Postuar më: 23 Shkurt 2015

Deklaratë për shtyp e Drejtorit të Përgjithshem të ALUIZNI-t, z.Artan Lame për legalizimin e ndërtimeve në zonat turistike

AGJENSIA E LEGALIZIMIT, URBANIZIMIT DHE INTEGRIMIT TE ZONAVE/NDERTIMEVE INFORMALE

DEKLARATE SHTYPI

Një nga dështimet më të dukshme të politikave ekonomike në këtë vend në gjithë këtë çerek shekulli, është edhe dështimi jetëgjatë i zhvillimit të zonave të stimuluara turistike në bregdetin shqiptar.

Ligji i miratuar për këtë gjë në vitin 1993, ai “Për zhvillimin e zonave që kanë perparësi turizimin”, në vend që të krijonte struktura turistike pritëse të organizuara, degradoi vit pas viti thjesht në ndërtimin e apartamenteve që u shiteshin më pas qytetarëve të veçantë.

Ky proces krijoi një situatë absurde ku, nga njëra anë shteti njihte vetëm pak qindra subjekte të cilëve u kishte dhënë të drejtën të ndërtonin fshatra dhe struktura turistike, që nuk funksionuan asnjëherë dhe, nga ana tjetër ishin mijëra e mijëra qytetarë që i kishin blerë këto apartamente, por pa pasur asnjë të drejtë ligjore mbi to.

Në vitin 2009, qeveria e atëhershme ndërmorri një nismë ligjore për zgjidhjen e këtij ngërçi shumë-vjecar, nismë si çdo gjë që bënte ajo qeveri, që edhe gjërat e mira i bënte keq. Nisma ligjore e vitit 2009, kishte për qëllim që të krijonte mundësinë që përmes shitjes së truallit subjekteve ndërtuese, t’i jepte mundësi qytetarëve që kishin blerë apartamente ne bregdet, të ligjëronin pronën e tyre.

Për fat të keq, nga ligji i vitit 2009 ja dolën të përfitonin vetëm fare pak subjekte ato të lidhura direkt me pushtetin, që përmes atij ligji mundën ti blinin këto troje.

Nëse ju kujtohet Sali kur mallkonte “vaskat e florinjta” të vilave të bregdetit, në fakt ju krijoi mundësi që me ligjin e vitit 2010 të blinin truallin dhe të legalizoheshin shpejt e shpejt vetëm vaskat e florinjta, ndërsa mijëra qytetarë të tjerë me vaskat prej llamarine dhe ata pa vaskë fare, nuk patën mundësi të rregullonin gjëndjen juridike të apartamenteve të tyre.

Sipas verifikimeve tona, rezulton se një pjesë e madhe e subjekteve ndërtues dhe qytetarëve të interesuar, nuk kanë mundur të bëjnë vetëdeklarimet brenda afateve të përcaktuara, dhe si rrjedhim nuk mund të procedojnë më tej për fitimin e pronësisë së truallit.

Vjet ne miratuam në Kuvend ndryshimet përkatëse në këtë ligj dhe pastaj dalëngadalë dhe aktet nënligjore që e bënin atë operativ.

Sot po dalim përpara publikut për të lajmëruar hapjen e afatit të ri për paraqitjen nga ana e qytetarëve të kërkesave për blerjen e truallit, që do të mundësonte më pas edhe regjistrimin pranë ZRPP të pronës së tyre sit ë ligjshme.

Po jap këtu edhe disa statistika për gjëndjen e kësaj mase qytetarësh.

Nga evidentimi faktik, rezulton që deri tani të kenë aplikuar 91 subjekte me rreth 1200 apartamente që përfshihen në këtë kategori.

Por nga ana tjetër, janë edhe disa qindra subjekte, me rreth 4 deri në 5 mijë apartamente të ndërtuara dhe të shitura qytetarëve, të cilët nuk mund t’i regjistrojnë këto prona, sepse nuk kanë mundur t’i deklarojnë sipas ligjit të vitit 2009.

Këto apartmente gjenden të ndërtuara kryesish në zonat e Velipojës, të Gjirit të Lalzit, dhe pjesa masive në plazhet e Golemit dhe të Malit të Robit.

Pikërisht për t’i hapur rrugë zgjidhjes së problemit të kësaj mase qytetarësh, po rihapim edhe procesin e deklarimeve të tyre.

Pra e thënë qartë, Të gjithë qytetarët që kanë blerë në bregdet apartamente nga subjekte ndërtues të cilët nuk kanë pronësi mbi truallin, të paraqiten pranë zyrave tona, për të aplikuar për këtë qëllim.

Deklarimi do të jetë i mundur në një afat prej 60 ditësh, prej ditës së hënë dt. 23 shkurt deri më 24 prill 2015.

Informacione të detajuara të procedurës së aplikimit dhe dokumentacionit të nevojshëm, do ti gjeni nga dita e nesërme të publikuara në faqen zyrtare të ALUZNI-t, në faqen tonë në FB, në faqen zyrtare të AKT dhe nëpër organet e medias së shkruar.

Ju faleminderit,

DREJTORI I PERGJITHSHEM

ARTAN LAME