Postuar më: 02 Shkurt 2015

Ministrja Eglantina Gjermeni mbi likujdimin dhe trajtimin financiar të qytetarëve që preken nga projekti “Lidhja e rrugës Transballkanike me superstradën Fier – Vlorë”.

Jam sot para jush, për të njoftuar publikisht, mbi procedurat që do të ndiqen, për likujdimin e pronarëve që preken nga realizimi i projektit “Lidhja e rrugës Transballkanike me superstradën Fier-Vlorë”.

Nga zbatimi i këtij projekti, do të trajtohen financiarisht, dy grupe qytetarësh. 

Grupi i parë, janë qytetarët pronarë të objekteve dhe të truallit, të cilët do të dëmshpërblehen, duke ndjekur procedurat e shpronësimit për interes publik, në bazë të dokumentave të pronësisë për objekt dhe truall.

Ky grup qytetarësh, do të trajtohet, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministave nr. 54 datë  21.01.2015 “Për shpronësimin për interes publik të pasurive pronë private nga realizimi i projektit lidhja e rrugës Transballkanike me superstradën Fier-Vlorë”, duhet të paraqiten, pranë Bashkisë Vlorë me dokumentacionin si vijon:

  1. Certifikatën origjinale të pronësisë së objektit apo truallit
  2. Kartelën e Pasurisë të lëshuar brenda 72 orëve nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Vlorë
  3. Hartën treguese të pasurisë
  4. Numrin e llogarisë bankare
  5. Dokument identifikimi (pashaportë ose kartë identiteti)

Pas plotësimit të dokumentacionit, do të procedohet direkt, me derdhjen nga Dega e Thesarit, në llogarinë bankare të secilit përfitues, të shumës së miratuar, në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 54 datë 21 Janar, 2015, të sipër cituar.

Grupi i dytë, janë familjet që posedojnë ndërtime pa leje, me funksion banimi, të cilat preken nga zbatimi i këtij projekti madhor.

Ky grup qytetarësh, do të trajtohen, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.  58 datë 21.1.2015  “Për trajtimin e disa familjeve që preken nga zbatimi i projektit ‘Lidhja e Rrugës Transballkanike me superstradën Fier – Vlorë’ me programe sociale të strehimit”.

Këta qytetarë, do të  përfitojnë, pagesat e qirasë për dy vjet, ndërkohë për vitin 2015, do të marrin menjëherë pagesën e plotë, të qirasë për 11 muaj Shkurt – Dhjetor 2015.

Enti Kombëtar i Banesave ka hapur një llogari të veçantë pranë Bankës Kombëtare Tregtare – Dega Vlorë, për të mundësuar tërheqjen e pagesës së qirasë nga qytetarët.

Të gjithë qytetarët, të cilët do të përfitojnë nga ky fond, duhet të paraqiten pranë zyrave të Entit Kombëtar të Banesave Vlorë (që ndodhen në mjediset e prefekturës) dhe të dorëzojnë dokumentacionin si më poshtë:

  1. Dokument identifikimi (pashaportë ose kartë identiteti)
  2. Çertifikatë familjare

Punonjësit e Entit të Banesave, bazuar në strukturën familjare dhe normat e strehimit në fuqi, do të përcaktojnë tipin dhe sipërfaqen e banesës, që përfiton familja dhe shumën e qirasë mujore.

Pas plotësimit të dokumentacionit, Enti Kombëtar i Banesave, Dega Vlorë, do ta pajisë qytetarin me një dokument që mundëson, tërheqjen e menjëhershme të shumës, pranë Bankës Kombëtare Tregtare, Vlorë.

Zyra e Entit Kombëtar të Banesave, Dega Vlorë është në dispozicion të plotë për çdo informacion dhe sqarime të mëtejshme për qytetarët që përfitojnë qira.

Për më tepër, të gjithë qytetarët që do të trajtohen me qira, dhe,  kanë paguar prej vitesh detyrimet financiare për legalizim, në vitet 2009-2010, të paraqiten pranë Drejtorisë së ALUIZNI-t Vlorë, për të filluar tashmë, procedurat për rikthimin e shumës së paguar.

Të gjithë këta qytetarë, përgjatë gjithë këtyre viteve, u braktisën pa asnjë përgjigje, nga qeveria e mëparshme, e cila nuk ndërmori asnjë hap për ti legalizuar.

Ministria që unë drejtoj, Institucionet e varësisë së saj dhe strukturat e tjera shtetërore, po ndjekin me prioritet këto procedura, si ato për dëmshpërblimin e pronarëve nga shpronësimi, ashtu edhe për trajtimin financiar të familjeve që preken nga zbatimi, i këtij projekti madhor, me interes publik.

Ju faleminderit.