Postuar më: 14 Korrik 2016

Fjala e Ministres Gjermeni në Kuvend, për projektligjin “Programet Sociale të Strehimit”.

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë,     

Sot, do të kërkoja votën e gjithësecilit prej jush për miratimin e ndryshimit në ligjin për Programet Sociale të Strehimit, i cili i jep të drejtën e pronësisë mbi shtëpinë dhe truallin 400 familjeve të shpërngulura në vitin 1994, për shkak të ndërtimit të Ujëmbledhësit të Bovillës.

Duke qenë se strehimi është një çështje me ndjeshmëri të lartë sociale dhe nisur nga problematikat që ne kemi hasur në ligjin aktual të strehimit, kemi nisur prej Marsit të këtij viti një proces të gjerë konsultimesh për rishikimin e tij.

Në fund të korrikut të këtij viti ne do të kemi të hartuar draftin e parë të ligjit të ri për Programet Sociale të Strehimit, i cili është produkt i një bashkëpunimi të frytshëm mes të gjithë palëve të përfshira nga ku do të veçoja të gjithë shoqatat që përfaqësojnë interesat e grupeve në nevojë, institucionet publike që adresojnë çështjet që lidhen me strehimin e këtyre kategorive, pushtetin vendor, Avokatin e Popullit, ekspertë të shoqërisë civile dhe donatorë.

Më duhet të theksoj, se falë ekspertizës ligjore dhe teknike të ofruar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, por dhe angazhimit të Ministrisë që unë drejtoj, garantojmë hartimin e një ligji të ri që i përgjigjet nevojave reale për strehim të kategorive në nevojë, falë një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. 

Por sot, po ndryshojmë vetëm një nen të këtij ligji.

Nisur nga moszgjidhja shumë vjeçare e çështjes së pronësisë mbi banesën dhe truallin për 400 familjet e shpërngulura, për shkak të ndërtimit të Ujësjellësit të Bovillës, nuk pritëm të përfundonim të gjithë procesin e rishikimit të ligjit në fjalë, por vendosëm që të sjellim për miratim në Kuvend ndryshimin e Nenit 39/1 të ligjit aktual për Programet Sociale të Strehimit që trajton pikërisht këto familje.

Pak histori se si për më shumë se 20 vjet kjo çështje nuk gjeti zgjidhje.

Në 2 mars të vitit 1994 qeveria e asokohe miratoi me Vendimin Nr. 85 të Këshillit të Ministrave, vënien në dispozicion të zonave ku do të shpërnguleshin familjet në fshatrat e Komunave Zall -Bastar dhe Cudhi, banesat dhe tokat e të cilëve u përmbytën për shkak të ndërtimit të Ujëmbledhësit të Bovillës. Në fakt, ky vendim nuk u zbatua asnjëherë, pasi zonat e caktuara si fond kompensimi për këto familje ishin tashmë të zëna nga ndërtimet pa leje.

Më 19 Qershor të vitit 1995, u miratua një tjetër Vendim i Këshillit të Ministrave, i cili parashikonte kompensimin dhe sistemimin e familjeve të shpërngulura nga ndërtimi i Ujëmbledhësit të Bovillës me banesë dhe truall me sipërfaqe 400 metër katrorë në fshatrat Zallmner, Bulcesh dhe Brurëz.

Lejomëni të sjell në vëmendjen tuaj, se kanë kaluar plot 22 vite dhe të 400 familjet e shpërngulura nuk janë ende pronare të ligjshme të strehës dhe truallit, të akorduar si fond kompensimi nga shteti.

Me të drejtë gjithësecili prej jush shtron pyetjen – Pse ende këto familje nuk janë pronarë të banesave të ndërtuara nga shteti dhe truallit të dhënë si kompensim?

Janë dy argumente, të cilat unë shkurtimisht dua t,i parashtroj para jush e që ezaurojnë përgjigjen e kësaj pyetje:

Së pari, organet e njësive të qeverisjes vendore, përgjegjëse për pajisjen e të 400 familjeve me dokumentacionin e pronësisë, nuk e kanë kryer detyrën e caktuar, për përfundimin e procedurave administrative të nevojshme, për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi banesën dhe truallin e dhënë si kompensim për këto familje.

Së dyti, fenomeni i ndërtimeve informale që pllakosi si gangrenë në këto 20 e kusur vite të gjithë territorin, ka penguar përfundimin e procedurave ligjore për kalimin në pronësi të pasurive të paluajtshme në favor të këtyre 400 familjeve.

Mbas evidentimeve në terren të kryera nga punonjësit e ALUIZNI-t rezulton se pjesa më e madhe e ndërtimeve ku banojnë këto 400 familje, për shkak të devijimit nga projekti i miratuar konsiderohen ndërtime informale.

Propozimi që ne sjellim sot për miratim parashikon, përfshirjen e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale, si institucioni i specializuar për ndjekjen e procedurave për legalizimin dhe kalimin e të drejtës së pronësisë për të gjitha familjet e shpërngulura nga ndërtimi i Ujëmbledhësit të Bovillës, pa shkaktuar as më të voglën kosto shtesë për buxhetin e shtetit, pasi e gjithë procedura do të ndiqet nga vetë punonjësit e ALUIZNI-t.

Lajmi i mirë për këto 400 familje është se mbas shumë vitesh sorollatje, në zyra dhe institucione publike, falë këtij ndryshimi ligjor do të jenë pronarë të ligjshëm të banesës dhe truallit të akorduar me letra në vitin 94, por që u deshën plot dy dekada për tu bërë realitet.

Doja të falënderoja për bashkëpunimin dhe mbështetjen të gjithë anëtarët e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese.

Të nderuar kolegë deputetë,

Në seancën e rradhës na pret një sfidë e përbashkët që tejkalon egon e gjithësecilit prej nesh, pasi vendimi që ne do të marrim paracakton drejtimin nga ku do të shkojë vendi.

Reforma në drejtësi është jetike për të ardhmen demokratike të Shqipërisë.

Paanshmëria dhe pavarësia në vendimmarrje nga sistemi i drejtësisë është gurëthemeli, që garanton barazinë para ligjit dhe rrit besueshmërinë e qytetarëve ndaj institucioneve ligj zbatuese.

Reforma në drejtësi nuk është vetëm një premtim i Partisë Socialiste në programin e saj qeverisës 2013 – 2017, por është përkthimi i kërkesës së të gjithë qytetarëve shqiptarë, për të parë te organet e drejtësisë zbatimin e të drejtës së munguar ndër vite.

Reforma në drejtësi është një premtim që duhet mbajtur ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilët duan një sistem drejtësie që jep drejtësi për një Shqipëri që aspiron integrimin në familjen Evropiane dhe i ofron shtetasve të saj barazi para ligjit.

Nisur nga sa më lart uroj shumë, që në seancën që vjen të fitojë zëri i qytetarëve dhe jo egoja e politikanëve, e drejta mbi të padrejtën, pavarësia e institucioneve nga kapja e tyre, demokracia dhe shteti ligjor mbi anarshinë dhe vendimet e njëanshme, që cenojnë parimet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Ju faleminderit!

Për fjalën e plotë në kuvend kliko këtu