Postuar më: 30 Gusht 2016

Ndërhyrjet që kryhen pa pajisje me leje ndërtimi

Ndërhyrjet e mëposhtme kryhen pa pajisje me leje ndërtimi:

 

a) Ndërhyrje të mirëmbajtjes së zakonshme, sipas nenit 2, të kësaj rregulloreje, që përfshijnë:

 

i) ndërhyrje të jashtme për riparimin dhe zëvendësimin e rifiniturave të jashtme të ndërtesave, me kusht që të ruhen karakteristikat origjinale të tyre, si më poshtë vijon:

- rifreskimi i lyerjes, suvatimit dhe veshjes së fasadave me materiale që kanë karakteristika dhe ngjyra të njëjta me ato ekzistuese;

- pastrimi i fasadave;

- riparimi dhe zëvendësimi i dritareve dhe dyerve, qepenave dhe vitrinave (duke përfshirë përdorimin e materialeve të ndryshme), pa ndryshuar karakteristikat e tilla si, forma, ngjyra, dizajni dhe dimensionet e pjesëve të hapura dhe transparente;

- zëvendësimi i pjesshëm i mbulesës së çatisë, pa ndonjë ndryshim të formës, pjerrësisë dhe karakteristikave të veshjes;

- riparimi dhe zëvendësimi i ulluqeve e oxhakëve, edhe me materiale të ndryshme;

- riparimi i ballkoneve, tarracave dhe basamakëve apo barrierave mbrojtëse;

- vendosja e hekurave mbrojtës në dritare;

- vendosja e tendave të diellit dhe rrjetave kundër mushkonjave;

- sistemimi i oborreve;

- riparimi i rrethimeve ekzistuese.

ii) ndërhyrje të brendshme:

-  riparimi dhe rinovimi i dyshemeve;

-  riparimi dhe restaurimi i suvasë, veshjeve dhe ngjyrave;

-  riparimi dhe rinovimi i dyerve dhe dritareve, përfshirë vendosjen e xhamave të dyfishtë.

iii) ndërhyrje në impiante higjieno-sanitare:

- veprat e riparimit dhe zëvendësimit të pajisjeve higjieno-sanitare dhe riparimet e impiantit;

b)    Punimet për eliminimin e barrierave arkitektonike dhe përshtatjen e ndërtesave për personat me aftësi të kufizuara;

c)  Lëvizjet e dheut që lidhen, në mënyrë të posaçme, me ushtrimin e veprimtarisë bujqësore ose blegtorale, përfshirë ndërhyrjet në impiante hidraulike bujqësore.