Intervista e Ministres Gjermeni, për televizionin "Scan".

 1.Zonja Ministre,  ju falënderoj për kohën tuaj!

Jeni prej katër vitesh në krye të Ministrisë së Zhvillimit Urban. A mund të bëjmë një bilanc të punës së ministrisë në këto vite?

Çfarë është bërë mirë sipas jush, dhe çfarë mund të ishte bërë më mirë?

Ju faleminderit dhe ju!

Duket që koha ka kaluar shpejt dhe në fakt po më duket çudi që u bënë katër vite në drejtim të këtij institucioni që është dhe vetë shumë i ri në moshë, vetëm 4 vjeç (buzëqesh).

Më kujtohet ai momenti i parë që u prezantova si ministre e këtij institucioni dhe u angazhova para qytetarëve për reformat që ne do të ndërmerrnim në fushën e planifikimit, legalizimit, zhvillimit urban, strehimit, pra një portofol me një peshë dhe impakt të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Kjo ministri ka një histori shumë të këndshme që e ka zanafillën prej krijimit të saj. Si një institucion që krijohej për herë të parë, në tetor të vitit 2013, puna nisi me një bërthamë shumë të vogël njerëzish. E vlerësoj shumë punën e bërë nga i gjithë stafi me të cilin unë kam kënaqësinë të ndaj lodhjen dhe suksesin prej katër vitesh. Pa angazhimin e gjithsecilit do të ishte pothuajse e pamundur që, në një kohë të shkurtër, ne të mund të kthenim në produkte konkrete një pjesë të mirë të angazhimeve të marra në programin e Qeverisë 2013 – 2017.  

Është, tashmë, një fakt i pakontestueshëm që, territori në Shqipërinë e vitit 2013 ishte shpërdoruar në mënyrë kaotike e spontane, duke dëmtuar mjedisin. Janë rreth 400 mijë ndërtime pa leje, të cilat, thuajse, i kishin marrë frymën bregdetit dhe çdo zone tjetër në Shqipëri. E nisëm punën me hapa të vegjël, duke rregulluar dhe përmirësuar, së pari, kuadrin ligjor në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit. U vendosën tre moratoriume të rëndësishme për të ndaluar, rreptësisht, ndërtimin në bregdet, në zona historike dhe kulturore, si dhe në zona të rëndësisë kombëtare.

Rrugëtimi që do të ndërmerrnim në fushën e planifikimit, legalizimit të ndërtimeve pa leje, formalizimit dhe urbanizimit të vendbanimeve informale dhe strehimit, do të ishte një proces sa sfidues aq edhe i bukur.

Jemi munduar ta shohim  zhvillimin urban, jo si një proces më vete dhe i izoluar nga zhvillimi social dhe ekonomik por si një platformë e gjallë, ku çdo vendimmarrje e pamenduar apo çdo veprim i paligjshëm rezulton në cenim të aseteve të përbashkëta qoftë kjo toka, hapësirat e përbashkëta apo potencialeve tona natyrore dhe kulturore.

E kam thënë shpesh që, jam me fat si Ministre që, në këto katër vite, jo vetëm kam drejtuar një institucion të ri, të krijuar për t’u përballur me sfidat e zhvillimit të territorit, zhvillimit urban por dhe të punoj me një staf relativisht të ri në moshë, shumë energjik dhe kreativ.

E falë kësaj sinergjie pozitive për t’i bërë gjërat mirë, me dashuri, përgjegjësi dhe mbi të gjitha, si një ekip arritëm të ndërtonim dhe realizonim nisma, të cilat merrnin një formë të vërtetë dhe të prekshme për herë të parë në këto 25 vite.

Përvoja e këtyre 4 viteve na ka mësuar shumë të gjithëve dhe për më tepër, na ka bërë të reflektojmë , çfarë kemi bërë realisht mirë e çfarë duhet të përmirësojmë në punën tonë.

Strehimi është një prej sektorëve që unë e kam shumë për zemër dhe që ka ndikim të madh në jetën e të gjithë qytetarëve. Në këto 4 vite, ne ndryshuam kuadrin ligjor, hartuam  strategji e krijuam programe sociale për t’u, sa më shumë, në ndihmë familjeve në nevojë. Jam e ndërgjegjshme që nuk kemi zgjidhur gjithçka, ndaj dhe angazhimi dhe vëmendja jonë do të vijojë të mbetet maksimale në këtë sektor jetik për grupe dhe familje në nevojë.

2.    Ministria juaj ka qenë aktive, sidomos sa i përket zhvillimit të territorit, planifikimit,  duke e nisur me Planin e Përgjithshëm Kombëtar, atë Tiranë-Durrës dhe Planin e Bregdetit dhe për ta vazhduar me asistencën për njësitë vendore për planet e tyre? Në thelb, ju keni theksuar se, zhvillimi i qëndrueshëm është vizioni. A e garantojnë këto dokumente këtë zhvillim?

Në fund të një mandati, çdo ministri bën bilancin e saj. Unë jam krenare të them që, nëse ka diçka, për të cilën ndihemi vërtetë krenare është hartimi dhe miratimi, për herë të parë, i tre dokumenteve strategjikë për territorin e Shqipërisë: Plani i Përgjithshëm Kombëtar; Plan Sektorial i Bregdetit dhe Plani Sektorial i Zonës Ekonomike Tiranë – Durrës.

Sikur Shqipëria t’i kishte këto plane dy dekada më parë, sot do të kishim një realitet shumë ndryshe. Ato shërbejnë si një kornizë referuese për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit për 15 vitet e ardhshme dhe sigurojnë zhvillimin e balancuar ekonomik dhe social të vendit, menaxhimin e përgjegjshëm të burimeve natyrore të tij, mbrojtjen e mjedisit, duke siguruar njëkohësisht edhe përdorimin racional të tokës.

Këto plane u hartuan brenda një periudhe 2-vjeçare, me kontributin e shumë aktorëve, duke përfshirë ekspertë të ministrive dhe shumë ekspertë vendas e të huaj, me të cilët kemi punuar gjerësisht. Të planifikosh nuk është vetëm të skicosh një hartë por është të kuptosh shoqërinë, kulturën, traditën dhe trashëgiminë e një territori. Dua të theksoj që, përveç përmbajtjes së këtyre planeve, rëndësi të veçantë i kemi kushtuar procesit të hartimit dhe miratimit të tyre. Ndaj, prioritet për ne kanë pasur konsultimet dhe dëgjesat publike me qytetarë dhe grupe interesi. “Shqipëria 2030” është motoja dhe vizioni i planeve, për të treguar që, për të planifikuar duhet të jesh vizionar dhe me objektiva afatgjatë, për ne dhe fëmijët janë. Hartimi i këtyre planeve ishte një domosdoshmëri për t’u hartuar pasi vendi kishte nevojë të përcaktonte vizionin, politikat dhe rregullat për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit, duke e parë nga një këndvështrim kombëtar. Asnjëherë, territori i Shqipërisë nuk ishte analizuar si një organizëm i plotë, përkundrazi, mënyra sesi është planifikuar ka qenë shumë e fragmentarizuar. Prandaj, këto tre instrumente, shërbejnë si një platformë për investime të qëndrueshme publike dhe private, duke krijuar besimin dhe sigurinë e nevojshme për investitorët vendas e të huaj. Në fund të fundit, janë edhe një garanci shumë e fortë për mospërsëritjen e kaosit dhe informalitetit që ndër vite i ka sjellë shumë dëme ekonomisë së vendit. Me hyrjen në fuqi të këtyre instrumenteve, pas miratimit në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe miratimin në Këshillin e Ministrave, në rastin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar, Shqipëria, tashmë, ka të ligjëruar kornizën referuese kombëtare për të gjitha planet e tjera me bazë territoriale të një hierarkie më të ulët, siç janë: Planet Rajonale apo Planet Vendore.

Më vjen mirë të them që, vizioni ynë i planeve kombëtare “Shqipëria 2030” është në përputhje me objektivat globalë të Agjendës së re Urbane 2030, të miratuar, tashmë, nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

3.     Procesi i legalizimit është një proces i zvarritur në vite dhe kultura e ndërtimit në mënyrë informale, pa asnjë lejë, ka qenë gjithmonë problematike.

Ku jemi sot me këtë proces, duke qenë se listës së përfituesve ju i shtuat edhe një kategori tjetër së fundmi?

Sa legalizime do të kemi deri në fund të këtij mandati?

Një prej angazhimeve tona në vitin 2013 ishte realizimi i legalizimeve falas për qytetarët. Me të drejtë, procesin e legalizimit do ta cilësoja si një nga arritjet më të mëdha, në këtë mandat të parë të Qeverisë Rama, me kryefjalë qytetarin e thjeshtë.  

E nisëm punën me ndryshimet ligjore për procesin e legalizimeve falas që në vitin 2014 dhe përgjatë këtyre 4 viteve kemi miratuar 4 ligje dhe 24 Vendime të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrisë së Zhvillimit Urban, të cilat parashikojnë lehtësir, qoftë administrative por edhe financiare për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve për përmbylljen e procesit të legalizimit. Për t’i ardhur në ndihmë familjeve me vështirësi ekonomike, kemi miratuar dhe po zbatojmë një skemë të qartë me lehtësira financiare. Sot, personat me statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik, me statusin e të verbërit, të cilët duan të legalizojnë banesat e tyre, nuk paguajnë  më asnjë lek për legalizimin e banesës së tyre.

Legalizimi i ndërtimeve informale nuk është aspak një proces i thjeshtë, por përkundrazi është një proces kompleks dhe që kërkon një bashkërendim të vazhdueshëm me institucione qendrore dhe ato vendore që merren me trajtimin e pronës. Na është dashur që të hartojmë vendime të Këshillit të Ministrave për të trajtuar kategori të veçanta qytetarësh që kanë nevojë për strehim. Mund të përmend këtu rastin e vitit 2016, me ndryshimet e miratuara në ligjin ekzistues për Programet Sociale dhe miratimin e Vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, kur i dhamë të drejtën e pronësisë mbi shtëpinë dhe truallin, 400 familjeve të shpërngulura në vitin 1994, për shkak të ndërtimit të Ujëmbledhësit të Bovillës mbas një kalvari të gjatë pritje dhe sorollatjeje për plot 22 vite.

Ndërkohë që, me Vendimin nr. 19 të Këshillit të Ministrave në janar të këtij viti, ne i hapëm rrugën 30 mijë familjeve që kanë blerë banesat e tyre, në pallate ku ndërtuesi apo investitori ka shkelur lejen e ndërtimit dhe që, deri më tani e kanë pasur të pamundur të regjistrojnë pronën e tyre të nisin procesin. Nga ALUIZNI janë identifikuar 1,320 pallate mbi 5 kate, në të cilat nuk mund të kryhej procesi i hipotekimit të pronës së blerë me aq mund e sakrificë, për asnjë nga banorët.

Deri më tani, kemi përfunduar, ashtu si edhe premtuam në fillim të këtij mandati, legalizimin e ndërtimeve në zonat masive informale. Do të vazhdojmë të ruajmë ritmin e 4 mijë legalizimeve në muaj për të realizuar me sukses këtë objektiv, ndërkohë që në mandatin e dytë synojmë të përfundojë legalizimi i ndërtimeve informale në Shqipëri. Një proces ky që po e vijojmë edhe në gjashtëmujorin e parë  të vitit 2017 dhe deri më tani kemi përfunduar legalizimin e 100 mijë objekteve ndërtime,  pa leje. I gjithë procesi i legalizimit të ndërtimeve informale ka ndryshuar pozitivisht jetën e qytetarëve, të cilët tanimë kanë shtëpinë pronë të tyre. Kjo leje legalizimi që ata marrin, nuk është vetëm dokumenti që e bën shtëpinë  pronën e tyre legjitime, por është dokumenti që e kthen shtëpinë e tyre në një pasuri,  duke ju dhënë atyre mundësinë që të mund ta përdorin këtë pasuri për të shkuar në bankë dhe për të marrë kredi, për të hapur një biznes të vogël, për të çuar me studime djalin apo vajzën, për të blerë një makinë, etj.

4.     Strehimi ka marrë një vëmendje të veçantë ku kemi një strategji 10 vjeçare, kemi një draft me programe që zgjeron bazën e përfituesve, por sjell edhe risi për përfshirjen e biznesit?

Çfarë do të sjellë kjo kornizë ligjore por edhe plan bashkëpunimi me biznesin në lidhje me politikën sociale për të pastrehët?

A do të jetë më e lehtë për të pasur një shtëpi nëse e krahasojmë me sot apo me të kaluarën?

Që prej fillimit të punës tonë e kemi trajtuar strehimin jo vetëm si një objektiv social, por si një të drejtë themelore të njeriut. Për këtë arsye, e nisëm punën, duke përmirësuar kuadrin ligjor dhe duke forcuar mekanizmat bashkëpunues ndërmjet ministrisë dhe bashkive si edhe në hapjen e programeve të reja shoqëruar me instrumente financiarë në mbështetje të familjeve nga kategoritë në nevojë.

Në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD), për herë të parë, ne hartuam dhe miratuam Strategjinë e Strehimit Social 2016 – 2025 dhe Planin e Veprimit, një dokument që orienton dhe ofron zgjidhje konkrete dhe mundësi alternative për strehimin e familjeve me të ardhura të ulëta ose edhe pa të ardhura. Në këtë dokument, një  vëmendje e veçantë i kushtohet domosdoshmërisë së rregullimit të mekanizmave ligjorë për përfitimin nga Programet e Strehimit të grupeve në nevojë dhe fuqizimit të kapaciteteve të njësive vendore, në adresimin e saktë të kërkesave për strehim social dhe të përballueshëm për familjet në nevojë. Krahas strategjisë, po finalizojmë një ligj të ri për strehimin social, i cili synon zgjerimin e familjeve përfituese dhe shtimin e programeve të strehimit. Shumë shpejt ky ligj do të diskutohet në Parlament.

Strategjia dhe projektligji  për strehimin social, janë një platformë e përbashkët pune për ministrinë tonë, për institucionet qendrore, për njësitë vendore dhe të gjithë aktorët e tjerë që kontribuojnë në fushën e strehimit social.

Gjatë këtij mandati të parë, puna e bërë në fushën e strehimit social mendoj se, ka prekur mjaft qytetarë dhe ka ndikuar direkt në përmirësimin e cilësisë së jetës se tyre.

Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se, nevojat për strehim nga qytetarët janë të mëdha dhe hendeku ndërmjet programeve të strehimit dhe nevojave reale për strehim të qytetarëve ka qenë shumë i madh. Për të minimizuar, sa më shumë, këtë hendek dhe për të mbështetur me programe konkrete, sado modest të ketë qenë buxheti i shtetit, kemi krijuar një model të qëndrueshëm të mbështetjes financiare për kategori të ndryshme të shtresave në nevojë.

Doja të ndaja me ju disa programe buxhetore, të cilat kanë pasur një impakt të drejtpërdrejte në përmirësimin e kushteve të strehimit për disa kategori qytetarësh dhe të cilat kanë filluar, për herë të parë, nga kjo Ministria e Zhvillimit Urban. Një prej tyre është rikonstruksioni i banesave të komunitetit Rom dhe Egjiptian, i cili është në vitin e katërt të zbatimit. Falë këtij programi, kanë përfituar, për periudhën 2014 – 2016, një mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e gjashtë qytetarë të këtij komuniteti që jetojnë në kushte të përmirësuara jetese dhe mbi një mijë qytetarë që jetojnë në kushte më të mira higjeno-sanitare, falë ndërhyrjeve në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza. Projektet janë zbatuar në 15 bashki të vendit dhe janë rikonstruktuar 469 banesa.

  Ndërkohë që për vitin 2016 me fondin rreth 225 milionë Lekë vijuam subvencionimin e kredive me interes 0%, 3%, 4% dhe me normë inflacioni për Programin e Kreditimit të Lehtësuar. Gjatë këtij viti në këtë program u akordua subvencionimi i interesave të kredisë me 3% për 131 familje të reja dhe me 0% interes për 19 familje të reja, duke e çuar në 4,260 numrin e familjeve që përfitojnë nga ky program që prej vitit 2009

Bonusi i strehimit dhe Granti i Menjëhershëm janë dy mekanizma të tjerë financiarë të riaktivizuar për herë të parë në vitin 2016. Për vitin 2016 përfituan Bonus Strehimi/pagesën prej 50% të qirasë minimale të tregut tetëdhjetë e nëntë familje, në 8 bashki të vendit nga të cilat njëzet e nëntë familje me gra kryefamiljare. Ndërkohë Grant të Menjëhershëmtridhjetë e pesë familje me statusin e jetimit apo Personave me Aftësi të Kufizuar në 8 bashki.

Të gjitha këto programe do të vazhdojnë të zbatohen edhe gjatë vitit 2017.

5.     Standardet në ndërtim jo gjithmonë janë respektuar, ndërkohë që, kemi parë një përpjekje për të përmirësuar kornizat ligjore. Ku jemi sot me këtë aspekt?

Edhe kjo është një fushë ku jemi munduar të japim kontributin tonë modest duke qenë se, lidhet me sigurinë e jetës së qytetarëve. Standardet e ndërtimit ishin të miratuara gati 30 vite më parë dhe nuk ishin në harmoni me ndryshimet në realitetin shqiptar.  Ndaj, Ministria e Zhvillimit Urban, që prej krijimit të saj u angazhua në përmirësimin e kuadrit ligjor në fuqi, lidhur me rregulloret dhe standardet e projektimit në vendin tonë, me qëllim vendosjen e rregullave në funksion të rritjes së cilësisë së produktit në fushën e ndërtimit dhe të përmirësimit të cilësisë së jetës, sigurisë dhe shëndetit të qytetarëve. Me një buxhet minimal, në këto vite u hartuan dhe miratuan: Normativat e projektimit të banesave; Normativat e projektimit të çerdheve; Normativat e projektimit të kopshteve dhe shkollave dhe rregulloret teknike “Për Projektimin dhe Ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Ndërkohë, kemi punuar edhe për manualin e tarifave për shërbime në planifikim territori, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim.  Jemi në procesin e miratimit të përshtatjes së Eurokodeve 4, 6, 7 dhe pjesërisht Eurokodin 8, me anekset kombëtare. Përshtatja e Eurokodeve, plotësimi i tyre me anekset kombëtare, dhe përdorimi i tyre si standarde ligjore, i shërben rritjes së cilësisë së ndërtimeve në drejtim të qëndrueshmërisë strukturore, si edhe marrjes së masave konkrete në drejtim të shmangies së rrezikut nga tërmetet.

6.     Rilindja Urbane është një ndër projektet që ju e keni ndjekur me vëmendje të veçantë. Kjo ka synuar që të sjellë ndryshim në qendrat e qyteteve?

A do të kemi edhe një projekt të ngjashëm për zonat rurale ndoshta jo në të njëjtat dimensione, por me të njëjtin vizion?

Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane nisi zbatimin e tij  në vitin 2014, nga qendrat urbane ku i ka rrënjët zhvillimi i çdo qyteti. Rehabilitimi i qendrave të qyteteve, me projekte konkrete të rehabilitimit të shesheve, parqeve, infrastrukturës urbane, u shtrinë më pas edhe në lagjet apo zonat e banuara brenda territorit të 61 bashkive të reja nga Veriu në Jug.  Padyshim që Rilindja Urbane është një prej programeve më të suksesshëm të Qeverisë Rama sepse jo vetëm ka krijuar modele qytetesh, hapësira publike, parqe e kënde lojërash por ka rritur vlerën e pronës e ka nxitur sipërmarrësit dhe investitorët vendas e të huaj.

Më vjen shumë mirë të them që nga puna që kemi bërë në këto vite, kemi vënë re që çdo vit është rritur cilësia e projekteve, për të cilat bashkitë aplikojnë, jo vetëm nga ana arkitekturore por edhe për impaktit në jetën e qytetarëve. Dhe kjo përvojë na ka mësuar shumë. Na ka mësuar që projektet mund të hartohen në mënyrë që të përmirësohet jeta e qytetarëve. Projektet e financuara nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve janë ato që, vetë bashkitë kanë identifikuar si prioritete, në bashkëpunim të ngushtë edhe me qytetarët. Sot numërohen, 360 projekte të infrastrukturës vendore nga veriu në jug, nga bashkitë e mëdha e deri tek ato më të voglat, të cilat po financohen dhe zbatohen në harkun kohor 2014 – 2017, përmes Fondit për Zhvillimin e Rajoneve, një instrument financiar tashmë tërësisht i riformatuar për t’i dhënë frymëmarrje zbatimit të çdo projekti.   Projektet e Rilindjes Urbane, i kanë ndryshuar fizionominë  qyteteve dhe bashkive, me ndikim në zhvillimin e biznesit, sipërmarrjes së vogël dhe mirëqenies së qytetarëve edhe në ato qytete apo bashki që ishin harruar prej vitesh. Këtu mund të përmendja Skraparin, Tropojën, Pukën, Malësinë e Madhe, Kukësin, Burrelin, Kavajë, Krujën. Belshin, Gramshin, Librazhdin, Divjakën, Velipojën, Orikumin, Selenicën,  etj. 

Mund të ndaj me ju një informacion të shkurtër mbi larminë e projekteve të cilat janë jetësuar deri më tani: 102 projekte për rivitalizimin e qendrave urbane si: projektet e qendrës së Durrësit, qendrës së Korçës, shëtitores së Elbasanit, qendrës së Lushnjës, qendrës së Kukësit, shëtitores së Lezhës, qendrës së Kavajës, qendrës së Tamarës në Malësi të Madhe; 29 projekte për rehabilitimin e hapësirave të gjelbra, kënde lojërash për fëmijë dhe objekte kulturore publike. Këto projekte u zbatuan në bashkitë Gjirokastër, Berat, Korçë, Durrës, Sarandë, Gramsh, Burrel; 171 projekte të infrastrukturës urbane, duke shkurtuar distancat mes qendrave urbane dhe atyre rurale, mundësuar zhvillimin e bizneseve të reja, si dhe rigjenerimin urban të lagjeve dhe zonave të banuara, duke krijuar, kështu, më shumë hapësira publike dhe rekreative për qytetarët e të gjithë grupmoshave; 13 projekte zhvillimore të infrastrukturës turistike, në bashkitë Vlorë; Himarë, Pogradec, Qeparo, Skrapar; 5 projekte të përmirësimit të zonave të biznesit si Projekti i Pazarit të Korçës, Beratit, Gjirokastrës; 11 projekte për rehabilitimin e zonave rrotull kalave dhe zonat monumentale, si dhe 3 projekte pilot urbanizimi të zonave informale në tre qytete Vlorë, Lushnjë dhe Durrës. Të gjitha projektet kanë ruajtur identitetin e qyteteve dhe kanë rritur numrin e vizitorëve vendas apo të huaj.

Nga qendrat e qyteteve, është kaluar në blloqe banimi, është kaluar në zona rurale,  në rrugët lidhëse, në tregje, duke nxitur edhe zvogëluar në fakt, diferencat mes zonave rurale dhe urbane, duke nxitur zhvillimin e tregut dhe sidomos të produkteve bujqësore, për t’i pasur më afër tregjet për qytetarët.

Të gjitha këto ndërhyrje ndikojnë drejtpërdrejtë, jo thjeshtë në një formë dhe mënyrë të re edukimi estetik për qytetarët por nga ana tjetër nxisim shumë kohezionin social, zhvillimin e qëndrueshëm në këto zona, duke i paraprirë më tej zhvillimit ekonomik e social të tyre. Ndaj dhe ndërhyrjet e kryera i kanë shërbyer më së miri  zhvillimit të biznesit lokal dhe mirëqenies sociale të qytetarëve, në ruajtje të vlerave arkitektonike, kulturore dhe historike pa i humbur identitetin qyteteve tona.

7.     Disa nga proceset që janë nën monitorim apo zbatim të ministrisë janë të lidhura ngushtë me njësitë vendore flasim për legalizime, strehim, planifikim urban. Këto njësi dolën nga një reformë e re territoriale. Si ka qenë bashkëpunimi me to në këndvështrimin tuaj dhe ku duhet të kemi theks në vazhdim?

Pas miratimit të reformës administrative-territoriale dhe krijimit të bashkive të reja në vitin 2015, Ministria e Zhvillimit Urban ndërmori menjëherë nismën për të mbështetur financiarisht dhe me ekspertizë teknike, 26 bashki të cilat hartuan Planet e Përgjithshme Vendore gjatë vitit 2016. Planet Vendore janë dokumentet që do të udhëheqin zhvillimin e territorit të këtyre bashkive, investimet publike e private, mbrojtjen dhe ruajtjen e natyrës dhe trashëgimisë historike e kulturore. Përveç 26 PPV-ve që u mbështetën nga Qeveria Shqiptare, në procesin e planifikimit të territoreve vendore, ndihmë kanë dhënë edhe organizatat ndërkombëtare si USAID nëpërmjet Programit për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore dhe Ambasada e Zvicrës nëpërmjet Programit për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal. Secili program ka marrë përsipër ndihmën financiare dhe teknike respektivisht për hartimin e 5 Planeve Vendore. Programi i USAID ka filluar procesin e asistencës më herët dhe tashmë, ka finalizuar procesin edhe me miratimin në Këshillin Kombëtar të Territorit të 5 Planeve Vendore për bashkitë: Elbasan, Fier, Berat, Lushnjë dhe Kuçovë. Ndërsa, programi i Qeverisë Zvicerane ka nisur më vonë dhe pritet të finalizojë, në gjysmën e parë të vitin 2017, asistencën për hartimin e 5 Planeve Vendore për bashkitë:  Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Tropojë, Mat e Klos.

Për shumë nga bashkitë ky ishte një proces që ndodhte për herë të parë. Duke marrë, gjithashtu, në konsideratë faktin se, në shumë raste bashkive u mungonin kapacitetet e nevojshme për të administruar një proces kaq kompleks e të rëndësishëm, asistenca e ofruar nëpërmjet ekspertëve vendas e të huaj ishte e rëndësishme, jo vetëm gjatë kohës së hartimit, po edhe për t’iu përcjellë njohuritë e duhura stafeve teknike për zbatimin e Planeve Vendore, në të ardhmen. I gjithë ky proces nuk ka qenë në vetvete vetëm realizim i një detyre planifikimi në përputhje me kërkesat e ligjit, po edhe një proces shumë organik e gjithëpërfshirës konsultimi me shumë aktorë që ka ndihmuar edhe në rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike të bashkive. E gjithë puna është monitoruar dhe asistuar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, që ka përballuar një volum të madh pune në një kohë të shkurtër. Për të mbërritur deri këtu, procesi ka qenë tejet kompleks, por lajmi i mirë është që në fund te vitit 2017,  43 bashki do të kenë të hartuar planet e përgjithshme vendore. 

Sfida që kemi përpara, tani fill pas miratimit, do të jetë monitorimi dhe nxitja për zbatimin e këtyre instrumenteve, për të garantuar që zhvillimi urban, ekonomik dhe social, të jetë sa më i qëndrueshëm. Mbetem besimplotë se frutet e këtij procesi dhe zbatimi i planeve vendore do të sjellë impakt shumë të prekshëm për qytetarët dhe sipërmarrjen, si dhe padyshim, do të lehtësojë bashkitë për të operuar normalisht me procedurat e lejeve të zhvillimit, mbështetur në instrumente planifikimi të ligjëruara.

Ministria e Zhvillimit Urban nuk mund të realizojë asnjë prej objektivave pa bashkëpunimin e ngushtë me bashkitë. Procesi i shkëmbimit të informacionit është i dyanshëm, përgjegjësitë që ndajmë janë të përbashkëta ndaj dhe koordimi më i mirë mes nesh rezulton më frytdhënës. Si në planifikimin e territorit, legalizimet, strehimin apo leje e ndërtimit po mundohemi që politikat strategjikë dhe ligjet t’i hartojmë në bashkëpunim që, të adresojnë problematikat e qytetarëve por, nga ana tjetër, po punojmë fort që të monitorojmë punën e njësive vendore në këta sektorë. Kështu, garantojmë zhvillimin e  qëndrueshëm, strehim të përballueshëm dhe më shumë kohezion social për qytetarët.

10.   Në rastin e një mandati të dytë të Qeverisë, ku mendoni se duhet të vihet fokusi, cili është procesi më imediat apo duhet të kemi njëtrajtësi politikash dhe mbështetjesh buxhetore?

Gjatë këtij mandati të parë ne kemi hedhur themele të forta mbi bazën e të cilave do të duhet të shkojë zhvillimi i qëndrueshëm social dhe ekonomik i vendit. Miratimi i tre planeve kombëtare në Qershor, në Këshillin Kombëtar të Territorit, pas një pune kolosale për dy vite e gjysmë dhe e gjithë puna që ne po bëjmë me bashkitë, për hartimin e planeve të përgjithshme vendore, ka qenë dhe mbetet një nga sfidat më të mëdha për Ministrinë e Zhvillimit Urban. Vizioni dhe objektivat e këtyre planeve i kalojnë kufijtë e një mandati politik dhe kërkojnë një qasje të re vizionare, që t’i shërbejnë një zhvillimi të qëndrueshëm, afatgjatë të vendit. Çdo hap i hedhur në planifikim, duhet të shërbejë si një bazë për të vijuar punën më tej dhe për të mos na kthyer më pas. Dua t’ju kujtoj vetëm një fakt: nëse paratë dhe djersa e shqiptarëve, e shpenzuar për ndërtime pa leje do ishte investuar në mënyrë të planifikuar, sot Shqipëria do të ishte krejt ndryshe.

Planifikimi dhe zhvillimi i territorit bazuar në instrumentet e planifikimit të miratuar, mbetet fidë e radhës.

Strehimi i përballueshëm dhe i arritshëm për qytetarët është një program që kërkon vëmendje të veçantë  në vazhdimësi.

Zhvillimi i qëndrueshëm i zonave urbane dhe rurale në mënyrë që të nxisi investimet vendase dhe të huaja si dhe të ofrojnë mundësi punësimi, mbetet objektiv i rëndësishëm i punës së kësaj ministrie.