Postuar më: 30 Gusht 2016

Si aplikohet për lejet e ndërtimit

Sistemi elektronik për lejet e ndërtimit do të realizojë njëkohësisht parimin e shërbimit me një ndalesë përmes ndërveprimit elektronik të të gjitha institucioneve të përfshira si dhe do të evitojë vonesat në vendimmarrje. Sistemi parashikohet të funksionojë si vijon:

- Aplikimi për leje do të kryhet vetëm online në portalin e-Albania, ku secili aplikues do të aksesojë me kredencialet e tij.

- Aplikuesi do të plotësojë hap pas hapi të dhënat e kërkuara lidhur me (a) llojin e kërkesës që paraqet (p.sh. leje ndërtimi, shtyrje afati, leje përdorimi, plotësim dokumentacioni etj); (b) llojin e kategorisë së ndërtimit (standarde apo kompleks); (c) nëse është procedurë e përshpejtuar; (d) të dhënat e pronës ku ndërtohet.

- Sistemi do të mund të lidhet dhe marrë automatikisht të dhëna nga regjistrat e gjendjes civile dhe QKR.

- Dokumentacioni i nevojshëm për shqyrtimin e kërkesës do të ngarkohet online nga aplikuesi, pasi të jetë nënshkruar prej personave përkatës me firmë elektronike, bashkë me një deklaratë të vetë aplikuesit lidhur me vërtetësinë dhe autenticitetin e dokumentit të ngarkuar në sistem.

- Gjatë gjithë procesit, aplikuesi do të njoftohet me e-mail lidhur me statusin e aplikimit të tij dhe do të marrë po kështu me e-mail njoftim për të gjitha vendimet që do të merren lidhur me aplikimin e tij;

- Pas dërgimit të aplikimit, sistemi do të njoftojë nëpunësit e Bashkisë kompetente ose të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, në rastin e lejeve të Këshillit Kombëtar të Territorit, në e-mailin e tyre zyrtar, lidhur me faktin se nje aplikim është në pritje për shqyrtim në llogarinë e tyre, përmes portalit e-Albania;

- Për shqyrtimin e kërkesës, nëpunësi i bashkisë e dërgon aplikimin përmes sistemit edhe në institucionet e tjera përgjegjëse dhe merr mendimet e tyre po ashtu përmes sistemit;

- Në përfundim të procesit, kërkesa bashkë me raportin teknik të nëpunësit përgjegjës, i drejtohet për mendim Kryetarit të Bashkisë. Nëse ky i fundit e vlerëson pozitivisht kërkesën, aplikuesit i kërkohet të vijojë me pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë;

- Në fund, pas vërtetimit të pagesës, Kryetari i Bashkisë firmos lejen, e cila i dërgohet aplikuesit në llogarinë personale tij në portalin e-albania dhe i njoftohet me e-mail;

Gjithë sistemi do të monitorohet nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, si kontrollues final automatik i gjithë procesit.