Postuar më: 06 Korrik 2016

Fjala e Ministres Gjermeni në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit.

I nderuar Kryetar,

Të nderuar anëtarë të komisionit,

Sot së bashku me Drejtorin e ALUIZNI-t prezantojmë para jush ndryshimet e propozuara në ligjin “Për programet sociale të Strehimit”, të cilat kanë për qëllim zgjidhjen përfundimtare të problematikës lidhur me familjet e prekura nga ndërtimi i Ujëmbledhësi të Bovillës.

Si Ministria përgjegjëse për çështjet që lidhen me strehimin e shtresave në nevojë, një çështje me ndjeshmëri të lartë sociale e që kërkon zgjidhje, prej marsit të këtij viti kemi nisur procesin e rishikimit të ligjit për Programet Sociale të Strehimit në tërësi. Gjatë punës tonë kemi evidentuar një sërë problematikash që paraqet ligji aktual i strehimit, nga ky do të veçoja faktin se ligji aktual nuk parashikon përfshirjen e sa më shumë kategorive sociale si përfitues të skemave të strehimit, pra nuk ju përgjigjet aspak nevojave që kanë kategoritë në nevojë.

Ky proces po bëhet i mundur me ekspertizën ligjore dhe asistencën teknike të ofruar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, të cilët kanë qenë partnerët tanë edhe në procesin e hartimit të Strategjisë së Strehimit 2016 – 2025.

Ajo çka më duhet të theksoj në këtë fazë të parë të rishikimit të ligjit “Për programet sociale të Strehimit” është se procesi ka qenë transparent dhe gjithëpërfshirës.  Prej fillimit të punës për rishikimin e ligjit kemi krijuar dy grupe pune:

1. grupin ndër – institucional të punës ku janë të përfshirë të gjithë institucionet qendrore dhe vendore, të cilat merren me trajtimin e çështjeve që lidhen me strehimin, dhe

2. grupin këshillimor me përfaqësues të shoqërisë civile.

Në fund të korrikut ne përfundojmë draftin e parë të ligjit të rishikuar, i cili do t’i shpërndahet ekspertëve, shoqërisë civile, donatorëve, botës akademike, shoqatave që përfaqësojnë interesat e grupeve vulnerabël, bashkive dhe ministrive apo institucioneve publike që adresojnë çështjet që lidhen me grupet vulnerabël, për të marrë mendimet dhe sugjerimet e tyre, në mënyrë që ligji i rishikuar të mos jetë produkt i një grupi të vogël ekspertësh por produkt i një bashkëpunimi të frytshëm ndërmjet palëve.

Qëllimi ynë është që nëpërmjet ndryshimeve ligjore në ligjin aktual të strehimit të bëjmë të mundur përfshirjen e sa më shumë kategorive në nevojë, të cilët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme, si përfitues direkt të programeve të strehimit, të cilat gjithashtu do të reformatohen për t’ju përgjigjur nevojave aktuale për strehim.  

Të nderuar,

Nisur nga problematika me të cilën po përballen të 400 familjet e shpërngulura, për shkak të ndërtimit të Ujësjellësit të Bovillës dhe me në fokus gjetjen e një zgjidhje përfundimtare të këtij ngërçi që ka zgjatur plot 22 vite, vendosëm që të sjellim në komision për shqyrtim dhe miratim ndryshimin e Nenit 39/1 të ligjit aktual, për Programet Sociale të Strehimit që trajton pikërisht këto familje para Tetorit të këtij viti, afat ky që ne i kemi vendosur vetes për përfundimin e të gjithë procesit të rishikimit në tërësi të këtij ligji.

Lejomëni të sjell në vëmendjen tuaj, se janë plot 400 familje, të cilat për shkak të ndërtimit të kësaj vepre publike që prej vitit 1994 janë shpërngulur dhe kanë krijuar strehën e tyre në truallin e akorduar si formë kompensimi nga shteti për humbjen e banesave të tyre.

22 vite më pas, ende, këto 400 familje nuk janë pronarë të ligjshëm mbi ndërtesat dhe trojet që ju caktuan si kompensim që prej vitit 1994.

Nisur nga sa më lart miratimi i projektaktit të paraqitur për shqyrtim, i jep më së fundi të 400 familjeve të drejtën e tyre legjitime mbi pronën.

Me të drejtë pyetja që shtrohet është pse këto familje kanë ndërtuar banesat e tyre në truall të dhënë si kompensim por për të cilin nuk janë pronarë as të truallit dhe as të banesës së tyre?

Lejomëni të parashtroj para Jush dy argumente:

Së pari, organet e njësive të qeverisjes vendore përgjegjëse për pajisjen e të 400 familjeve me dokumentacionin e pronësisë në 22 vite nuk kanë kryer asnjë veprim për përfundimin e procedurave administrative të nevojshme për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin e dhënë si kompensim për këto familje.

Së dyti, fenomeni i ndërtimeve informale që pllakosi si gangrenë në këto 20 e kusur vite të gjithë territorin ka penguar përfundimin e procedurave ligjore për kalimin në pronësi të pasurive të paluajtshme në favor të këtyre 400 familjeve.

Aktualisht, pjesa më e madhe e ndërtimeve në zonën e përcaktuar për shpërnguljen e të 400 familjeve të shpronësuara, konsiderohen ndërtime informale për shkak të devijimit nga projekti i miratuar.

Duke pasur në vëmendjen tonë interesin më të mirë për këta qytetarë, të cilët aktualisht jetojnë në ndërtime informale, kemi përfshirë në zgjidhjen sa më të shpejtë të ngërçit të krijuar Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale, si institucioni i specializuar për ndjekjen e procedurave për legalizimin dhe kalimin e të drejtës së pronësisë për të gjithë familjet e shpërngulura nga ndërtimi i Ujëmbledhësit të Bovillës.

I nderuar Kryetar,

Në mbyllje të fjalës time dua të theksoj se ndryshimet e propozuara në Ligjin “Për Programet Sociale të Strehimit” jo vetëm që nuk sjellin asnjë kosto shtesë për buxhetin e shtetit, por dhe i japin zgjidhje përfundimtare shqetësimit të parashtruar nga përfaqësuesit e të 400 familjeve të shpërngulura nga ndërtimi i Ujësjellësit të Bovillës, çështja e të cilëve duhej të ishte zgjidhur kohë më parë.

Unë kërkoj miratimin tuaj për ndryshimet e propozuara në projektligjin e prezantuar në mënyrë që të mund të përfundojmë procesin e shpërblimit të drejtë mbi pronat e kompensuar, për të 400 familjet e shpronësuara që prej vitit 1994.

Ju faleminderit!