Postuar më: 27 Mars 2015

Deklaratë për shtyp e Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-it, Artan Lame, mbi "Legalizimin e ndërtimeve pa leje nga institucionet shtetërore"

Deklarata:
"Siç e dinë tashmë të gjithë shqiptarët, në fund të muajit Janar 2015 u mbyll procesi i vetdeklarimit të ndërtimeve pa leje në rang Republike.
Ky ka qenë procesi më shterues dhe i përgjegjshëm i zbatuar deri tani, proces i cili u shoqërua me angazhimin dhe pjesëmarrjen e ndërgjegjshme edhe të qytetarëve të interesuar, të cilët duke patur besim tek shteti dhe qeverisja u përfshinë në proces.
Siç është bërë e ditur nga ne, ky proces prodhoi një shifër prej rreth 427.000 ndërtimesh pa leje, të shtrira nga pikëpamja hapsinore, në të gjithë territorin e Republikës dhe, nga pikëpamja kohore, duke filluar që prej vitit 1991 e deri në vitin 2014.
Paralelisht me këtë proces dhe përpara tij, ne filluam procedurat për përfshirjen në procesin e legalizimeve edhe të objekteve publike shtetërore apo vendore, që kishin kryer ndërtime pa leje.

Për këtë qëllim, që në datën 25.06.2014 i kërkuam në mënyrë kapilare të gjithë institucioneve publike të vendit të shpreheshin nëse kishin ndërtime apo shtesa ndërtimesh pa leje, të cilat natyrisht kishin nevojë për legalizim.

Pas përpunimit të të dhënave, rezultonte se janë disa qindra institucione shtetërore publike të cilat përgjatë viteve kanë ndërtuar pa leje.

Është e paimagjinueshme që një shtet të ndërtojë pa leje, në një kohë që ka ligje që dënojnë qytetarët që e bëjnë një gjë të tillë, për më tepër kur ka bërë edhe ligje për legalizimin e ndërtimeve pa leje.

Por e keqja, për fat të keq, nuk mbaroi këtu.

Në qoftë se një pjesë e këtyre institucioneve, vërtet kanë ndërtuar pa leje por më pas u përfshirë në procesin e vetdeklarimeve dhe të legalizimeve, rezultojnë edhe një numër shumë i madh institucionesh të cilat, me gjithë shpalljen publike të procesit të legalizimeve dhe, me gjithë kërkesën me shkrim të bërë direkt ndaj tyre, nuk e bën kabull t’i nënshtrohen ligjeve të shtetit.

Në këtë listë ka institucione që variojnë që nga ato të administratës qendrore, ministri, institucione varësie, agjenci, institucione arsimore, drejtori rajonale, duke vazhduar pastaj me institucione të qeverisjes vendore, komuna e bashki.

Unë nuk e kuptoj se si një bashki që lëshon ajo vetë lejet e ndërtimit, të ndërtojë vetë pa leje!!!

Lista jonë e sotme nuk është shteruese, pasi ende vazhdojmë të mbledhim të dhëna, por është e domosdoshme të tërheqim vëmendjen mbi situatën.

Përfshirja në procesin e vetdeklarimit të institucioneve shtetërore, ka të bëjë me disa faktorë;

E para, askush nuk mund t’i kërkojë llogari të tjerëve duke mos qenë vetë në rregull.

E dyta, ky proces do të kishte edhe një funksion edukativ për të shmangur arrogancën e shtetit, që për fat të keq ndonjëherë e konsideron veten zbatues të ligjit, por duke qenë vetë mbi ligjin.

E treta, ashtu si qytetarëve që kanë ndërtuar objekte social-ekonomike (jo shtëpi banimi), ju kërkohet të paguajnë disa detyrime ligjore, edhe çdo institucion tjetër publik është i detyruar që t’i kryejë këto pagesa.

E katërta, përfshirja në procesin e legalizimeve do të mundësonte formalizimin e këtyre pronave dhe më tej, regjistrimin e tyre të ligjshëm pranë ZRPP-së.

Praktikisht i bie që pa këtë proces, ose këto prona mbeten të paregjistruara dhe do të kishim një shtet që nuk regjistron as pronat e veta, ose do të regjistroheshin në rrugë jo ligjore dhe do kishim një shtet që shkel ligjin sërisht haptazi.

E pesta, çdo veprim dhe investim i bërë në këto prona, tenderim, etj., i bie të jetë bërë dhe bëhet gjithashtu i paligjshëm, sepse kemi një ligj për planifikimin e territorit i cili detajon mënyrën e dhënies së lejeve të ndërtimit.

Të gjendur përpara kësaj situate, unë i bëj thirrje edhe një herë, tashmë jo mijëra qytetarëve që ju bindën ligjit, por institucioneve shtetërore, që ta zbatojnë atë.

Ne do të bëjmë një ndryshim në aktet nënligjore për ta mundësuar një gjë të tillë, por është e domosdoshme që edhe këto institucione të mos bëjnë asgjë më shumë se sa zbatimin e detyrimeve ligjore.
Ju faleminderit!
DREJTORI I PERGJITHSHEM
ARTAN LAME

Listen e subjekteve shteterore qe nuk kane bere deklarimin e gjeni ketu;

www.aluizni.gov.al