Postuar më: 02 Dhjetor 2016

Buxheti 2017, Gjermeni: Finalizim i projekteve të Rilindjes Urbane, strehim e legalizim.

I nderuar kryetar i seancës,

Të nderuar deputetë,

Muaji Tetor u mbyll me një lajm shumë të mirë për ministrinë që unë drejtoj, por dhe me një vlerësim shumë pozitiv për reformat e ndërmarra në këto tre vite nga kjo qeveri. 

Raporti “Të Bësh Biznes 2017”, i Bankës Botërore, e cilësoi reformën e zbatuar në fushën e lejeve të ndërtimit, si një nga rezultatet më pozitive në kuadër të transparencës, përshpejtimit dhe thjeshtimit të procesit të dhënies së lejeve. Kjo reformë, e realizuar falë punës dhe përkushtimit të kësaj qeverie, e mbështetur me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, mundësoi që vendi të përmirësonte renditjen në këtë indikator me 83 vende.

Në fakt, reforma në procesin e lejedhënies është vetëm një ndër arritjet e kësaj qeverie në këto tre vite. 

Tre vjet më parë, dukej e vështirë, ndërmarrja gati në sinkron, e reformave në financat publike, në fushën energjetike, në administratën publike, në fushën e sigurimeve sociale dhe, veçanërisht, në atë të pensioneve, reforma administrative territoriale, reforma në arsim, reforma në shëndetësi, për të vijuar me reformën në drejtësi, tashmë të gjithë pranuar.

Ishim përballë shumë sfidave, ku sigurisht, më e madhja ishte të mos i dilnim nga fjala qytetarëve Shqiptarë që besuan te ne në 2013.

Në këtë kontekst, Ministria e porsa krijuar e Zhvillimit Urban, gjithashtu do të përballej me sfida dhe pengesa të trashëguara nga qeverisja e mëparshme.

Ishin të panumërta ndërhyrjet abuzive, spontane dhe kaotike në territor; mungonin instrumentet planifikues në të gjitha nivelet; numëroheshin me qindra mijë ndërtime pa leje që ishin bërë dhe vijonin ende, ku sigurisht procesi i korruptuar dhe për pasojë i dështuar i legalizimeve nuk e lehtësonte aspak punën për formalizimin e tyre; borxhe marramendëse në sektorin e strehimit dhe ku mungonin dokumentet dhe programet orientuese për t’i ofruar strehim shtresave në nevojë. 

Të nderuar deputetë,

Përpara se të kaloja në detajimin e projektbuxhetit për vitin 2017, më lejoni t’ju informoj shkurtimisht mbi produktet konkrete që Ministria e Zhvillimit Urban dhe institucionet e saj të varësisë kanë realizuar gjatë këtyre tre viteve.

Në fushën e planifikimit

Ja dolëm mbanë që në më pak se tre vite punë të palodhshme me mbështetjen e ekspertëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, të miratojmë Planin e Përgjithshëm Kombëtar. Mbas dy dekadave Shqipëria ka tashmë një dokument të integruar që vendos piketat e zhvillimit të territorit për pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme. Në këtë Plan, parashikohen 40 projekte strategjike, që do të kontribuojnë për  zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor të vendit.

Për të krijuar një platformë sa më integruese të zhvillimit të qëndrueshëm të territorit, hartuam dhe miratuam në qershor të këtij viti edhe dy plane sektoriale: Planin e Integruar Ndërsektorial për zonën ekonomike funksionale Tiranë – Durrës dhe Planin e Integruar Ndërsektorial për Bregdetin.

Duke e konsideruar territorin si një të tërë dhe jo të konfiguruar sipas formacioneve partiake, me buxhetin e vitit 2016 në vlerën mbi pesëqind e pesëdhjetë milionë lekë, financuam dhe ofruam asistencë teknike për hartimin e planeve të përgjithshme vendore në 26 bashki të vendit: CërrikDibërDivjakë, DurrësGjirokastërHimarëKavajëKonispolKorçëKrujëKurbinKukësLezhëLibrazhdPërrenjas

PogradecPoliçanRrogozhinë, SarandëShijakShkodër, Skrapar, Tiranë, Ura VajguroreVlorë dhe Vorë.

Falë asistencës së ofruar nga Programi i USAID-it për Planifikim dhe Qeverisje Vendore (USAID/PLGP), hartimi i planeve vendore është në proces realizimi edhe në 5 bashki të tjera: Lushnjë, Fier, Berat, Kuçovë dhe Elbasan. Ndërkohë që Programi për Decentralizimin dhe Zhvillimin Lokal (DLDP), ka ofruar mbështetje financiare dhe teknike në hartimin e planeve vendore për 5 bashki në veri të vendit: Tropojë, Mat, Klos, Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës.

Në total janë 36 bashki të vendit që do të kenë shumë shpejt planet e tyre të përgjithshme vendore që përfaqësojnë interesat për zhvillim të qytetarëve, grupeve të biznesit dhe investitorëve falë një procesi model, transparent dhe gjithëpërfshirës.

Në fushën e zhvillimit të territorit

Një nga synimet tona si ministri ishte dhe zbatimi i projekteve pilot në kuadër të rigjenerimit urban të qendrave të qyteteve. Në këto tre vite kemi realizuar dy projekte konkrete:

Në vitin 2016 financuam zbatimin e projektit “Rigjenerimi urban i qendrës së Patosit”  nga i cili përfitojnë tre mijë e pesëqind banorë, me vlerë financimi mbi tridhjetë e pesë milionë Lekë.

Në vitin 2015, financuam zbatimin e projektit “Rivitalizimi i pjesshëm i zonës pranë Rrugës “Abaz Bej Lushnja”, me vlerë financimi njëzet e tetë milionë lekë.

Do të doja të sillja në vëmendjen tuaj, se të dy projektet e lart përmendura plotësojnë investimet që po kryhen në këto dy qendra, në kuadër të Programit Kombëtar Rilindja Urbane, duke i shërbyer nxitjes së zhvillimit të biznesit të vogël dhe të mesëm, si dhe përmirësimit të jetës sociale të qytetarëve.

Në fushën e legalizimit

Një nga premtimet tona në vitin 2013, ishte reforma ligjore dhe institucionale që do t’i hapte rrugën përshpejtimit dhe lehtësimit të procesit të legalizimeve të ndërtimeve informale në mbarë vendin. Vetëm për vitin 2016, kemi mundur të legalizojmë rreth pesëdhjetë e dy mijë objekte. Objektivi ynë është që brenda dhjetorit, numri i objekteve të legalizuara nga kjo qeveri në vetëm dy vite të arrijë në  njëqind mijë ose katër herë më shumë se numri i objekteve të legalizuara në qeverisjen e mëparshme.

Ne e mbajtëm premtimin tonë për legalizim FALAS ashtu siç mbajtëm edhe një premtim tjetër, që në zyrat e ALUIZNI-t qytetarët nuk do të ndihen të nëpërkëmbur dhe nuk do të përballen me arrogancën e punonjësve të administratës. Ne ia arritëm, që falë  luftës së vazhdueshme ndaj korrupsionit në procesin e legalizimit dhe regjistrimit të pronës, të ofrojmë për qytetarët një proces transparent dhe pa zvarritje.

Të nderuar,

Një nga premtimet e kësaj qeverie ka qenë reforma ligjore dhe institucionale në sektorin e strehimit, duke përmirësuar jo vetëm kuadrin ligjor dhe forcuar mekanizmat bashkëpunues ndërmjet institucioneve qendrore dhe bashkive, por edhe në hapjen e programeve të reja shoqëruar me instrumente financiarë në mbështetje të familjeve nga kategoritë në nevojë.

Prej mëse një viti, Ministria e Zhvillimit Urban ka punuar për hartimin e një projektligji të ri për strehimin social, i cili garanton më shumë kategori qytetarësh në nevojë të përfitojnë nga programet e strehimit. Gjithashtu, për herë të parë ne hartuam dhe miratuam Strategjinë e Strehimit Social 2016 – 2025 dhe Planin e Veprimit, një dokument që orienton dhe ofron zgjidhje konkrete dhe mundësi alternative për strehimin e familjeve me të ardhura të ulëta ose edhe pa të ardhura.

Në këto tre vite, kemi shpërndarë banesa sociale vetëm për familjet në nevojë, duke e pastruar skemën klienteliste nga familjarë të pushtetit që përfitonin shtëpi apo kredi të buta në kurriz të më të varfërve. Përmes Programit të Kreditimit të Lehtësuar, është siguruar subvencionimi i kredive me interes 0%, 3% dhe 4% për 4,176 familje.

Krijuam për herë të parë në vitin 2014, një program buxhetor dedikuar rikonstruksionit të banesave të komunitetit Rom dhe Egjyptian. Për periudhën 2014 – 2016, investuam 247 milionë lekë për rikonstruksionin e plotë të 469 banesave të komunitetit Rom dhe Egjyptian, në 15 bashki të vendit. Falë zbatimit të këtyre projekteve, janë një mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e gjashtë qytetarë të këtij komuniteti që jetojnë në kushte të përmirësuara jetese dhe mbi një mijë qytetarë që jetojnë në kushte më të mira higjeno sanitare falë ndërhyrjeve në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza.

Krijuam për herë të parë në vitin 2014, një program buxhetor dedikuar rikonstruksionit të objekteve ekzistuese të banimit me elementë të eficiencës së energjisë. Për periudhën 2014 – 2016, realizuam në 9 bashki të vendit modelet e para të rikonstruksionit të objekteve ekzistuese të banimit me një vlerë investimi nëntëdhjetë e tre milionë lekë, duke i mundësuar njëqind e pesëdhjetë e një familjeve përfituese të paguajnë rreth 40% më pak në faturat e tyre të energjisë.

Premtuam se do t’i japim prioritet strehimit të grupit të jetimëve që dalin nga institucionet e përkujdesit shoqëror dhe me buxhetin e vitit 2016, realizuam projektin e parë pilot dedikuar kategorisë me statusin e jetimit, në Bashkinë Shkodër, me vlerë investimi njëzet e tetë milionë lekë, nga i cili do të përfitojnë rreth njëzet e katër familje, apo individë me statusin e jetimit.

Riaktivizuam për herë të parë në buxhetin e vitit 2016, mekanizmin financiar të Bonusit të Strehimit, dedikuar plotësisht familjeve në nevojë me të ardhura minimale. Deri më tani kanë përfituar pagesën prej 50% të qirasë minimale të tregut tetëdhjetë e nëntë familje në 8 bashki të vendit, nga të cilat njëzet e nëntë familje me gra kryefamiljare.

Riaktivizuam për herë të parë në buxhetin e vitit 2016, mekanizmin financiar të Grantit të Menjëhershëm, një tjetër mekanizëm financiar që u vjen në ndihmë familjeve me statusin e jetimit dhe Personave me Aftësi të Kufizuar, duke ju paguar në mënyrë të menjëhershme 5 ose 10% të vlerës së pagesës së banesës të përfituar nga programi i banesave me kosto të ulët apo programi i kreditimit të lehtësuar. Deri më tani janë tridhjetë e pesë familje në 8 bashki të vendit që kanë përfituar nga ky instrument financiar.

Me buxhetin e vitit 2016, po realizojmë Projektin “Studim, projektim për zhvillimin urban të zonës pronë shtetërore – Rrapi i Treshit, Tiranë”, me vlerë financimi 9.8 milionë Lekë, me qëllim kryesor, strehimin e shtresave në nevojë. Nga zbatimi i këtij projekti parashikohet të ofrohet strehim me kosto të ulët dhe eficiencë energjie, për rreth 500 familje, duke krijuar zona që  ofrojnë shërbimet e nevojshme për qytetarët që  do të jetojnë aty.

Nëpërmjet investimeve të Entit Kombëtar të Banesave për periudhën 2014 – 2016, kemi financuar katërqind e gjashtëmbëdhjetë milionë lekë, për ndërtimin e Banesave të reja me Kosto të Ulët me elementë të eficiencës së energjisë në bashkitë Berat (34 apartamente), Fier (75 apartamente), Lushnjë (38 apartamente) dhe Librazhd (35 apartamente). Janë njëqind e tetëdhjetë e dy familje me të ardhura të ulëta që u është dhënë mundësia për të përfituar Banesë me Kosto të Ulët.

Ndërkohë që për vitin 2017, sërish me fonde të Entit Kombëtar të Banesave, do të përfundojë ndërtimi i katër objekteve të reja të banimit ku do të strehohen 160 familje të reja, përkatësisht:

në Bashkinë Korçë, dy objekte banimi nga ku do të përfitojnë 74 familje; në Bashkinë Durrës, një objekt banimi me 24 apartamente;

në Bashkinë Lushnjë, objekti i banimit me 38 apartamente dhe

në Bashkinë Pukë, do të fillojë rikonstruksioni i dy objekteve, pronë e bashkisë që do të kthehen në objekte me funksion banimi, ku do të mundësohet strehimi i 24 familjeve.

Me financim të Bankës Evropiane për Zhvillim (CEB), për periudhën 2014 – 2016, në bashkëpunim me Bashkinë Durrës mundësuam ndërtimin e 216 apartamenteve të reja për strehim social, ku janë strehuar 128 familje në nevojë, ndërkohë që përfundimi i ndërtimit dhe shpërndarja e 88 apartamenteve të mbetura, do të realizohet në vitin 2017.

Të nderuar deputetë,

Standardet e ndërtimit janë një tjetër fushë që mbulon kjo ministri. Jemi të gjithë në një emërues të përbashkët kur themi se në këto 25 vite, për rishikimin e tyre është bërë pak për të mos thënë aspak.

Në këto dy vite kemi punuar fort për hartimin e standardeve dhe normativave në projektim dhe ndërtim, me qëllim vendosjen e rregullave në funksion të rritjes së cilësisë së produktit në fushën e ndërtimit dhe të përmirësimit të cilësisë së jetës, sigurisë dhe shëndetit të qytetarëve. Me një buxhet minimal kemi hartuar:

  • Normativat e projektimit të banesave;
  • Normativat e projektimit të çerdheve;
  • Normativat e projektimit të kopshteve dhe shkollave;
  • Rregulloret teknike “Për Projektimin dhe Ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë”;
  • Manualin e tarifave për shërbime në planifikim territori, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim.
  • Përshtatjen e Eurokodeve 4, 6, 7 dhe pjesërisht Eurokodin 8, me anekset kombëtare. Përshtatja e Eurokodeve, plotësimi i tyre me anekset kombëtare dhe përdorimi i tyre si standarde ligjore, i shërben rritjes së cilësisë së ndërtimeve në drejtim të qëndrueshmërisë strukturore, si edhe marrjes së masave konkrete në drejtim të shmangies së rrezikut nga tërmetet.

Në fushën e licencimit të profesioneve të lira

Si ministria përgjegjëse për licencimin e profesioneve të lira në fushat e studim, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim si dhe për vlerësuesit e pasurive të paluajtshme kemi mundësuar:

  • me buxhetin e vitit 2016, krijimin e sistemit informatik të integruar për E – shërbimet licencimi për studim, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim të punimeve të ndërtimit. Ky sistem i shërben mbi 8.000 profesionistëve që ushtrojnë aktualisht veprimtarinë e licencuar në këto fusha, si dhe gjithë profesionistëve që do të licencohen në vijim, si dhe
  • me buxhetin e vitit 2015, krijimin e sistemit informatik të integruar për E - shërbimet për licencimin e vlerësuesve të pasurive të paluajtshme.

Gjithashtu, gjatë këtij viti, në kuadër të programit “Shqipëria Dixhitale”, përfunduam projektin e dixhitalizimit të shërbimeve të ofruara nga Arkivi Qëndror Teknik i Ndërtimit, me vlerë investimi mbi tetëdhjetë e tre milionë lekë. Ky projekt, mundëson jo vetëm ruajtjen e dokumentacionit nëpërmjet krijimit të arkivës elektronike, shërbimin e dokumentacionit ortofoto, por dhe shërbimin online të këtij dokumentacioni për të gjithë përdoruesit e arkivit. Janë rreth pesëqind e dyzet e pesë mijë dokumente, të cilat numërohen sot në fondin arkivor të këtij institucioni. Deri më tani 60% e kësaj pasurie kombëtare gjendet edhe në format elektronik. Qëllimi ynë është ta pasurojmë sa vjen e më shumë arkivën e AQTN-së dhe ta përshtatim atë me ritmet e kohës, përmes zbatimit të teknologjive bashkëkohore, duke u përqendruar te dixhitalizimi.

Të nderuar deputetë,

Të gjithë reformat e ndërmarra gjatë këtyre tre viteve, por dhe ato të parashikuara me buxhetin e vitit 2017, kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor të vendit, ku përfituesit kryesor janë qytetarët.

Buxheti i vitit 2017 është orientuar drejt rritjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve, duke përshpejtuar rritjen ekonomike në 3.8% dhe ulur borxhin publik në 69.1%.

Buxheti i këtij viti është buxheti që mbështet dhe siguron, rritjen e pagave dhe pensioneve, për 110 mijë punonjës të administratës publike qendrore dhe vendore dhe rreth 600 mijë pensionistë në qytet e fshat, financuar tërësisht nga të ardhurat buxhetore dhe jo të marra borxh.

Për vitin 2017 projektbuxheti i Ministrisë së Zhvillimit Urban do të jetë rreth njëmbëdhjetë pikë gjashtë miliardë lekë i ndarë në:

10.5 miliardë lekë investime dhe

1.1 miliardë lekë shpenzime operative

Kjo është vlera më e lartë e alokuar nën zërin investime për Ministrinë e Zhvillimit Urban, që prej krijimit të këtij institucioni në vitin 2013.

Kjo rritje në buxhetin e Ministrisë për vitin 2017, vjen si rezultat i kalimit të grantit konkurrues për infrastrukturën vendore dhe rajonale me burim financimi programin e Infrastrukturës Vendore dhe Rajonale të Fondit për Zhvillimin e Rajoneve në vlerën 9.5 miliardë lekë, si pjesë e buxhetit të ministrisë.

Buxheti 2017 siguron vazhdimësinë e veprimtarisë dhe reformave të nisura në fushën e planifikimit dhe zhvillimit urban, lejeve të ndërtimit, legalizimit dhe urbanizimit të zonave informale, strehimit, standardeve të ndërtimit dhe së fundmi projektimit në fushën e mbetjeve urbane, me impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve

Në fushën e planifikimit do të vijojmë të mbështesim pushtetin vendor, që të marrë rolin udhëheqës në proceset planifikuese dhe zhvillimit të tokës, duke mbrojtur zonat natyrore, historike dhe bujqësore.

  1. Për vitin 2017 kemi planifikuar 129.8 mln lekë për hartimin e planeve të përgjithshme vendore në rreth 7 bashki të reja (Përmet, Këlcyrë, Kolonjë, Pukë, Mirditë, Gramsh dhe Belsh). Brenda vitit 2017, 43 bashki nga 61 do të kenë të hartuar dhe miratuar instrumentet e tyre vendorë, duke garantuar zhvillimin e qëndrueshëm urban, ekonomik, social, mjedisor, duke i hapur kështu rrugën investimeve strategjike.  
  2. Zbatimin e projekteve pilot në bashkitë Tiranë, Korçë, Belsh dhe Himarë për rivitalizimin urban dhe rijetësimin e infrastrukturës (në bashkëpunim me Qendrën për Edukim Ekonomik dhe Biznesin - CEBE) në vlerën 10 milionë lekë.

Në fushën e strehimit për të garantuar kushte të përmirësuara jetese dhe ofrimin e një strehimi të përballueshëm për qytetarët kemi parashikuar 560 milionë lekë.

Me buxhetin e vitit 2017 do të mundësojmë :

  1. Përmirësimin e kushteve të jetesës për 740 qytetarë të komunitetit Rom dhe Egjyptian;
  2. Strehimin e të paktën 135 familjeve të pastreha nëpërmjet programit tonë për rehabilitimin e godinave ekzistuese të dala jashtë funksionit në bashki të ndryshme të vendit;
  3. Subvencionimin e interesave të kredive me interes 0 dhe 3% për rreth 4300 familje, të cilat janë trajtuar me kredi me kosto të ulët që prej vitit 2009.
  4. Mbulimin e qirasë në masën 50 deri në 100% të vlerës për 210 familje, nëpërmjet instrumentit financiar të Bonusit të Strehimi
  5. Ofrimin e Grantit të Menjëhershëm për 20 familje, i jepet për shlyerjen e kredisë së përftuar të banesës me kosto të ulët nga personat me aftësi të kufizuar dhe jetimët në masën 5 – 10 % të vlerës së banesës, si dhe
  6. Pagesën e qirave të 174 familje, që janë prekur nga zbatimi i projektit të rrugës Transballkanike, në Vlorë dhe projektit të Unazës së Madhe, në Tiranë.

Në fushën e legalizimeve për vitin 2017, janë parashikuar  për ALUIZNI-n, rreth 97.6 milionë lekë investime. Ky fond i parashikuar do të bëjë të mundur realizimin e një tjetër premtimi të kësaj qeverie që lidhet me përfundimin e procesit të legalizimit brenda zonave informale. Janë plot 277 zona informale të miratuara deri më tani, ku vlerësohet se numri i ndërtimeve pa leje është rreth njëqind e pesëdhjetë mijë objekte. Me buxhetin e parashikuar për vitin 2017, ne do të mundësojmë që deri në fund të mandatit tonë, të përmbyllim procesin e legalizimit për të dyqind mijë familjet që jetojnë në zona informale të miratuara.

Gjithashtu me buxhetin e vitit 2017 do të financohet zbatimi i tre projekte madhore me financim të huaj:

Me financim të qeverisë Gjermane, nëpërmjet GIZ (Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar), fillon zbatimin faza e dytë e projektit “Zhvillimi i integruar dhe i qëndrueshëm i zonës bregdetare”, i cili ka për qëllim krijimin e një qasjeje të integruar për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit bregdetar jugor, duke u mbështetur në potencialet që ofron ky rajon.

Rezultati do të jetë hartimi i një plani të integruar veprimi për rritjen e potencialit turistik, evidentimin e modeleve të partneritetit publik-privat, si dhe krijimi i një strategjie për planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit, me fokus krijimin e modeleve të suksesshme të konservimit urban dhe zhvillimit të turizmit.

Sërish me financim të qeverisë Gjermane, nëpërmjet nga Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW), do të bëhet i mundur hartimi i Master planit në fushën e mbetjeve, një instrument i nevojshëm që plotëson paketën për krijimin e një sistemi të integruar të mbetjeve në Shqipëri. Ky dokument do tё pёrcaktojё vendet ku do të ndërtohen landfillet apo impiantet e trajtimit të mbetjeve në të 12 qarqet e vendit në bashkëpunim të ngushtë me ministritë e linjës dhe 61 bashkitë.

Në 2017, gjithashtu fillon zbatimin edhe projekti madhor i financuar nga Banka Botërore “Zhvillimi i Integruar Urban dhe Turizmit”. Për këtë projekt, Ministria e Zhvillimit Urban, si institucioni lider, ka planifikuar për vitin 2017 fondin prej 60 milionë lekësh. Në kuadër të zbatimit të politikave të zhvillimit rajonal, Qeveria Shqiptare ka përcaktuar si rajone prioritare që mbartin potenciale konkrete të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, me qëllim stimulimin e zhvillimit të sektorit të turizmit si lokomotivë e rritjes së ekonomisë në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar: rajonin bregdetar (Vlorë-Sarandë), si dhe zonën më në brendësi (Berat, Gjirokastër Përmet).

Zbatimi i këtij projekti me një shtrirje pesë vjeçare do të mundësojë: (i) përmirësimin e infrastrukturës urbane, (ii) përmirësimin e aseteve turistike dhe (iii) forcimin e kapaciteteve institucionale në zonat e përzgjedhura.

Brenda vitit të parë të marrjes së kredisë është parashikuar zbatimi i një sërë projektesh afatshkurtra si më poshtë vijon:

  1. Rehabilitimi i shkallareve në qendër të qytetit të Sarandës;
  2. Rehabilitimi i ndriçimit rrugor në qendrën historike të qytetit të Gjirokastrës;
  3. Rehabilitimi i rrugëve të aksesit automobilistik dhe këmbësor të kalasë së Beratit dhe pikës panoramike “Tabja” në kalanë e Beratit.
  4. Të tjera projekte, të cilat do të identifikohen dhe prioritizohen nga Qeveria Shqiptare.

Të nderuar deputetë,

Në fund të fjalës time, do të doja të ndalesha shkurtimisht te mënyra se si do të disbursohet granti konkurrues për infrastrukturën vendore dhe rajonale në vlerën 9.5 miliardë lekë, i cili është kaluar nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve në buxhetin e Ministrisë që unë drejtoj.

Është fakt, se Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, që prej vitit 2014, ka funksionuar si një strukturë e riformatuar qoftë për nga pikëpamja financiare, por edhe në kuadër të gamës së gjerë të projekteve që mbështet.

Për periudhën 2014 – 2016 janë investuar rreth 28 miliardë lekë për zbatimin e 328 projekteve të infrastrukturës vendore, (nga të cilat, 126 projekte të miratuara në vitin 2014; 105 projekte të miratuara në vitin 2015 dhe 97 projekte të miratuara në tre thirrjet e vitit 2016), nga Veriu në Jug, nga bashkitë e mëdha e deri tek ato më të voglat të harruara prej kohësh.

Një nga prioritetet kryesore për Qeverinë Rama, ka qenë dhe mbetet zhvillimi social dhe ekonomik i balancuar në të gjithë territorin e vendit.

Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane, është një përkthim në terma realë i këtij prioriteti, që vjen si një risi në procesin e ndërhyrjes rehabilituese në territor, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ekonomive lokale, jetës sociale të komuniteteve dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

Është fakt se qytetet tona janë kthyer sot në qendra urbane plotësisht të rehabilituara në funksion të zhvillimit të biznesit lokal dhe mirëqenies sociale të qytetarëve, ku të gjithë ndërhyrjet e kryera kanë qenë të harmonizuara me vlerat arkitektonike, kulturore dhe historike pa i humbur identitetin qyteteve tona.

Ndryshe nga investimet sporadike të kryera në tetë vitet e qeverisjes së mëparshme ne:

Investuam edhe në ato qytete, të cilat ishin të harruara prej kohësh (Skrapar, Tropojë, Pukë, Malësi e Madhe, Kukës, Burrel, Kavajë, Krujë, Belsh, Gramsh, Librazhd, Divjakë, Velipojë, Gramsh, Orikum, Selenicë etj.).

Nga zero projekte për qendra qytetesh, shëtitore, sheshe në vitin 2013, financuam 102 projekte për rivitalizimin e qendrave urbane si: projektet e qendrës së Durrësit, qendrës së Korçës, shëtitores së Elbasanit, qendrës së Lushnjes, qendrës së Kukësit, shëtitores së Lezhës, qendrës së Kavajës, qendrës së Tamarës në Malësi të Madhe, etj.

Nga zero projekte në vitin 2013, për rehabilitimin e hapësirave të gjelbra, kënde lojërash për fëmijë dhe objekte kulturore publike në dy vite, mbështetëm 34 projekte të tilla si: Parku i Viroit në Gjirokastër, Parku pranë pedonales Berat, Parku Rinia në Korçë, gjelbërimi përreth urës së Dajlanit në Durrës, pyllëzimi i Kurorës së Sarandës, hapësirat e gjelbërta në qytetin e Gramshit, këndi lojërave në Burrel, etj.  

Zbatuam 171 projekte të infrastrukturës urbane, duke shkurtuar distancat mes qendrave urbane dhe atyre rurale, mundësuar zhvillimin e bizneseve të reja dhe përmirësuar lëvizshmërinë dhe aksesueshmërinë për qytetarët si dhe rigjenerimin urban të lagjeve dhe zonave të banuara, duke krijuar më shumë hapësira publike për qytetarët.

Në vitin 2013 gjetëm zero projekte zhvillimore të infrastrukturës turistike, ndërkohë, në dy vjet realizuam 11 projekte si psh: Pika panoramike në Llogara dhe PortopalermoRikualifikim i territorit  të kalasë së Ali Pashë TepelenëNdërtimi i qendrës sportive për sportin "Rafting" në kanionet e Skraparit dhe Krijimi i një shtegu traking në kanionin e Gjipesë.

Në vitin 2013 gjetëm zero projekte për urbanizimin e zonave informale, ndërkohë, që në dy vjet financuam dhe zbatuam 3 projekte pilot, modele zhvillimi dhe integrimi të komuniteteve në këto zona në tre qytete Vlorë, Lushnjë dhe Durrës. Sot 22,000 qytetarë të këtyre zonave jetojnë me infrastrukturë urbane tërësisht të rehabilituar, duke i dhënë hov zhvillimit ekonomik, mjedisor dhe social.

Për herë të parë, nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, ne po ofrojmë mbështetje financiare për projekte rajonale mes bashkive fqinje, nga ku do të veçoja projektet për krijimin e  shtigjeve, udhëve dhe itinerareve turistike, në zonën Pëllumbas-Shën Gjergj - Mali me Gropa - Bizë në Bashkinë Tiranë dhe Gur i Bardhë -Lugina e Vashës në Bashkinë Klos.

Me fondin e alokuar për vitin 2017, ne do të vijojmë likuidimin e detyrimeve kontraktuale dhe mbylljen me sukses të 80 kantiereve të ndërtimit në kuadër të Programit Rilindja Urbane, si dhe financimit të  programit “Shqipëria Dixhitale”, i cili përbëhet edhe nga granti konkurrues për inovacionin dhe teknologjinë e komunikimit.

Të nderuar deputetë,

Projektbuxheti i vitit 2017, është buxheti që do të garantojë realizimin me sukses të të gjithë reformave të premtuara në Programin tonë qeverisës 2013 – 2017, si dhe në finalizimin me sukses të të gjithë projekteve të nisura, e që priten të përfundojnë në vitin që vjen. Unë ju ftoj të votoni Pro këtij buxheti, i cili nuk është vetëm buxheti i një qeverie, por është buxheti dedikuar mirëqenies së qytetarëve.

Ju faleminderit!