Intervista e zëvendësministrit të Zhvillimit Urban Z. Alfred Dalipi mbi legalizimet, kategoritë e ndërtimeve që preken nga rritja e çmimit të tokës.

Familjet që kanë në posedim një shtëpi të dytë, si edhe ato të cilat e shfrytëzojnë ndërtesën jo vetëm për strehim por edhe për qëllime biznesi, do të përballen me rritje të çmimit të faturës që duhet të paguajnë për truallin.

Alfred Dalipi, zv.ministri i Zhvillimit Urban

Një fakt i tillë pohohet nga zv.ministri i Zhvillimit Urban, Alfred Dalipi. Sipas tij, harta e re me vlerat e trojeve prek vetëm këto dy kategori objektesh dhe nuk reflektohet në faturën që duhet të paguajnë familjet që legalizojnë shtëpinë.

Kjo për shkak të lehtësirave që aplikohen. “Ky ndryshim prek në përgjithësi faturën për legalizim të objekteve me destinacion social- ekonomik dhe objektet e dyta, gjithmonë me lehtësinë e pagesës, ku 50% e vlerës së faturuar mund të paguhet me bono privatizimi. Ndërsa për objektet banese referenca nuk ka impakt, pasi llogaritja e faturave bëhet në bazë të çmimit tavan të miratuar për efekt legalizimi, çmim ky që është 2000 lekë/m2”, shprehet Dalipi.

Për objektet me funksion të përzier, pra që shfrytëzohen për qëllime strehimi dhe biznesi njëherazi, një pjesë e tokës do të paguhet me çmim tregu dhe pjesa tjetër me gjysmën e vlerës së përcaktuar.

Ndërsa për shtëpitë e dyta, nuk aplikohen reduktime. Në intervistën dhënë për gazetën, zv.ministri pohon gjithashtu se qeveria ka miratuar zonat e reja informale, të cilat rrisin numrin e objekteve që përfshihen në proces legalizimi, duke qenë se hiqen kriteret skualifikuese.

Lejet e ndërtimit, pas muajit mars do të jenë online nëpërmjet portalit “e-Albania”. Çfarë pritet të sjellë kjo?

Aplikimi online për lejet e ndërtimit do të mundësojë që investitorët të aplikojnë nga kudo ndodhen, pa qenë nevoja të vijnë në sportel. Gjithë informacioni që do t’ju duhet do të jetë online dhe kjo do të lehtësojë jo vetëm aplikimin, por edhe procedurën për marrjen e një lejeje. Nëpërmjet sistemit online synohet lehtësimi dhe automatizimi i procedurave të lëshimit të lejeve nga institucionet përgjegjëse, duke arritur një koordinim më efikas dhe të shpejtë për marrjen e autorizimeve, vërtetimeve, apo lejeve. Sistemi online do jetë në ndihmë të qytetarëve apo investitorëve, të cilët do të shmangin shkresat dhe hallkat burokratike, duke rritur në këtë mënyrë efektivitetin dhe transparencën e proceseve.

Po qytetarët që duan të bëjnë rikonstruksion të banesës, të shtojnë një kat etj., të njëjtën praktikë duhet të ndjekin?

Po, të gjitha aplikimet do të kryhen nëpërmjet portalit “e-Albania”. Rregullorja e zhvillimit parashikon edhe procedurën e përshpejtuar (brenda 10 ditëve) për disa raste specifike, siç mund të jenë punimet që kanë vëllim të kufizuar ndërtimi ose impakt të ulët në territor, kur aplikuesi paguan tarifë aplikimi të barabartë me dhjetëfishin e tarifës së parashikuar për leje ndërtimi, kur punimet janë me vëllim të kufizuar dhe impakt të ulët në territor, apo e ndryshimit të aktivitetit apo funksionit.

Kjo procedurë e re, a i shkurton afatet kohore? Sa kohë do të nevojitet për aprovimin e një lejeje?

Sistemi do të automatizojë afatet, duke bërë të mundur që asnjë nëpunës që shqyrton aplikimin të mos t’i tejkalojë ato dhe leja të lëshohet brenda afateve ligjore. Sistemi do të monitorohet lidhur me vonesat dhe qytetarët do të informohen në kohe reale mbi fazat e procedurës, në të cilën ndodhet praktika .

Legalizimet mbeten ende sfidë, duke pasur parasysh numrin e lartë të ndërtimeve pa leje në të gjithë vendin. A ka një plan qeveria se kur parashikon ta mbyllë këtë proces?

Që në periudhën e hartimit të programit qeverisës në vitin 2013, ne kemi shpallur se brenda këtij mandati qeverisës do të përfundojnë legalizimet në zonat masive informale, ku si të tilla flasim për gjithë ato unaza ndërtimesh pa leje të formuara përreth qyteteve tona. Në mandatin e dytë qeverisës do të vijohet me pjesën e mbetur, që janë objektet e veçanta, objektet brenda qyteteve, shtesat e çdo lloji, ndërtimet që kanë problematika nga më të ndryshmet, procedura gjyqësore, pronësie të truallit, e kështu me radhë. Por, tashmë mund të thuhet me bindje që legalizimet janë nga ato reforma të premtuara dhe që kanë ecur me sukses të plotë. Vetë fakti që edhe opozita nuk e zë fare me gojë, demonstron dukshëm që e konsideron si betejë politike të humbur, por të fituar nga qytetarët, dhe për këtë besoj se duhet të ndihet mirë nëse fokusi janë interesat e këtyre të fundit. Pa dyshim që është sfidë dhe do të mbetet e tillë, për aq kohë sa t’u japim zgjidhje përfundimtare 25 viteve kaotike që me vullnet, ndërgjegje kolektive dhe indiferencë shtetërore krijuam një mekanizëm vrasës për ekonominë që duhet të prodhonte territori.

Në fillim të muajit shkurt u miratua harta me vlerat e reja të trojeve për vitin 2015. Sa kanë reflektuar çmimet e reja në faturën që duhet të paguhet për truallin?

Për zonat rurale është vërejtur ulje e çmimit për truallin, gjë e cila reflektohet në ulje të faturave dhe gatishmëri me të lartë të qytetarëve për të bërë pagesat. Ndërsa qyteti ka mesatarisht rritje të vlerës në rreth 10-20% në një pjesë të zonave. Por ky ndryshim prek në përgjithësi faturën për legalizim të objekteve me destinacion social- ekonomik dhe objektet e dyta, gjithmonë me lehtësinë e pagesës, ku 50% e vlerës së faturuar mund të paguhet me bono privatizimi. Ndërsa për objektet banese, referenca nuk ka impakt, pasi llogaritja e faturave bëhet në bazë të çmimit tavan të miratuar për efekt legalizimi, çmim ky që për Tiranën është 2000 lekë/m2.

Vendimi për të bërë regjistrimin e tokës në Hipotekë, pavarësisht nëse është likuiduar fatura apo jo, mund të sjellë frenim të kryerjes së pagesave nga ana e qytetarëve? Çfarë është vërejtur përgjatë këtyre dy muajve?

Me hyrjen në fuqi të VKMsë së re, e cila ndan pronën nga objekti procesi i legalizimit, po ecën me ritme akoma më të shpejta. Është vërejtur këto dy muajt e fundit rritje e interesimit të qytetarëve për të përfunduar procesin e parë atë të legalizimit të objektit. Ndërkohë, me miratimin e kalimit të pronësisë qytetarët paraqiten çdo ditë pranë sporteleve të ALUIZNI- t për të tërhequr faturat dhe për të bërë pagesat për truallin. Pagesa për truallin duhet bërë brenda 45 ditëve nga momenti i tërheqjes së faturës. Nëse nuk zbatohet ky afat, leja i dërgohet Hipotekës për regjistrim me barrë hipotekore. Edhe ne e kishim fillimisht këtë drojë se mos binte interesi i qytetarëve për të paguar tokën pas legalizimit të banesës, por realiteti është i ndryshëm. Qytetarët e interesuar po vazhdojnë me të njëjtin ritëm të paraqiten për të bërë procedurat e pagesës së truallit. Arsyeja është e thjeshtë. Nuk duan të lënë një problem hapur pas për banesën e tyre dhe nga ana tjetër, tashmë është krijuar tek ata bindja e konsoliduar që legalizimet janë një gjë e marrë seriozisht nga shteti.

Së fundmi, zonat informale. Është thënë që do të miratohen të reja. Kur pritet të ndodhë kjo dhe cila do të jetë ecuria e mëtejshme e urbanizimit të zonave informale?

Zonat e reja informale u miratuan dhe me miratimin e tyre do të vihen re disa ndryshime. E para plotësohet amnistia, që nënkupton një numër i madh objektesh të cilat deri dje prekeshin nga kriteret skualifikuese të një zone urbane, tashmë do të bëhen pjesë e procesit të legalizimeve. Zgjerimi i zonave informale lehtëson procedurat e kualifikimit për rreth 40% të objekteve të vetëdeklaruara. Miratimi i zonave të reja informale përshpejton procesin e legalizimit me rreth 30% të kohës. Vlen të theksohet se objektet e përfshira brenda zonave të reja informale janë banesa, që do të thotë se kriteret lehtësuese janë më pranë nevojave të qytetarëve për të formalizuar investimet e tyre të bëra ndër vite. Zonat e reja informale u vijnë në ndihmë edhe njësive vendore për hartimin e planeve të përgjithshme vendore, dokumente që do të mbyllin përfundimisht zhvillimin kaotik të territorit dhe do të krijojnë bazën e një tregu real të vlerës së pronës.

Marrë nga Gazeta Panorama