Video

Fjala e Ministres Gjermeni në Kuvend 20 Prill 2017
20 Prill 2017
Ministria e Zhvillimit Urban paraqet sot, për miratim, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin teknik, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, për programin e zhvillimit rajonal për Shqipërinë”. Lejomëni të sjell në vëmendjen tuaj se, ky projektligj është në thelb një platformë pune me impakt të drejtpërdrejtë dhe të matshëm në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe teknike, përmirësimit të kuadrit ligjor për zhvillimin rajonal dhe mbi të gjitha realizimit të projekteve konkrete ndërvendore, në kuadër të zbatimit të “Programit të Zhvillimit Rajonal për Shqipërinë”, faza e tretë. Ky program bashkëfinancohet nga Qeveria Zvicerane dhe ajo Austriake me grantin në vlerë 3.2 milionë euro. Marrëveshja që ne sjellim sot, për miratim, nënshkruar në Zvicër më 29 mars të këtij viti, ofron dhe krijon një mundësi më shumë për zhvillimin social dhe ekonomik të qëndrueshëm të zonave ku do të jetësohen projektet konkrete, si dhe në forcimin e kapaciteteve teknike dhe institucionale të katër Agjencive të Zhvillimit të Rajoneve. Ky program është bashkërenduar me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim të Shqipërisë 2015-2020, e cila përcakton objektivat strategjikë dhe zhvillimin rajonal, si dhe është në linjë me projektligjin e zhvillimit të rajoneve dhe me strategjinë e decentralizmit në vend.