Postuar më: 19 Korrik 2016

Fjala e ministres Gjermeni në takimin me drejtuesit e 26 bashkive dhe studiot, për hartimin e planeve vendore

Të nderuar kryebashkiakë,
Të nderuar përfaqësues të studiove vendase dhe të huaja, 
E vlerësova të nevojshme t’ju ftoja përsëri në një takim të tillë, përpara se procesi i hartimit të këtyre instrumenteve të finalizohet, për të theksuar nevojën e përmbylljes me sukses të këtij procesi kompleks dhe patjetër, për të biseduar së bashku për ndonjë problematikë që mund të keni hasur, me qëllim përmirësimin e tyre në kohën e mbetur. 
Objektivi final është që, ky proces të përmbyllet dhe të finalizohet brenda vitit 2016. Dhe lutem të keni parasysh se nuk bëhet fjalë thjesht për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore, por edhe diskutimin e tyre në publik dhe miratimin në Këshillat Bashkiakë e më pas, miratimin në Këshillin Kombëtar të Territorit. Pra, në fund të këtij viti do të themi që kemi 26 bashki pas ndarjes së re territoriale, me 26 plane vendore të hartuara dhe të miratuara. 
Jemi të ndërgjegjshëm që faza e parë e punës ishte e rëndësishme dhe jo shumë e lehtë nga të gjithë ju. Kam marrë letra dhe shqetësime edhe nga studio dhe ne jemi  munduar t’ju ndihmojmë sa i takon mbledhjes së informacionit. Kjo për faktin se fatkeqësisht në Shqipëri, jo gjithmonë kemi të dhënat statistikore të duhura apo informacione të sakta, të cilave mund t’u referohemi për PPV. 
E vlerësoj shumë angazhimin dhe përkushtimin e bashkive,  stafeve teknike dhe të studiove që janë mundur fort edhe me asistencën tone, që të marrin informacion nga të gjitha institucionet dhe ta përmbyllin fazën e parë me sukses.
Tani jemi në momentin që në pjesën më të madhe të bashkive ku po hartohen planet vendore, po hartohen njëkohësisht edhe projektet strategjike për zhvillimin e këtyre planeve.
Për ne, ky është një moment kyç dhe duke mirëkuptuar faktin që hartimi i PPV u bë në një kohë relativisht të shkurtër, si dhe duke besuar fort se të gjitha dokumentet që ju keni draftuar duhet të diskutohen në publik me grupet e interesit, për të qenë pjesë e debateve, kemi vendosur shtyrjen prej 6 javësh të afatit për të dërguar për miratim këto draft – plane. Ky është maksimumi i mundshëm që ne mund t’ju ofrojmë, për hir të interesit publik dhe kjo për faktin se thjesht është detyrim ligjor, por sepse ne vërtet besojmë se procesi për hartimin dhe miratimin e këtyre planeve duhet të jetë gjithëpërfshirës, transparent dhe të paraqesë nevojat dhe interesat e qytetarëve. 
Sigurisht, përgjegjësia për hartimin e PPV është e bashkive. Marrëveshja që kemi lidhur në janar të këtij viti është 3 - palëshe: jemi ne si Ministri, bashkitë dhe studiot, ndaj them se me këtë shtyrje afati, kemi plotësuar deri- diku nevojat bazuar në ngarkesën tuaj. Nuk kemi kohë për të humbur dhe duam që planet vendore të jenë produkte transparente dhe gjithëpërfshirëse, e t’u shërbejnë nevojave të qytetarëve.
Para pak javësh kemi miratuar në KKT tre plane kombëtare: Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit; Planin e Integruar Ndërsektorial të Bregdetit dhe Planin e Integruar Ndërsektorial të zonës ekonomike Tiranë – Durrës. Këto janë tre dokumente, të cilave duhet t’u referohemi në punën për planet vendore. Ato kanë fuqi ligjore, rregulla dhe orientime, standarde që do të shërbejnë si referenca mbi  të cilat zhvillohen edhe PPV.
Ministria e Zhvillimit Urban monitoron dhe koordinon procesin që planet vendore të jenë në konformitet të plotë dhe plotësuese të njëra – tjetrës, për të patur një përqasje të re, për sa i përket zhvillimit të kontrolluar të territorit, si një bazë e mirë për zhvillimin ekonomik – social të vendit. 
Sa i takon planeve vendore, hallka që mbetet për t’u plotësuar tani në pjesën më të madhe të bashkive është diskutimi dhe miratimi në këshillat bashkiakë. 
Pavarësisht situatës aktuale politike, me gjithçka po ndodh këto ditë me reformën në drejtësi , unë lutem që të mos e reflektoni këtë situatë në punën për përfundimin e planeve vendore. Ato janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e komuniteteve që ju përfaqësoni, janë baza për një zhvillim të  mirëmenaxhuar. Anëtarët e  këshillave bashkiakë duhet t’i bëni pjesë të procesit, të diskutimeve, që në momentin që planet vendore të prezantohen në këta këshilla, të keni mbështetjen dhe votën e tyre. 
Ky është një moment kritik, në varësi të hartimit të planeve, prezantimit dhe diskutimit në publik dhe më pas miratimit në Këshillin Bashkiak të secilës bashki. Rëndësi ka që ky process, të ketë legjitimitet dhe të jetë i mirëpranuar edhe nga komuniteti edhe nga ne në KKT. 
E gjithë përvoja juaj do t’i vlejë edhe bashkive që e kanë filluar më vonë këtë process, do të na shërbejë edhe ne si MZHU apo AKPT, për punën në vazhdim për bashkitë që duam t’i mbështesim në hartimin e planeve, vitin e ardhshëm. Për ne është me rëndësi, që ky procesi i nisur vitin e kaluar ka rezultuar me një punë të përbashkët të suksesshme. 

Faleminderit!