Postuar më: 10 Maj 2017

Çelet Kruja infopoint, së shpejti nis dixhitalizimi i informacionit turistik.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni inspektoi zyrën e informacionit turistik në qytetin e Krujës.

Kruja Infopoint është zyra e çelur vetëm pak ditë më parë, në shërbim të turistëve mes informacionit, guidës dhe promovimit të turizmit Kulturor, natyror dhe outdoor ose sportiv.

E ndërtuar në formën e partneritetit privat publik, mes Bashkisë Krujë dhe Kruja infopoint me mbështetjen e AADF, kjo zyrë është një nismë që merret për herë të parë për qytetin e Krujës.

“Kjo zyrë informacioni do të shërbejë për zhvillimin e trekendëshit turistik:  Bubq -  Krujë -  Qafshtame, si një kombinim mes agroturizmit, vlerave natyrore dhe atyre kulturore e historike. Kam kënaqësinë të informoj, se së shpejti do të nisë dixhitalizimi i shërbimit turistik me Info kioska, faqje web dhe aplikacion. Turizmi ka qenë dhe mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm për vendin dhe sigurisht për qytetin e Krujës mbetet një sektor prioritar për zhvillimin e qytetit dhe të gjithë bashkisë Krujë.

Por sigurisht që turizmi të zhvillohet ka nevojë për infrastrukturën, bujqësinë, produktet artizanale, sigurinë ushqimore, kulinarinë, stimulimin e biznesit nëpërmjet reduktimit të barrës fiskale, restaurimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe monumenteve të kulturës.

Investimet e kryera në këtë mandat të parë në qytetin e Krujës në rreth 6 miliard lekë janë dëshmi e punës dhe vizionit të kësaj qeverie për zhvillimin e turizmit, duke investuar në infrastrukturë rrugore siç është Rruga e Malit apo rruga e Kalasë, ndërhyrjet e kujdesshme në zonën e pazarit pa cënuar origjinalitetin, apo edhe grantet e dhëna për fuqizimin e artizanatit në mënyrë që tradita e prodhimeve artizanale dhe mbi të gjitha autoktone të Krujës të marrë vlerën e duhur”, tha Ministrja Gjermeni gjatë inspektimit.

Në Krujë numërohen 31 monumente kulture dhe natyrore si edhe një park kombëtar. Vetëm gjatë vitit 2016 ky qytet u vizitua nga afro 300 mijë turistë vendas dhe të huaj, numri më i madh i viteve të fundit.

Ndërkohë,  vetëm gjatë këtij viti, Kruja është përfaqësuar në disa panaire vendase dhe ndërkombëtare për promovimin e vlerave turisitike si ai në Shtutgart, Mediterranean Fair në Expo City apo panairi i agroturizmit në Prezë.