitetit Rom dhe Egjiptian, në  disa bashki të vendit, konkretisht në Elbasan, Berat, Përmet, Vlorë, Rrogozhinë, Sarandë, Rrëshen, Krujë, Lushnje, Roskovec, Shkodër, Belsh, Divjakë dhe Lezhë.  2070 qytetarë kanë përfituar direkt nga investimet e kryera, ndërsa  rreth 3000 qytetarë janë përfitues indirekt përmes ndërhyrjeve në sistemin e ujësjellës - kanalizimeve.
Do të doja të ndalesha pak më gjatë, tek investimet që ne po kryejmë në këtë vit buxhetor, duke qenë se buxheti i alokuar në vlerën rreth 105 milionë Lekë është më i madhi në këto tre vite ose 20% më i lart se buxheti i vitit 2015. 
Për vitin 2016 janë 174 familje të komunitetit Rom dhe Egjyptian, të cilat do të jenë përfituese direkte të investimeve të kryera nga Ministria e Zhvillimit Urban në 9 bashki të vendit. Aktualisht, puna për zbatimin e projekteve me fondet e alokuara për këtë vit buxhetor ka nisur në 5 bashki dhe përkatësisht:  në njësinë administrative Fushë – Krujë ku janë duke u rehabilituar 28 banesa të komunitetit Rom, në bashkinë Vlorë ku po rikonstruktohen  33 banesa të komunitetit Egjyptian , në bashkinë Elbasan ka përfunduar projekti i financuar për rehabilitimin e 11 banesave të komunitetit Rom në lagjen 5 Maji, në bashkinë Shkodër vijon puna për rehabilitimin e 9 objekteve, si dhe në bashkinë Rrogozhinë vijon puna për ndërtimin e një objektit të ri  2 katësh, ku do të strehohen 8 familje të komunitetit Rom. 
Ndërkohë, në bashkitë Roskovec dhe  Belsh,  si dhe në njësitë administrative Dushk të bashkisë Lushnjë dhe Grabian të bashkisë Divjakë, projektet janë ende në proces prokurimi. 
Për herë të parë në vitin 2014, në sektorin e strehimit në Shqipëri është folur për termin efiçencë e energjisë në banesa. Si kanë rezultuar projektet e zbatuara deri më tani dhe cilat kanë qenë bashkitë që kanë përfituar?
Duke qenë se sektori i strehimit është një nga konsumatorët më të mëdhenj të energjisë dhe përbën njëkohësisht edhe një potencial të konsiderueshëm për kursim, një nga angazhimet e Ministrisë së Zhvillimit Urban ishte krijimi i modeleve për përmirësimin energjetik të banesave ekzistuese. 
Për ta realizuar këtë  angazhim, për herë të parë në buxhetin e vitit 2014 çelëm një program të ri, për financimin e projekteve për rikonstruksionin e banesave ekzistuese me elementë të efiçencës së energjisë. Me një buxhet modest, në vlerën 10 milionë lekë në vitin 2014 zbatuam projektin e parë pilot në bashkinë Lezhë, nga zbatimi i të cilit përfituan 24 familje.
Sot, në vitin e tretë buxhetor, fondi që ne kemi alokuar për këtë program është mbi gjashtëdhjetë e tetë milionë Lekë duke mundësuar zbatimin e 6 - të projekteve, në 6 bashki të vendit. Konkretisht: në bashkinë Krumë po zbatohet një projekt  me vlerë 17 milionë Lekë, nga ku do të përfitojnë 25 familje; në bashkinë Prrenjas po realizohet projekti, me vlerë 9.9 milionë lekë, nga ku do të përfitojnë 16 familje; në bashkinë Fushë Arrëz, po punohet  për zbatimin e projektit me vlerë 9.9 milionë lekë nga ku do të përfitojnë 12 familje; në bashkinë Malësi e Madhe, po punohet për realizimin e projektit me vlerë 10 milionë lekë nga ku do të përfitojnë 16 familje; në bashkinë Tropojë, po punohet për realizimin e projektit me vlerë 10 milionë lekë, nga ku do të  përfitojnë 13 familje, dhe në bashkinë Kavajë është në proces prokurimi dhe pritet të fillojë punimet projekti me vlerë 9.5 milionë lekë, nga ku do të përfitojnë 12 familje.
Për tre vitet buxhetore, 2014 -2016, Ministria e Zhvillimit Urban ka investuar në total rreth 99 milionë lekë, për rikonstruksionin e 9 godinave ekzistuese në bashkitë Lezhë, Lushnjë, Korçë, Has – Krumë, Prrenjas, Fushë – Arrëz, Malësi e Madhe, Tropojë dhe Kavajë, nga ku kanë përfituar 208 familje.  Me realizimin e projekteve, qytetarët që banojnë në këto ndërtesa paguajnë 50% më pak në faturat e tyre të energjisë elektrike. 
Të gjitha këto projekte janë modele, sipas të cilave duhet ndërtuar apo rikontruktuar banesat me qëllim ruajtjen e mjedisit, si dhe kursimin e enrgjisë elektrike. Këtë përvojë të vlefshme duam ta shpërndajmë në të gjitha bashkitë e vendit.  Jemi duke punuar intensivisht me të gjithë bashkitë për të  ndërgjegjësuar dhe orientuar të gjithë kapacitetet vendore, mbi rëndësinë e hartimit dhe zbatimit të projekteve që synojnë ruajtjen e energjisë në banesa.
Zonja Ministre, në fillim të vitit 2016 lajmëruat pezullimin e Programit të Kreditimit të Lehtësuar dhe zëvendësimin e tij me të ashtëquajturin Bonus Strehimi. Sot mbas 6 muajve a mund të themi se ka funksionuar?
Në vitin 2016 ne riaktivizuam mekanizmin financiar të Bonusit të Strehimit, një instrument që i shërben një kategorie më të gjerë familjesh në nevojë, për të siguruar  pagesën  e qirasë në treg të lirë. Ky është një program i ri, i cili i është prezantuar njësive vendore, stafet e të cilave janë trajnuar dhe asistuar për të identifikuar familjet në nevojë si përfituese të këtij programi. Lista e familjeve të identifikuara nga njësitë vendore, miratohet nga këshilli bashkiak i cdo bashkie, vjen zyrtarisht në ministri dhe sipas listës respektive, ju akordohet shuma për të paguar 50% të qirasë mujore.
Më duhet të saktësoj se, përzgjedhja e familjeve që përfitojnë jo vetëm nga skema e Bonusit të Strehimit, por edhe të gjithë skemat e financimit sipas programeve të strehimit, të përcaktuara në ligjin aktual të Programeve Sociale të Strehimit është kompetencë e vetë bashkive.
Vlera e programit të Bonusit të Strehimit, e alokuar në buxhetin e Ministrisë për vitin 2016 është 22 milionë Lekë, nga të cilat 2 milionë Lekë janë alokuar vetëm për familjet një prindërore (gra kryefamiljare dhe gra që kanë qenë viktima të dhunës në familje). 
Sipas përllogaritjeve të kryera nga Drejtoria e Strehimit në Ministri, nga fondi 22 milionë lekë do të strehohen në banesa me kontrata qiraje në treg të lirë 784 familje (për periudhën Korrik-Dhjetor 2016), nga të cilat numri i familjeve një prindërore me gra kryefamiljare apo gra ish viktima të dhunës në familje do të jetë 80 familje.  
Deri më tani, pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë bashkitë: Mirditë, Has, Pogradec, Korçë dhe Elbasan. Në total janë 196 familje nga të cilat, 36 familje me statusin e personit me aftësi të kufizuar; 48 familje të komunitetit Rom; 20 familje gra kryefamiljare dhe 76 familje me të ardhura shumë të ulëta që do të përfitojnë pagesën e qirasë nëpërmjet Bonusit të Strehimit në masën 50%.
Jemi në pritje të plotësimit të dokumentacionit edhe nga bashkitë Malësi e Madhe, Pukë, Lushnjë, Himarë, Librazhd, Tropojë, Shijak. 
Ndërkohë që janë specifike dy bashkitë më të mëdha në vend, Tirana dhe Durrësi që do të dorëzojnë kërkesën për bonus, pasi të kenë shpërndarë banesat sociale. Për të qenë plotësisht e saktë, nga bashkia Tiranë është përfunduar ndarja e banesave sociale, kështu që do të vazhdojmë menjëhere më dhënien e bonusit social për familjet në nevojë.
Para pak ditësh në parlament deklaruat se jeni duke hartuar një ligj të ri për Programet Sociale të Strehimit. Mendoni se kështu i jepni zgjidhje problemeve që ky sektor ka?
Strehimi është një çështje me ndjeshmëri të lartë sociale e që kërkon vëmendje edhe angazhim të disa aktorëve për t’i dhënë zgjidhje. Prej Marsit të këtij viti, kemi nisur procesin e rishikimit të ligjit për Programet Sociale të Strehimit. Gjatë punës tonë të përditshme si ministri kemi evidentuar një sërë problematikash që paraqet ligji aktual i strehimit, nga ku do të veçoja faktin se ligji aktual nuk parashikon përfshirjen e shumë kategorive sociale, si përfituese të skemave të strehimit, pra nuk ju përgjigjet nevojave që kanë kategoritë më në nevojë dhe me më shumë probleme sociale. 
Ky proces i rishikimit të këtij ligji, po bëhet i mundur me ekspertizën ligjore dhe asistencën teknike të ofruar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, të cilët kanë qenë partnerët tanë edhe në procesin e hartimit të Strategjisë së Strehimit 2016 – 2025, që u miratua në Qershor të këtij viti.  Me hartimin e kësaj strategjie dhe planit të veprimit për një peridhe gati 10 vjecare bëhet akoma më i domosdoshëm rishikimi i ligjit aktual i strehimit. Ajo çfarë vlen për t’u theksuar është fakti se, në këto më shumë se 20  vite,  Shqipëria nuk ka pasur një dokument të mirëfilltë strategjik për strehimin. Dokumenti që ne kemi hartuar e që shërben si një udhërrëfyes për sektorin e strehimit është i shoqëruar edhe me një plan veprimi 10 vjeçar të kostuar, që garanton zbatueshmërinë dhe përkthimin e vizionit të strategjisë në investime dhe masa konkrete.  Një prej masave të përcaktuara në Planin e Veprimit është edhe rishikimi i kuadrit ligjor për programet sociale të strehimit, si një instrument i nevojshëm që mundëson përfshirjen e më shumë qytetarëve në nevojë, si përfitues direkt nga programet e strehimit.   Hartimi kësaj strategjie është kryer me asistencën e Porgramit të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, si edhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët e grupet e interesit në fushën e strehimit. E konsideruam si prioritare hartimin e një dokumenti pune për strehimin, pasi nga një vlerësim i detajuar i përfituesve nga programet e strehimit, rezultoi se gjatë periudhës 2005 – 2014, nga këto programe kanë mundur të përfitojnë vetëm 14% nga tridhjetë e pesë mijë aplikantë. Ndërkohë që, ne synojmë që për dhjetë vitet e ardhshme (2016 – 2025), të rrisim 50 deri në 70 % numrin e përfituesve nga programet sociale të strehimit. 
Nderkohë,  sa i përket rishikimit të ligjit për strehimin, ajo çka më duhet të theksoj është se, procesi  është transparent dhe gjithëpërfshirës dhe ky proces do të vazhdojë me diskutime publike deri në draftin final të tij.  Prej fillimit të punës për rishikimin e ligjit kemi krijuar dy grupe pune: grupin ndër – institucional, ku janë të përfshirë të gjitha institucionet qendrore dhe vendore, të cilat merren me trajtimin e çështjeve që lidhen me strehimin, si dhe grupin këshillimor me përfaqësues të shoqërisë civile. 
Në fund të korrikut të këtij viti, ne do të kemi gati draftin e të ligjit të ri për Programet Sociale të Strehimit(ndryshimet që u bënë në ligjin ekzistues, që rezultojnë më shumë se 60% do të shkojnë në Qeveri dhe në Parlament si ligj i ri), i cili është produkt i një bashkëpunimi të frytshëm mes të gjithë palëve të përfshira, nga ku do të veçoja të gjithë shoqatat që përfaqësojnë interesat e grupeve në nevojë, institucionet publike që adresojnë çështjet që lidhen me strehimin e këtyre kategorive të  qytetarëve, pushtetin vendor, Avokatin e Popullit, ekspertë të shoqërisë civile dhe donatorë. 
 Në mënyrë të përmbledhur, disa nga risitë që do të sjellë ligji i ri për strehimin që ne presim ta kalojmë për miratim në kuvend brenda vjeshtës së këtij viti, janë: a) dyfishim i programeve të strehimit (nga tre programe që janë aktualisht ne kemi propozuar shtatë programe, një prej të cilave do të jenë edhe strehat e përkohshme); b) dhënia e mundësive për të përfituar banesë sociale edhe familjeve pa të ardhura apo me ndihmë ekonomike, nëpërmjet subvencionit, i  cili do të jetë i kombinuar me fondet që MZHU planifikon  me ato të bashkive; c) krijimi i pronarit social, që i jep sërish mundësi  subjekteve private  të hyjnë  në marrëdhënie me bashkinë  për të dhënë me qira banesat e tyre; d) krijimi i fondit social (sigurimi  banesave si fond i përhereshëm i  bashkisë); e) rikonstruksioni i objekteve të dala jashtë funksonit të tyre fillestar dhe kthimin në fond banesash dhe f) sigurimi i një strehimi të pershtashëm për komunitetet në nevojë  si dhe vijimi i programeve të investimit për  këto komunitete( siç është edhe programi model që ne si Ministri aplikojmë prej dy vitesh, dedikuar rikonstruksionit të banesave të komunitetit Rom dhe Egjyptian).
Më vjen mirë të them se, si Strategjia Sociale e Strehimit, ashtu edhe ligji i ri për Programet Sociale të Strehimit për të cilin jemi ende duke punuar, i kushtojnë një vëmendje të veçantë rregullimit të mekanizmave ligjorë për përfshirjen e sa më shumë qytetarëve në nevojë si përfitues të programeve financiare të strehimit dhe fuqizimit të kapaciteteve të njësive vendore në adresimin e saktë të kërkesave të qytetarëve për strehim social. Si ligji për strehimin ashtu dhe strategjia janë një platformë e përbashkët pune për ne si ministri, për institucionet qendrore, për njësitë vendore dhe të gjithë aktorët e tjerë që kontribuojnë në këtë fushë. Ne si ministri do të kemi rolin kryesor si në bashkërendimin dhe kordinimin e punës ashtu edhe në monitorimin e punës për zbatimin e tyre.
Ju jepni realitetin tuaj, por  opozita ju akuzoi në parlament se Qeveria ka dështuar me strehimin… 
Strehimi është një cështje teper sensitive edhe komplekse. Për trajtimin e familjeve që kanë nevojë për strehim duhen ndërhyrje në disa nivele dhe nga disa aktorë. Ka gjithmonë vend për përmirësime edhe kritika pse jo. Në fakt, në akuzat e opozitës (që mohon gjithcka që është bërë), vura re vec dëshirës për të mos përmendur asgjë të realizuar, një mungesë totale informacioni. Minimumi mund të kishin kërkuar informacion në ministri dhe ne do tua kishim dhënë të paktën cfarë është bërë në këtë periudhë. Më duhet të saktësoj edhe njëherë se, vërtet ministria që unë drejtoj nuk mund t’i japë e vetme zgjidhje të gjitha problemeve që qytetarët kanë në lidhje me strehim, për më teper që janë probleme edhe nevoja të akumulura për vite më radhë. Më kujtohet se,  në shtator 2013, kur Ministria e Zhvillimit Urban u krijua nga ministria ekzistuese në strukturë ishte vetëm një person që merrej me cështjet e strehimit.  Tani kemi një sektor të vecantë brenda një drejtorie, ndërkohe që e gjithë puna e berë në fushën e strehimit sërish është produkt i punës së kësaj drejtorie, në bashkëpunim me të gjitha isntitucionet që operojnë në këtë fushë, njësitë vendore, shoqata e donatorë. Në këto 3 vite janë hartuar edhe zbatuar  programe e investime konkrete në këtë sektor. 
Në programin tonë qeverisës 2013 – 2017 jemi angazhuar të riformatojmë të gjithë programet ekzistuese të  strehimit, për të bërë të mundur që numri i familjeve që përfitojnë prej tyre të jetë në rritje. Unë mendoj se për të gjitha angazhimet po punojmë fort. 
Sa për kujtesë, ne trashëguam nga qeveria e mëparshme një gropë buxhetore që kapte vlerën 285.9 milionë Lekë kundrejt Bankës Kombëtare Tregtare dhe Raifeisen Bank. Ky borxh u krijua në Projektin e Banesave me Kosto të Ulët, si pasojë e tejkalimit prej 700 kontrata të lidhura mbi planin dhe ku përfitues ishin militantë dhe njerëz të afërt të qëverisë së kaluar, duke devijuar nga qëllimi për të cilin u ideua ky program. Identifikuam 19 punonjës të lartë të administratës së kaluar, të cilët ishin trajtuar me kredi të butë 4%, në kundështim të plotë me VKM në fuqi, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej 12,645,183 Lekë për periudhën 2010 – 2013 dhe vetëm në vitin elektoral 2013, janё lidhur 1306 kontrata kredie, e barabartë me 40% të numrit të përgjithshëm të programit të kredive të lehtësuar.
Ndërkohë që, në tre vite që unë ushtroj detyrën e Ministres së Zhvillimit Urban, jo vetëm që nuk ka të tilla abuzime, por përkundrazi, nga të gjithë reformat dhe investimet e kryera nga kjo ministri të vetmit përfitues janë vetëm qytetarët në nevojë. 
Dua të shtoj këtu edhe dicka lidhur, me investimet në fushën e strehimit që janë realizuar në këto 3 vite. Krahas buxhetit të Ministrisë dhe fondeve të alokuara nga qeveria do të doja të përmendja këtu edhe investimet e Entit Kombëtar të Banesave, i cili është institucion varësie i Ministrisë së Zhvillimit Urban, me vetëfinancim. Në dy vite (2014 - 2015), nga ky instiucion janë realizuar po aq investime për ndërtimin e banesave me kosto të ulët sa ishin realizuar në pesë vite (2009 – 2013).
Enti Kombëtar i banesave ka investuar rreth 700 milionë lekë (2014 – 2016) për ndërtimin e 250 apartamenteve të reja për ndërtimin e banesave me kosto të ulët në: Bashkinë Fier 40 apartamente me vlerë investimi 92 milion lekë (objekti ka përfunduar në vitin 2016); Bashkinë Berat 35 apartamente me vlerë investimi 92 milion lekë (objekti ka përfunduar në vitin 2016); Bashkinë Lushnje 38 apartamente me vlerë investimi 116 milion lekë (objekti ka përfunduar në vitin 2016); Bashkinë Librazhd 35 apartamente me vlerë investimi 116 milion lekë (objekti përfundoi në 15 korrik 2016). 
Ndërkohë që, Enti Kombëtar i Banesave ka planifikuar dhe do të nisë së shpejti disa investime të tjera, konkretisht:  në bashkinë Korçë 74 apartamente të ndara në dy godina, njëra me 18 dhe tjetra me 56 apartamente me vlerë investimi 230 milion lekë (në proces prokurimi); në bashkinë Durrës, është lidhur marrëveshja e bashkëpunimit për ndërtimin e 24 apartamenteve të reja me vlerë investimi 115 milionë Lekë; në bashkinë Pukë, do të ndërtohet një godinë me 24 apartamente me vlerë totale investimi gati 40 milionë Lekë. 
Enti Kombëtar i Banesave ka strehuar 100 familje në banesat që kishin përfunduar prej vitesh në Kavajë (objekti i përfunduar në vitin 2010), Shkodër (përfunduar në vitin 2012) dhe Korçë (2012), por të cilat nuk ishin vënë ende në eficencë.
Po kështu, përmes ndihmës së Entit Kombëtar të banesave, 630 familje përfituan të drejtën e pronësisë në qytetet Tiranë, Durrës, Korçë, nëpërmjet privatizimeve të ambienteve të disponuara prej tyre ndër vite.

 Cilat janë disa projekte të tjera që ju synoni të realizoni  në fushën e strehimit?
Në bashkëpunim me PNUD po punojmë paralelisht për disa projekte, që do të na ndihmojnë më shumë në adresimin më mirë të nevojave për strehim. Një prej tyre është krijimi i një baze të dhënash për të pastrehët në rang vendi, në 61 bashki. Nëpërmjet kësaj baze të dhënash do të kemi më në fund një numër të saktë dhe një regjistër dixhital të familjeve në nevojë për strehim në Shqipëri.  Një projekt tjetër, që e fillojmë së shpejti është asistenca teknike që na ofron PNUD, për studimet e fizibilitetit në 4 bashki Tiranë, Durrës, Belsh dhe Kavajë për ndërtimin e godinave të reja për strehim duke i hapur rrugën investimeve me projekte konkrete, për ndërtimin e banesave sociale në këto bashki. Së shpejti realizojmë edhe një evidentim të  numrit dhe situatës së komunitetit Rom dhe Egjyptian në 61 bashki, analizë e cila  do të na shërbejë edhe në prioritizimin më të mirë të investimeve në vitet në vijim. 
Ndërkohë që, kemi filluar negociatat me Bankën Evropiane për Zhvillim, për të parë mundësinë e ndërtimit të banesave të reja sociale në 10 bashki të vendit, të cilat kanë shprehur interes në bazë dhe të nevojave për strehim që qytetarët në këto bashki kanë.