Postuar më: 17 Maj 2017

Fjala e Ministres Gjermeni mbi Lancimin e Programit të Zhvillimit Rajonal për Shqipërinë.

Mirëmëngjes,

Falenderime

  • Sot së bashku me Ambasadën e Zvicrës organizojmë aktivitetin prezantues të “Programit të Zhvillimit Rajonal për Shqipërinë”, faza e tretë, me bashkëfinancues qeverinë Zvicerane dhe atë Austriake me Grantin në vlerë tre pikë dy milionë Euro.
  • Dua të përfitoj nga rasti t’i shpreh falenderimet e mia të dy miqve të mi dhe miqve të Shqipërisë Ambasadorit të Zvicrës z. Christoph Graf dhe Ambasadorit të Austrisë z. Johann Sattler, për mbështetjen e pakursyer që i kanë ofruar zhvillimit të qëndrueshëm të vendit me projekte konkrete. Gjithashtu dua t’i falënderoj përzemërsisht për kontributin e dhënë në rrugëtimin e Shqipërisë për tu bërë, në një të ardhme të afërt, vend anëtar i  Bashkimit Evropian.

 

Procesi

  • Ky program, marrëveshja për financimin e të cilit u nënshkrua në Zvicër më 29 mars të këtij viti, tashmë e miratuar edhe në Kuvendin e Shqipërisë, është në thelb një platformë pune me impakt të drejtpërdrejtë dhe të matshëm në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe teknike, përmirësimit të kuadrit ligjor për zhvillimin rajonal, dhe mbi të gjitha realizimit të projekteve konkrete ndërvendore.
  • Një mundësi më shumë, për zhvillimin social dhe ekonomik të qëndrueshëm të zonave ku do të jetësohen projektet konkrete, si dhe në forcimin e kapaciteteve teknike dhe institucionale të katër Agjencive të Zhvillimit të Rajoneve.

Reforma territoriale dhe rajonale

  • Reforma administrative territoriale, një histori suksesi e reformave të ndërmarra gjatë këtij çerek shekulli në vend, ka krijuar struktura vendore më efikase, si dhe ka ofruar një mekanizëm dinamik për fuqizimin e hapësirave ekonomike, sociale dhe kulturore, nëpërmjet bashkëpunimit ndërmjet njësive administrative kufitare, por edhe në kuadër të rritjes së konkurueshmërisë ndërmjet tyre.
  • Në zemër të këtij programi qëndron një vizion i qartë i rëndësisë që ka zhvillimi rajonal, si një proces efikas për një zhvillim të barabartë dhe të qëndrueshëm social ekonomik, në të gjithë territorin e vendit.
  • Menjëherë pas kostituimit të 61 bashkive të reja, në shtator të vitit 2015 u miratuan katër zonat e zhvillimit rajonal, duke i hapur rrugën krijimit të katër agjencive të zhvillimit rajonal me seli në Shkodër, Tiranë, Korçë dhe Vlorë.
  • Duke e konsideruar zhvillimin e vendit si një të tërë, ky riformatim i ri i ndarjes në katër rajone, është një mundësi më shumë për bashkitë apo zonat me tipare të përbashkëta zhvillimi, të rrisin dhe promovojnë avantazhet e tyre konkurruese, nëpërmjet bashkëpunimit dhe zbatimit të projekteve ndërvendore.
  • Kjo politikë e përbashkët investimesh i shërben forcimit të bashkëpunimit dhe punës në ekip ndërmjet qeverisë qëndrore dhe asaj vendore apo edhe njësive vendore me njëra – tjetrën.

Vizioni i këtij programi

Dhe do të jetë pikërisht ky vizion që do të jetësohet falë zbatimit të Programit të Zhvillimit Rajonal për Shqipërinë faza 3, ndërhyrjet e të cilit përqendrohen në:

  1. Kuadrin ligjor dhe hartimin apo përmirësimin e politikave kombëtare për zhvillimin rajonal;
  2. Rritjen e kapaciteteve teknike dhe institucionale të katër agjencive të zhvillimit rajonal, Ministrisë së Zhvillimit Urban si institucion lider për zbatimin e kësaj marrëveshje, por edhe si institucioni përgjegjës për hartimin e instrumenteve dhe dokumenteve kombëtare të planifikimit; si dhe
  3. Në ofrimin e granteve për zbatimin e projekteve konkrete ndërvendore për zhvillimin rajonal. 

Çfarë kemi bërë në këtë mandat të parë

  • Sigurisht, që nismat e konkretizuara tashmë në produkte konkrete në fushën e planifikimit kombëtar dhe vendor, apo edhe të 400 projektet e financuara dhe zbatuara nga qeveria Shqiptare, në kuadër të Programit Kombëtar Rilindja Urbane në të 61 bashkitë e vendit, kanë lehtësuar dhe forcuar bashkëpunimin dhe konkurrencën ndërvendore.

Në harkun kohor të këtyre tetëmbëdhjetë muajve, Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Fondit për Zhvillimin e Rajoneve, ka miratuar mbështetjen financiare të 3 projekteve të zbatimit  të hartuara nga agjencitë e zhvillimit rajonal, si më poshtë vijon:

  • Sistemimi me interes turistik dhe kulturor si: shtigjet,  udhët dhe itineraret turistike, ndërmjet bashkive Tiranë dhe Klos në zonën Pëllumbas - Shën Gjergj - Mali me gropa - Bizë - Gur i Bardhë - Lugina e Vashës me vlerë tetëmbëdhjetë milionë lekë;
  • Përmirësimi i transportit dhe infrastrukturës ndërlidhëse Qafështamë - Burrel, me qëllim promovimin e atraksioneve turistike të Parkut Kombëtar të Qafështamës, me vlerë financimi njëqind e tridhjetë e tre milionë lekë dhe
  • Rigjallërimi i vlerave historike, kulturore e turistike të Zonës së Zhvillimit Rajonal 3, Korçë – Elbasan me vlerë financimi njëqind e dyzet e tetë milionë lekë

Ndërkohë që në thirrjen e II – të për vitin 2017 të Fondit për Zhvillimin e Rajoneve të katër agjencitë rajonale kanë përfituar fonde për hartimin e 22 projekteve të reja, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës urbane,  ndërhyrjeve rigjeneruese në zonat me potenciale natyrore, kulturore dhe historike në funksion të  zhvillimit social-ekonomik të zonës dhe veçanërisht sektorit të turizmit.

  • Mbyllje

Dua të falënderoj Qeverinë Zvicerane, e cila krahas këtij Programi është gjithashtu duke na ofruar mbështetje teknike dhe financiare në procesin e hartimit të planeve vendore në 5 bashki Malësi e Madhe, Tropojë, Vau i Dejës, Mat dhe Klos.

Zbatimi i këtij programi është një mundësi më shumë në nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet bashkive dhe një instrument tjetër financiar për zbatimin e projekteve konkrete, duke i kthyer bashkitë në motorr që gjenerojnë më shumë mundësi punësimi, mirëqenie për qytetarët, rritje ekonomike të sipërmarrjeve ekzistuese dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Ju faleminderit!