Fillon projekti pilot për trajnimin intensiv të udhërrëfyesve turistikë

Postuar më: 14 Prill 2014

Në datën 14 prill filloi projekti pilot për trajnimin intensiv të udhërrëfyesve turistikë i mundësuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, në bashkëpunim me Qendrën për Edukim Ekonomik dhe Biznes.
120 orët e trajnimit, do të zhvillohen nga data 14 prill deri në 25 maj 2014. Programi përfshin module mbi trashëgiminë kulturore dhe natyrore, komunikimin, teknika të guidimit turistik, legjislacionin turistik, ndihmën e parë mjekësore, sigurinë rrugore, praktikimin e gjuhëve anglisht dhe gjermanisht, ekskursione në atraksione turistike të vendit. Ky trajnim është pa pagesë.
Përzgjedhja e temave të mësipërme synon të zgjerojë e thellojë, njohuritë teorike dhe praktike të kursantëve.
Në përfundim, personat e trajnuar do të certifikohen nga Komisioni i Certifikimit të Udhërrëfyesve Turistikë, i cili do të ngrihet me urdhër të Ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, pranë kësaj Ministrie.
Pas aprovimit të ligjit të ri për turizmin, do të përpunohen e miratohen,  kriteret dhe procedurat e plota për trajnimin e udhërrëfyesve turistikë.