Intervista e Ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, znj. Eglantina Gjermeni dhënë për agjencinë e lajmeve italiane “NOVA”

Në 2015  më shumë turistë dhe investitorë të huaj në Shqipëri!

 

Itali – Shqipëri: Ministrja e Turizmit, Eglantina Gjermeni, mbështetja e rëndësishme e Romës në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Shqipëria e vlerëson mbështetjen e Italisë në rrugën drejt integrimit europian” – kështu është shprehur për Agjensinë e Lajmeve “Nova”, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, znj. Eglantina Gjermeni, në përfundim të takimit me homologun italian, z.Dario Franceschini, takim i cili u zhvillua në Romë, pranë Ministrisë  së Kulturës.

“Gjatë takimit me ministrin Franceschini, u shpreh vullneti i të dy vendeve, për ta zhvilluar, në mënyrën më të mirë të mundshme, bashkëpunimin, që aktualisht është i shkëlqyer, në sektorin e kulturës dhe turizmit” ka shtuar Ministrja.

Znj. Gjermeni ka theksuar, se takimi me Francheschinin ka rinovuar marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Kemi vendosur bazat për zhvillimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, në veçanti, përsa i përket shtimit të numrit të vizitorëve italianë në Shqipëri dhe anasjelltas”, ka thënë Ministrja Gjermeni, sipas së cilës, bashkëpunimi mes dy vendeve do të sjellë rezultate në shumë faktorë, si: shtimi i sipërmarrësve italianë në Shqipëri, në sektorin  e turizmit; rritjen e biznesit mes operatorëve turistikë; shkëmbimin e njohurive mes kompanive të të dy vendeve, etj, .

“Këto do të jenë pikat kryesore, mbi të cilat do të firmosen marrëveshjet e reja bilaterale, që kanë nevojë për një përditësim. Kemi nevojë për ndihmën e Italisë,  përsa i takon standardeve dhe shërbimeve të ofruara”, është shprehur znj. Gjermeni.

Ministrja shqiptare ka thënë, më pas, se ka ftuar homologun italian për të vizituar Shqipërinë, e për të firmosur marrëveshjet e reja të bashkëpunimit bilateral.

“Marrëveshjet do të nënshkruhen nga dy ministri, duke konsideruar, se në Shqipëri Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit si dhe ajo e Kulturës janë dy dikastere të ndryshme”, tha Ministrja Gjermeni.

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit ka ritheksuar, se për të inkurajuar zhvillimin e sektorit turistik, Qeveria shqiptare po punon për një ulje të taksave në këtë sektor, të cilat janë ndër më të lartat në Ballkan. “Në buxhetin e vitit 2015 do të ketë një paketë ndryshimesh në ligj, pikërisht për të zgjidhur problemet kryesore në këtë drejtim si dhe për të lejuar rritjen e vazhdueshme të turizmit në vend”, ka shtuar Ministrja, duke theksuar  vullnetin e Qeverisë për të aprovuar këtë paketë ndryshimesh, përpara mbylljes së vitit.

“Ndryshimet e propozuara kanë të bëjnë me ligjin për turizmin, marrëdhëniet mes sektorit privat dhe publik si dhe ligjin mbi investimet. Turizmi është një ndër sektoret kryesorë në axhendën qeveritare dhe për këtë arsye kemi parashikuar procedura të lehtësuara për investimet e ardhshme, në këtë sektor”, ka deklaruar Ministrja Gjermeni, sipas së cilës tërheqja e investuesve në këtë sektor është shumë e rëndësishme për Qeverinë shqiptare.

Zonja Gjermeni ka nënvizuar, gjithashtu, sesi Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit në Shqipëri është impenjuar të çojë në fund reformat në këtë sektor, në veçanti, reduktimin e peshës fiskale mbi investimet dhe favorizimin e projekteve, nëpërmjet thjeshtimit të procedurave burokratike.

“Këtë projekt të ri po e çojmë përpara, falë bashkëpunimit me universitetin e Harvardit. Ne shpresojmë, që nëpërmjet këtyre procedurave, sektori i turizmit do të mund të regjistrojë një zhvillim pozitiv në të ardhmen e afërt”, ka deklaruar znj. Gjermeni.

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit ka thënë, se nëpërmjet aprovimit të këtyre projekteve, sektori i turizmit do të zhvillohet, do të shtohet forca punëtore dhe do të kemi një stabilizim të ekonomisë shqiptare. Për Shqipërinë, veç kësaj, është me rëndësi të madhe zhvillimi i projektit  të makrorajonit adriatiko-jonian, që sheh pjesëmarrës të gjithë vendet e Bashkimit Europian.

“Projekti është i rëndësishëm, sepse na lejon të kemi avantazh nga eksperienca e çdo vendi të BE-së, që merr pjesë dhe na lejon të afrohemi me linjën e tyre të zhvillimit”, është shprehur znj.Gjermeni, e cila ka nënvizuar, gjithashtu,  sesi Italia, që do të ketë presidencën e ardhshme të BE-së, ishte ndër të parat në radhë për inkurajimin dhe zhvillimin e projektit.

Strategjia bazohet mbi iniciativën adriatiko-joniane, të lançuar në maj të vitit 2000, në Ankona, për të forcuar bashkëpunimin mes vendeve bregdetare. Plani përfshin tetë vende europiane, katër prej të cilëve janë anëtarë të Bashkimit Evropian (Italia, Kroacia, Greqia dhe Sllovenia) dhe katër janë kandidatë, ose kandidatë potencialë (Shqipëria, Bosnje Herzegovina, Serbia dhe Mali i Zi). Strategjia mbetet e hapur edhe për pjesëmarrjen e partnerëve të tjerë në rajon, si për shembull, Maqedonia.

Nisma parashikon katër shtylla, secila e koordinuar nga dy vende: Greqia dhe Mali i Zi koordinojnë “Rritjen blu”; Italia dhe Serbia temën “Lidhja e rajonit” në sektorët e transportit dhe energjisë; Sllovenia dhe Bosnje- Herzegovina për ambientin dhe Kroacia me Shqipërinë në sektorin e turizmit të qëndrueshëm.  Makrorajoni nuk do të ketë financime ekstra nga Bashkimi Evropian, por duhet të mobilizojë financime që janë, tashmë, ekzistente në nivel kombëtar, si dhe tërheqjen e financimeve private.

Sipas znj .Gjermeni, Ministria e Turizmit të Shqipërisë përfshin edhe zhvillimin urban , si edhe të gjitha mundësitë që derivojnë nga zgjerimi i bashkëpunimit me vende të BE-së në këtë sektor.

Ministrja ka theksuar, se përsa i përket zhvillimit urban, ambasada e Italisë, në Tiranë, do të organizojë një seminar për të koordinuar projektet bilaterale mes dy vendeve, që lidhen me zgjerimin e sektorit të zhvillimit urban.

“Shqipëria mbështetet në këtë proces edhe nga ndihma e vendeve të BE-së, që nëpërmjet përvojës së tyre, mund të kontribuojnë për të rritur ekonominë shqiptare dhe për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit europian”, ka thënë Ministrja Gjermeni.

Ministrja shqiptare ka kujtuar, se hyrjet në sektorin turistik në Shqipëri kanë qenë rreth 400 milionë euro, në gjysmën e parë të vitit 2014, 37% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë, një vit më parë.

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, viti 2013 ishte një vit i dobët për turizmin në Shqipëri, për shkak të situatës politike të pastabilizuar. Në gjashtë muajt e parë, të vitit 2014, është shtuar me 20% edhe numri i turistëve shqiptarë jashtë, të cilët kanë shpenzuar 555 milionë euro.

Rritja e numrit të vizitorëve, për Ministren Gjermeni, lidhet me shumë faktorë, si politikat e Qeverisë dhe zhvillimi i sipërmarrjeve në këtë sektor.

“Shtimi i numrit të turistëve ka sjellë një rritje në hyrjet e buxhetit të shtetit dhe një zhvillim të sipërmarrjeve private. Në këtë mënyrë ka patur përfitime për të gjithë, në rradhë të parë për qytetarët shqiptarë”, ka shtuar ministrja që ka nënvizuar  se si qeveria, në pushtet prej më shumë se një viti, ka treguar se sektori i turizmit është një pikë kryesore e politikave të ekzekutivit. “Jemi duke punuar për promovimin e Shqipërisë në botë, nëpërmjet përfaqësimit të vendit tonë sa më mirë”, ka thënë Gjermeni.

Ministrja ka folur gjithashtu për rëndësinë e projekteve si ai i ekspozitës fotografike me imazhe të Shqipërisë, organizuar në Romë, në kompleksin Viktorian. Ekspozita, e lindur nga një bashkëpunim mes komunës së Romës, ambasadës shqiptare në Itali dhe qeverive të dy vendeve, ka objektiv të promovojë Shqipërinë si një destinacion turistik, në mënyrë që të shtojë prurjet në këtë sektor.

“Këto projekte shërbejnë për të konsoliduar bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera, në veçanti nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave dhe kompetencave mes operatorëve turistikë,” deklaroi ministrja.