Mirëmëngjes Tirana!

6 muaj më parë, në Tetor 2016, 65 krerë  Shtetesh dhe Qeverish, Ministra dhe Përfaqësues të Lartë, u mblodhën në Konferencën e Kombeve të Bashkuara mbi Strehimin dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm Urban (Habitati III) në Quito, me pjesëmarrjen e qeverive rajonale dhe lokale, parlamentarëve, shoqërisë civile, popullsisë indigjene dhe komuniteteve lokale, sektorit privat, profesionistëve, komunitetit shkencor dhe akademik, dhe palëve të tjera të interesuara, për të miratuar Agjendën e Re Urbane. Qeveria Shqiptare u përfaqësua në Habitat III nga Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni.

 Pjesëmarrësit ndanë qëndrimin e përbashkët se, deri në vitin 2050, popullsia urbane në botë pritet thuajse të dyfishohet, duke e bërë urbanizimin një nga tendencat më transformuese të shekullit të 21-të.

Në përfundim të takimit disaditor të nivelit të lartë, vendet pjesëmarrëse, mes të cilave edhe Shqipëria, miratuan Agjendën e re Urbane (Deklarata e Quito-s mbi qytetet e qëndrueshme  dhe vendbanimet për të gjithë).

Duke ritrajtuar mënyrën se si janë planifikuar, financuar, zhvilluar, qeverisur dhe menaxhuar qytetet dhe vendbanimet, Agjenda e Re Urbane do të ndihmojë për t'i dhënë fund varfërisë dhe urisë në të gjitha format dhe dimensionet e saj; do të zvogëlojë pabarazitë; do të nxisë rritjen ekonomike të vazhdueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme; do të arrijë barazinë gjinore dhe fuqizimin e të gjitha grave dhe vajzave, me qëllimin që ato të japin sa më të plotë kontributin e tyre për zhvillimin e qëndrueshëm; do të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve; do të nxisë aftësitë ripërtëritëse; dhe do të mbrojë mjedisin.

Në funksion të njohjes dhe respektimit të Agjendës së Re Urbane, Ministria e Zhvillimit Urban do të organizojë më 11 Prill 2017, një mëngjes pune ku do të marrë pjesë, zj. Ana Moreno, Koordinatore e Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara Habitat III.

Eventi më temë  “Agjenda e re Urbane – Zhvillimi i qëndrueshëm dhe sfidat e urbanizimit’, është mes të tjerash edhe një mundësi për lancimin e Agjendës së Re Urbane në gjuhën shqipe dhe një pikëtakimi për të diskutuar mbi sfidat që e presin Shqipërinë gjatë 20 viteve të ardhshme.

(Për materialin e plotë të Agjendës Urbane në gjuhën shqipe klikoni këtu,  ndërsa programi i eventit që do të mbahet në Tiranë, gjendet në këtë link. )