Postuar më: 23 Janar 2017

Takimi me drejtoritë e ALUIZNI – Vlorë 20 janar 2017

Përshëndetje,

Së pari dua t’ju uroj të gjithëve një vit të mbarë dhe të suksesshëm pune.

2016 ka qenë një vit që ka kërkuar angazhimin e gjithësejcilit për të realizuar evidentimin faktik në terren për mbi shtatëdhjetë mijë objekte dhe mbylljen e praktikave të legalizimit për pesëdhjetë e një mijë e treqind e pesëdhjetë e një (51,351) ndërtime pa leje.

Ne e nisëm këtë vit të ri pune me realizimin e një prej angazhimeve tona më madhore në Programin tonë qeverisës 2013 – 2017 atë të legalizimit në zonat masive informale.

Në dy vite e gjysëm ne ju mundësuam mbi 100 mijë familjeve në mbarë vendin të quhen pronarë të ligjshëm të banesave të tyre.

Shifra rekord e legalizimit të afro 90 mijë objekteve në vetëm 30 muaj është sukses i punës dhe përkushtimit tuaj dhe stafeve që ju drejtoni.

Për drejtoritë rajonale

Sipas komunikemeve dhe raportimeve të vazhdueshme nga Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI rezulton se performancën më të mirë përgjatë vitit 2016 e kanë drejtoritë rajonale të:

Fierit me përfundimin e procesit të legalizimeve për mbi gjashtë mijë objekte,

Durrësit me përfundimin e procesit të legalizimeve për mbi dymbëdhjetë mijë objekte,

Tiranës me përfundimin e procesit të legalizimeve për mbi gjashtëmbëdhjetë mijë objekte dhe

Elbasanit me përfundimin e procesit të legalizimeve për mbi katër mijë objekte.

Dua të falënderoj punën e kryer nga stafet që operojnë në të katër këto qarqe ku sigurisht ka dhe një fluks më të madh të këkesave të qytetarëve për legalizim, kjo dhe si pasojë e numrit të madh të ndërtimeve pa leje përqëndruar në këto zona.

Këto rezultate pozitive që ju keni arritur gjatë vitit 2016 duhet të jenë një stimul edhe më i madh për drejtuesit dhe stafet që punojnë në këto drejtori, që këtë performancë të mirë ta vijojnë edhe në këtë vit të ri pune.

Ndërkohë që në ato drejtori ku performanca nuk ka qenë ajo e duhura i kërkojë drejtuesve të këtyre drejtorive të mobilizojnë stafet e tyre për të rritur performancën dhe të tregojnë përgjegjshmëri në punën e tyre të përditshme.

Të jesh sot një punonjës shteti do të thotë se ke marrë mbi supe një detyrë sublime në shërbim të qytetarëve.

E kam thënë dhe do ta ripërsëris mesazhin e dhënë gjatë takimeve të mëparshme që kemi pasur se papërgjegjshmëria në punë dhe arroganca nuk do të tolerohen.

Ju e dini më mirë se unë, pasi përballeni çdo ditë me hallet dhe problemet e qytetarëve që jo për faj të tyre, por për shkak të mungesës së instrumentave ligjorë për të evituar kaosin urban dhe ndërtimet pa leje që edhe sot edhe pse kanë shpenzuar të gjithë kursimet e tyre për një banesë nuk janë pronarë të ligjshëm të saj.

Ndaj Ju kërkojë që të trajtoni me përparësi dhe brenda rregullave çdo kërkesë të qytetarëve dhe të mos vononi mbylljen e procedurave të legalizimit apo ankesave/kërkesave të tyre.

Për zbatimin e VKM së datës 11 janar

Para vetëm 10 ditëve ne miratuam në Këshillin e Ministrave Vendimin Nr. 19 “Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me leje ndërtimi në të cilat janë kryer shtesa anësor dhe/ose në lartësi ose ndryshime të funksionit të hapësirave dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje, të destinuara për kalimin e të drejtës së pronësisë apo qiradhënies”.

Besoj se ju të gjithë tashmë jeni njohur me këtë vendim dhe mbi rëndësinë që ka zbatimi i këtij vendimi me efiçencë dhe në mënyrë të përshpejtuar.

Janë 30 mijë familje në mbarë vendin nga të cilat 18 mijë vetëm në bashkinë Tiranë që janë penalizuar për vite të tëra nga veprimet e papërgjeshme të ndërtuesve apo investitorëve që kanë ndërtuar pa leje, nga e drejta për të hipotekuar banesën e blerë në mirëbesim.

Është një detyrim ligjor dhe moral i yni që mos të vonojmë dhe sjellim vërdallë asnjë nga këta qytetarë që përfitojnë nga ky Vendim të drejtën e legalizimit dhe më pas hipotekimit të banesës së tyre.

Do të kërkoja nga sejcili prej jush që t’i kaloni edhe stafeve që ju drejtoni mesazhin për zbatimin e këtij Vendimi si institucioni përgjegjës për mbylljen e procedurave të legalizimit për këto 30 mijë familje brenda afateve ligjore dhe pa i sorrollatur qytetarët.

Mbyllja në muajt në vijim e procesit të legalizimeve në zonat Informale të miratuara

Legalizimi ishte dhe një ndër angazhimet madhore të qeverisë Rama. Në 2013 u angazhuam se do të ndërmerrnim reforma në shërbim të mirëqënies së qytetarëve dhe ashtu vepruan edhe me legalizimet. Që në vitin tonë të parë me reformën ligjore që ndërmorëm mbajtëm premtimin tonë për legalizim falas dhe kthimin e këtij procesi nga një model dështimi në një model që ju vjen në ndihmë qytetarëve me transparencë dhe efikasitet.

Modeli që ne ndërtuam, prej fillimit të mandatit tonë qeverisës ishte një model i bazuar në punë dhe punë e bërë me përkushtim. Ndaj dhe legalizuam pesë herë më shumë objekte në dy vite e gjysëm se çfarë u legalizuan në tetë vitet e qeverisjes së demokratëve.

Por kjo shifër nuk duhet aspak të na kënaqë. Numri i aplikimeve për legalizim në të gjithë vendin nuk janë as 100 mijë dhe as 200 mijë, por plot treqind e katërmbërdhjetë mijë e tetëqind aplikime, për të cilat ne do duhet të punojmë fort që këtë ritëm pozitiv ta mbajmë edhe përgjatë këtij viti.

Angazhimi dhe objektivi ynë për vitin 2017 është mbyllja e procesit të legalizimit në të gjithë zonat informale që në rang vendi janë identifikuar dhe miratuar me Vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit 277 zona informale.

Janë rreth 300 mijë familje që jetojnë në këto zona ku numri i ndërtimeve të identinfikuara është rreth 200 mijë ndaj dhe kërkesa ime për këtë vit do të jetë përfundimi i procesit të legalizimit në këto zona.

E kuptoj që është një angazhim i madh, por dhe jam e bindur se nëse punohet me përkushtim dhe përgjegjësi çdo gjë mund të arrihet.

Ju faleminderit,