Postuar më: 10 Korrik 2017

MZHU sjell shërbimin online për licencat në ndërtim e projektim.

Ministria e Zhvillimit Urban, përmes portalit e-Albania.al sjell një tjetër shërbim online, këtë herë për të gjithë aplikuesit për licenca profesionale të individëve dhe personave juridikë, që ushtrojnë veprimtari në fushën e Studimit e të Projektimit në Ndërtim dhe Mbikëqyrjes e Kolaudimit të Punimeve të zbatimit në ndërtim.

Që prej 10 Korrikut 2017, të gjithë të interesuarit për këto linceca aplikimin do ta kryejnë vetëm online, bazuar në nenin 43, të VKM nr. 943, datë 28.12.2016, “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.759, datë 12.11.2014, të Këshillit të Ministrave,” për licencimin profesional të individëve dhe personave juridikë që ushtrojnë veprimtari në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe mbikëqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim”. 

 

Ky sistem është i dytë për e-shërbimet on-line, pas atij të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, i mundësuar nga Ministria e Zhvillimit Urban.

Sistemi do të përmirësojë shërbimet ndaj qytetarëve, do të lehtësojë dhe do përshpejtojë procedurat, duke rritur më tej transparencën e sistemit midis MZHU-së dhe institucioneve të tjera publike apo edhe më gjerë.

Mes të tjerash,  sistemi  do të shfrytëzojë të gjithë bazën e të dhënave të informacionit dhe do të minimizojë  sa më shumë të jetë e mundur ndërhyrjen njerëzore në proces, përgjatë performancës së kontrollit aritmetik dhe logjik.

Këto procedura janë realizuar në përputhje me dispozitat e vendimit nr. 945, datë 02.11.2012, “Për miratimin e rregullores ‘Administrimi i sistemit të Bazave të të Dhënave Shtetërore”’, në lidhje me disponueshmërinë, integritetin dhe konfidencalitetin e sistemit.

Për të shkarkuar manualin klikoni këtu