Postuar më: 11 Prill 2017

Fjala e Ministres Gjermeni mbi prezantimin e botimit në shqip të axhendës së re urbane.

Ju uroj mirëseardhjen në këtë Mëngjes Pune të bashkëorganizuar me UN Habitat 3.

Ndihem vërtetë e privilegjuar që sot së bashku me Z. Kumaresh Misra, Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i Habitat 3,  do të lançojmë Agjendën e Re Urbane, botimin në Shqip. Kjo Agjendë e miratuar në tetor të vitit 2016 në Quito, Ecuador, është platforma që përcakton parimet dhe angazhimet për një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të qyteteve tona.  Dokumenti mbart qëndrimet e angazhimet e të gjitha shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, produkt i një sërë eventesh që konkludojnë në takime të mëdha,  si ai i Stambollit apo ky i Quitos, (njëherë në 20 vite), duke vlerësuar progresin e arritur edhe duke përcaktuar vizionin e zhvillimit për vitet në vazhdim.

Agjenda e Re Urbane është një dokument orientues për shtetet anëtare në hartimin e politikave kombëtare gjithëpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm, që ju përgjigjen nevojave të qytetarëve për zhvillim të balancuar social dhe ekonomik,  përmirësimin e funksionalitetit të qyteteve si hapësira të shfrytëzueshme dhe miqësore për të gjithë grupëmoshat.

Më vjen mirë të them se qeveria shqiptare në këto katër vite ka ndërmarrë një mori reformash, të cilat garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm të territorit që i paraprin një zhvillimi ekonomik e social. Reformat e ndërmarra përputhen me parimet dhe standardet e mishëruara në Axhendën e Re Urbane dhe Objektivin 11 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për një Zhvillim të Qëndrueshëm, si edhe për t’i kthyer qytetet tona në hapësira gjithëpërfshirëse, të sigurta dhe me një zhvillim ekonomik dhe social të qëndrueshëm.

 Dua të theksoj që në fillim të fjalës time, se në këto katër vite kemi ndërtuar një frymë komunikimi dhe bashkëveprimi ndërmjet institucioneve qendrore dhe vendore, shoqërisë civile, botës akademike, sipërmarrjes dhe donatorëve. I kemi bërë qytetarët pjesë të proceseve në fushën e planifikimit apo të strehimit, duke ndërtuar një model transparent dhe gjithëpërfshirës të hartimit të ligjeve apo te planeve, strategjive apo politikave. Zhvillimin urban nuk e kemi parë asnjëherë si një proces më vete dhe të izoluar nga zhvillimi social dhe ekonomik, por një platformë të gjallë ku çdo vendimmarrje e pamenduar apo çdo veprim i paligjshëm mund të rezultojë në cenim të aseteve të përbashkëta  si: toka, hapësirat e përbashkëta, mjedisi, apo potencialet tona natyrore dhe kulturore

 Reforma administrative territoriale është një nga reformat historike të realizuara nga kjo qeveri. Kjo reformë jo vetëm  riformatoi ndarjen administrative të njësive të qeverisjes vendore duke reduktuar numrin nga 375 në 61 bashki, por dhe do i delegoi bashkive të reja më shumë funksione administrative dhe përgjegjësi, për t’ju përgjigjur në mënyrë me efikase qytetarëve dhe nevojave të tyre.

Si Ministre e Zhvillimit Urban, më vjen mirë të deklaroj se Shqipëria sot ka tre plane kombëtare të cilat më së miri përcaktojnë piketat për një zhvillim të qëndrueshëm, investime afatgjata dhe të sigurta, si dhe i ofrojnë qytetarëve një kornizë të qartë të zhvillimit që do të marrë vendi në 15 vitet e ardhshme në të gjithë sektorët e tij të ekonomisë. Vizioni Shqipëria 2030 i mishëruar në Planin e Përgjithshëm Kombëtar dhe dy planet sektoriale Planin Ndërsektorial të Bregdetit dhe Planin Ndërsektorial të zonës ekonomike Tiranë – Durrës, përfaqëson një përqasje te re të planifikimit dhe zhvillimit të territorit . Të treja këto plane kombëtare, të miratuara në mes të vitit të kaluar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, synojnë t’i japin fund epokës së informalitetit në zhvillimin e tokës,  hapësirave urbane e rurale dhe të krijojnë një mjedis institucional, ekonomik e social për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.

Krahas punës në hartimin e instrumentave të planifikimit në nivel kombëtar kemi punuar fort edhe në hartimin e planeve vendore duke i ofruar bashkive të reja asistencë financiare dhe teknike. Në vitin 2016, u angazhuam për të mbështetur financiarisht 26 bashki në hartimin e planeve të tyre vendore. Ky angazhim, po vazhdon edhe në vitin 2017, duke mbështetur edhe 7 bashki të tjera për hartimin e planeve të tyre vendore. Ndëkohë që falë mbështetjes së ofruar nga USAID  5 bashki  kanë tashmë të hartuara dhe miratuara planet e tyre vendore. Ndërsa 5 bashki po mbështeten aktualisht nga qeveria Zvicerane. Në fund te këtij viti,  43 nga 61 bashki do të kenë të hartuara planet e tyre të përgjithshme vendore.

Ky rezultat në fakt, brenda një mandati qeverisës është një arritje shumë pozitive, që i ndihmon bashkitë të punojnë me një qasje tërësisht të re e të rregulluar për administrimin dhe zhvillimin e territorit, të nxisin investimet dhe të ofrojnë më shumë mundësi punësimi për qytetarët.

Sfida jonë e madhe mbetet zbatimi i planeve kombëtare edhe vendore, si edhe monitorimi i zbatimit të tyre. Në këtë proces, sërish të gjithë aktorët do të jene të përfshirë, siç kanë qenë pjesë edhe të hartimit të tyre.

Gjatë takimeve me qytetarë na ka ndodhur shpesh që të na pyesin se Çfarë janë në fakt planet, edhe si ndikojnë planet të jetën e qytetarëve, etj. Jemi të ndërgjegjshëm që planifikimi shpesh perceptohet si proces teknik. Pikërisht për t’i sjellë planet në një format më të kuptueshëm për qytetarët, por edhe grupe të ndryshme interesi si edhe për t’i bërë këta të fundit pjesë të procesit organizuam ekspozitën “Ditar i një Hapësire”. Kjo ekspozitë, ishte  ishte një vështrim mbi planifikimin shtrirë në tre mijëvjeçarë; një udhëtim në kohë, në hapësirën e quajtur Shqipëri. Një hapësirë e cila në këto dy dekadat e fundit për shkak të mungesës së instrumentave planifikues, vullnetit politik për zbatimin e ligjit ishte kthyer në një kaos urban ku numëroheshin reth katërqindmijë ndërtime informale. Për këtë arsye ne i dhamë një rëndësi prioritare legalizimit të ndërtimeve informale kryesisht në zonat informale. Pasi i gjithë ky kapital i derdhur në territor duhet të kthehet në aset për qytetarët dhe zhvillimin ekonomik dhe social afatgjatë. Jemi në hapat përfundimtarë të mbylljes së procesit të legalizimeve në zonat masive informale. Të gjitha objektet e legalizuara janë tashmë pjesë të tregut të pasurive të paluajtshme, duke u kthyer në asete kapitale për qytetarët që më në fund morën titullin e pronësisë mbi banesën e ndërtuar me sakrificë. Paralelisht me procesin e legalizimit kemi nisur edhe me urbanizimin e disa zonave informale. Kemi mundur të zbatojmë disa investime konkrete duke pilotuar fillimisht zona informale ku ka dhe një përqendrim të lartë të banorëve. Duke e konsideruar urbanizimin si motor të rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, rritja e investimeve me projekte konkrete në zona informale është një nga shtyllat kryesore të programit tonë qeverisës për katërvjeçarin tjetër. Vetëm nëpërmjet investimeve konkrete në këto zona ne do të mund të sigurojmë për qytetarët tanë dhe brezin e ri qytete të sigurta, të shëndetshme dhe të qëndrueshme, si një e mirë e përbashkët që në thelb i shërben rritjes së cilësisë së jetës për të gjithë.

Strehimi është një e drejtë themelore që kërkon vëmendje edhe angazhim nga pushteti qendror edhe vendor. Përmes realizimit të kësaj të drejte, garantohet integrim dhe kohezion social.  Hartimin e politikave kombëtare dhe vendore për ofrimin e një strehimi të denjë, të përshtatshëm dhe të përballueshëm për të gjithë, e kemi konsideruar si baza mbi të cilën ndërtohet një shoqëri që lufton pabarazinë, varfërinë dhe vendos qytetarët në qendër të saj.

Falë një bashkëpunimi shumë të mirë që ne kemi pasur me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, kemi mundur të ridimensionojmë dhe zhvillojmë më tej politikat kombëtare të strehimit. Sot, ne kemi një platformë pune të mishëruar në Strategjinë 10 vjeçare për strehimin social dhe planin e saj të veprimit. Kemi rishikuar kuadrin ligjor duke hartuar një ligj të ri për Strehimin Social që do t’i përgjigjet  më mirë nevojave të qytetarëve për strehim. Me ligjin e ri kemi krijuar 6 programe strehimi duke shtuar kështu jo vetëm instrumentet financiarë, por dhe kategoritë e qytetarëve përfitues, kemi përfshirë në mënyrë eksplicite ndalimin e dëbimit, si dhe kemi lehtësuar zhvendosjen duke u siguruar qytetarëve një strehim alternativ të përshtatshëm. 

Nisur nga nevojat e kategorive në nevojë për strehim gjatë këtij mandati kemi hartuar dhe financuar Programin për Rikonstruksionin e banesave të komunitetit Rom dhe Egjiptian, Programin e Banesave me Kosto të Ulët, Programin për rehabilitimin e banesave në bashkëpronësi me elementë të efiçencës së energjisë, kemi ofruar bonus strehimi, kredi të lehtësuara dhe grant të menjëhershëm. 

Një nga programet më vizionare të realizuar në këto katër vite është Programi Kombëtar Rilindja Urbane. Duke i parë qytetet si realitete dinamike të jetës sociale dhe ekonomike të  komuniteteve, ky program e nisi zbatimin e tij  në qendrat e qyteteve, pikërisht andej nga i ka rrënjët zhvillimi i çdo qytetërimi.  U vazhdua me projekte konkrete të rehabilitimit të shesheve, parqeve, infrastrukturës urbane, duke u shtrirë më pas edhe në lagjet apo zonat e banuara brenda territorit të 61 bashkive të reja. 

Kemi financuar plot 400 projekte në çdo qytet të Shqipërisë nga veriu në jug, projekte të  hartuara nga bashkitë e reja. Kemi vënë re, që çdo vit është rritur cilësia e projekteve, jo vetëm nga ana arkitekturore, por edhe nga ana e impaktit të zhvillimit ekonomik e social që kanë marrë sot qytetet tona. Këto projekte, i kanë ndryshuar fizionominë qyteteve, por edhe vetë bashkive, duke pasur impakt në zhvillimin e sipërmarrjes së vogël, rritjen e vlerës së pronës,  krijimit të hapësirave publike për qytetarët e të gjitha moshave.

Dua të theksoj se e gjithë puna e Ministrisë së Zhvillimit Urban, si një ministri e re, e krijuar në vitin 2013, është ngritur mbi bazën e një përqasjeje të re që synon trajtimin e territorit si një aset i vyer, të cilin duhet ta trajtojmë me përkujdesje jo vetëm për ne që jetojmë sot, por edhe për t’ua lënë trashëgim fëmijëve tanë.

           Në punën 4 vjeçare të kësaj ministrie, Axhenda e Re Urbane, konisderohet  një dokument jo vetëm i vlefshëm për të ardhmen e qyteteve tona, por edhe guida e duhur për të ecur me hapat e vendeve më të zhvilluara. 

Sfidat, që na presin për të adresuar çështjet e sipërcituara dhe pse jo dhe për ti dhënë zgjidhje, qoftë nëpërmjet hartimit të politikave kombëtare dhe lokale apo nëpërmjet krijimit të programeve buxhetore që financojnë projekte konkrete në fushën e zhvillimit urban, planifikimit, mjedisit, mbështetjes sociale, janë të mëdha. Sfida që kërkojnë angazhimin dhe koordinimin e qeverisë qendrore, asaj vendore, shoqërisë civile, botës akademike, sipërmarrjes dhe donatorëve për të krijuar kështu sinergji dhe bashkëveprim në luftën e përbashkët kundër pabarazisë, degradimit mjedisor dhe përjashtimit social dhe ekonomik.

Shqipëria si një vend anëtar i Kombeve të Bashkuara, angazhohet në hartimin e një Plani të detajuar veprimi për zbatimin dhe monitorimin e angazhimeve që  rrjedhin nga Axhenda e Re Urbane.

Ne do të kërkonim mbështetjen tuaj i nderuar zv. Sekretar i Përgjithshëm i Habitat 3 në ofrimin e asistencës teknike gjatë këtij procesi, si dhe në kuadër të harmonizimit të politikave tona kombëtare me angazhimet e Axhendës së Re Urbane.

 

Ju faleminderit,