Postuar më: 20 Prill 2017

Fjala e Ministres Gjermeni në Seancën Plenare për miratimin e projektligjit “Bashkëpunim ndërmjet Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban”.

I nderuar drejtues i seancës,

Të nderuar deputetë,

Ministria e Zhvillimit Urban paraqet sot, për miratim, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin teknik, ndërmjet Këshillit  të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, për programin e zhvillimit rajonal për Shqipërinë”.

Lejomëni të sjell në vëmendjen tuaj se, ky projektligj është në thelb një platformë pune me impakt të drejtpërdrejtë dhe të matshëm në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe teknike, përmirësimit të kuadrit ligjor për zhvillimin rajonal dhe mbi të gjitha realizimit të projekteve konkrete ndërvendore, në kuadër të zbatimit të “Programit të Zhvillimit Rajonal për Shqipërinë”, faza e tretë. Ky program bashkëfinancohet nga Qeveria Zvicerane dhe ajo Austriake me grantin në vlerë 3.2 milionë euro.   

Marrëveshja që ne sjellim sot, për miratim, nënshkruar në Zvicër më 29 mars të këtij viti, ofron dhe krijon një mundësi më shumë për zhvillimin social dhe ekonomik të qëndrueshëm të zonave ku do të jetësohen projektet konkrete, si dhe në forcimin e kapaciteteve teknike dhe institucionale të katër Agjencive të Zhvillimit të Rajoneve.

Ky program është bashkërenduar me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim të Shqipërisë 2015-2020, e cila përcakton objektivat strategjikë dhe zhvillimin rajonal, si dhe është në linjë me projektligjin e zhvillimit të rajoneve dhe me strategjinë e decentralizmit në vend.

Biem të gjithë dakord se, reforma administrative-territoriale ka krijuar struktura vendore më efikase, duke shmangur fragmentarizimin e fondeve apo investimeve publike, rritur shfrytëzimin e potencialeve ekonomike për territore tashmë më të mëdha, si dhe në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.

Gjithashtu, ka ofruar një mekanizëm dinamik për fuqizimin e hapësirave ekonomike, sociale dhe kulturore përmes  bashkëpunimit ndërmjet njësive administrative kufitare, por edhe në kuadër të rritjes së konkurueshmërisë ndërmjet tyre.

Në fillim të vitit të shkuar, Qeveria ndërmori nismën për krijimin e katër agjencive të zhvillimit të rajoneve.  Të katër këto institucione kanë si objektiv të punës së tyre inkurajimin e zhvillimit të modeleve të qëndrueshme të bashkëpunimit dhe partneritetit, reduktimin e diferencave social-ekonomike midis rajoneve, si dhe promovimin e ekonomive lokale, rajonale e ndër-rajonale nëpërmjet zbatimit të projekteve konkrete. Në harkun kohor të këtyre  dymbëdhjetë muajve, këto agjenci kanë përfituar nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, katër projekte.

Kjo politikë e përbashkët investimesh do të kontribuojë në krijimin e një mjedisi të shëndetshëm social, ekonomik dhe mjedisor, si dhe në ruajtjen dhe promovimin e potencialeve natyrore dhe kulturore për të gjitha rajonet.

Sigurisht që, kjo qasje e re do të kërkojë kohë dhe përkushtim për të formësuar, së pari, kulturën e bashkëpunimit dhe punës në ekip ndërmjet qeverisë qendrore dhe asaj vendore apo edhe njësive vendore me njëra – tjetrën.

Dhe do të jetë pikërisht ky vizion që do të jetësohet falë zbatimit të Programit të Zhvillimit Rajonal për Shqipërinë, ndërhyrjet e të cilit përqëndrohen në:

  • Kuadrin ligjor dhe hartimin apo përmirësimin e politikave kombëtare për zhvillimin rajonal;
  • Rritjen e Kapaciteteve teknike dhe institucionale të katër agjencive të zhvillimit rajonal, Ministrisë së Zhvillimit Urban si institucion lider për zbatimin e kësaj marrëveshje, por dhe si institucioni përgjegjës për hartimin e instrumenteve dhe dokumenteve kombëtare të planifikimit; si dhe
  • Në ofrimin e granteve për zbatimin e projekteve konkrete ndërvendore për zhvillimin rajonal. 

Është vullneti i kësaj Qeverie dhe programit ambicioz të Partisë Socialiste, për ta parë zhvillimin e territorit, rritjen ekonomike dhe kohezionin social të vendit, si një të tërë dhe aspak si një zhvillim të copëtuar ndërmjet bashkive apo rajoneve.  Prej tre vitesh, ne jemi duke zbatuar Programin Kombëtar për Rilindjen Urbane, që në thelb është Programi që i jep shpresë dhe mirëqënie çdo qytetari, pavarësisht se në cilën bashki banon, programi që nisi zbatimin nga qendrat e qyteteve, pikërisht atje nga i ka rrënjët qytetërimi.Janë 400 projekte të Rilindjes Urbane, të zbatuara në këto tre vite në të 61 bashkitë e vendit, që kanë krijuar një model të ri të bashkëveprimit ndërmjet pushtetit vendor dhe qendror për tërheqjen e fondeve. Por jo vetëm kaq! Falë projekteve të zbatuara që nisin nga rehabilitimi i qendrave të qyteteve, rehabilitimi i shesheve, parqeve, infrastrukturës urbane, e duke u shtrirë më pas edhe në lagjet apo zonat e banuara, ne i kemi dhënë qytetarëve mundësinë për të jetuar në habitate më mikëpritëse, i kemi rikthyer atyre hapësirat publike dhe i kemi ofruar një mundësi më shumë sipërmarrjeve që operojnë në të 61 bashkitë për të rritur të ardhurat dhe fuqizuar biznesin.

Të nderuar deputetë,

Zbatimi i Programit për Zhvillimin Rajonal për Shqipërinë do të jetë një mundësi më shumë në nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet bashkive dhe një instrument tjetër financiar për zbatimin e projekteve konkrete, duke i kthyer bashkitë nga entite administrative rixhide, në motorrë që gjenerojnë më shumë mundësi punësimi, rritje ekonomike të sipërmarrjeve ekzistuese dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social.

Dua të falënderoj Qeverinë Zvicerane, e cila krahas këtij Programi është gjithashtu duke na ofruar mbështetje teknike dhe financiare në procesin e hartimit të planeve vendore në 5 bashki: Malësi e Madhe, Tropojë, Vau i Dejës, Mat dhe Klos.

Dhe në mbyllje të fjalës sime, dëshiroj të falënderoj për bashkëpunimin, në mënyrë të veçantë Kryetaren dhe të gjithë anëtarët e Komisionit për Politikën e Jashtme, Kryetaren dhe të gjithë anëtarët e Komisionit të Ligjeve si dhe Kryetarin dhe të gjithë anëtarët e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit.

Prandaj, ju ftoj ta votoni bashkarisht!

Ndërkohë në fund të fjalës time doja të ndalesha edhe në një tjetër projektligj që ne miratojmë sot për Miratimin e Marrëveshjes me shkëmbim notash mbi bashkëpunimin teknik midis Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, për zbatimin e Projektit “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Integruar i Rajonit Bregdetar”, në formë granti me vlerë 1 (një) milion euro.

Qëllimi i projektit është krijimi i një qasjeje të re të integruar për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës bregdetare, duke mbështetur rajonin dhe bregdetin jugor të Shqipërisë. Nëpërmjet këtij projekti synohet të identifikohen prioritetet për zhvillimin ekonomik të zonës bregdetare, sidomos pjesës rurale, duke marrë në konsideratë objektivat e zhvillimit urban dhe rural të këtij rajoni, bashkë me objektivat për zhvillimin e turizmit, si dhe menaxhimit të qëndrueshëm të biodiversitetit.

Ky projekt, si partnerë kryesorë nga pala shqiptare ka Ministrinë e Zhvillimit Urban, i cili është institucioni drejtues, si dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Agjencinë Kombëtare të Turizmit. Përfitues të këtij projekti janë bashkitë e Qarkut të Vlorës si dhe Agjencia e Zhvillimit Rajonal 3.

 

Dëshiroj t’ju informoj se, Qeveria Federale e Gjermanisë, nëpërmjet bashkëpunimit teknik shqiptaro-gjerman (GIZ) dhe projektit në fjalë për periudhën 2015-2017, na ka ndihmuar, duke ofruar asistencë teknike dhe financiare në kuadër të procesit të planifikimit në nivel kombëtar, kryesisht lidhur me procesin e punës për Planin e Përgjithshëm Kombëtar dhe Planin e Integruar Ndërsektorial për Bregdetin, dy instrumente shumë të rëndësishëm në nivel kombëtar, të cilët tashmë janë në fuqi, pas miratimit në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Këshillin e Ministrave.

Nëpërmjet këtij projekti, është mundësuar ofrimi i ekspertizës së huaj që ka asistuar punën e stafit të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, për të hartuar, sipas standarteve europiane, këto dy dokumente, të cilat shërbejnë si platforma udhërrëfyese për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe turistik të rajonit dhe bregdetit jugor

Ju faleminderit!