Postuar më: 08 Shkurt 2017

Ministrja Gjermeni në deklaratë për shtyp, lidhur me vendimet e KKT-së për miratimin e 11 Planeve të Përgjithshme Vendore.

Sot u miratuan në Këshillin Kombëtar të Territorit, planet e përgjithshme vendore për 11 bashki. Lajmi i mirë për qytetarët e të 11 bashkive, Krujë, Kukës, Gjirokastër, Urë Vajgurore, Skrapar, Poliçan, Cërrik, Librazhd, Kurbin, Divjakë dhe Korçë është se, miratimi i planeve u ofron mundësinë e të jetuarit në territore, zhvillimi i të cilave nuk do të udhëhiqet më nga dëshira e një individi, por nga një vizion zhvillimi.

Ndaj dhe ne, prej fillimit të punës tonë ndoqëm një proces model të bashkëveprimit dhe komunikimit me qytetarët dhe grupet e interesit në të gjitha këto bashki, duke i bërë pjesë të kësaj pune njëvjeçare.

Është një angazhim i mbajtur i kësaj Qeverie që, përtej ofrimit të mbështetjes teknike dhe financiare për këto bashki, në hartimin e planeve vendore, të krijonim edhe një platformë komunikimi me qytetarët dhe grupet e interesit, duke i bërë pjesë të vendimmarrjes për zhvillimin e bashkisë ku jetojnë.

Vlen të theksohet se, zhvillimi i territorit nuk udhëhiqet më nga mendësia e “zapto një sipërfaqe tokë e ndërto çfarë të duash e si të duash”, por nga instrumente planifikimi që shërbejnë si udhërrëfyes të zhvillimit urban, investimeve dhe ndërtimit. 

Falë këtyre instrumenteve të rëndësishëm, që përcaktojnë vizionin dhe rregullat për një zhvillim të qëndrueshëm të territorit të këtyre bashkive, në respektim dhe mbrojtje të tokës, mjedisit dhe trashëgimisë kulturore, ne sigurojmë qëndrueshmëri dhe rritje të vlerës së investimit për qytetarët dhe sipërmarrësit.

Janë 16 bashki (nga të cilat 5 bashki Lushnjë, Berat, Kuçovë, Elbasan dhe Fier të mbështetura nga Programi i USAID për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore) që kanë tashmë plane vendore.

Në 15 bashki të tjera, ky proces është drejt finalizimit dhe dorëzimit të planeve për miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit.

Ndërkohë që, brenda këtij viti, numri total i bashkive që do të kenë të hartuar dhe miratuar planet e përgjithshme vendore do të jetë 43 nga 61 bashki (për vitin 2017 me buxhetin e shtetit do të mbështeten 7 bashki Përmet, Këlcyrë, Kolonjë, Gramsh, Belsh, Pukë dhe Mirditë, ndërsa nga Programi i qeverisë Zvicerane për Decentralizimin dhe Zhvillimin Lokal po mbështeten 5 bashki në veri të vendit Tropojë, Malësi e Madhe, Mat, Klos dhe Vau i Dejës).

Sigurisht që, puna për hartimin e planeve të përgjithshme vendore nuk është kontribut i dhënë nga një ministri apo nga një institucion, por është produkt i një bashkëpunimi të vazhdueshëm me stafet e bashkive, ekspertë të planifikimit vendas dhe të huaj, donatorë dhe organizata ndërkombëtare.

Vizioni ynë, qoftë në kuadër të planifikimit në nivel kombëtar por edhe vendor, nuk është për të shfrytëzuar maksimalisht burimet që ka vendi sot për sot, por për t’i vendosur ato në shërbim të rritjes së ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve, duke i ruajtur si asete të vyera të trashëgimisë tonë.

Kjo punë e nisur është vetëm fillimi i mbarë i një procesi të vazhdueshëm që, në fakt simbolizon fundin e dy dekadave tranzicion, sa i përket zhvillimit të territorit.

Mbas reformës administrative territoriale që është alfa për miradministrimin e territorit, hartimi i instrumenteve vendore të planifikimit, është çelësi që garanton zhvillim të integruar, mirëplanifikim në administrimin e tokës dhe burimeve, e mbi të gjitha kohezion social dhe rritje ekonomike.

Ky rezultat në fakt, brenda një mandati qeverisës është një arritje shumë pozitive, e cila do i vijë në ndihmë këtyre bashkive për të punuar me një qasje tërësisht të re e të rregulluar për administrimin dhe zhvillimin e territorit.

I gjithë procesi është monitoruar dhe asistuar rigorozisht nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, që ka përballuar një volum të madh pune në një kohë të shkurtër.

Për të mbërritur deri këtu, procesi ka qenë tejet kompleks edhe për faktin se, një proces në të tilla përmasa ndodh për herë të parë, por edhe për shkak të zhvillimeve kaotike dhe të pakontrolluara urbane në territor.

Dua të falënderoj bashkitë dhe studiot që kanë punuar me ne, për finalizimin e këtij procesi me sukses.

Më duhet të ritheksoj edhe njëherë mesazhin për bashkitë që të jenë shumë të kujdesshme dhe të respektojnë me përgjegjshmëri zbatimin e planeve, të cilat i kanë hartuar vetë.

Sfida që kemi përpara, tani fill pas miratimit,  do të jetë monitorimi dhe nxitja për zbatimin e këtyre instrumenteve, për të garantuar që zhvillimi urban, ekonomik dhe social, të jetë sa më i qëndrueshëm.

Mbetem besimplotë se frutet e këtij procesi dhe zbatimi i planeve vendore, do të sjellë impakt shumë të prekshëm për qytetarët dhe grupet e biznesit, si dhe padyshim do të lehtësojë bashkitë për të operuar normalisht me procedurat e lejeve të zhvillimit, mbështetur në instrumente planifikimi të ligjëruara.

 

Ju faleminderit!