Postuar më: 01 Nëntor 2016

Standardet e Projektimit për Kopshtet dhe Shkollat

Dokumentet e bashkangjitur

Në përmbushje të programit të projekt-akteve për vitin 2016, Ministria e Zhvillimit Urban është angazhuar për hartimin e “Standardeve të Projektimit të Kopshteve“ si dhe “Standardeve të Projektimit të Shkollave“.

Këto Standarde kanë për qëllim të shërbejnë si referencë për këdo që përfshihet në procesin e planifikimit, programimit, projektimit/dizajnit dhe ndërtimit të ndërtesave/hapësirave të reja të kopshteve dhe shkollave apo në rehabilitimin e ndërtesave ekzistuese; duke përfshirë kopshtet/shkollat e sektorit publik, ashtu edhe ato të sektorit privat.

Këto dokumenta përcaktojnë hapësirat e nevojshme sipas llojit, madhësisë dhe specifikimeve në përputhje me standardet europiane.

Standardet përfshijnë të dhënat rreth të gjitha llojeve të hapësirave të kopshtit/shkollës: hapësirave edukative mësimore, hapësirave administrative dhe hapësirave të jashtme për aktivitete, si hapësirat për lojë dhe parkim. Këto standarde mund të përdoren për qëllime të ndryshme dhe për nivele të ndryshme, duke përfshirë:

  • Projektimin e kopshteve/shkollave të reja;
  • Projektimin e kopshteve/shkollave në objekte me përdorim miks;
  • Projektimin e zgjerimeve të kopshteve/shkollave ekzistuese;
  • Vlerësimin dhe përmirësimin e hapësirave të kopshteve/shkollave ekzistuese;
  • Studimin e orendive dhe pajisjeve të kopshteve/shkollave si dhe furnizimin me to;
  • Bazën referuese për studime rreth shfrytëzimit dhe efikasitetit të ndërtesave.

Në këtë mënyrë, standardet e paraqitura synojnë që të japin një kontribut thelbësor për një projektim sa më optimal të ndërtesave të kopshteve dhe shkollave .

Në këtë kuadër, janë hartuar draftet respektive të cilat vihen në dispozicion të publikut, personave të interesuar apo grupeve të ndryshme të interesit, të cilët mund të shprehin mendime, komente, sugjerime apo vërejtje të ndryshme.

MZHU e vlerëson shumë mendimin e profesionistëve të fushës si dhe përdoruesve potencialë të këtyre standardeve, ndaj angazhohet të reflektojë në masën që është e mundur, të gjitha komentet e sugjerimet të cilat duhet t`i dërgoni në adresën: info@zhvillimiurban.gov.al