Postuar më: 22 Korrik 2016

Miratohen Standardet për projektimin e çerdheve

Ky dokument ligjor, i propozuar dhe hartuar nga Ministria e Zhvillimit Urban do të shërbejë si referencë për të gjithë ata, që janë të përfshirë në procesin e planifikimit, programimit, projektimit/dizajnit dhe ndërtimit të ndërtesave/hapësirave të reja të çerdheve apo në rehabilitimin e ndërtesave ekzistuese. Këto standarde janë parashikuar si për çerdhet e sektorit publik, ashtu edhe për çerdhet e sektorit privat. Ky projekt-vendim synon t’i japë zgjidhje problematikave të krijuara nga mungesa e standardeve të miratuara për projektimin e çerdheve. Në situatën, kur ndërtimet e çerdheve janë bërë të pabazuara në standarde projektimi, jemi ndeshur në mungesën e cilësisë dhe sigurisë në shërbimin e ofruar për përdoruesit e çerdheve.

Dokumenti, i cili hartohet për herë të parë në Shqipëri përcakton dhe përshkruan hapësirat e nevojshme sipas llojit, madhësisë dhe specifikimeve në përputhje me standardet europiane, për çerdhet në zonat urbane dhe ato rurale të Shqipërisë.

Standardet përfshijnë të dhënat rreth të gjitha llojeve të hapësirave të çerdhes: hapësirave edukative mësimore, hapësirave administrative dhe hapësirave të jashtme për aktivitete, si: hapësirat për lojë dhe parkim. Këto standarde mund të përdoren për qëllime të ndryshme dhe për nivele të ndryshme, duke përfshirë:

  • Projektimin e çerdheve të reja;
  • Projektimin e çerdheve në objekte me përdorim miks;
  • Projektimin e zgjerimeve të çerdheve ekzistuese;
  • Vlerësimin dhe përmirësimin e hapësirave të çerdheve ekzistuese;
  • Studimin e orendive dhe pajisjeve të çerdheve, si dhe furnizimin me to;
  • Bazën referuese për studime rreth shfrytëzimit dhe efikasitetit të ndërtesave.

Qëllimi i këtij projektvendimi është përmirësimi i kuadrit ligjor ekzistues, që përcakton normat e zbatueshme në projektimin e çerdheve.

Ai synon të rrisë nivelin e sigurisë në projektimin e çerdheve, në mbrojtje të jetës e shëndetit të personave si dhe vendosjen e rregullave në projektimin e çerdheve, në funksion të rritjes së cilësisë së produktit të marrë në fushën e ndërtimit, dhe si rrjedhojë rritjes dhe përmirësimit  të cilësisë së jetës, sigurisë dhe shëndetit të përdoruesve. 

Projektvendimi nxirret në bazë e për zbatim të nenit 18 të Ligjit Nr.8402, datë 10.09.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, i ndryshuar . Ai zbërthen kërkesat themelore të tij dhe konkretisht nenin 4 të këtij ligji, i cili parashikon: “Punimet e ndërtimit, të përkufizuara në nenin 3, duhet të projektohen e të zbatohen në tërësi ose në pjesë të veçanta, në përputhje me kërkesat urbanistike, kushtet teknike të projektimit, kushtet teknike të zbatimit, si dhe me destinacionin e tyre, duke patur parasysh edhe anën ekonomike të tyre. Ato duhet të plotësojnë kërkesat që kanë të bëjnë me:

  1. rezistencën dhe qëndrueshmërinë mekanike;
  2. sigurinë nga zjarri;
  3. higjenën, shëndetin dhe mjedisin;
  4. sigurinë në përdorim;
  5. mbrojtjen nga zhurmat;
  6. kursimin e energjisë dhe ruajtjen e ngrohtësisë.”.

Hartimi dhe miratimi i këtij projektvendimi është në përmbushje të programit politik të Qeverisë për rritjen e standardeve në zhvillimin urban.

Ai vlerësohet si pjesë e planit të punës së Qeverisë për 300 ditorin e dytë,  në realizim të projektit të Ministrisë së Zhvillimit Urban: Përmirësimi i kuadrit ligjor në fuqi, në fushën e urbanizimit.

Projektvendimin e miratuar nga Qeveria "Për standardet e projektimit të çerdheve", e gjeni këtu.