Jo vetëm diell dhe rërë

Duket shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Plazhe të pastra në Shqipëri. Higjienë maksimale. Shërbime të krahasueshme me ato evropiane, siguri rrugore, qetësi dhe plazhe publike ku pushuesit dhe turistët e huaj do të mund të qëndrojnë pa asnjë kosto financiare. Këto dhe shumë të tjera janë premtime që për Ministren e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni do të nisin të bëhen realitet që nga kjo verë. Praktikisht gjithçka që është dëshiruar deri më sot nga kushdo që ditët e pushimit i shpenzon brenda territorit shqiptar dhe sigurisht përmbush pritshmëritë e turistëve të huaj. Të rejat sipas ministres, që pohon me keqardhje se gjendja në të cilën e gjeti sektorin për të cilin sot përgjigjet, turizmin dhe zhvillimin urban ishte dramatike, këtë sezon do të jenë të shumta. Por rilindja do të nisë të ndihet me ngrohjen e motit. Masat që po merren nga dikasteri që ajo drejton janë të shumta të shumëllojshme dhe kanë një synim të vetëm: krijimin e një imazhi të ri të Shqipërisë turistike. Gjithçka mbi të rejat që do të ofrojë Shqipëria turistike, që do të kenë mundësinë të testohen nga të gjithë jo më larg se muaji i ardhshëm. Ministrja jep edhe një përgjigje e plotë se çfarë po ndodh me legalizimet, kush janë përfituesit sipas ligjit dhe kush jo, si dhe çfarë ofrohet falas nga qeveria e majtë.

 

-Zonja Gjermeni, jemi në prag të çeljes së sezonit të ri turistik, çfarë do të sjellë kjo verë ndryshe, pra më të mirë për turistët shqiptarë dhe të huaj?

Me bukuritë që ka, Shqipëria është një parajsë e vogël në Ballkan, me diversitetin e pashembullt të kulturave, traditave, veshjeve popullore, të gatimeve, të natyrës malore e detare. Shqipëria ofron potenciale të patjetërsueshme për zhvillimin e turizmit. Kësisoj, mund të ofrojë një shumëllojshmëri produktesh turistike, duke tërhequr grupmosha të ndryshme dhe duke zgjatur periudhën e aktiviteteve turistike deri në gjithëvjetore. Synimi ynë themelor është kthimi i Shqipërisë në një destinacion të preferuar në ofertën mesdhetare të tregjeve ndërkombëtare të turizmit duke krijuar një imazh të ri për Shqipërinë turistike, duke u fokusuar në atë çfarë është unike në vendin tonë. Këtë sezon veror turistët në Shqipëri do të gjejnë siguri në plazhe në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale. Ne garantojmë standarde për pushuesit, sinjalistikë të re rrugore, infrastrukturë të re në porte, dhe një mjedis më të pastër. Për menaxhimin e këtij sezoni turistik me urdhër të Kryeministrit, Qeveria ka ngritur Task-Forcën që përfshin disa institucione me detyra konkrete që do të monitorojë/kontrollojë së pari zbatimin e standardeve dhe cilësisë së shërbimit turistik në strukturat “stacione plazhi” dhe së dyti do të mbrojnë konsumatorin e këtyre shërbimeve.

 

-Cilat janë më konkretisht masat që do të merren për mbarëvajtjen e sezonit turistik?

Siguria në plazhe dhe garantimi i standardeve për pushuesit është parësore për ne. Së bashku me Ministritë e linjës dhe një sërë institucionesh kemi hartuar bashkërisht një plan të detajuar masash, të cilat do të ofrojnë: përmirësimin e standardeve dhe krijimin e kushteve në drejtim të pastrimit të territorit, akseve nacionale dhe rrugëve dytësore. Do të ofrojmë sigurinë rrugore dhe garantojmë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe grupeve turistike, duke siguruar rendin dhe qetësinë publike si dhe sigurinë në ujërat e brendshme. Do të kryejmë dezinsektimin e zonave bregdetare një projekt ky që e nisëm të dielën e 18 majit në zonën e Butrintit dhe do të ofrohet higjienë maksimale në këto zona. Vendimi i Këshillit të Ministrave “Për sigurinë në det, plazhe dhe në ujërat e brendshme në thellësi të territorit”, përcakton standardet e sigurisë dhe të përdorimit të burimeve turistike në det, lumenj, liqene që i sjell shërbimet që i ofrohen turistëve në nivele të kënaqshme. Për herë të parë, ne do të garantojmë që stacionet e plazheve publike të shpërndahen në mënyrë proporcionale në raportin 20% me ato private. Këtë sezon turistik qytetarët nuk do të jenë më të detyruar të paguajnë për sipërfaqet e plazheve të uzurpuara nga privatët. Gjithashtu është përcaktuar lënia e një hapësire në brezin e parë të plazhit, në dispozicion të publikut, për t’u përdorur nga pushuesit me pajisjet e veta. Ne kemi përcaktuar standarde dhe kushte në drejtim të pastrimit dhe higjienës, kritere teknike në lidhje me sipërfaqet e gjelbra, të ketë hapësira të gjelbra, të cilat të jenë të paktën 1% deri në 5% e sipërfaqes së përgjithshme të stacionit të plazhit. Kemi përcaktuar kritere të qarta të detyrueshme për të gjithë, konform standardeve evropiane që plazhet të jenë të pajisura me kontejnerë dhe kosha me kapak për hedhjen e mbeturinave, të jenë të pajisura me zonën e ndihmës së shpejtë në shërbim të pushuesve. Në bashkëpunim me njësitë e Qeverisjes Vendore që kanë në administrim stacionet e plazhit (në total 26 komuna dhe bashki) në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit kemi hartuar dhe lançuar projektin pilot për ndërtimin e kullave të vrojtimit në 7 plazhe Velipojë, Durrës, Golem, Vlorë, Orikum, Dhërmi dhe Sarandë. Këto kulla vrojtimi janë konceptuar jo vetëm si objekte për mbarëvajtjen dhe sigurinë e plazheve tona por edhe si vepra arti. Agjencia Kombëtare e Turizmit po organizon një sërë aktivitetesh promovuese në bashkëpunim me bashkitë përkatëse në zonat bregdetare dhe turistike por edhe me bashkitë kryesore turistike jo bregdetare në Tiranë me synim promovimin e ofertave dhe paketave turistike të këtyre qyteteve. Kemi ndërmarrë së bashku fushatën promovuese gjatë periudhës maj – shtator 2014, në të gjithë plazhet dhe pikat kufitare në vend ku përfshihet edhe vendosja e stendave promovuese në këto pika kufitare. Liberalizimi i vizave për një grup vendesh për periudhën e sezonit turistik prill – tetor 2014 është një tjetër nismë që do të japë rezultatet e saj. Por dua të nënvizoj se në fillim të muajit shkurt qeveria Rama ndërmori një nismë kombëtare për pastrimin e territorit nga mbetjet urbane dhe veçanërisht pastrimit të akseve nacionale, plazheve dhe shtretërve të lumenjve. Kjo nismë do të vazhdojë përgjatë gjithë sezonit turistik.

 

-Si mund të bëhet Shqipëria më atraktive këtë verë për turistët e huaj? Si mund t’i konkurrojmë fqinjët me shërbimet që kemi, që për të thënë të drejtën lënë vërtetë për të dëshiruar.

Për një promovim më të mirë të Shqipërisë më 16 maj nëpërmjet një konkursi ndërkombëtar BRANDING ALBANIA, ne shpallëm kompaninë fituese (Strawberry Frog APCO) e cila do të implementojë një fushatë promovimi me një plan veprimi të mirë përcaktuar. Kjo platformë do të jetë një dokument me një vizion të qartë të prezantimit të Shqipërisë në tregun rajonal dhe ndërkombëtar dhe do të përcaktojë në mënyrë strategjike rrugën që do të ndiqet për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, aktivitetet që do të ndërmerren në këtë drejtim si dhe rezultatet e pritshme. Logoja, slogani i ri dhe platforma e marketingut do të shërbejnë për të promovuar më mirë Shqipërinë si një destinacion turistik dhe mjedis të favorshëm për investimet e huaja. Në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit ka filluar rishikimi i të gjithë materialeve promovuese. Gjithashtu fondi i alokuar këtë vit për promovim është në vlerën 60 milionë lekë – fondi më i madh i alokuar për promovimin e Shqipërisë. Një pjesë e mirë e materialeve promovuese janë përkthyer dhe në gjuhë të tjera si në gjuhën Kineze dhe Çekisht. Shumë shpejt ne do të realizojmë vendosjen e stendave promovuese në ambasadat tona jashtë vendit fillimisht në vendet fqinjë si Kosova, Mal i Zi, Greqi, Maqedoni, Itali dhe në disa shtete Evropiane ku ka një rritje të kërkesave të shtetasve të këtyre vendeve për të vizituar Shqipërinë si Gjermani, Angli, Francë etj. Jemi duke punuar ngushtësisht me trupin diplomatik të akredituar në vend nëpërmjet organizimit të udhëtimeve turistike nëpër Shqipëri dhe mundësimit të organizimit të “Fam Tour” me gazetarë të medias së shkruar dhe vizive. Falë bashkëpunimit të ngushtë me shoqërinë civile shumë shpejt do të kemi dhe certifikimin e udhërrëfyesve të parë turistikë. Certifikimi i udhërrëfyesve të parë turistikë jo vetëm do të mundësojë ngritjen e profesionalizimit në këtë fushë dhe zgjerimit të njohurive të personave të trajnuar por dhe do të krijojë një standard të vetëm për të garantuar që turistët e huaj të njihen me historinë, trashëgiminë kulturore dhe potencialet turistike të vendit. Por vlen për tu përmendur se turisti i huaj përveç promovimit dhe njohjes së Shqipërisë ka nevojë për krijimin e kushteve dhe standardeve cilësore në shërbimin hotelier, restoranteve dhe udhërrëfyesve. Ne synojmë nxitjen dhe inkurajimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, promovimin e standardeve të larta të cilësisë, me qëllim krijimin e një sektori turistik tepër konkurrues në Shqipëri.

 

-Kur vlerësoni se turizmi shqiptar do të mund të konkurrojë si një turizëm elitar dhe të jetë fitimprurës, jo i dorës së tretë me të ardhura minimale?

Ne jemi në procesin e hartimit të Strategjisë së Zhvillimit të Turizmit 2014 – 2020 dhe kemi filluar nga konsultimet publike me grupet e interesit dhe njësitë e qeverisjes vendore. Për ne është e rëndësishme që Strategjia e Zhvillimit të Turizmit 2014 – 2020 të krijojë dhe përgatisë të gjithë parakushtet e nevojshme për të garantuar zhvillimin e sektorit të turizmit dhe t’i japë vlerë të shtuar potencialeve turistike të vendit. Në të gjithë këto vite sektori i turizmit ka vuajtur nga mungesa e zbatueshmërisë së dokumenteve strategjikë të hartuar ndaj ne jemi duke u treguar të kujdesshëm të mos përsërisim gabimet e mëparshme. Si sektor gjithëpërfshirës që në mënyrë indirekte prek dhe i jep jetë shumë sektorëve të tjerë të ekonomisë, turizmi ka nevojë për më shumë vëmendje dhe më shumë projekte konkrete të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë së shërbimeve, jetës së shumë qytetarëve të ardhurat e të cilëve vijnë nga ky sektor dhe sigurisë së investimeve aktuale ose që do të bëhen në të ardhmen. Synimi ynë themelor është kthimi i Shqipërisë në një destinacion të preferuar në ofertën mesdhetare të tregjeve ndërkombëtare të turizmit duke krijuar një imazh të ri për Shqipërinë turistike që shkon përtej ofertës së diellit dhe rërës duke u fokusuar në atë çfarë është unike në Shqipëri. Nisur nga sa më lart, jam e bindur se aplikimi i politikave dhe projekteve rajonale të cilat do ti japin jetë promovimit të kulturës së vendit, potencialeve turistike dhe rigjallërimit të zonave urbane jo vetëm do të jenë një nxitës për rritje ekonomike por dhe do të garantojnë një përfshirje më aktive të komuniteteve lokale.

 

-Së fundmi jeni angazhuar në nismën e re ligjore për legalizimin e ndërtimeve informale. Për të sqaruar të gjithë një herë e mirë të gjithë opinionin publik, procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje është falas apo jo? Nëse jo, për çfarë paguajnë qytetarët?

Kjo është një nismë madhore dhe ka për qëllim të rregullojë, qartësojë dhe ndihmojë zbatimin në praktikë të procesit të legalizimeve. Këto ndryshime janë pjesë integrale e një skeme funksionale, të qartë, që do të zgjidhë një herë e përgjithmonë çështjet e legalizimeve duke ringjallur sigurinë dhe besimin e qytetarëve shqiptarë tek institucionet e shtetit. Ndaj, kam kënaqësinë si Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, të ndjek një nga premtimet më të rëndësishme të Qeverisë Rama, atë për legalizimet falas, të cilën çdo ditë e më shumë po e bëjmë më konkrete duke e ndarë me qytetarët. Nisma ligjore parashikon dhe krijimin e lehtësirave financiare për qytetarët që posedojnë ndërtime pa leje, me funksion banimi, duke i përjashtuar nga pagesa e tarifës së shërbimit për procedurat e legalizimit (që nga evidentimi në terren i ndërtimeve pa leje, përgatitja e dokumentacionit tekniko-ligjor) dhe kryerjen falas të këtij shërbimi. Pra procedurat e legalizimit të shtëpive do të jenë falas dhe në ngarkim të shtetit.

-Kur mund të përfundojë procesi i legalizimit në tërësinë e tij?

Kjo pyetje i referohet një procesi që është tejzgjatur në kohë dhe kuptoj që pretendohet një përgjigje finalizuese për procesin. Dua t’ju them se ajo që është parë më e rëndësishme për ne është që përmbyllja e këtij procesi të bëhet si duhet dhe konform standardeve europiane. Është synim i qeverisë të mbyllë përfundimisht epokën e informalitetit në zhvillimin e tokës, territorit, hapësirave urbane e rurale dhe të krijojë një mjedis institucional, ekonomik e social për një jetë më të mirë të qytetarëve dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit, të vendit tonë. Për këtë, në programin e Qeverisë parashikohet që brenda mandatit të parë të qeverisjes të përfundojë pjesa më e madhe e legalizimeve.

 

-Çfarë do të ndodhë me ata që kanë ndërtuar së fundmi, pra në fund 2013 dhe në fillim 2014 në mënyrë të paligjshme?

Kuadri ligjor, i plotësuar tashmë, i procesit të legalizimeve parashikon legalizimin e të gjitha ndërtimeve pa leje, në përputhje me ligjin. Ky ligj i ndryshuar, zgjeroi dhe ju dha mundësi të gjithë qytetarëve, dhe atyre që kishin ndërtuar pas vitit 2006. Kjo bën të mundur përfshirjen në legalizim me dhjetëra mijëra familje dhe subjekte të tjera të cilët përfitojnë. Gjithashtu dhe pas 15.01.2009 deri më sot përfitojnë nga ky ligj të gjithë ato mijëra familje dhe subjekte që kanë ndërtuar pa leje në tokë të tyre, pavarësisht funksionit dhe faktit nëse për to është kryer vetëdeklarimi gjatë afatit të përcaktuar. Ndërsa për të gjitha ndërtimet e tjera pa leje, të cilat nuk u përgjigjen kushteve të përcaktuara në pikat e këtij neni, ato do të trajtohen në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

 

-A jeni e kënaqur me punën e bërë nga qeveria e majtë në këto muajt e parë të mandatit? Apo ka vend për ndonjë korrigjim në atë çka është bërë deri më sot?

Mendoj që çdo fillim është i vështirë duke marrë në konsideratë situatën që e gjetëm ekonominë dhe financat e vendit. Ajo që dua të theksoj është që qeveria Rama gjatë muajve të parë të qeverisjes së vendi ka treguar përkushtim dhe angazhim për të kthyer në normalitet situatën e gjetur dhe për të sjellë një përqasje tjetër qeverisje duke i qëndruar më pranë halleve dhe problemeve të qytetarëve. Angazhimi dhe përkushtimi ynë do të ndjekë punën tonë dhe si ekip ne kemi arritur të sjellim ndryshime të dukshme për ekonominë dhe financat e vendit, jetën e qytetarëve të cilët ndihen më të sigurt dhe më optimistë se dhe në Shqipëri gjërat mund të ndryshojnë. Në një periudhë shumë të shkurtër ne përmbushëm thelbin e premtimeve tona të fushatës, që me hartimin e buxhetit të parë. Ulëm taksat për 97 % të shqiptarëve dhe për këtë arsye që nga 1 janari i këtij viti, kush fiton më pak, do të paguan më pak dhe për pasojë, në fund të muajit ka më shumë të ardhura për veten dhe familjen. Patjetër që gjithmonë ka hapësirë për përmirësim edhe pse për një periudhë shumë të shkurtër 6 mujore ne kemi arritur të realizojmë një pjesë të mirë të premtimeve tona të cilat nuk janë bërë në 20 vite. Misioni i qeverisë është të ngjallë shpresën dhe besimin e qytetarëve te shteti dhe institucionet e tij dhe të shikojë te qeveria përfaqësim dhe një institucion që kujdeset për nevojat e tyre. Me një buxhet të limituar dhe një ekonomi të paincentivuar për investime të reja vendimet e marra dhe politikat e hartuara nga qeveria Rama kanë kërkuar shumë kujdes e përkushtim. Por jemi të vetëdijshëm se detyrat e vështira sjellin në jetë dhe idetë e projektet më të mira. Në pesë dekadat e fundit shoqëria globale është duke u orientuar për ditë e më shumë drejt zhvillimit urban i kthyer tashmë pjesë integrale e axhendës politike, sociale dhe kulturore e ka rivijëzuar zhvillimin ekologjik dhe ekonomik të shteteve. Sot zhvillimi dhe rritja ekonomike në nivel lokal dhe kombëtar ndodhet në varësi të plotë me modelet që ne përzgjedhim për të menaxhuar politikat urbane dhe integrimit të tyre me sektorët e tjerë të ekonomisë. Për vende si Shqipëria është e rëndësishme që rritja ekonomike e vendit të mundësohet vetëm si rezultat i partneritetit të ngushtë dhe të mirëkoordinuar me sektorin privat.

 

-Dhe diçka të fundit, si e gjetët gjendjen në sektorin tuaj nga qeveria e mëparshme?

Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit mbulon dy fusha prioritare për qeverinë Rama, që më sa duket nuk ishin aq të rëndësishme për qeverinë e mëparshme. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm mbi situatën kaotike dhe spontane të zhvillimit të territorit e shoqëruar me uzurpim të tokave, ndërtime informale, ndotje mjedisore ndaj ndërhyrjet për të rregulluar situatën e gjendur ishin të nevojshme. Rivendosja e kontrollit mbi territorin ishte imediate dhe një nga sfidat më të mëdha të qeverisë Rama. Ndërkohë që një situatë po kaq të vështirë, kaotike dhe korruptive ne u përballëm dhe në fushën e legalizimeve dhe ndërtimeve informale një provës e dështuar e nisur nga qeveria e mëparshme e cila për vite me radhë u mohoi qytetarëve shqiptarë të drejtën e pronës. Në këto pak muaj na u desh të ndërhyjmë direkt në ristrukturimin institucional të ALUIZN-it, reformën legjislative dhe mbajtjes së premtimit për legalizime falas. Në fushën e strehimit gjetëm një tjetër situatë problematike të shoqëruar me borxhe të mëdha ndaj bankave private, abuzim me kreditë e dhëna dhe ndarje selektive të banesave sociale. Në Shqipëri në gjithë këto vite ka munguar një strategji ose dokument bazë mbi të cilin të ngrihen politikat e strehimit për ti ardhur në ndihmë shtresave në nevojë me përparësi komunitetin Rom dhe familjet me kryefamiljare gra si dy shtresa më pak të përkrahura në gjithë këto vite. Kemi filluar nga puna për hartimin e një dokumenti strategjik ku do të parashtrojmë dhe forma alternative të strehimit që mund të përdoren nga njësitë e qeverisjes vendore dhe të cilat do t’i gjejnë zgjidhje optimale problematikës dhe nevojës së qytetarëve që e vuajnë për ditë situatën e strehimit. Turizmi në përgjithësi është një sektor që më shumë është zhvilluar nga iniciativa private se sa nga politika shtetërore të hartuara në mbështetje të këtij sektori prioritar për ekonominë e vendit. Si një sektor që ka një përqindje të lartë informaliteti, konkurrencë të pandershme, dhe që i mungon kuadri ligjor i nevojshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të tij duke ju përgjigjur nevojave dhe kërkesave të sektorit privat ne kemi ndërmarrë një reformë të gjerë legjislative për të adresuar të gjitha këto çështje. Risia që ne sjellim për të garantuar zhvillimin e kësaj industrie, është bashkëpunimi dhe mirë koordinimi me njësitë e qeverisjes vendore, ndërtimi dhe forcimi i partneritetit publik privat përfshirja në zhvillimin e këtij sektori të universiteteve, shoqërisë civile, madje edhe mediave. Për të vënë në jetë projektet tona ambicioze dhe inovative filozofia jonë e përbashkët është zhvillimi i qëndrueshëm urban dhe i mirëintegruar me zhvillimin e turizmit.

Marrë nga Gazeta Tema