Shqipëria - Plane dhe Territore: Intervista e Ministres Gjermeni në “Dritare” nga Rudina Xhunga

Do ketë ngjyra plani apo është vetëm harta e tillë?
Eglantina Gjermeni: Besoj se ka shumë ngjyra. I gjithë plani është pjesë e të tërës, si është Shqipëria sot dhe ku duam të arrijmë deri në 2030. Është me ngjyra optimiste, tregon trendët e zhvillimit, tregon se si Shqipëria mund të hyjë në rrugën e planifikimit të qëndrueshëm dhe një zhvillimi tërësisht të planifikuar.

Nuk ka pasur deri tani një plan kombëtar. Si u arrit në këtë pikë që jemi dhe a mund të kemi shpresë që ky është një plan që nuk do jetë vetëm në letra?
Eglantina Gjermeni: Nuk ka pasur një plan të përgjithshëm kombëtar të territorit, megjithëse si detyrim ligjor ka qenë që në ligjin e planifikimit të territorit në vitin 2009. Nisma për të hartuar një plan të tillë u mor në tetor 2013, nga qeveria Rama dhe donim që me këtë nismë të hartimit të planit të përgjithshëm kombëtar të territorit, Shqipëria të ndërpriste atë zhvillimin kaotik, spontan të territorit, të hynim në rrugën e një zhvillimi të qëndrueshëm, afatgjatë dhe të planifikuar. U mor nisma dhe nisi puna gati 2 vjeçare e ekipit të Ministrisë së Zhvillimit Urban, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, një grupi të tërë ekspertësh nga institucione qendrore dhe vendore, për të hartuar një plan që t’i përshtatet Shqipërisë dhe të paraprijë zhvillimin e saj urban, ekonomik, social. E gjithë puna ka qenë kombinim i ekspertizës kombëtare, lokale, me ekspertizë të huaj. Kemi pasur dhe kemi vazhdimisht ndihmë, asistencë, koordinim, ndarje përvojash me ekspertë të huaj, për të hartuar një plan që do t’i rezistojë kohës, do të paraqesë piketat kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri, për 10-15 vitet e ardhshme, dhe një plan që i është nënshtruar një procesi të gjatë dhe shumë përfshirës, me të gjitha grupet e interesit, për të pasur një përfshirje të gjerë, një autorësi sa më të gjerë dhe të garantojë një zbatim real të tij.

Ju nuk keni folur deri më tani për planin, keni qenë e rezervuar gjatë kohës që po punohej. Sot, ndërsa flasim, cili është lajmi që vjen prej jush për këtë plan? Cili është lajmi për shqiptarët, të cilët janë mësuar me ligje dhe plane, dhe duan të dinë çfarë do ketë për qytetet e tyre në bazë të këtij plani.
Eglantina Gjermeni: Kemi folur për planet, mbase jo shumë. Është një proces goxha kompleks, deri diku teknik, procesi i planifikimit dhe qytetarët janë lodhur me strategji dhe plane, duan rezultate më të prekshme dhe të menjëhershme për qytetet e tyre. Përveçse është një detyrim ligjor hartimi i Plani të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit, është edhe detyrim për të hyrë në rrugën e zhvillimit të planifikuar, zhvillimit të qëndrueshëm sipas standardeve evropiane dhe për t’i hapur rrugë hartimit të planeve të përgjithshme vendore, duke dashur të dimë se si do të zhvillohet Shqipëria, ku ka më shumë potenciale për të ndërtuar, për të zhvilluar turizmin, ku ka më shumë mundësi për ta zhvilluar bujqësinë, agroturizmin, ku ka më shumë nevojë për investime të huaja apo vendase, për të treguar se çfarë impakti do kenë infrastruktura, zhvillimet energjike siç është TAP-i, në zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë. Mendoj që me këto plane, Planin e Përgjithshëm Kombëtar, Planin e Integruar Ndërsektorial të Bregdetit dhe Planin Ndërsektorial të Zonës Ekonomike Tiranë-Durrës, që janë tre plane kombëtare që hartohen për herë të parë, hapet rruga e një zhvillimi të planifikuar dhe të qëndrueshëm.

Plani Kombëtar për të cilin ju flisni, ka një fond të përcaktuar. Nga do dalë ky fond?
Eglantina Gjermeni: Plani do të ketë, bashkë me potencialet e zhvillimit, mundësitë dhe prioritetet e zhvillimit të Shqipërisë. Do të ketë edhe një vlerësim ekonomik, i cili bëhet pikërisht nga ekspertët për të parë parashikimet, lidhur me një faturë financiare, të cilat nuk janë të detajuara për 15 vitet e ardhshme, por përmbajnë zërat kryesorë, disa prej të cilave janë fonde të buxhetit të shtetit, disa prej investimeve të huaja, duke përfshirë aty të gjitha fushat e zhvillimit ekonomik, infrastrukturë, turizëm, energji etj. Ky plan, edhe pse duket si një gjë abstrakte, e theksoj, nuk na jep zgjidhje për të gjitha çështjet apo si na e prek jetën ne qytetarëve të thjeshtë në qytetet tona, kjo bëhet nga Planet e Përgjithshme Vendore. Por është baza e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, mbi të cilin do të hartohen planet vendore më të detajuara, për të orientuar zhvillimin në çdo Bashki, për të kombinuar dhe harmonizuar planifikimin. Krahas këtyre planeve kombëtare, qeveria ka marrë nismën për të ndihmuar 26 njësi vendore për të hartuar Planet e Përgjithshme Vendore, të cilat janë shumë më të detajuara, që paraqesin trendët e zhvillimit, potencialet që këto Bashki kanë. Brenda vitit të ardhshëm, përveç miratimit të tre Planeve Kombëtare, do të kemi mundësinë që 26 njësi vendore, të kenë të miratuara Planet e tyre të Përgjithshme Vendore.

Pse 26 Bashki dhe jo më shumë?
Eglantina Gjermeni: Në fakt, 26 do të mbështeten nga qeveria, ndërsa 5 njësi të tjera vendore mbështeten nga USAID, për të hartuar Planet e Përgjithshme Vendore. Kjo nismë është historike. Përgjatë 25 viteve, asnjëherë qeveria nuk ka mbështetur hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore. Morëm nismë për të mbështetur 26 njësi vendore, për shkak edhe të mundësive financiare që kishim, por do t’i ndihmojmë edhe me ekspertizë dhe asistencë financiare, pikërisht njësitë vendore që kanë paraqitur një presion më të madh zhvillimi dhe për shkak të potencialeve që kanë, edhe vendndodhjes së tyre. Janë përgjatë gjithë territorit, janë nga veriu dhe në jug, përfshijnë gjithë spektrin politik. Kryetarët e njësive vendore janë treguar shumë të gatshëm, kemi lidhur dhe një marrëveshje bashkëpunimi, kemi hapur një proces prokurimi për të përzgjedhur studiot ndërkombëtare dhe kombëtare për të punuar bashkë, dhe brenda dhjetorit përfundon procesi i përzgjedhjes. Janë përzgjedhur studio prestigjioze të cilat do të punojnë shumë ngushtë me njësitë vendore dhe me asistencën tonë, për të hartuar Planet e Përgjithshme Vendore për këto njësi.

Sipas ligjeve që kam të shkruara këtu, Plani duhet të miratohet, brenda periudhës prill 2016, apo mund të lëvizi?
Eglantina Gjermeni: Ne i kemi hartuar draftet, që ka qenë një proces shumë përfshirës, i jemi nënshtruar një diskutimi të gjerë publik me të gjitha grupet e interesit, me të gjitha universitetet, me shoqërinë civile, me ekspertët, me njësitë vendore dhe kemi realizuar dëgjesa publike në Korçë, Vlorë, Shkodër, dhe kemi dëgjesën publike në 29 dhjetor në Tiranë, pikërisht për të prezantuar këtë draft-plan. Mirëpresim sugjerime dhe komente qoftë në dëgjesa publike, qoftë në faqe interneti, ku i kemi paraqitur draft-plane, për të marrë feedback-un, për t’i përmirësuar dhe për të arritur brenda prillit që vjen, të miratohen në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe në Këshillin e Ministrave për të marrë fuqi ligjore. Plotësimi me Plane Vendore do të bëjë që zhvillimi të jetë i planifikuar dhe të mos kemi problematika me ndërtime pa leje, okupim tokash apo zënie bregdeti, duke dashur që të ndërtohet aty ku duhet të ndërtohet, të ruhen ato zona që duhen ruajtur.

Folët për dëgjesa në Korçë, e cila është një pikë orientuese për shqiptarët, Vlora jo. Mund tu thuhet vlonjateve që 2016 nuk do jetë si 2015 apo nuk besojnë më në Vlorë?
Eglantina Gjermeni: Unë besoj që në Vlorë besojnë, patëm dëgjesë, diskutuam dhe prezantuam se çfarë qeveria do të bëjë në vitin 2016. Vitin që vjen do të kemi një investim 5-vjeçar nga Banka Botërore për zhvillimin urban të jugut, në funksion të zhvillimit të turizmit në këto zona. Fillon nga Fieri dhe gjithë jugu, do të jetë një projekt 5-vjeçar, me një shumë 60 milionë dollarë dhe MZHU do të ketë një rol udhëheqës në gjithë këtë proces. Jemi duke e detajuar, dhe në këtë grup pune do të ketë përfaqësues nga qarku i Vlorës dhe nga gjithë njësitë vendore të jugut, për të arritur një projekt që do u shërbejë qytetarëve, turistëve. Projektet që kanë filluar në Vlorë, janë strategjike, është një proces që do kohën e vet sa të realizohet, por vitin që vjen, me fondet që merr, Vlora ka me çfarë të krenohet. U ndjemë shumë të mirëpritur në Vlorë, bashkë me grupin, kemi pasur takime konkrete dhe me Dhomën e Tregtisë së Vlorës për të detajuar disa trendë apo zhvillime për Vlorën.

Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin, shumë fjalë për të treguar çfarë? Çfarë do ndodhë me bregdetin, cili është plani?
Eglantina Gjermeni: Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin, përfshin gjithë bregdetin, nga fillimi në fund, duke e parë si një të tërë, detin edhe tokën, duke e parë si një mundësi të jashtëzakonshme potenciale për zhvillimin ekonomik të turizmit, të peshkimit, të agroturizmit, për ta parë dhe si një mundësi investimesh shumë të mira, për portet, peshkimin, agroturizmin. I gjithë procesi për hartimin e këtij plani ka qenë interesant sepse kanë qenë të përfshirë gjithë përfaqësuesit e njësive vendore, duke marrë parasysh, gjithçka që ishte hartuar më parë dhe duke dashur që të krijohet një mundësi reale për zhvillim dhe punësim. Sjell të re, së pari, trajtimin tokë-det duke e parë si potencial të jashtëzakonshëm. Së dyti, sjell një lojë ndarjeje, specializimi apo fokusimi të porteve.

Çfarë do të thotë tokë-det bashkë, që unë të lahem në Dhërmi dhe të fle në Kuç, pra do ndërtohet rruga?
Eglantina Gjermeni: I gjithë plani i bregdetit siguron dhe i paraprin një zhvillimi të qëndrueshëm të turizmit, duke mos bërë gabime që kanë bërë vendet e tjera dhe duke ruajtur autenticitetin, identitetin tonë, duke respektuar vlerat apo traditën që janë në zona të veçanta, pa prishur gjithçka që kemi arritur deri tani.

Kur mendon që në këtë vend nuk janë ndarë tokat, ka probleme me pronat, si i bëhet që gjërat të zhvillohen njëkohësisht?
Eglantina Gjermeni: Çështja e pronave është gjerësisht e trajtuar dhe prej vitesh e pazgjidhur, por me ligjin e pronave të sapo kaluar, uroj të futet në rrugën e zgjidhjes optimale. Me ligjin e Investimeve Strategjike që është kaluar në qeveri, krijohen mundësi ideale, në qoftë se kemi nevoja apo investitorë potencialë për investime strategjike, të ketë shpronësime, për t’i shërbyer një zhvillimi afatgjatë dhe strategjik për zhvillimin e turizmit.

Ju i keni fondet, i keni të premtuara për realizimin e planeve?
Eglantina Gjermeni: Të tre planet që përmenda janë piketa zhvillimi dhe paraqesin trendë për vitet e ardhshme, duke u bazuar në strategjitë ndërsektoriale ekzistuese, në prioritetet e ministrive ekzistuese, në projektbuxhetet që ato kanë parashikuar dhe në një zhvillim vizionar. Planet janë vizioni i Shqipërisë së ardhshme dhe detajimi i fondeve bëhet me parashikimet që kemi në buxhet dhe me planet e përgjithshme vendore, duke i harmonizuar dhe detajuar fondet për secilën fushë. Me planet nuk kemi faturë të detajuar financiare, për çdo komponent të zhvillimit kemi parashikimet e bëra nga çdo ministri. Projektet që janë të realizuara nga qeveria janë të përfshira në këto plane, ndërkohë të tjerat janë fonde nga BE- ja, fondet Cross- Border dhe nga BB-ja që ne i kemi si mbështetje.

Pará ka, mjafton që të bëhen planet.
Eglantina Gjermeni: Procesi i hartimit të planeve është kompleks, teknik, duket sikur nuk na prek, por në fakt është ndikues në brezin e sotëm dhe sidomos te fëmijët tanë. Ne nuk duam të ndodhë ajo katrahurë me mjedisin dhe me zhvillimin urban që ka ndodhur më parë me ne. Duam që vendi të jetë ndryshe. Më kujtohet një shprehje, “ qytetin nuk na e lanë trashëgim prindërit tanë, por ne kemi detyrim t’ua lëmë fëmijëve tanë”, dhe duam vërtet t’ua lëmë sipas standardeve evropiane. Jemi nga vendet e fundit në rajon që nuk kemi plane kombëtare të miratuara, Kosova që është një shtet i ri, ka miratuar një plan kombëtar dhe po detajohet me planet vendore.

Meqë përmendët fëmijët, çfarë thotë vajza juaj kur ju shoqëron në Lushnjë, qytetin e preferuar të mamit, ku është deputete dhe ka gjithë vëmendjen. I pëlqen Lushnja?
Eglantina Gjermeni: I pëlqen Lushnja. Unë kam pasur rastin të shëtis në gjithë Shqipërinë dhe të shikoj projektet nga Fondi i Zhvillimeve të Rajoneve, Rilindja Urbane, të cilat kanë ngjallur një fizionomi tjetër, një hapësirë publike. Lushnja është një nga qytetet që ka marrë fonde nga Fondi i Zhvillimeve të Rajoneve, siç janë pothuajse të gjitha Bashkitë, dhe ka ndryshuar fizionomia, hapësira publike e qytetit, janë bërë më atraktive për qytetarët dhe të ardhurit.

Kam pasur idenë se duke qenë zonjë do të mbështesni një zonjë në krye të Bashkisë së Lushnjës. Myzeqeja ka pasur zonja të zonja.
Eglantina Gjermeni: Është sugjerim me vend, unë kam dhe kam pasur një mbështetje të jashtëzakonshme nga zonjat, gratë në Lushnjë, i falënderoj dhe u jam mirënjohëse, pse jo, duhet ta mendoj mirë këtë gjë.

Ndalojmë pak te DURANA. Kur do të jetë realitet?
Eglantina Gjermeni: DURANA është një Plan Kombëtar për zonën më të rëndësishme në Shqipëri, që ka potencial të zhvillimit ekonomik dhe social shumë të madh, është një bashkim thuajse i natyrshëm mes Tiranës dhe Durrësit. Gjithë këtë afrim që ka bërë ky rajon, ta bëjë në mënyrë të planifikuar dhe specializuar, nëse vërtet ka një potencial të mirë në këtë fushë. Nuk duam ta shikojmë Tiranën dhe Durrësin, si një plan zhvillimi për këtë zonë, duke dashur të maksimizojmë të gjitha potencialet e kësaj zone dhe të tërhiqen më mirë investimet sepse investitorët vijnë në Shqipëri, nëse kanë të garantuar se ka një plan të miratuar, dinë ku të ndërtojnë, dinë ku të investojnë sepse janë të sigurtë që nesër nuk do të prishet ajo gjë, sepse ka një plan që është detyrim ligjor. Kemi parë, qoftë me planin DURANA, qoftë me Planin e Përgjithshëm Kombëtar, se potencialet më të mëdha janë për zonën Tiranë-Durrës. Dua që edhe rajone të tjera në Shqipëri, t’i përafrohen këtij ritmi zhvillimi, për të pasur një akses dhe zhvillim të barabartë në gjithë Shqipërinë, bazuar në potencialet që përmban çdo zonë. Të tre planet kombëtare do të miratohen brenda 6-mujorit të parë të vitit që vjen, për t’i hapur rrugë detajimit të planeve të përgjithshme vendore, që të dihet ku të investohet, cili sektor i ekonomisë është më fitimprurës dhe mund të zhvillohet në një zonë, ku mund të vijnë investimet, ku mund të zhvillohet bujqësia, ku ka nevojë për infrastrukturën.

Ju keni një strategji tashmë të përfunduar për 10 vitet e ardhshme për strehimin social?
Eglantina Gjermeni: Vërtet planet duken si diçka që nuk preken direkt, dhe këtë e kam diskutuar me stafin, me kolegët, që si Ministri e Zhvillimit Urban, mbase e ka më të vështirë ta bëjë të dukshme punën dhe aktivitetin e saj, për faktin se edhe proceset janë më të vështira, deri diku teknike dhe kërkojnë kohë. Procesi i planifikimit është një proces historik në Shqipëri. Më vjen mirë, dhe jam krenare për të gjithë stafin që ka punuar, relativisht të rinj në moshë, por me shumë dashuri dhe përkushtim, me mendje të hapur, të arsimuar brenda dhe jashtë dhe i kanë dhënë shumë shpirt procesit. Ata janë të parët që do parashikojnë një zhvillim vizionar. Në momentin që u krijua MZHU, nuk kishim asnjë dokument për sa i përket strehimit politik apo dokument që të na udhëhiqte në këtë proces. I prek të gjithë grupet, njerëzit; është një proces që me mendësi, 25 vite më parë, e zgjidhte qeveria, njerëzit janë mësuar me këtë gjë. Sipas Ligjit të Strehimit, kryesisht njësitë vendore kanë përgjegjësi direkt për këtë gjë. Ne donim një dokument politikash që të udhëheqë qeverinë, shtetin dhe njësitë vendore për sa i përket çështjeve të strehimit, si mund të adresohen duke filluar me një vlerësim real nevojash në të gjithë Shqipërinë. Kjo, për të parë sa të pastrehë ka, cilat janë problematikat kryesore dhe bashkë me asistencën e programit të Kombeve të Bashkuara kemi hartuar një draft strategji, që miratohet në janar, për 10 vitet e ardhshme, për të adresuar problematikat e strehimit, me programe konkrete që prekin pjesën më vulnerabël.

Për më tepër klikoni: https://www.youtube.com/watch?v=GrbZbdYnDS8&feature=youtu.be

                                    https://www.youtube.com/watch?v=Z9rh2QhF6QM&feature=youtu.be

                                    https://www.youtube.com/watch?v=5rNcbdXqOsE&feature=youtu.be