Postuar më: 08 Prill 2017

Dita ndërkombëtare e komunitetit rom, Gjermeni: Ndihmuam 469 familje në mbarë vendin.

Në Ditën Ndërkombëtare të Komunitetit Rom (8 Prill), Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni gjatë një vizite në familjet rome në Zhamëz (Njësia administrative, Dushk) në Lushnje bëri me dije, risitë që ligji i ri i strehimit social që pritet të miratohet së shpejti sjell për këtë kategori. Gjatë bashkëbisedimit me banorët, përfitues të programit për rikonstruksionin e banesave të komunitetit rom dhe egjiptian, Ministrja Gjermeni tha se në ligjin e ri, programi i banesave ekzistuese ose i përmirësimit të kushteve deri në ndërtim të ri parashikon ndihmën që u jepet me grante konkurruese, njësive të vetëqeverisjes vendore nga buxheti i shtetit, për këtë qëllim. Banesat që trajtohen nga programi i përmirësimit të kushteve ose i përmirësimit të kushteve deri në ndërtim të ri janë banesat e amortizuara që kanë nevojë për ndërhyrje dhe përmirësime të domosdoshme, banesat në rrezik shembje, ku mungojnë shërbimet bazë siç mund të jenë vendbanime ose banesa individuale të komunitetit rom dhe komunitetit egjiptian.

“Më vjen mirë që të pohoj se, që prej vitit 2014 janë investuar 247 milionë lekë për rikonstruksionin e plotë të 469 banesave të komunitetit Rom dhe Egjyptian, në 15 bashki të vendit. Falë zbatimit të këtyre projekteve janë 1 876 qytetarë të këtij komuniteti që jetojnë në kushte të përmirësuara jetese dhe mbi 1 mijë  qytetarë që jetojnë në kushte më të mira higjeno sanitare falë ndërhyrjeve në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza”, tha Ministrja në fjalën e saj.

Në bashkinë Lushnje në vitet 2014 – 2016, 58 familje të komunitetit rom kanë përfituar nga programi i posaçëm dedikuar këtij komuniteti. Këtyre familjeve i shtohen edhe 27 familje të tjera, në lagjen “Loni Dhamo” dhe “Gafurr Muço”, rikonstruksioni i banesave të të cilave do të nisë brenda pak javësh, me një fond prej afro 15 milion lekësh. Ministrja Gjermeni e shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Lushnjes, Fatos Fushe inspektoi disa prej banesave në lagjen “Loni Dhamo” ku shumë familje jetojnë në kushte të vështira e në mungesë të plotë të kushteve higjieniko – sanitare.