Postuar më: 13 Maj 2017

Qafshtama, Gjermeni: Rrugë e re drejt parkut kombëtar

Së shpejti do të nisë puna për përmirësimin e transportit dhe infrastrukturës  ndërlidhëse: Qaf Shtamë (Bashkia Krujë) - Burrel (Bashkia Mat), pjesë e Parkut Kombëtar i Qafshtamës.Kjo rrugë e ndërtuar që në vitet 1930 si pjesë e aksit  Tiranë - Krujë - Burrel-Lis-Peshkopi është në gjendje tërësisht të amortizuar. Projekti i hartuar nga Agjencia e Zhvillimit të Rajoneve 2,  me një vlerë investimi prej 130 milionë lekësh parashikon rindërtimin e rrugës ekzistuese, duke e  zgjeruar  dhe me standarte , krahasuar me gjendjen ekzistuese si dhe evidentimin, restaurimin e pjesës së mbetur nga rruga e vjetër, dukei rikthyer vlerat historike monumentale.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina  Gjermeni gjatë vizitës në Parkun e Qafshtamës tha se investimi  është një mundësi mjaft e mirë  për zhvillimin ekonomik , social, kulturol dhe turistik të zonës.

„Përmes këtij projekti i hapet një rrugë e gjerë formave të ndryshme te zhvillimit turistik me karakter sportiv, alpin; zhvillimin  bujqësor, te cilat do të ndihmonin në zhvillimin ekonomik të zonës ku përfitues janë mbi 5120 banorë të fshatrave përreth, si dhe rreth 24 000 banorë të zonës së bashkive Krujë e Mat që lidh kjo rrugë. Këtë rrugë do ta bëjmë jo vetëm thjeshtësisht të aksesueshme por edhe piktoreske, me një mjedis piktoresk për të pushuar, për të shijuar dhe kënaqur me pejsazhin e këndshëm me qëllim që të promovohet Parku Kombëtar i Qafshtamës si një resurs kombëtar ende i pashfrytezuar në maksimumin e potencialit të vet”, tha Ministrja Gjermeni.       

Zona e Parkut te Qafë Shtamës është e pasur me burime ujore. Uji është përdorur nga komunitetet lokale kryesisht si burim kryesor i uji  të pijshëm  si dhe te  aktiviteteve të tjera te  ujit, ujitjes, dhe rekreacioni.