Planifikimi i zhvillimit urban

Planifikimi i zhvillimit urban

Vendosja e kontrollit mbi territorin dhe zhvillimin urban, është një nga sfidat më të mëdha për Qeverinë dhe Ministrinë e Zhvillimit Urban.

Qeveria e Rilindjes synon t’i japë fund, përfundimisht epokës së informalitetit në zhvillimin e tokës, territorit, hapësirave urbane e rurale. Objektivi parësor i saj është të krijojë një mjedis institucional, ekonomik e social për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit, nëpërmjet transparencës në planifikimin dhe zhvillimin e territorit, si dhe në proceset ligjore që rregullojnë planifikimin e zhvillimin.  Ajo ka për qëllim të sigurojë një zhvillim ekonomik dhe shoqëror, të shpërndarë në mënyrë të barabartë në të gjithë vendin; t’i japë përparësi hapjes së vendeve të reja të punës; të nxisë e mbështesë zhvillimin e zonave rurale; të sigurojë mbrojtjen e ambientit dhe burimeve natyrore; të përmirësojë e zhvillojë transportin; të mbështesë zhvillimin e turizmit.

Për herë të parë do të hartohet dhe miratohet dokumenti strategjik "Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Zhvillimit në Territor", në investimet dhe në kontrollin e territorit.

Të gjitha këto, do të shkojnë paralelisht me realizimin e reformës territoriale. Miratimi i planit, do të paraprihet nga miratimi i Zonave të Rëndësisë Kombëtare, mbi bazën e të cilave do të vendosen 3 moratoriume të rëndësishme për ndalimin e aktivitetit ndërtimor në bregdet, në burime pyjore dhe sipërfaqe ujore e në të gjitha zonat me rëndësi për turizmin.

Do të krijohet baza e integruar e të dhënave për territorin dhe do të ndërmerret integrimi i vendbanimeve informale.