Postuar më: 03 Korrik 2017

Strehimi social, MZHU nis punën për aplikimin online

Ministria e Zhvillimit Urban ka nisur punën për të mundësuar një tjetër shërbim online për qytetarët, këtë herë për të gjithë përfituesit e programeve e strehimi social.

Në të ardhmen të gjithë të interesuarit për këto programe do të mund të aplikojnë online përmes një baze të dhënash e cila po përgatitet nga MZHU në bashkëpunim me Komitetin për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar i organizatës së vendeve islamike (COMCEC), me vlerë 45 mijë dollarë.

Në workshopin ndërkombëtar të organizuar në përfundim të projektit 4 mujor, Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni theksoi se dixhitalizimi i shërbimeve mbetet prioritet i Qeverisë.

 “Më vjen mirë që ministria që unë drejtoj ka autorësinë tashmë mbi dy sisteme elektronike që është ai i lejeve të ndërtimit, funksional prej mëse një viti dhe sistemi i licencave të vlerësuesve të pasurive të paluajtshme dhe profesioneve të lira. Nisur nga eksperienca shumë pozitive e krijuar tashmë falë dixhitalizimit të shërbimeve publike qoftë atyre të ofruara nga Ministria e Zhvillimit Urban në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit apo dhe shërbimeve të qendërzuara tashmë nëpërmjet Qendrës së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) mbetemi entuziast se krijimi i një platforme elektronike kombëtare për strehimin social do të lehtësojë ndjeshëm zbatimin dhe aplikimin e programeve sociale. Gjithashtu ky sistem elektronik do t’i vijë në ndihmë edhe bashkive për të proceduar më shpejt aplikimet për strehim, por edhe për të pasur një pasqyrë më të saktë të nevojave për strehim që do ti shërbejë në buxhetimin vjetor për strehimin social”, tha Ministrja Gjermeni në fjalën e saj.

Buxheti i miratuar për vitin 2017 në fushën e strehimit është 560 milionë lekë ose 17% më i lartë së ai i një viti më parë. Më shumë së një vit më parë, MZHU hartoi strategjinë 10 vjeçare të strehimit social, ndërsa është gati për diskutim e miratim në Kuvend, projektligji “Për strehimin social”, i cili parashikon rritje të numrit të programeve të strehimit.

Për vitin 2017 janë miratuar 13 projekte për rikonstruksionin e banesave të komunitetit rom dhe egjiptian prej do të përfitojnë 300 familje rome dhe egjiptiane në 13 bashki të vendit.

70 familje të pastreha në 4 bashki do të përfitojnë nga rehabilitimin e godinave ekzistuese të dala jashtë funksionit, ndërkohë që po përmes buxhetit të vitit 2016 do t’u ofrohet Granti i menjëhershëm për shlyerjen e kredisë së përfituar të banesës me kosto të ulët në masën 5 – 10 % të vlerës së banesës për 20 familje me statusin e jetimit apo me person me aftësi të kufizuar.

 

Për vitin 2017 fondet e miratuar për bonusin e strehimit janë në vlerën 14 milionë lekë, të cilat do të mbulojnë qiranë deri në masën 50-100% për 210 familje të reja, nga të cilat 30 familje një prindërore me gra kryefamiljare.

Ndërkohë, 281 milionë lekë do të përdoren për subvencionimin e interesave të kredive me përfitues 4300 familje, të cilat janë trajtuar me kredi me kosto të ulët, duke zvogëluar numrin e të pastrehëve në mbarë vendin.

Udhërrëfyesi do të shpërndahet më pas në 61 bashkitë në vend, i cili do të shërbejë si një udhëzues bazë për orientimin e punës në sektorin e strehimit dhe mbledhjes së të dhënave për të pastrehët në vend.