UNECE dhe Republika e Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit për strehimin e qëndrueshëm

Strehimi është një nevojë thelbësore e njerëzve që mund të ndikojë në shëndetin publik, në sigurinë dhe mirëqenien e brezave të sotëm dhe atyre të ardhshëm. Duke qenë se, mbi 50% e banorëve të Shqipërisë jeton aktualisht në zona urbane, tranzicioni drejt një strehimi më të qëndrueshëm në vend, duhet të ketë një impakt shumë pozitiv. Me qëllim për të përshpejtuar këtë tranzicion, UNECE dhe Ministria e Zhvillimit Urban e Republikës së Shqipërisë nënshkruan, në Gjenevë, një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) për zhvillimin e bashkëpunimit për strehimin e qëndrueshëm.

Elementi i parë, i dukshëm, i këtij bashkëpunimi, do të jetë themelimi i Qendrës së Ekselencës sipas Kartës së Gjenevës së Kombeve të Bashkuara,  në Tiranë. Ky MoU do të paraqesë një kuadër, brenda të cilit palët do të zhvillojnë dhe ndërmarrin aktivitete dhe projekte për të promovuar parimet e Kartës së Gjenevës së Kombeve të Bashkuara mbi Strehimin e Qëndrueshëm.

Ky bashkëpunim do të promovojë kërkimin shkencor dhe shkëmbimin e njohurive, trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve, bashkë me mbështetjen financiare dhe në natyrë.

Aktivitetet do të përfshijnë përkthimin dhe printimin e Kartës në gjuhën Shqipe, prodhimin e dokumentacionit mbështetës dhe organizimin e takimeve ndërkombëtare, kombëtare dhe vendore, për shpërndarjen e informacionit. UNECE do të ndihmojë dhe mbikëqyrë punën e Qendrës së Ekselencës, do të promovojë qëllimet dhe objektivat e Kartës, si dhe do të koordinojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave midis rrjetit të qendrave të ekselencës.

Ministrja e Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni, deklaroi: “Qendra e Ekselencës që do të themelohet në Shqipëri, është një iniciativë madhore, shumë e nevojshme për vendin tonë. Ne do të punojmë për të transformuar këtë qendër në një seli kryesore për rajonin e Ballkanit. Qendra, jo vetëm që do të rrisë bashkëpunimin e mëtejshëm midis vendeve tona, por do të drejtojë strehimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në nivel rajonal”.

Sekretari Ekzekutiv i UNECE-s, Christian Friis Bach, u shpreh se: “Në rajonin tonë, shumë qytete po mundohen të adresojnë sfidat e shumëfishta të kohës sonë: plakja, migrimi, pabarazia dhe siguria, të gjitha në një kontekst të vështirë ekonomik dhe financiar. Por, ka gjithashtu, motorë kryesorë të transformimit, laboratorë jetese që mund të prodhojnë zgjidhje inovative, për këto probleme. Duke themeluar Qendrën e Ekselencës sipas Kartës së Gjenevës së Kombeve të Bashkuara, në Tiranë, ne do të kontribuojmë në përparimin e këtyre zgjidhjeve dhe ndërmarrjen e një tjetër hapi drejt arritjes së Qëllimit të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) nr.11: qytetet dhe vendbanimet e njerëzve të bëhen përfshirës, të sigurt, elastikë dhe të qëndrueshëm”.