Postuar më: 21 Nëntor 2016

Fjala e Ministres Gjermeni në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, mbi buxhetin e vitit 2017.

I nderuar kryetar,

Të nderuar anëtarë,

Kam kënaqësinë që, sot të prezantoj, para jush, projektbuxhetin e Ministrisë së Zhvillimit Urban, për vitin 2017.

Më lejoni që, para se të kaloj në prezantimin e projektbuxhetit për vitin 2017, t’ju informoj shkurtimisht mbi produktet konkrete që Ministria e Zhvillimit Urban dhe pesë institucionet e saj të varësisë kanë realizuar apo janë ende në proces realizimi, me buxhetin e vitit 2016, në vlerën 2,3 miliard lekë.

  • Në fushën e planifikimit

Ja dolëm mbanë që, në më pak se tre vite punë të palodhshme, me mbështetjen e ekspertëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, të miratojmë Planin e Përgjithshëm Kombëtar. Mbas dy dekadave,  Shqipëria ka tashmë një dokument të integruar që vendos piketat e zhvillimit të territorit në pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme, si dhe parashikon hartimin e 40 projekteve strategjike që garantojnë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor të vendit.

Për të krijuar një platformë sa më integruese të zhvillimit të qëndrueshëm të territorit, hartuam dhe miratuam, në qershor të këtij viti edhe dy planet sektoriale: Planin e Integruar Ndërsektoriale për zonën ekonomike Tiranë – Durrës dhe Planin e Integruar Ndërsektorial për Bregdetin.

Duke e konsideruar territorin si një të tërë dhe jo të konfiguruar sipas formacioneve partiake, me buxhetin e vitit 2016, në vlerën 562.6 milionë lekë, financuam dhe ofruam asistencë teknike për hartimin e planeve të përgjithshme vendore në 26 bashki të vendit, përkatësisht: Cërrik, Dibër, Divjakë, Durrës, Gjirokastër, Himarë, Kavajë, Konispol, Korçë, Krujë, Kurbin, Kukës, Lezhë, Librazhd, Përrenjas, Pogradec, Poliçan, Rrogozhinë, Sarandë, Shijak, Shkodër, Skrapar, Tiranë, Ura Vajgurore, Vlorë dhe Vorë. (pritet miratimi i tyre në Këshillat Bashkiak brenda muajit dhjetor 2016)

Falë asistencës së ofruar nga Programi i USAID për Planifikim dhe Qeverisje Vendore (USAID/PLGP) hartimi i planeve vendore po realizohet edhe në 5 bashki të tjera: Lushnjë, Fier, Berat, Kuçovë dhe Elbasan. (pritet miratimi i tyre në Këshillat Bashkiak brenda muajit dhjetor 2016);

Ndërkohë që, Programi për Decentralizimin dhe Zhvillimin Lokal (DLDP) ka ofruar mbështetje financiare dhe teknike në hartimin e planeve vendore për 5 bashkitë e veriut, Tropojë, Mat, Klos, Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës (miratohen në Këshillat Bashkiak maj 2017).

Gjithsej, puna për hartimin e planeve të përgjithshme vendore ka nisur në 36 bashki të vendit.

  • Në fushën e zhvillimit të territorit

Gjatë vitit 2016, hartuam dhe realizuam në qendrat e qyteteve dhe zonat me potencial zhvillimin e turizmit me financim nga buxheti i shtetit dhe donator,ë projektet si më poshtë vijon:

  • Projektin për Rigjenerimin Urban të qendrës së qytetit të Patosit, me vlerë financimi 35.9 milionë Lekë nga zbatimi i të cilit do të përfitojnë 3,500 banorë të këtij qyteti. Ky projekt, do të përdoret si model i ndërhyrjeve për përmirësimin e infrastrukturës në zonat urbane dhe krijimin e kushteve më të favorshme për të nxitur zhvillimin ekonomik lokal, për t’u zbatuar më pas edhe në qytete të tjera dhe
  • Projekt – zbatimin për By-pasin e qytetit të Gjirokastrës, me vlerë financimi 18.1 milionë lekë, duke ofruar një zgjidhje problemit të qarkullimit në zonën e Pazarit që i shërben të gjithë qytetit të Gjirokastrës nga pikëpamja urbanistike.
  • Në fushën e legalizimit

Në fillim të mandatit tonë qeverisës premtuam se, do të ndërmerrnim procesin e legalizimit dhe integrimit të vendbanimeve informale, për t`i dhënë fund veprimeve të paligjshme dhe premtimin tonë po e mbajmë çdo ditë.

Vetëm për periudhën 1 Janar – 18 Nëntor 2016, kemi arritur të legalizojmë 36,951 objekte nga të cilat, 96% objekte me funksion banimi dhe vetëm 4% objekte me funksion social-ekonomik  (biznese), duke mbajtur një ritëm konstant të rreth 40,000 leje legalizimi në vit

Falë luftës sonë të vazhdueshme ndaj korrupsionit, në procesin e legalizimit dhe regjistrimit të pronës, kemi arritur të ofrojmë për qytetarët një proces transparent dhe pa zvarritje.

Gjithashtu, kemi realizuar  gjatë këtyre 10 muajve, të vitit 2016, një milionë e pesëqind mijë lekë të ardhura nga sigurimi i kalimit të drejtës së pronësisë, nga të cilat rreth një milionë lekë janë transferuar në fondin special të kompesimit për shpërblimin e pronarëve, pronat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje.

Të nderuar,

Një nga premtimet e kësaj Qeverie ka qenë dhe reforma ligjore dhe institucionale në sektorin e strehimit, nëpërmjet ofrimit të programeve dhe instrumenteve financiarë që ofrojnë strehim të përballueshëm për familjet në nevojë.

Për vitin 2016, me fondin rreth 225 milionë lekë, vijuam subvencionimin e kredive me interes 0%, 3% dhe 4% për Programin e Kreditimit të Lehtësuar. Gjatë këtij viti, në këtë program u akordua subvencionimi i interesave të kredisë me 3% për 131 familje të reja dhe me 0% interes për 19 familje të reja, duke e çuar në 4,260 numrin e familjeve që përfitojnë nga ky program që prej vitit 2009.

Me fondin 22 milionë lekë të alokuar për Bonusin e Strehimit, për familjet në nevojë, nga të cilat 2 milionë lekë vetëm për familjet një-prindërore (gra kryefamiljare dhe gra viktima të dhunës), kemi mbështetur deri më tani 89 familje në 8 bashki të vendit (21 familje në Bashkinë Tropojë, 6 familje në Elbasan, 20 familje në Mirditë, 18 familje në Korçë, 10 familje në Pogradec, 7 familje në Lezhë, 4 familje në Has dhe 3 familje në Gramsh), të cilave Ministria e Zhvillimit Urban po u mbulon, financiarisht, pagesën prej 50% të qirasë minimale të tregut.

Për vitin buxhetor 2016 kemi disbursuar 9.4 milionë lekë për Grantin e menjëhershëm, një tjetër mekanizëm financiar që ndihmon familjet e jetimëve dhe atyre me Persona me Aftësi të Kufizuar, duke u paguar, në mënyrë të menjëhershme,  5 ose 10% të vlerës së pagesës së banesës të përfituar nga programi i Banesave me Kosto të Ulët, si edhe Programi i Kreditimit të Lehtësuar. Deri më tani, janë 35 familje që kanë përfituar nga ky instrument financiar në qytetet Kavajë, Krujë, Gramsh, Pogradec, Vlorë, Korçë, Kamëz, Lezhë, Berat dhe Tiranë.

Me buxhetin e vitit 2016 po realizojmë projektin e parë pilot,  dedikuar kategorisë me statusin e jetimit. Ky projekt është duke u zbatuar në Bashkinë Shkodër dhe parashikon “Rehabilitimin e godinës (ish konvikti i shkollës pyjore) në qytetin e Shkodrës, për trajtim me strehim të grupit të jetimëve dhe familjeve një-prindërore”, me vlerë investimi mbi 28.8 milionë lekë.  Pas përfundimit të këtij projekti Bashkia Shkodër do të ketë në dispozicion, për shpërndarje, më pas te familjet apo individë me statusin e jetimit, që kanë dalë nga institucionet e kujdesit shoqëror, në total 24 apartamente, nga të cilat 18 garsoniere dhe  6 apartamente 1 +1.

Në kuadër të programit “Përmirësimi i kushteve të banimit për komunitetin Rom dhe Egjiptian” investuam 99 milionë lekë për realizimin e 10 projekteve në Bashkitë Krujë, Lushnjë, Vlorë, Roskovec, Elbasan, Shkodër, Belsh, Rrogozhinë, Divjakë dhe Këlcyrë. Falë zbatimit të këtyre projekteve, 187 familje të komunitetit Rom dhe Egjiptian jetojnë në banesa të rikonstruktuara dhe me kushte higjeno-sanitare.

Realizuam 61 milionë lekë investime për zbatimin e 6 projekteve të rikonstruksionit të objekteve të banimit, në bashkëpronësi me elementë të eficiencës së energjisë nga ku përfitojnë 94 familje. Projektet u zbatuan në bashkitë Krumë, Prrenjas, Malësi e Madhe, Fushë-Arrëz, Tropojë dhe Kavajë.

Një tjetër projekt që ne jemi duke realizuar me buxhetin e vitit 2016 është edhe projekti “Studim, projektim për zhvillimin urban të zonës pronë shtetërore – Rrapi i Trishit, Tiranë”, me vlerë financimi 9.8 milionë lekë. Ky projekt do të zhvillohet si një model i partneritetit publik- privat në fushën e strehimit dhe parashikon një studim urban dhe arkitektonik, ku ofrohet strehim me kosto të ulët dhe eficiencë energjie, për rreth 500 familje.

Gjithashtu, nëpërmjet investimeve të Entit Kombëtar të Banesave, financuam 416 milionë lekë për ndërtimin e Banesave të Reja me Kosto të Ulët, me elemente të eficiencës së energjisë në bashkitë Berat (34 apartamente), Fier (75 apartamente), Lushnjë (38 apartamente) dhe Librazhd (35 apartamente). Janë plot 182 familje me të ardhura të ulëta që u është dhënë mundësia për të përfituar Banesë me Kosto të Ulët.

Ndërkohë, me financim të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB) për periudhën 2014 – 2016 në bashkëpunim me Bashkinë Durrës, mundësuam ndërtimin e 128 apartamenteve të reja për strehim social ku janë strehuar 128 familje në nevojë.

Të nderuar,

Standardet e ndërtimit janë një tjetër fushë që mbulon kjo ministri. Jemi të gjithë në një emërues të përbashkët kur themi se,  në këto 25 vite për rishikimin e tyre është bërë pak për të mos thënë aspak.

Në këto dy vite, kemi punuar fort për hartimin e standardeve dhe normativave në projektim dhe ndërtim dhe me buxhetin e vitit 2016 hartuam:

  • Normativat e projektimit të kopshteve dhe shkollave me vlerë financimi 6.1 milionë lekë nga buxheti i vitit 2016.
  • Gjithashtu, me fondin prej 16.4 milionë lekë, realizuam përshtatjen e Euro-kodeve 4, 6, 7 dhe pjesërisht Euro-kodin 8, me anekset kombëtare. Përshtatja e Euro-kodeve, plotësimi i tyre me anekset kombëtare dhe përdorimi i tyre si standarde ligjore, i shërben rritjes së cilësisë së ndërtimeve në drejtim të qëndrueshmërisë strukturore, si edhe marrjes së masave konkrete në drejtim të shmangies së rrezikut nga tërmetet.

Në fushën e licencimit të profesioneve të lira

Me buxhetin e vitit 2016 investuam 35.2 milionë lekë për krijimin e sistemit informatik, të integruar për e – shërbimet licencimi për studim, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim të punimeve të ndërtimit. Ky sistem i shërben mbi 8.000 profesionistëve që ushtrojnë aktualisht veprimtarinë e licencuar në këto fusha, si dhe gjithë profesionistëve që do të licencohen në vijim.

Gjithashtu, gjatë këtij viti, në kuadër të programit “Shqipëria Dixhitale”, përfunduam projektin e digjitalizimit të shërbimeve të ofruara nga Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit, me vlerë investimi 83.8 milionë lekë, nga i cili janë disbursuar, deri më tani, 66.6 milionë lekë. Ky projekt mundëson jo vetëm ruajtjen e dokumentacionit nëpërmjet krijimit të arkivës elektronike, shërbimin e dokumentacionit orto-foto, por dhe shërbimin on-line të këtij dokumentacioni, për të gjithë përdoruesit e arkivit.

Të nderuar deputetë,

Për vitin 2017 projektbuxheti i Ministrisë së Zhvillimit Urban do të jetë rreth njëmbëdhjetë pikë gjashtë miliardë lekë, i ndarë në:

10.5 miliardë lekë investime dhe

1.1 miliardë lekë shpenzime operative

Kjo është vlera më e lartë e alokuar nën zërin investime për Ministrinë e Zhvillimit Urban, që prej krijimit të këtij institucioni në vitin 2013.

Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj se kjo rritje në buxhetin e Ministrisë për vitin 2017 vjen si rezultat i kalimit të grantit konkurrues për infrastrukturën vendore dhe rajonale me burim financimi programin e Infrastrukturës Vendore dhe Rajonale të Fondit për Zhvillimin e Rajoneve në vlerën 9.5 miliardë lekë.

Për vitin 2017, Ministria e Zhvillimit Urban ka planifikuar të realizojë produktet si më poshtë vijon:

Në fushën e planifikimit do të vijojmë të mbështesim pushtetin vendor, që të marrë rolin udhëheqës në proceset planifikuese dhe zhvillimit të tokës, duke mbrojtur zonat natyrore, historike dhe bujqësore.

  • Për vitin 2017 kemi planifikuar 129.8 mln lekë për hartimin e planeve të përgjithshme vendore në rreth 7 bashki të reja (potencialisht Përmet, Këlcyrë, Kolonjë, Pukë, Mirditë, Gramsh dhe Skrapar). Brenda vitit 2017, 43 bashki nga 61 do të kenë të hartuar dhe miratuar instrumentet e tyre vendorë, duke garantuar zhvillimin e qëndrueshëm urban, ekonomik, social, mjedisor, duke i hapur rrugën investimeve strategjike.  
  • Zbatimin e projekteve pilot në bashkitë Tiranë, Korçë, Belsh dhe Himarë, për rivitalizimin urban dhe rijetësimin e infrastrukturës (në bashkëpunim me Qendrën për Edukim Ekonomik dhe Biznesin - CEBE) në vlerën 10 milionë lekë.

Në fushën e strehimit për të garantuar kushte të përmirësuara jetese dhe ofrimin e një strehimi të përballueshëm për qytetarët kemi parashikuar 560 milionë lekë nga të cilat:

260 milionë lekë investime të ndara në dy kategori:

  1. 120 milionë lekë për projekte dedikuar rikonstruksionit të 180 banesave të komunitetit Rom dhe Egjiptian, sipas kërkesave të bashkive për strehimin e këtij komuniteti. Përfitues do të jenë rreth 740 qytetarë të komunitetit Rom dhe Egjiptianë.
  2. 140 milionë lekë për rehabilitimin e godinave ekzistuese, të dala jashtë funksionit fillestar, me qëllim strehimin e shtresave në nevojë, për 135 familje të pastreha.

250 milionë lekë nga shpenzimet korrente, për subvensionimin e interesave të kredive me përfitues 4300 familje, të cilat janë trajtuar me kredi me kosto të ulët, duke zvogëluar numrin e të pastrehëve në mbarë vendin.

14 milionë lekë Bonus Strehimi, për 210 familje, të cilat nuk kanë asnjë alternativë tjetër strehimi. Nëpërmjet instrumentit të Bonusit të Strehimit, buxheti i shtetit i siguron familjeve në nevojë, banesë, duke financuar qiranë në treg të lirë në masën 50 – 100% të vlerës.

5 milionë lekë Granti i Menjëhershëm, për 20 familje, i jepet për shlyerjen e kredisë së përftuar të banesës me kosto të ulët nga personat me aftësi të kufizuar dhe jetimët, në masën 5 – 10 % të vlerës së banesës.

Rreth 13 milionë lekë për pagesën e qirave të familjeve që preken nga zbatimi i disa projekteve, siç janë projekti i rrugës trans-ballkanike, në Vlorë dhe projekti i Unazës së Madhe, në Tiranë, shpenzime që me Vendim të Këshillit të Ministrave duhen përballuar nga fondet e strehimit të parashikuara në buxhetet e çdo viti për MZHU-në. Përfitues do të jenë 174 familje.

Në fushën e legalizimeve për vitin 2017, janë parashikuar  për ALUIZNI-n rreth 97.6 milionë lekë investime për intensifikimin e procesit për legalizimin  e rreth  40.000  objekteve të reja në zonat masive informale, përgjatë vitit 2017.  

Në kuadër të projekteve me financim të huaj, për vitin 2016 dhe 2017 janë parashikuar projektet si më poshtë vijon:

  •  “Projekti i banesave sociale me qira”, financuar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, që po zbatohet në Bashkinë Durrës, për të cilin në vitin 2016  janë buxhetuar 55 milionë lekë. Aktualisht, projekti për ndërtimin e 88 apartamenteve të fundit mbyllet në vitin 2017 dhe është i ndarë me dy seksione: seksioni me 44 apartamente që, ka mbaruar suvatimet e brendshme dhe seksioni tjetër me 44 apartamente ku ka mbaruar muratura dhe ka filluar me suvatimet e kateve të para. 
  • Projekti “Zhvillimi i integruar dhe i qëndrueshëm i zonës bregdetare”, financuar nga Qeveria Gjermane nëpërmjet GIZ, për të cilin janë realizuar rreth 50 milionë lekë për vitin 2016 e që vazhdon deri në vitin 2019.

Për vitin 2017 janë planifikuar 93 milionë lekë për përfundimin e fazës së parë dhe fillimin e fazës së dytë të këtij projekti.  Qëllimi i këtij projekti është krijimi i një qasjeje të re të integruar për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit bregdetar, jugor duke u mbështetur në potencialet që ofron ky rajon. Rezultati do të jetë hartimi i një plani të integruar veprimi për rritjen e potencialit turistik, evidentimin e modeleve të partneritetit publik-privat si dhe krijimin e një strategjie për planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit me fokus krijimin e modeleve të suksesshme të konservimit urban dhe zhvillimit të turizmit.

  • Projekti “Hartimi i master-planit në fushën e mbetjeve” KFW, financuar nga Qeveria Gjermane, për të cilin janë parashikuar 7 milionë lekë për vitin 2016.  Për vitin 2017 janë parashikuar 40 milionë lekë për përfundimin e këtij projekti. 
  • Projekti i financuar nga Banka Botërore “Zhvillimi i Integruar Urban dhe Turizmit”, zbatimi i të cilit fillon në vitin 2017, me një shtrirje pesë-vjeçare. Për këtë projekt Ministria e Zhvillimit Urban, si institucioni lider, ka planifikuar për vitin 2017 fondin prej 60 milionë lekë.

Në kuadër të zbatimit të politikave të zhvillimit rajonal, Qeveria Shqiptare ka përcaktuar rajonin bregdetar (Vlorë-Sarandë), si dhe zonën më në brendësi (Berat, Gjirokastër Përmet), si rajone prioritare që mbartin potenciale konkrete të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, me qëllim stimulimin e zhvillimit të sektorit të turizmit si lokomotivë e rritjes së ekonomisë në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar.

Objektivat kryesorë të këtij projekti janë: (i) përmirësimi i infrastrukturës urbane, (ii) përmirësimi i aseteve turistike dhe (iii) forcimi i kapaciteteve institucionale në zonat e përzgjedhura.

Brenda vitit të parë të marrjes së kredisë është parashikuar zbatimi i një sërë projektesh afatshkurtra si më poshtë vijon:

  1. Rehabilitimi i shkallareve në qendër të qytetit të Sarandës;
  2. Rehabilitimi i ndriçimit rrugor në qendrën historike të qytetit të Gjirokastrës;
  3. Rehabilitimi i rrugëve të aksesit automobilistik dhe këmbësor të kalasë së Beratit dhe pikës panoramike “Tabja” në kalanë e Beratit.
  4. Të tjera projekte, të cilat do të identifikohen dhe prioritizohen nga Qeveria Shqiptare.

Në fund të fjalës sime, do të doja të ndalesha shkurtimisht te mënyra se si do të disbursohet granti konkurrues për infrastrukturën vendore dhe rajonale në vlerën 9.5 miliardë lekë, i cili është kaluar nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve në buxhetin e Ministrisë që unë drejtoj.

Është fakt se, Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, që prej vitit 2014, ka funksionuar si një strukturë e riformatuar, qoftë për nga pikëpamja financiare, por dhe në kuadër të gamës së gjerë të projekteve që mbështet.

Për periudhën 2014 – 2016 janë investuar rreth 28 miliardë lekë për zbatimin e 328 projekteve të infrastrukturës vendore (nga të cilat 126 projekte të miratuara në vitin 2014 - të; 105 projekte të miratuara në vitin 2015 - të dhe 97 projekte të miratuara në tre thirrjet e vitit 2016 – të) nga veriu në jug, nga bashkitë e mëdha e deri tek ato më të voglat të harruara prej kohësh.

Një nga prioritetet kryesore, për Qeverinë Rama, ka qenë dhe mbetet zhvillimi social dhe ekonomik i balancuar në të gjithë territorin e vendit. Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane është një përkthim në terma real i këtij prioriteti që vjen si një risi në procesin e ndërhyrjes rehabilituese në territor, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ekonomive lokale, jetës sociale të komuniteteve dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

Në këto tre vite punë, intensive është dëgjuar edhe një retorikë negative nga ana e opozitës për investimet e kryera nga Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane.

Cilido nga ne që ka rastin të udhëtojë në Shqipëri, do të shikojë një ndryshim pozitiv që kanë pësuar të gjitha qendrat urbane në territorin e vendit, për shkak të projekteve të zbatuara në këto dy vite. Ndryshime këto që kanë qenë integrale dhe të harmonizuara pa i humbur identitetin qyteteve tona.

Duke qenë se, janë plot 80 projekte nga të cilat 6 të miratuara në vitin 2015 dhe 74 të miratuara në vitin 2016, që vijojnë zbatimin edhe përgjatë vitit 2017, me fondet e alokuara në 2017, ne do të vijojmë me likuidimin e detyrimeve kontraktuale për këto projekte.

Gjithashtu, nga  programi për infrastrukturën vendore dhe rajonale me fond financimi për vitin 2017 në vlerën 9.5 miliardë lekë, do të financohet edhe programi “Shqipëria Dixhitale”, i cili përbëhet nga granti konkurrues për inovacionin dhe teknologjinë e komunikimit.

 

I nderuar Kryetar i Komisionit,

Të nderuar anëtarë,

Projektbuxheti i vitit 2017 është buxheti që do të garantojë realizimin me sukses të të gjitha reformave të premtuara në programin tonë qeverisës 2013 – 2017, si dhe në finalizimin me sukses të të gjithë projekteve të nisura e që priten të përfundojnë në vitin që vjen.

Ju faleminderit,