Postuar më: 17 Maj 2017

Nis projekti për zonat më pak të zhvilluara të Shqipërisë.

Pas reformës territoriale dhe administrative ka ende nevojë për të forcuar institucionet e nivelit rajonal. Kjo do të thotë zhvillim i ekonomisë dhe shërbimeve në zonat periferike – jo vetëm në Tiranë. Ndaj, në funksion të nxitjes së zhvillimit rajonal dhe përmirësimit të kushteve social - ekonomike në zonat më pak të zhvilluara të Shqipërisë, sot mori udhë një projekt i ri.

Lancimi i Programit të  Zhvillimit Rajonal për Shqipërinë (faza e tretë) u bë në një ceremoni të posaçme ku morën pjesë: Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Christoph Graf dhe ambasadori i Austrisë, Johan Sattler.

Ministrja Gjermeni në fjalën përshëndetëse theksoi se programi është një platformë pune me impakt të drejtpërdrejtë dhe të matshëm në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe teknike, përmirësimit të kuadrit ligjor për zhvillimin rajonal, dhe mbi të gjitha realizimit të projekteve konkrete ndërvendore.

Nismat e konkretizuara tashmë në produkte konkrete në fushën e planifikimit kombëtar dhe vendor, apo edhe të 400 projektet e financuara dhe zbatuara nga qeveria Shqiptare, në kuadër të Programit Kombëtar Rilindja Urbane në të 61 bashkitë e vendit, kanë lehtësuar dhe forcuar bashkëpunimin dhe konkurrencën ndërvendore.  Në harkun kohor të këtyre tetëmbëdhjetë muajve, Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Fondit për Zhvillimin e Rajoneve, ka miratuar mbështetjen financiare të 3 projekteve të zbatimit  të hartuara nga agjencitë e zhvillimit rajonal. Të tilla janë: sistemimi me interes turistik dhe kulturor si: shtigjet,  udhët dhe itineraret turistike, ndërmjet bashkive Tiranë dhe Klos në zonën Pëllumbas - Shën Gjergj - Mali me gropa - Bizë - Gur i Bardhë - Lugina e Vashës me vlerë tetëmbëdhjetë milionë lekë; përmirësimi i transportit dhe infrastrukturës ndërlidhëse Qafështamë - Burrel, me qëllim promovimin e atraksioneve turistike të Parkut Kombëtar të Qafështamës, me vlerë financimi njëqind e tridhjetë e tre milionë lekë si dhe rigjallërimi i vlerave historike, kulturore e turistike të Zonës së Zhvillimit Rajonal 3, Korçë – Elbasan me vlerë financimi njëqind e dyzet e tetë milionë lekë. Ndërkohë që në thirrjen e II – të për vitin 2017 të Fondit për Zhvillimin e Rajoneve të katër agjencitë rajonale kanë përfituar fonde për hartimin e 22 projekteve të reja, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës urbane,  ndërhyrjeve rigjeneruese në zonat me potenciale natyrore, kulturore dhe historike në funksion të  zhvillimit social-ekonomik të zonës dhe veçanërisht sektorit të turizmit”, deklaroi ndër të tjera Ministrja Gjermeni.

Ambasadori zviceran, Christoph Graf theksoi se shpesh fokusi i zhvillimit dhe investimeve shkon drejt qendrave të mëdha urbane si Tirana dhe Durrësi ndërsa lihen mënjanë zona të tjera.

 “Ja pse reforma e zhvillimit rajonal ka shumë rëndësi: ajo synon të promovojë një zhvillim më të balancuar social-ekonomik të vendit dhe të nxisë zhvillimin e rajoneve të forta. Përmes zhvillimit rajonal do të kemi më pak pabarazi midis rajoneve të ndryshme të vendit”, tha Ambasadori Graf.

Ai gjithashtu nxiti qeverinë e Shqipërisë që të miratojë ligjin mbi zhvillimin rajonal i cili është në përgatitje e sipër.

Ndërsa sipas Ambasadorit Austriak, Johan Sattler është koha e duhur që të punohet drejt zhvillimit të barabartë të zonave të ndryshme të Shqipërisë.

   

Projekti i ri për zhvillim rajonal bashkë-financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe do të zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban. Fondi për një periudhë tre-vjeçare do të jetë 3’445’000 franga zvicerane  (3.2 mln euro) dhe një pjesë e saj do të shkojë për fonde grantesh.

 

Synimi është lehtësimi i pabarazive ndërmjet rajoneve të ndryshme dhe sigurimi i financimeve dhe investimeve për të arritur zonat më të neglizhuara. Një element i fortë i projektit do të jetë aftësimi i qeverisë për të rregulluar zhvillimin rajonal përmes ligjeve e vendimeve, dhe për të forcuar institucionet rajonale me synim identifikimin dhe thithjen e fondeve.

Projekti gjithashtu do të promovojë konsultimin dhe koordinimin midis të gjithë institucioneve që merren me zhvillimin rajonal përfshirë ministritë, bashkitë dhe agjencitë e zhvillimit rajonal.

Qeveria shqiptare tani është e përgatitur për një reformë në zhvillimin rajonal dhe ka ngritur katër zona për menaxhimin rajonal si dhe gjashtë agjenci të zhvillimit rajonal.