Intervista e znj. Aida Seseri, në gazetën "Standard": Bonusi i strehimit/Kategoritë e personave dhe familjeve që do të përfitojnë.

Sipas vendimit përfitojnë bashkitë të cilat nuk kanë banesa sociale në pronë të tyre si edhe nuk kanë fonde për bonus strehimi

Në një intervistë për gazetën “Standard”, Drejtorja e Shërbimeve Urbane dhe Strehimit, Aida Seseri thekson se nga vendimi i datës 22.06.2016 janë disa kategori që përfitojnë nga bonusi i strehimit nga buxheti i shtetit, duke u mbuluar me 50% të shpenzimeve

Si po ecin programet sociale të strehimit?

Programet e strehimit janë funksion dhe përgjegjësi kryesisht e pushtetit vendor.

Ministria që mbulon çështje e strehimit kontribuon me politika si edhe me mbështetje financiare bashkitë.

Strategjia e strehimit social është dokumenti i parë politik që ju vjen në ndihmë njësive vendore, pasi për të parë skanohet situata e strehimit në vend dhe hartohen plane veprime për të ardhmen.

Në këtë kuadër, mendoj që një pjesë e bashkive kanë qenë larg të kuptuarit të përgjegjësisë që kanë mbi mbështetjen e kategorive që kanë nevojë për strehim, disa prej tyre nuk kanë gjetur asnjë database pas zbatimit të reformës territoriale dhe disa të tjerë nuk kanë planifikuar asnjëherë fonde për strehimin social.

Konsultimi i gjerë që Ministria e Zhvillimit Urban në lidhje me strategjinë e strehimit, e cili u miratua disa javë më parë, qartësoi shumë problematika të mbartura prej vitesh për këtë sektor.

A keni hasur vështirësi në implementimin e tyre?

Programet e strehimit këtë vit do të ndihmohen financiarisht nga Ministria e Zhvillimit Urban e cila do të mbështesë qytetarët më në nevojë me bonusin e strehimit, që do të thotë se do të financojmë qiranë në treg të lirë të familjeve në nevojë, deri në masën 50% dhe diferencën tjetër duhet ta paguajë bashkia.

Po në rast se qeverisjet vendore nuk kanë të miratuara fonde nga buxhetet e tyre si do përfitojnë nga bonusi ì strehimit?

Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1093 datë 22.06.2016, pjesë e këtij bashkëfinancimi duhet të jetë edhe bashkia që ka evidentuar/regjistruar qytetarë që kanë nevojë për strehim në tregun e lirë. Bazuar në këtë vendim, çdo bashki duhet të planifikojë fonde dhe në bashkëpunim me qeverinë qendrore mund të financojnë. Nga kërkesat e mbledhura këtë vit, ato pak bashki që aplikuan për bonus strehimi pranuan zyrtarisht se nuk kishin planifikuar fonde nga ana e tyre për bonusin e strehimit. Në këto kushte ne vendosem një dispozitë tranzitore që vetëm për këtë vit (2016), do të vinim në zbatim mundësinë që qeveria të kontribuojë pa bashkinë, por duke e ndarë këtë qira me qytetarin. Kjo VKM sapo u miratua me nr. 466 date 22.06.2016.

 

Cilat janë bashkitë që tashmë këto programe i kanë vënë në zbatim?

Këtë ditë do të fillojë puna për shpërndarjen e bonusit pasi bashkitë kanë dorëzuar sipas rregullave kërkesat e tyre me vendime të këshillit bashkiak: Pogradeci, Korça, Malësia e Madhe etj.

Cilat janë përparësitë dhe kriteret për dhënien e bonusit të strehimit për bashkitë?

Përparësi kanë kategoritë të cilët janë të përcaktuar në ligj:

Jetimët, familjet e policeve të vrarë në detyrë, personat me aftësi të kufizuar, komuniteti Rom dhe Egjiptian etj. Vetëm pasi plotësohen këto kategori mund të kalohet në individë të tjerë.

Në çdo rast gjykohet sipas një formule ku llogariten të ardhurat për çdo familje.

Si do tu shpërndahet qeverisjeve vendore bonusi i strehimit nga buxheti i shtetit?

Ministria ka ngritur një grup pune, me urdhër ministri, për të vlerësuar saktësinë dhe vlefshmërinë e propozimeve të bëra nga bashkitë kërkuese dhe çdo bashki do të ketë një numër të caktuar kuotash në varësi me numrin e popullsisë dhe numrit e të pastrehëve.

Cilat janë kërkesat që duhet të paraqesin bashkitë për të përfituar nga bonusi i strehimit?

Bashkia kërkon qytetareve aplikues: vërtetimet e të ardhurave, dokumente të pronësisë si dhe vërtetim nëse zotëron apo jo aktivitet privat, si edhe dokumente identifikimi.

Data 30 shtatore është afati i fundit për kërkesa, mbi kritere do të bëhet zgjedhja e bashkive që përfitojnë?

Kriteret janë të përcaktuara në VKM 1093 “ Mbi” Miratimin e procedurave e të kritereve dhe përparësive për dhënien e bonusin e strehimit”.

Sipas kësaj VKM-je, përfitojnë bashki të cilat nuk kanë banesa sociale në pronë të tyre si edhe nuk kanë fonde për bonus, duke argumentuar këtë.

Po qytetarët që përfitojnë strehim social mbi ç ‘kritere përzgjidhen?

Përzgjedhjet behën sipas kategorive prioritare referuar ligjit (dhe kritereve që vendos vetë bashkia) me vendim te këshillave bashkiake. Në çdo rast, kriter i rëndësishëm mbetet vlerësimi i të ardhurave, - tha drejtoresha Seseri.