Postuar më: 26 Tetor 2016

Deklaratë e Ministres Eglantina Gjermeni:“Të bësh biznes”, thjeshtimi i procedurave për lejet e ndërtimit reforma më e vlerësuar.

Dje u publikua raporti i përvitshëm i Bankës Botërore "Të bësh biznes 2017", që e rendit Shqipërinë të 58-tën ndër 190 ekonomi të botës, duke lënë pas disa vende të rajonit. Zhvendosja prej 32 vendesh, krahasur me një vit më parë,  është një tjetër konfirmim pozitiv për politikat qeveritare në këto tri vite që kanë synuar vendosmërisht përmirësimin e klimës së biznesit në vend.  Njëri prej 10 treguesve që përdoren nga Raporti për të matur klimën e biznesit të ekonomive në shqyrtim, është edhe ai i lejeve të ndërtimit.

 

Jam veçanërisht e kënaqur, që reforma për thjeshtimin e procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit ka bërë që, nga vendi i fundit në renditjen e dy viteve më parë,  të kemi rikuperuar 83 vende.  Në këtë raport të fundit të Bankës Botërore, kjo reformë është më e vlerësuara.

 

3 vjet më parë, për marrjen e një leje ndërtimi, qytetarët dhe bizneset duhet të endeshin zyrë më zyrë, në kërkim të një vule dhe me dosje të mbingarkuar dokumentesh në dorë. Përgjigja vinte vonë ose kurrë.

 

Asokohe, sekretariati i Këshillit Kombëtar të Territorit ishte një institucion që funksiononte pa rregulloret përkatëse, për poasojë nuk aplikoheshin procedura të sakta dhe të qarta mbi dokumentacionin dhe raportet e vlerësimit për çdo aplikim për leje zhvillimore, duke i hapur rrugën shpesh vendimeve klienteliste dhe shkeljes së ligjeve në fuqi. 

 

Ministria e Zhvillimit Urban, 36 muaj më parë, nisi punën në bashkëpunim me projektues, ndërtues dhe përfaqësues të pushtetit vendor, për përmirësimin e legjislacionit në fushën e lejeve të ndërtimit dhe thjeshtimin e procedurave në këtë sektor.

 

Prej 1 shtatorit të këtij viti, sistemi elektronik i lejeve të ndërtimit është i detyrueshëm, për të gjithë, qytetarët dhe profesionistët e licensuar, të cilët duhet të aplikojnë  online në portalin e-Albania për t’u pajisur me leje ndërtimi. Procesi i ngritjes se sistemit elektronik është lehtësuar falë bashkëpunimit rajonal të ngushtë me vendet e rajonit, kryesisht me shoqatën e bashkive të Maqedonisë (ZELS) dhe asistencës së GIZ me ekspertizë teknike.

 

Sistemi elektronik i lejeve siguron realizimin e shërbimit me një ndalesë për lejet e ndërtimit (One Stop Shop), ku aplikimi i dërgohet bashkisë dhe bashkia kryen vetë – përmes sistemit - të gjithë bashkërendimin me institucionet e tjera publike.

 

Në këtë mënyrë, thjeshtuam shumë procedurat dhe dokumentat për t’u pajisur me leje ndërtimi dhe përcaktuam afate të qarta dhe shumë më të shkurtra për shqyrtimin e aplikimeve.

 

Më lejoni t’ju bëj me dije se dy muaj pas fillimit të funksionimit, në sistemin online për aplikim për leje ndërtimi janë të lidhura 61 bashki, 19 ministri dhe 15 institucione publike, qendrore dhe vendore.

Sot, një ditë pas publikimit të raportit “Të bësh biznes” janë duke u procesuar nga bashkitë, përmes këtij sistemi 175 aplikime për leje.

 

Dua të sjell edhe një herë në vëmendjen tuaj, të nderuar përfaqësues të medias si dhe të qytetarëve, të bizneseve dhe profesionistëve se, sistemi elektronik i lejeve të ndërtimit:

  • rrit përgjegjshmërinë e autoriteteteve publike; 
  • llogarit afatet e përgjigjes për secilën prej institucioneve;
  • shmang sorollatjen e qytetarëve në zyra publike, si dhe
  • rrit transparencën ndaj qytetarëve, duke i informuar ata vazhdimisht për çdo ndryshim të statusit të aplikimit, si dhe për çdo vendim apo përgjigje që lëshohet gjatë shqyrtimit të aplikimit të tij.

 

Gjithashtu, edhe reformat e ndërmara në fushën e planifikimit kombëtar e vendor janë një garanci e madhe për investime strategjike të qëndrueshme dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Në nivel kombëtar tashmë kemi të miratuara në Këshillin Kombëtar të Territorit Planin e Përgjithshëm Kombëtar, Planin Ndërsektorial për Bregdetin dhe Planin për Zonën Ekonomike Tiranë-Durrës. Ndërsa në nivel vendor, shumë shpejt do të hynë në fuqi edhe Planet e Përgjithshme Vendore për 31 Bashki të vendit.


Këto platforma, të hartuara dhe ligjëruara në nivel kombëtar dhe vendor do të shërbejnë si instrumenta strategjike dhe orientuese për të dhënë garanci maksimale, që investimet nga grupet e biznesit dhe qytetarët të jenë të qëndrueshme dhe afatgjata. Duke falenderuar të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces,  specialistët e Ministrisë së Zhvillimit Urban, të Agjencisë Kombëtare të Zhvillimit të territorit, të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, stafet e 61 bashkive të vendit dhe të ministrive të linjës – dëshiroj të shpreh angazhimin  tonë sa i takon përmirësimit të treguesit të lejeve të ndërtimit.

 

Ju faleminderit!