Postuar më: 25 Maj 2017

Botimi i parë për projektueset shqiptare, Gjermeni: “Modeli që nuk do humbë kurrë”.

Ministria e Zhvillimit Urban në bashkëpunim me Arkivin Qëndror Teknik të Ndërtimit prezantuan katalogun “Të projektosh për të jetuar” – projektueset 1945 – 1990, promovim i punës së 122  grave dhe vajzave në fushën e arkitekturës dhe ndërtimit.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni në ceremoninë e prezantimit tha se në morinë e shumë projekteve dhe preventivave që ndodhen të depozituara në Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit u bë një përzgjedhje sa më identifikuese të punës së bërë ndër vite.

“Realizimi i një botim dedikuar promovimit të punës së grave dhe vajzave në fushën e arkitekturës dhe ndërtimit ka qenë një nga synimet e mia që prej fillimit të punës si Ministre e Zhvillimit Urban.  Mbi të gjitha si një vlerësim për punën e kryer me aq përkushtim dhe cilësi në ato vite të vështira për gruan dhe vajzën shqiptare.

Them vite të vështira, duke menduar ngarkesën që kishte një grua apo një vajzë në ato vite, ku përveç punës në zyrë me vizore e laps dhe jo me kompjutera e programe si sot, do të duhej të ishte dhe një shtëpiake model me mungesa të paisjeve shtëpiake që ne sot i marrim për të mirëqëna. Është një punë voluminoze që mbetet bazë e mirë për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit”, -tha Ministrja Gjermeni në fjalën e saj.

Katalogu “Të projektosh për të jetuar” – projektueset 1945 – 1990 plotëson kolanën e botimeve të realizuara nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit. Nismës së ndërmarrë për herë të parë në vitin 2015 me botimin “Spitalet – vështrim tipologjik mbi arkitekturën shqiptare 1945 – 1990”, për të vijuar në vitin 2016 me botimin për “Ujësjellësa – Kanalizime, vështrim historik i projektimit të ujësjellësa – kanalizime në Shqipëri 1929 – 1990” dhe “Stacionet – vështrim tipologjik mbi arkitekturën shqiptare 1945 – 1990” i shtohet dhe ky katalog.