Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin

Pozicioni gjeografik i Shqipërisë në Basenin e Mesdheut dhe hapësira e gjerë në Detin Adriatik dhe Jon, ka krijuar mundësi të mëdha për zhvilllimin e turizmit në Shqipëri. Ekosistemet tokësore dhe detare të Shqipërisë janë pjesë e zinxhirit mesdhetar dhe ballkanik të ekosistemeve natyrore. Pavarësisht kësaj, brezi bregdetar përbën terrenin më vulnerabël përsa i përket presionit që ushtrohet nga zhvillimim dhe si rrjedhojë menaxhimi i kësaj zone ngelet akoma një sfidë për vendin tonë. Ndër problemet që kanë shkaktuar një zhvillim jo të qëndrueshëm dhe në disa raste kaotik mund të përmendim: strukturat e dobëta administrative, mungesa e politikave integruese, mungesa e burimeve financiare, zhvillimet e ndjeshme sociale e ekonomike gjatë periudhës së tranzicionit, lëvizja demografike, zënia e pakontrolluar e territorit, urbanizim pjesërisht i planifikuar dhe në disa zona kaotik dhe informal.

Problem madhor ka qënë se për këtë hapsirë kaq strategjike nuk ka ekzistuar një Plan i Integruar Ndërsektorial për bregdetin (PINS) që të shërbejë si sistem rregullues për të siguruar standarte në planifikim dhe garantimin e instrumentave që mundësojnë shërbime cilësore turistike. Këto mungesa kanë rënduar situatën në terren, duke degraduar panoramën e bregdetit me ndërtime të realizuara në mungesë të një planifikimi kombëtar e ndërsektorial. Mungesa e një PIS për bregdetin ka shkaktuar edhe parcelizimin e planifikimit, aty ku kompetencat dhe juridiksionet territoriale ndahen. Për më tepër të gjitha planet vendore dhe ato rajonale (të pakta në numër), si dhe zhvillimet deri më sot, janë jetësuar pa rakorduar një vision të qartë rajonal, e aq më pak kombëtar. Ndaj, hartimi i PIS është një nevojë urgjente për të ndaluar përkeqësimin e situatës në territorin e bregdetit dhe jo vetëm.

Vizioni që do të përcaktojë Plani i Integruar Ndërsektorial për bregdetin (PINS), do të vendosë një raport të drejtë dhe ekuilibra mes objektivave të zhvilllimit sipas këndvështrimit të politikave të qeverisë, të drejtës për zhvillim dhe burimeve natyrore në territor. Ky proçes do të ketë në fokus ndryshimin e gjendjes aktuale në zonën e bregdetit, duke ligjëruar e zbatuar një vision të ri, nëpërmjet aplikimit të instrumentave ligjore dhe urbane, që do të realizojnë sfidat, duke miradministruar potencialet e vendit dhe duke i dhënë hov të madh e cilësor zhvillimit të turizmit.

Në përputhje me objektivat dhe parimet e përcaktuara, palët e përfshira në proçes do të përpiqen për të siguruar përdorimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të zonave bregdetare, në mënyrë që të ruajnë habitatet natyrore bregdetare, peisazhet, burimet natyrore dhe ekosistemet, në përputhje me standartet ndërkombëtare dhe normat ligjore, duke:

  • Identifikuar dhe eliminuar kufinjtë jashtë zonave të mbrojtura dhe zonave të hapura
  • Kufizuar shtrirjen lineare të zhvillimit urban dhe krijuar infrastrukturën e transportit përgjatë bregdetit
  • Siguruar se problematikat mjedisore janë të integruara në rregullat për menaxhimin dhe përdorimin e domenit detar publik
  • Siguruar për lirinë e aksesit të publikut në det dhe përgjatë bregut
  • Kufizuar, ose kur është e nevojshme, duke ndaluar lëvizjen dhe parkimin e mjeteve tokësore, si dhe lëvizjen dhe ankorimin e anijeve detare në gjire të brishta natyrore.
Dokumentet e bashkangjitur